Ti je ketu: Ballina > DIASPORA > Modelja e kreatorëve më të famshëm botëror
Erjona Ala
Modelja e kreatorëve më të famshëm botëror
Modelimi është industri atraktive, për të gjitha ato supermodele të cilat kanë gjetur rrugën e suksesit. Lista e këtyre modeleve të famshme është e gjatë, porse është i vogël numri i shqiptareve që kanë arritur të triumfojnë në këtë fushë. Pa dyshim emri i modeles Erjona Ala, e cila ishte vetëm 16 vjeçe kur defiloi në 65 revy të modës, është lakuar pak ose aspak në mediet kosovare, porse ajo tani vendos të zbulojë çdo gjë për karrierën e saj të suksesshme, punë e cila e rangon në nivelin më të lartë të modeleve më të famshme botërore.

Intervistoi BliNera Gashi

Mirëdita, Erjona. Si jeni?
Mirë jam, këtu, duke pirë kafe.
Sa bukur flisni shqip.
Për të folur, nuk e kam aspak problem, por kur vjen puna për të shkruar, nuk jam korrekte.
A do të thotë kjo se vini shpesh në Kosovë?
Nuk kam ardhur shpesh, ndonëse kam dëshirë të paktën çdo verë të jem atje. Këtu, tani, në Norvegji, është shumë ftohtë, më ka marrë malli për vendlindje...
Në cilin vit u shpërngulën prindërit nga Kosova në Norvegji?
Unë jam nga Mitrovica, por jam e lindur në Prishtinë. Që nga vitin 1997, kur prindërit u shpërngulën në jug të Norvegjisë, jetojmë në qytetin Kristiansland. Kur erdhëm këtu, unë isha vetëm dy vjeçe. Mami im e kishte familjen në Norvegji, dajat e mi jetonin këtu dhe, meqë mami ishte e sëmurë, erdhëm për shërim. Më pas filloi lufta në Kosovë dhe ne mbetëm këtu. Ndëkaq, në Mitrovicë vazhdojnë të jetojnë familjet e prindërve.
Më pas, si ndodhi që ju të bëheni pjesë e industrisë së modës. Si ishte fillimi i karrierës?
Ishte viti 2010. Isha 15 vjeçe. Bashkë me babin ishim duke ecur në Oslo. Rrugës më ndaloi një agjente nga Heartbreak Managment, agjenci e modeleve. Ajo më dha kartëvizitën dhe më ofroi të punoja si modele për këtë agjenci. Unë realisht kurrë nuk kisha menduar të merrem me një profesion të tillë... Fillimisht, nuk e përfillëm këtë ofertë, por pasi menduam pak, bashkë me babin, ramë dakord ta provonim. Kështu ishte fillimi dhe që nga atëherë nuk kam ndalur punën, vazhdoj ende të punoj me të njëjtën agjenci. Më pas, të njëjtën verë, më ftoi agjencia Elite Milano për të konkurruar në garën për modele. Aty kam kaluar shumë mirë, ndërkaq finalja ishte në Shangai, ku unë zura vendin e dytë. Më pas kisha kontratë me agjenci të tjera, siç është: Ford Models në Nju-Jork, në Milano, në Paris. Isha shumë e re, porse gjithmonë më ka shoqëruar babi im. Unë babin tim e falënderoj jashtëzakonisht për mbështetjen e tij, ngase vetë kurrë nuk do të mund ta bëja këtë rrugëtim. Babi më pati thënë, nëse kjo është ëndrra jote, ne jemi mbrapa teje. Ai i ka lënë të gjitha punët e tij për të më qëndruar mua pranë. Edhe mami më ka mbështetur shumë. Kështu, në moshën 16-vjeçare arrita të merrja pjesë në 64 revy të kreatorëve më të njohur botërorë të modës, siç janë: Versace, Chanel, Michael Kors, Louis Vuitton, Dolce&Gabbana, Burberry, Alexander Wang, Armani, DKNY, Cushnie et Ochs, Francesco Scognamiglio, Givenchy, Marc Jacobs, Moschino, Yves Saint Laurent, Zimmermann, Marc Cain, Nina Ricci, Pamella Roland, Roberto Cavalli etj. Po ashtu kam qenë imazhi kryesor për fushatën Louis Vuitton. Mbi të gjitha publikimi i fotos sime në ballinën e revistës Vogue, botimi italian, ishte një nga përvojat më të mëdha. Vazhdimisht isha në lëvizje, nga Nju-Jorku në Paris, nga Milano, kudo ku më ftonin.

Erjona, sikur keni qëndruar larg medieve, në përgjithësi, pse zgjodhët heshtjen?
Unë kam qenë shumë e re kur kam filluar modelimin. Porse dua t’ju them se isha shumë e turpshme. Mbaj mend kur kam filluar punën, jam munduar të mos tregoj që merrem me modelizëm, veçanërisht në shkollë nuk doja ta kuptonin. Frikohesha se si do të reagonin nxënësit e tjerë, çka do të thoshin ata për mua. Bile, kur e kuptuan, turpërohesha të shkoja në shkollë. Kam qenë shumë, vërtet shumë e turpshme. Nuk e di pse, ndoshta pse unë e dua jetën normale, kështu siç jam në shtëpi. Mbaj mend, pasi fitova konkursin në Elite dhe u ktheva në shkollë, nxënësit më thanë: ‘ti modele, sa e gjatë, sa e keqe’.
Jeni tejet elegante, do të thotë kjo se ju mbani dietë?
Jam e gjatë 1.79 cm, ndërsa, për sa i përket peshës, unë nuk peshohem asnjëherë, e kam ligj. Mundohem të ushqehem me ushqim bio, nuk kam nevojë të mbaj dietë. Kam qejf të ndihem mirë, nuk kam nevojë të mos ha. I pëlqej jashtëzakonisht piten dhe flinë. Nëse dikush i gatuan këto specialitete kosovare, unë jam aty. Edhe Mami im nganjëherë gatuan pite, sepse të gjithë e pëlqejmë shumë.

Ju angazhojnë kreatorët më të njohur botërorë dhe ju defiloni krahas modeleve më të njohura. Si ndjeheni?
Kur e nisa karrierën, siç ju thashë, isha shumë e re dhe më dukej normale. Natyrisht se është ndjenjë e mirë, por dua t’ju them se të gjithë janë njerëz shumë të mirë. Unë me të gjithë kam kaluar për mrekulli. Kisha dhe kam shoqëri me modelet më të njohura. Çdo vit marr pjesë në më shumë se 50 revy, ndërsa gjatë vitit kemi nga dy sezone. Për shkak të punës, që nga viti 2014 unë jetoj në Nju -Jork, porse këta muajt e fundit jam rikthyer në Norvegji për të përfunduar shkollimin tim, ngase më ka mbetur në gjysmë për shkak të punës. Nuk e pata përfunduar shkollën e mesme deri më tani, prandaj më është dashur ta nis nga fillimi. Jam shumë e lumtur që po arrij ta përfundoj tani. Për prindërit e mi gjithashtu ka qenë shumë e rëndësishme që unë ta vazhdoj edhe shkollimin. Tani, sapo t’i përfundoj provimet, kthehem sërish në punë.
Si ka mundësi që ju jeni aq gjatë në Nju-Jork dhe nuk keni realizuar ende foto te Fadil Berisha?
Është e çuditshme, por unë asnjëherë nuk e kam takuar asnjë shqiptar në Amerikë. Kurrë. Gjithmonë kam pasur dëshirë. Unë gjithmonë kam dashur shumë ta takoj Fadil Berishën. E njoh punën e tij, ai është një fotograf i shkëlqyer. Mezi po pres të kthehem dhe ta takoj.
Po me Rita Orën, ku u takuat?
Ishte revyja e modës Chanel, ku unë marr pjesë gjithmonë. Rita ishte mbrapa skenës, dhe unë u afrova ta takoja, i thashë jam shqiptare, uaaa - ma ktheu, edhe t’i je shqiptare? Filluam të flisnim shqip. Unë në fakt kam shumë dëshirë të takoj shqiptarë, ndoshta pse jam rritur këtu, në një vend pak të mbyllur. Nuk ka qenë shumë normale më parë që në shkollë të flasësh shqip. Tani në qytetin tim ka shqiptarë, por para 10-15 vjetësh kishte shumë më pak. Me askënd nuk të shkon biseda më mirë se me njerëzit e tu.

A ka qenë e lodhshme rruga për t’u bërë modele, madje ndër më te suksesshmet në botë?
Çdo punë i ka të mirat dhe të këqijat e saj. Ndonjëherë të duket vështirë edhe modelimi. Kur fillova punën, babi m’i gjente rrugët, vinte më merrte nga puna, kur isha e lodhur më dispononte, gjithmonë ma ka lehtësuar punën. Për vajzat e tjera, të ndodhen vetë në një qytet të madh, është pak e vështirë.
Si ndiheni para daljes në skenë? Keni emocione apo ndonjë ritual të cilin e praktikoni çdoherë?
Prapa skenës jemi shumë modele dhe e mbështesim njëra-tjetrën, qeshemi, nuk kemi kohë për stres ose nervozë. Disa herë ka ndodhur, para se të dalim në skenë, me të qeshura ta shtyjmë njëra-tjetrën, por në pistë të gjitha kemi qenë shumë serioze. Është një ambient ku secili mundohet të bëjë më të mirën nga vetja.

Cila është modelja/mikja juaj më e mirë?
Kam shumë modele mike, të cilat janë vërtet të suksesshme, për shembull Jamie Bochert është e njohur në industrinë e modës, ajo gjithmonë, sa herë e kam takuar, ka qenë shumë e dashur me mua. Gjithmonë më merrte me vete, posaçërisht kur isha 16 vjeçe: ‘Eja, Erjona me ne’, më thoshte. Gjithashtu edhe me modelen Cara Delevingne, kam punuar me vite, është një person i jashtëzakonshëm, është shumë e hareshme.
Cili është synimi juaj në jetë, ku dëshironi të arrini?
Në radhë të parë nuk dua ta imponoj tek të tjerët veten time, as suksesin tim, madje as në rrjete sociale. Modelimi është art, nuk ka të bëjë vetëm me faktin se si dukem. Kam shumë dëshirë që në të ardhmen, nëse mundem, t’i ndihmoj fëmijët në Kosovë. Nuk mendoj si të bëhem e famshme. Gjithmon­ë kam dashur t’i ndihmoj fëmijët dhe vërtet mendoj se në të ardhmen do të kem mundësi të bëj diçka të tillë.
Ju jeni fëmija i madh në familje?
Po, ne jemi tre fëmijë. I kam edhe dy vëllezër binjakë, tani janë 17 vjeç. Janë shumë të mirë, shkojnë në shkollë.
Çka ju porosit vazhdimisht nëna juaj, cili është mesazhi i saj?
Nëna ime gjithmonë më thotë - ‘të jesh njerëzore dhe t’i respektosh të tjerët. Lufto, mos u dorëzo!’
Cili është mendimi juaj për gruan dhe shoqërinë shqiptare?
­Është një temë shumë e gjerë, një ndryshim i madh. Unë, siç thashë, nuk kam qenë shumë në Kosovë, prandaj nuk mund të flas shumë lidhur me këtë çështje. Mund të them që i respektoj dhe i përgëzoj femrat shqiptare në Kosovë dhe kudo që janë.

© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

 

#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
Teuta Magazine

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, riprodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.com  www.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version