Ti je ketu: Ballina > Opinione > Vitet ikin, kujtimet mbeten
Vitet ikin, kujtimet mbeten

Funddhjetori - muaj i mallëngjimeve

Një mendim i bukur, se “perëndia na i dhuroi kujtimet për të ndier aromën e  trëndafilave edhe në dhjetor”, zgjon nostalgji, së bashku me këngët e harruara e fotografitë e zverdhura, duke ngjallur në mendje pamjet e mjegulluara të së kaluarës.

 

Antigona Qena Kaçaniku

Dhjetori, muaj i premtimeve e fillimeve të reja, i rekapitullimit gjithë vjetor, i shesheve përplot gjallëri, vitrinave të zbukuruara, i dritave shumëngjyrëshe, i dhuratave, fëmijëve që besojnë ende në Babadimrin, kohë e përgatitjeve festive, kohë kur zgjohen shpresat e reja, dëshirat për diçka më të mirë, që mund të sjellë Viti i Ri.
Nuk besoje se jam e vetmja që mallëngjehem sa herë që palosen ditët e dhjetorit, duke ma hapur sirtarin e ndjenjave, nga më të ndryshmet, mu si topthat vezullues që pulsojnë në bredhin e njomë. Vallë, ishte dikur kohë shumë më ndryshe se kjo, ishim ne, po të njëjtit njerëz, me po të njëjtat brenga e gëzime...

Buzëqeshjet miqësore
Vërtet, nuk kishte kaq shumë drita vezulluese në qendër të qytetit, po kishte buzëqeshje miqësore në çdo skutë, me përgëzime në çdo hap, kishte çdo gjë më pak, po prapë mjaftueshëm. Kishte fustane të qepura enkas për natën e ndërrimit të moteve, kishte pritje të organizuara në hotele, në Prishtinë, Bozhuri apo Iliria, pastaj në Hotelin Grand, po edhe në çdo qytet të Kosovës, me këngëtarë të përzgjedhur, me këngë të bukura, me ballo e valle, me ushqime modeste, me verën e kuqe, me shishet e shampanjës, që kërcitnin aq shumë kur hapeshin, ngase kjo premtonte Vit të begatshëm. Bëhej edhe një organizim i bukur që të pritej Viti i Ri në kinemanë e qytetit, me disa filma të përzgjedhur, që shfaqeshin njëri pas tjetrit, për atë kohë, vërtet ishte një përjetim i posaçëm.
Nuk kishte shumë programe televizive, ishte një, ai i Prishtinës e i gjithë Kosovës, në të cilin mblidheshin të gjithë krijuesit tanë, shkrimtarët, regjisorët, aktorët, humoristët, kompozitorët, instrumentistët, këngëtarët, valltarët, balerinët, gjithë stafi mobilizohej me profesionalizëm, për të bërë një program sa më të pasur, sa më të këndshëm, mbresëlënës, për shikuesit shumicë, që përzgjidhnin të prisnin ndërrimin e moteve në shtëpi, në rrethin familjar. Kështu, kudo bëhej një atmosferë e bukur, me sofër të pasur, ushqime të llojllojshme, ëmbëlsira të shijshme, të bëra nga dora e nënës, pije, dolli, përqafime, mbi të gjitha përgëzime e dëshira të sinqerta, që nga zemra uroheshin nga më të dashurit.

Kartolinat dhe postierët
Si një dëshmi tjetër se sa ndienim afërsi, ishin kartolinat aq të bukura, me urimet poetike, që na i sillte postieri te dera, sa shumë gëzime zgjonin ato, posaçërisht në fytyrat e fëmijëve, mu si dhuratat e Babadimrit, që jepeshin organizuar nëpër sipërmarrjet, ku punonin prindërit dhe ku vinte “personalisht” Babadimri dhe i cili e mbante në prehër, radhazi, secilin fëmijë, duke e ditur emrin e secilit dhe duke ua forcuar bindjen se përrallat mund të jenë të vërteta, janë mrekulli që ngrohin shpirtin në kohët e zymta, kurdo që mund t’i sjellë jeta. Dhe, këtij vendi, rrjedha e kohës i solli furtuna e dhembje. Pas përvojave të hidhura, do të duhej të kishte ardhur dërgjegjësimi me vlera të sofistikuara njerëzore. Le të jetë pra Viti 2018 e nesërmja e re, së paku për të rinjtë tanë, ajo e premtuara në vegjëli, përrallore.
Qofshi të rrethuar me të dashur të shpirtit, përplot dëshmi se jeni të përkëdhelur nga jeta. Gëzuar!
 

© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
265

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, rirodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT 2017 TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.net  ww.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version