Ti je ketu: Ballina > Gra të njohura >

Kanë kaluar një jetë të tërë në punë të ndryshme intelektuale, janë shquar në profesionin dhe veprimtaritë e zhvilluara atyre viteve… Dhe, vjen dita kur duhet t’ua ‘kthejnë’ shpinën, të nisin një fazë të re të jetës – pensionimin. I pyetëm, prandaj, tri intelektuale tonat të shquara, si po e përjetojnë këtë periudhë jete, me çfarë po merren, si i menaxhojnë ditët e periudhës së tretë të moshës: zonjat Fehmije Mushkolaj, ish-punëtore sociale, Kaqusha Jashari, ish-politikane dhe Dr. Drita Statovci, etnologe, të cilat gjetën kohë e qenë të gatshme të përshkruajnë përjetimet e tyre të tashme. Mbase, përvoja e tyre do t’u ndihmojë edhe grave të tjera për kalimin sa më të ngrohtë e më të lehtë të kësaj periudhe jetësore.
 

Blerina Gashi
Foto Ridvan Slivova


 

Natyrisht, nëse ke nipa, kënaqesh duke i parë se si rriten. Unë kënaqem me nipin dhe mbesën time, të cilët janë të mrekullueshëm.

Kohën e kaloj kryesisht duke lexuar letërsinë shqipe. Si punëtor social i diplomuar, profesion që deri rishtas ka qenë deficitar në Kosovë, gjithë shkollimin, pas shkollës fillore, e kam përfunduar në gjuhën serbokroate. Në ato kohë, e ngarkuar me mësime dhe studime, duke pasur pak qasje në librat shqip, përveç librave që bënin më shumë bujë, e të cilat i siguroja me shumë peripeci, nuk kam pasur shumë qasje në letërsinë shqipe. Kështu, në vitet e pensionit me kënaqësi po mundohem që ta kompensoj atë boshllëk.
Kuptohet, përveç letërsisë, me shumë pasion ndjek edhe zhvillimet në fushën time profesionale. Unë e kam studiuar Politikën Sociale në Universitetin e Zagrebit dhe më pastaj Shkencat e Politikës Sociale dhe Punën Sociale në Fakultetin e Shkencave Politike të Universitetit të Beogradit. Kam qenë e para nga Kosova që e kam studiuar këtë fushë dhe ky profesion ka qenë i ri në atë kohë edhe në ish-Jugosllavi. Për shembull, në përfundim të studimeve në Zagreb, praktikën për ta përgatitur temën e diplomës e kam kryer në Holandë, meqenëse mbrojtja sociale në Holandë ka qenë shumë e zhvilluar.
Unë për një kohë të gjatë e kam udhëhequr Qendrën për Punë Sociale dhe jam angazhuar shumë që ta zhvilloj këtë profesion human në Kosovë. Jam shumë e entuziazmuar që në këto vitet e fundit edhe Universiteti i Prishtinës ka filluar të përgatisë kuadro në fushën e punës sociale. Shpresoj se me ngritjen e kuadrove të reja në fushën e mbrojtjes sociale, do të punohet më shumë që edhe vendi ynë ta bëjë prioritet mbrojtjen dhe mirëqenien sociale.
Profesioni i rrallë i punëtorit social të diplomuar më ka mundësuar që t’i shërbej popullit tim edhe në periudha tejet të disfavorshme, kur Serbia e kishte filluar ofensivën dinamike kundër Kosovës, fillimisht kundër familjes shqiptare. Në kohën kur e kryesoja Konferencën e Grave, ishte zhvilluar nga Serbia një projekt tejet i rrezikshëm, i kamufluar nën petkun e “planifikimit të familjes”, e që përfshinte edhe Propozim-Ligjin për kufizimin e lindjeve deri në tre fëmijë! Zyra që unë e udhëheqja e kishte fituar betejën kundër një projekti të tillë të rrezikshëm, falë një mbështetjeje dhe angazhimi të rëndësishëm ekipor të një grupi të përzgjedhur të shkencëtarëve shqiptarë, profesorë të Universitetit të Prishtinës dhe ai propozim-ligj pësoi disfatë të rëndë.

Tash, si pensioniste, kam më shumë mundësi të udhëtoj për qejf. Më herët, udhëtimet, përpos për pushime verore, ishin kryesisht me punë. Unë i kam dy vajza, që jetojnë në Washington DC dhe në pranverë, zakonisht, i vizitoj ato. Verën e kaloj në Deçan, ku e kemi shtëpinë dhe në Shëngjin, derisa vjeshtën dhe dimrin e kaloj në Prishtinë.
Në Prishtinë, unë dhe burri im, Ibrahimi, për çdo ditë dalim në shëtitje, kryesisht në Taukbashqe, në Gërmi dhe fundjavave në Sheshin Nëna Tereze. Një prej gjërave të bukura, për të cilat kujdesem këto ditë të pensionit, është që të ruaj dhe të kultivoj shoqërinë me shoqet e mia. Takohemi rregullisht dhe të gjitha bëjmë përpjekje që takimet tona të jenë sa më të hareshme. Koha më e lirë në pension na mundëson që takimet tona të jenë më të gjata dhe të drekojmë së bashku. I kujtojmë sfidat e viteve të punës, por edhe debatojmë për zhvillimet aktuale dhe bisedojmë për shqetësimet e përditshme. Megjithatë, tema më e bukur për të cilën bisedojmë janë sukseset e fëmijëve dhe të nipave e mbesave.

 

Me profesion jam inxhiniere e diplomuar e ndërtimtarisë, por në jetën time aktive, pos profesionit, kam pasur angazhime në disa fusha: në veprime shoqërore, në politikë, në sport dhe në art.

Si inxhiniere, kam filluar të punoj në operativën ndërtimore dhe në infrastrukturë rrugore. Angazhimi shoqëror për mua ka qenë pjesë e jetës nga fëmijëria, rinia e pastaj edhe në kohën kur kam qenë e përfshirë në punë të ndërtimtarisë. Ky aktivitet ka ndikuar që unë të orientohem nga politika, sepse asnjëherë nuk kam qenë indiferente ndaj ngjarjeve tek ne në Kosovë, si në kohë të ish-Jugosllavisë ashtu edhe më vonë, me shpërbërjen e saj. Të merresh me politikë, do të thotë se nuk ke orar të punës, nevojitet përqendrimi dhe vendimet për ngjarjet në momente të vështira, me strese shumë të shpeshta. Unë kam qenë në pozitën e kryetares së Partisë Komuniste në Kosovë (në ish-Jugosllavi), kur është sulmuar Kosova nga sistemi i Serbisë së Millosheviqit e pastaj si kryetare e PSDK-së, në kohën e aktivitetit paqësor para luftës, e pastaj edhe pas luftës. Edhe në kohë të vështira, por nga fëmijëria, unë gjithmonë kam pasur interesim për artin dhe pikturën. Në momente të ngarkesave, pikturimi ka arritur të më freskojë, me ç’rast kam pasur pesë ekspozita personale. Gjithashtu, sporti për mua ka qenë pjesë e jetës. Në moshën e re kam qenë hendbolliste.Të gjitha këto angazhime i përmenda për ta krahasuar me momentin e ri të pensionimit, i cili kërkon një ndryshim të angazhimit aktiv, një angazhim më ndryshe, gjë që nuk do të thotë pasiv, por të vazhdosh aktivitetin sipas orarit personal dhe jo të imponuar. Unë jam pensionuar qe shtatë vjet, por interesimi im ka mbetur në të gjithë këta lëmenj që i përmenda por në një mënyrë tjetër. Në PSD jam në Kryesi, ku kam mundësi të shpreh mendimin tim, me pikturim kam vazhduar, e për sa i përket sportit vazhdoj me ndjekjen e ngjarjeve. Kombëtarja më ka tifoz. Po ashtu, takohem me shoqërinë e vjetër, e diskutojmë situatën aktuale dhe jemi shumë kritikë.
Me të kaluarën time jam e kënaqur që kam dhënë kontributin me Studimin e parë të arsyeshmërisë ekonomike, teknike dhe kombëtare të Autostradës Prishtinë – Durrës, të cilën e kemi bërë në Drejtorinë e Rrugëve, si inxhiniere. Si politikane, më është dhënë mundësia të jem nënshkruese e Deklaratës së Pavarësisë, si Deputete e PSDK-së, që kam ndjenjë të veçantë për këtë. Pikturën nuk e kam lënë asnjëherë, e kam pranë në momentet kur kam nevojë për frymëzim.
Po ashtu, mbi të gjitha, mundohem të jem edhe gjyshe e mirë, kam një nip dhe dy mbesa, që ma plotësojnë jetën. Porse, jam edhe e mërzitur, sepse bashkëshorti im ka ndërruar jetë para tre muajve, por vajzat e mia, të cilat i kam këtu në Prishtinë, po ma lehtësojnë dhimbjen.

 

Edhe pensionimi ka bukurinë e vet. Puna nuk ndalet assesi, e kur puna vazhdon me kreativitete të tjera, kjo është mrekulli.

Tani kam më tepër kohë të shijoj atmosferën e bukur, qoftë natyrën piktoreske, që dhurojnë Brezovica ose deti shqiptar, qoftë pamjen arkitekturale që ofron metropoli i Vjenës, madje kur shijohet edhe nga tarracat e bukura të vajzave të mia. Leximi i librit për relaksim, ose i librit shkencor dhe shijimi i kafesë, janë një aktivitet qendror në përditshmërinë time. Dashuria dhe kujdesi për nipërit dhe mbesën, tani janë një kapitull shumë i veçantë i jetës sime, janë ai ventil i gjallërisë dhe i së bukurës, që njeriu gjen në jetë. Të kënaq ardhja e tyre në jetë, rrita e tyre, fazat jetësore, si kur mësojnë të flasin, kur të shprehin dashurinë, kur të habisin me formulimet e tyre të jashtëzakonshme për përjetimet e tyre të reja e kur të lënë pa përgjigje për pyetjet e tyre inteligjente. Udhëtimet janë pasion imi, e kur këto bëhen të lidhura edhe me koncertet e vajzës sime, atëherë mozaiku është edhe më i pasur. Ose kur në këto udhëtime realizoj vizita, të një mënyre eksploruese, kënaqem me të dhëna natyrash të ndryshme. Më bën përshtypje ndonjë organizim, ose formulim i vogël, por domethënës për etnologjinë-antropologjinë kulturore. Një muze, në një vendbanim të vogël austriak, më la përshtypje me formulim, me konceptim të organizimit me dy fjalë: Fshati në fshat. Sa e bukur kjo, shkurt e saktë, ku përfshihet një jetë e tërë njerëzore.Modeli i një gruaje të fortë, të zellshme, fisnike e të suksesshme – ai i Nënës sime, Kadrijes, e cila, me vullnetin e saj pozitiv, po i afrohet ditëlindjes së 91-të, më bën mirënjohëse ndaj jetës. Vizitat e shpeshta tek ajo më kujtojnë sakrificën e femrës shqiptare për të edukuar e për të shkolluar familjen, duke e ruajtur lart dinjitetin e fisnikërinë edhe në vitet e regjimit të tmerrshëm, që përjetuam ndër mote…!
Puna është ajo që mban mendjen të shëndoshë, andaj unë edhe më tutje vazhdoj ta angazhoj veten time si përherë dhe kështu kontribuoj edhe më tutje për të lënë trashëgimi në fushën time profesionale, e ky është elementi më i qëlluar për mua. Etnologjia më shoqëron dhe e shoqëroj edhe në vitet e pensionimit. Tani vonë më është botuar libri Pikturimi i Fytyrës në Kosovë dhe tani punoj kohë pas kohë në një libër tjetër. Më bën mirë puna hulumtuese në terren, kjo gjithnjë të zbulon tema të reja, ta zgjeron horizontin e dijes dhe ta shton vullnetin për punë krijuese. Shfrytëzimi i bibliotekave të pasura vjeneze jep mundësi të mirë të ndjekësh risitë dhe të arritjet shkencore, ndërsa takimet me kolegë të Universitetit të Vjenës ofrojnë këmbim mendimesh, diskutime interesante e frytdhënëse.
Takimet me gjenerata të reja më japin satisfaksion të këndshëm, të veçantë, duke ma vërtetuar pozitivisht këmbënguljen time për hapjen e Departamentit Etnologji -Antropologji Kulturore në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës. Më kënaq interesimi i të rinjve për të diskutuar poblematika e fusha të ndryshme brenda etnologjisë e antropologjisë kulturore. Kënaqësi të veçantë më japin studentet e studentët tek të cilët e barta dijen për antropologjinë kulturore, e që sot i takoj të punojnë e të udhëheqin institucionet e ndryshme shkencore, profesionale e hulumtuese! Vitet e pensionimit, me shëndet të mirë, vërtet të japin kënaqësi!

© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.



 

 

#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
273

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, riprodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT 2017 TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.com ww.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version