Ti je ketu: Ballina > Intervista > Duhen vite të ndërtosh një trup me muskuj, angazhim dhe disiplinë!
GETA BEQA
Duhen vite të ndërtosh një trup me muskuj, angazhim dhe disiplinë!
Krijuesja e parë shqiptare e trupit muskulor, Geta Beqa, e cila kaloi orë të panumërta për ta formësuar trupin e saj, nuk është vetëm grua e bukur, por gjithashtu është dhe një grua e zonja, profesoreshë e shkathët e universitetit, nënë e mrekullueshme për tri vajzat e saj, dhe sportiste këmbëngulëse, e cila respekton disiplinën dhe etikën e punës.

Blinera Gashi
Foto Fadil Berisha

Geta, si jeni? Unë jam mirë, e fortë dhe e motivuar për të vazhduar punën e mirëmbajtjes së trupit në formë, për vete dhe shumë femra të tjera.
Fillimisht ju kemi parë si aktore në skeçet humoristike, më vonë, pas përfundimit të studimeve, jeni angazhuar dhe punoni profesoreshë në Universitetin e Prishtinës-Fakulteti i Edukimit Fizik dhe Sportit, ndërsa aktualisht jeni ngritur në promovimin profesional si ndërtuese e trupit. Jeni e vetmja grua bodybuilder në Kosovë?

Po, e vërtetë, jam rritur në skenë, në fushën e artit dhe të muzikës, në studime vazhdova të studioja për sportin dhe nuk u ndala deri te profesionalizimi dhe trofetë e shumta. E vërtetë, unë jam e vetmja shqiptare profesioniste me Pro Cart Elite Pro.
Duket se i pëlqeni sfidat, ngase deri tani keni konkurruar dhe keni fituar disa trofe globale. Në Francë, për shembull, në vitin 2017 keni fituar titullin e kampiones botërore në kategorinë ‘Woman Wellness Fitness’, ndërkaq në nëntor të vitit të kaluar (2018) në kampionatin botëror të fitnesit, në garën Elite Pro, të mbajtur në Pekin, ju u renditët e dyta. Cila është gjëja më e vështirë për pjesëmarrjen në këtë sport?
Në vitin 2017 mora 7 medalje të arta dhe në 2018 mora dy të arta dhe një të argjendtë. Në mesin e tyre dua ta cek Kupën Evropiane dhe Botërore. Më pëlqen të jem e para me profesionalizëm dhe me punë.

Njerëzit, në përgjithësi, ecjen në natyrë dhe ushtrimet trupore i preferojnë për të mbajtur trupin të formësuar dhe elegant. Megjithatë, krijimi i trupit tuaj muskulor është shumë më tepër se një angazhim në palestër a spërkatje e trupit me ngjyrë. Si ju lindi ideja që të merreni me këtë sport, për ndërtimin e trupit muskulor?
Të mbash trupin në linja të mira, është një kulturë vërtet fizike dhe ne tani kemi arritur të dëshmojmë se Kosova, përveç shumë kulturave që po sfidojnë botën, kemi edhe fushën e edukatës fizike. Unë kam studiuar Edukatën Fizike dhe pastaj jam profesionalizuar dhe jam punësuar Asistente në Universitetin e Prishtinës, Fakulteti i Edukatës Fizike dhe Sportit.
Sa vjet ju janë nevojitur që të krijoni trupin muskulor? Është aq e vështirë, sa duket në shikim të parë, për të arritur këto rezultate?
E vërtetë që duhen vite të ndërtosh një trup me muskuj, angazhim dhe disiplinë, si në ushtrime ashtu edhe në ushqim..., por nëse tregoj tamam sa vjet, njerëzit nuk do të fillojnë të ushtrojnë, sepse ne dëshirojmë të arrijmë sukses shpejt.
Kur nis dhe kur përfundon dita juaj, zgjoheni herët?
Dita ime fillon në orën 5:40 dhe përfundon në orën 23.00.
Cili është regjimi juaj i stërvitjes? Nga sa orë në ditë ushtroni? E respektoni çdo ditë rreptësisht orarin e ushtrimeve?
Zakonisht filloj në orën 6 ushtrimet cardio, ndërsa pasdite e kam të luhatur, nga 16:00 - 18:00. Kur kalon në profesionalizëm, patjetër duhet respektuar orari.
Përderisa keni arritur të gjitha këto rezultate, do të thotë se jeni një njeri i përpiktë dhe korrekt në çdo hap të jetës? Është e vërtetë kjo?
Sfidat të bëjnë edhe më të përgjegjshëm për jetë dhe çdo hap imi ka qenë me përkushtim për të arritur suksese.
Cilat janë opinionet e njerëzve tradicionalë, në mjedisin ku jetoni, lidhur me trupin tuaj muskulor?
Të them të drejtën, para se të filloja të ushtroja, edhe vetë kam pasur paragjykime për sportin Bodybuilding, sepse është agresiv për femra, mirëpo unë kam përzgjedhur Wellness Fitness, që është kategori e cila simbolizon një trup të shëndetshëm dhe të bukur.
Ju jeni nënë e tri vajzave, do të dëshironit që edhe vajzat tuaja, kur të rriten, të kenë një trup muskulor sikurse ju?
Po, jam shumë me fat që kam tri vajza, dua që jo vetëm vajzat e mia, por të gjithë njerëzit të kenë një edukim dhe kulturë për trupin e tyre.
Nëse një ditë nuk do të dëshironit të kishit më trupin ekstrem, a është e mundur ta ktheni atë në gjendje të mëparshme, pa muskuj?
Të gjithë kanë paragjykime për trupin garues, por ashtu është gara profesionale, ndërsa unë, në përgjithësi, mbaj trupin me linjat që lutem të kem këtë motiv edhe kur të jem në moshë.

Për të pasur një trup të padhjamosur, a do të thotë se ëmbëlsirat dhe brumërat nuk duhen konsumuar asnjëherë?
Aktiviteti është çelësi për trup të padhjamosur, në mënyrë që të mos keni kohë për të ngrënë shumë ëmbëlsira e brumëra. Nuk mund të them që nuk i konsumoj as unë ëmbëlsirat dhe brumërat, por unë e kontrolloj ushqimin dhe, kur e teproj, nuk lejoj të më deponohet në trup, sepse stërvit më shumë.
Cila është dieta juaj e preferuar ditore, ushqimi i cili asnjëherë nuk mungon në pjatën tuaj?
Proteinat luajnë rolin kryesor tek unë dhe në çdo ushqim marr më shumë proteina se karbohidrate.
Përveç ushqimit, cilat vitamina i konsumoni çdo ditë?
Vitaminat dhe mineralet janë po ashtu të rëndësishme për një trup të shëndetshëm dhe mundohem t’i marr përmes perimeve dhe pemëve, sipas stinëve.
Nëse një grua synon, që nga muaji mars deri në muajin qershor, të arrijë pamje elegante, duke hequr 10 kilogramë, a është e mundur të arrihet kjo për këtë periudhë kohore përmes ushqimit të balancuar dhe ushtrimeve apo ecjes në natyrë?
Sa kilogramë i hoqe?, - kjo është pyetja e zakonshme që u bëhet njerëzve. Unë sugjeroj, se të ndërtosh trupin është diçka që shihet dhe duket bukur, kur ke një bel të hollë e një lëkurë të shëndetshme dhe të ndritshme. Është shumë e shëndetshme nëse nuk heq më shumë se 3.5 kg në muaj.
Ju gjithashtu keni palestrën tuaj private. Keni shumë gra dhe vajza që vijnë dhe ushtrojnë nën menaxhimin tuaj? Cilat janë disa këshilla që u rekomandoni zonjave që kërkojnë të shohin rezultate më të mira?
Po, unë kam palestrën Gettfit, të cilën e kam krijuar me shumë dashuri dhe me të gjitha pajisjet profesionale që duhet ofruar një palestër, në të cilën ushtrojnë shumë vajza dhe nëna. Ndërkaq, mesazhi im për të gjitha zonjat është që të jetojmë shëndetshëm.

© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
Teuta Magazine

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, riprodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.com  www.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version