Ti je ketu: Ballina > Aktuale > Promovim
Promovim

Shoqata e Bashkësisë Shqiptaro-Kanadeze në Toronto, promovon krijimtarinë e gazetares e publicistes nga Kosova, Sanije Gashi, dhe shkrimtares dhe ish-mësuese nga Shqipëria, znj. Eglantina Mandia.

Aktivitet plot vlerë

Në datë 6 maj, në zyrat e Shoqatës Shqiptaro-Kanadeze, u organizua një aktivitet shumë dinjitoz rreth krijimtarisë së gazetares e publicistes Sanije Gashi dhe shkrimtares, ish-mësuese, znj. Eglantina Mandia, kjo e fundit ardhur enkas nga Winsdori, ON, ku jeton prej shume vjetësh, ndërsa znj. Gashi u paraqit nëpërmjet skype-t dhe ndoqi tërë veprimtarinë.

Aktiviteti u hap me këngën e mbretëreshës së këngës shqiptare, Vaçe Zela, për Gjyshen, përderisa aktiviteti u zhvillua në prag të Ditës së nënës, ndaj të gjitha grave iu shpërndanë trëndafila të kuq. Nën tingujt e së madhes Vaçe Zela, auditori përshëndeti znj. Gashi, një surprizë e bukur për të dhe për të gjithë pjesëmarrësit. Gjatë gjithë ditës ishte programuar të dëgjoheshin këngët e zgjedhura të dy mbretëreshave të këngës shqipe, Vaçe Zela dhe Nexhmije Pagarusha, ndërsa mbretëresha e valles shqiptare, Lili Cingu - “Nderii Kombit”, ishte e pranishme në këtë ngjarje.

Në këtë aktivitet Ambasada e Kosovës u përfaqësua me sekretaren e parë të Ambasadës, znj. Blerta Ademi, si dhe merrnin pjesë gra e vajza, gjyshe, nga të gjitha trevat shqiptare, traditë në vazhdimësi e Shoqatës Shqiptaro- Kanadeze. Ishte si gjithnjë e pranishme Pasqyra Shqiptare nëpërmjet operatorit Fjordi Spahiu.

Aktivitetin e hapi Presidentja e Nderit, Dr. Ruki Kondaj, e cila ftoi shkrimtaren Mandia dhe të gjitha gratë e bordit, Arta Tafajn, Irma Lulin, Irene Breznicën, Brunilda Mersinin, Amarda Ponen, mësuesen e gjuhës shqipe - Mirka Hallidri, të zinin vendet për të filluar referimet rreth krijimtarisë së zonjave të nderuara. Në hapje të aktivitetit, një nder për të gjithë ishte ardhja e Ministres së Emigracionit dhe Shtetësisë së Ontarios - Znj. Laura Albanese, tashmë mike e shqiptarëve, e jo vetëm në Kanada. Vogëlushja Lorisa Toqani, e ardhur me mamin e saj, Vjollca, i dhuroi lule znj. Ministre Laura Albanese.

Znj. Kondaj theksoi se jemi këtu për të promovuar krijimtarinë e dy zonjave të mëdha të kulturës shqiptare, të Znj. Gashi dhe Znj. Mandia, duke falënderuar dhe ardhjen e ministres si një vlerësim për aktivitetin dhe shoqatën organizatore të këtij aktiviteti. Ajo, midis të tjerash, theksoi se shkrimtaret, përveçse janë mike të mira, janë intelektuale e shkrimtare me produktivitet të lartë, e nuk është rastësi që znj. Mandia e ka botuar librin e parë me 1969 dhe znj. Sanije e ka filluar karrierën si gazetare më 1965. Mesazhi i znj. Eglantina në librin e saj Fytyrë e dashurisë, dhe shkrimi “Mirupafshim, Prishtinë” - është tregues i qartë i kësaj miqësie 40-vjeçare.

Zonja Albanese i përshëndeti pjesëmarrësit e shkrimtaret dhe e quajti me vlerë të njihen figura të tilla të çmuara nga komuniteti nëpërmjet këtyre aktiviteteve. Ajo theksoi se gjatë krizës kosovare 1999 ka qenë gazetare në OMNI 1 dhe ka raportuar rreth ngjarjes, ndërsa librin e quajti një testament me shumë vlerë dhe premtoi që patjetër do ta lexojë. Si gjithnjë, tregoi për origjinën e familjes së saj nga rajoni i Pulias, ku ka arbëreshë të shpërngulur rreth 6 shekuj më parë. Një kopje e librit të terrorit ndaj popullsisë së Kosvës1998-1999 në anglisht iu dorëzua Ministres Albanese dhe një kopje të librit po në anglisht iu dorëzua znj. Blerta Ademi për znj. Anita Vandelbeld, deputete në Ottawa dhe kryetare e grupit të miqësisë Kosovë-Kanada.

Aktiviteti vazhdoi sipas programit, ku u lexuan në anglisht citime të Presidentit Bill Clinton nga zv/finacierja dhe anëtare e bordi - Irene Breznica, citim të Hillary Clintonit (Senatore) nga e reja Adelian Breznica, citim të Madeleine Albright (Sekretare Shteti) për fëmijët e Kosovës nga Fikrije Selmani, anëtare e shoqatës dhe të gjitha shoqëruan me zë këngën për fëmijët e Kosovës ”Children of Kosova”, përshkuar me një emocion shumë të madh. Ndërkaq, dy shkrimtaret falënderuan Minisitren Albanese për ardhjen dhe fjalën e saj gjithë peshë, duke e shoqëruar ministren me duartrokitje, dhe me tingujt e këngës së Bareshës të Mbretëreshës së këngës shqipe Nexhmije Pagarusha u përcoll ministrja Albanese.
Programi vazhdoi më tej me fjalën përshëndetëse të znj. Blerta Ademi, e cila falënderoi organizatorët për këtë organizim dhe zgjedhje kaq të bukur dhe shprehu kënaqësinë që mori pjesë në këtë aktivitet plot vlerë.

U vazhdua me biografitë e shkrimtareve për znj. Gashi nga zv/sekretarja Irma Luli, e cila me një lexim të qartë e përcolli tek auditori, dhe të znj. Mandia nga anëtarja e bordit - Brunilda Mersinaj, e cila përmes emocionesh dha mesazhin e saj të plotë. Për librin e Sanijes bëri një përshkrim të detajuar Dr. Ruki Kondaj, e cila theksoi se ky emër, që më emocioni aq shumë sa pashë online në VOA rreth librit të saj “Terrori 1998-1999”, një emër i madh në gazetari, gazetarja me penë të artë, e burgosura e regjimit serb 1992, e cila nuk foli kurrë për vete dhe as e përshkroi në këtë libër historinë e saj të trishtë, kjo është zonja e madhe e kulturës shqiptare - Sanije Gashi. Duke kaluar në ngjarjet e librit, ngjarje plot tmerr, salla gjithë kohën ishte e përlotur nga ato tmerre të përshkruara me hollësi, siç thotë autorja, pa i zbukuruar fare.
Është ndër të parat gazetare shqiptare të Kosovës dhe më e njohura, që bën gazetari aktive plot 53 vjet, e cila arriti të bëhej emër me konsideratë përmes shkrimeve që kishin për qëllim ngritjen e gruas shqiptare në çdo pikëpamje.

Për librin e znj. Eglantina - “Fytyra e dashurisë” foli financierja, anëtare e bordit, Arta Tafaj, e cila përshkroi me shumë mirësi mënyrën e të shkruarit aq bukur nga zonja Eglantina dhe emocioni që të përshkon kur lexon tregimet e saj, për bukurinë e fjalës së përdorur dhe lexoi një shkrim tejet të bukur e emocionues, kur Zysh Eglantinë para ca vjetësh shkon në gjimnazin ku ka dhënë mësim dhe bën apelin e nxënësve të saj si dikur, që ka mbetur në një kujtesë të bukur si për atë edhe për ish-nxënësit e saj. Për librin e grave të shquara të Znj. Gashi foli anëtarja më e re e bordit, Amarda Pone, e cila e përshkroi me shumë ëmbëlsi penën e Sanije Gashit për gratë e shquara të kombit. Vetëm një grua e shquar si Sanije Gashi mund të përshkruajë aq bukur vlerat e grave të shquara.

Gjatë aktivitetit pati edhe pjesë leximi - citime të kryeministrit anglez - Tony Blair, lexuar nga nderi i kombit - Liliana Cingu. U recituan poezi të poetit dhe diplomatit Visar Zhitit për Kosovën dhe të poetit Xhevahir Spahiu. Me këtë libër dhe përmes zërit melodioz e të veçantë të ish-spikeres së TVSH-së, znj. Antigoni Papastathi, regjistruar enkas për shkrimin e Eglantina Mandias “Mirupafshim, Prishtinë”, u mbyll ky aktivitet i bukur e plot emocion, si rrallë ndonjëherë dhe me plot falënderime nga këto rrëfime aq të bukura po dhe shumë prekëse. Në takim merrte pjesë dhe familja e znj. Eglantina Mandia, ardhur enkas nga Amerika, si dhe mike të saj nga Toronto.
Në mbyllje, Dr. Kondaj falënderoi koleget e bordit për organizmin dhe bashkëpunimin e shkëlqyer, si dhe drejtuesit kryesorë të shoqatës dhe këshillin e nderit për mbështetjen e fuqishme për këtë ngjarje.


 

 

#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
267

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, rirodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT 2017 TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.com ww.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version