Ti je ketu: Ballina > Aktuale >

Gjyshja ime ka qenë një “Coco Chanel” e vërtetë në fshatin e saj, në Jug. Fustani i punuar në tezgjah me motive, shamiza qëndisur me hoje bojëqielli, jeleku i xixëlluar me temina dhe gjysma napoloni; si dhe këpuckat prej lini të përzier me lëkurën e bagëtisë së therur, flokët mbuluar me kënà e lëng arrash, ishin të denja për pasarelat e modës në Paris. 

Shkruan Miranda Haxhia

Ishin tekstile të njëmendta, djersa ishte e huaj për aromën e këtyre veshjeve. Finja dhe uji i mbledhur i shiut me të cilën i lanin, qenë detergjentë natyralë më të mirë nga shumë emra që shiten sot. Lëngun e hardhive e hidhte mbi flokë e ato përfundonin gërsheta të gjatë, të ndritshëm. Sot, ai tezgjahu i drunjtë, zhurma e tij, aroma e trëndelinës mes rrobave në sepet, shamizat e bukura, pas të cilave mjegulla mbulonte fatin e vashave, mungojnë. Një kimi e tërë ka pushtuar lëkurën, flokët, veshjet. Megjithatë, bota është më rrezëllitëse.

Shkëndijat e fatit nuk fiken për djem e vasha ëndërrimtare. Dëshira për ta kuptuar jetën, jo vetëm si një portofol plot kthina, por edhe si një kutizë të bukur sendesh tualeti, si një sirtar komoje plot mundësi e ëndrra mbrëmjesh të bukura, si një fustan i dëshiruar për një rast të rrallë. Veshja po na i bën më të dukshme dallimet mes njerëzve të thjeshtë dhe atyre që këto ditë po dalin shpesh nga kuvlia e politikës. Po i popullojnë sheshet e qyteteve, po dynden si barbarë nëpër ekrane televizorësh; po dalin gjithmonë e më tepër lakuriq, megjithëse kujtojnë se populli është gabel e ata janë klounët më të zotë në botë. Në rrëfenjat e vjetra, thuhet se mbretërit dilnin shpeshherë natën rrugëve të qytetit, të veshur me rroba të vjetra, të grisura, për të parë si jetonin njerëzit e thjeshtë, për të dëgjuar se çfarë flisnin ata. Si duket, rroba krijonte një mur mes luksit mbretëror dhe jetës së thjeshtë të shtetasve. Mendimi se veshja është një kod me anë të të cilit komunikojnë klasat e ndryshme në shoqëri, me kalimin e kohës është bërë më i pakapshëm, pasi sporti, liria e veshjes, ndryshimet dhe zhvillimi i shpejtë i komunikimit virtual, kanë krijuar shtresa dëshirash që nuk rrinë të ngrira si metrazhet nëpër rafte dyqanesh, por shpërthejnë në mijëra mënyra, forma dhe qasje.

Sikur të ishte koha e gjyshes sime, më e shumta, ky soj delenxhinjsh që tallet me ne e do të vazhdojë të tallet, do të kishte një qeleshe ... dhe një bastun.
Ndërsa këta... të thinjin pa u rritur, të veshin si për dimër e të zhveshin në behar, pastaj... të vrasin duke qeshur, pa inat. E ka fajin hipokrizia dhe kimia e politikës.

© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
277

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, riprodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.com  www.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version