Ti je ketu: Ballina > Intervista > Revolta e artistit
Alban Ukaj
Revolta e artistit
E takojmë në Prishtinë. Ka ardhur nga Sarajeva në vendlindje për pak ditë pushimi. Në përpjekje për të takuar familjarë e miq, për të shuar nostalgjinë e kohëve të vjetra, aktori shqiptar Alban Ukaj, fama e të cilit ka kapërcyer kufijtë ballkanikë, gjen kohë edhe për intervistë me ne, e cila shpalos shumë të pathëna nga ana e tij - mes përshkrimit të jetës dalin në pah edhe mllefi, dhembja, krenaria e shpresa për njerëzit në Prishtinë e në Sarajevë.

 

Intervistoi Antigona Uka 
Fotot Ridvan Slivova

I nderuar me disa çmime ndërkombëtare, aktori Alban Ukaj, ka disa vjet që është shpërngulur në Sarajevë, atje ku po zhvillon karrierën prej aktori profesionist, duke mos lënë anash angazhimet e herëpashershme edhe në Prishtinë. Për jetën e re në Sarajevë, për rolet me tematikë sociale, për ngjashmëritë e boshnjakëve me shqiptarët e Kosovës, për të dashurën boshnjake, rolet e preferuara, planet, pakënaqësitë dhe shpresat, Albani rrëfehet pa komplekse dhe pa rezervë për revistën “Teuta”.

Alban, ka një kohë të gjatë që ndodheni në Sarajevë. Sa vjet u bënë që po jetoni në kryeqytetin boshnjak? 
Prej vitit 2001, domethënë, gati 16 vjet. Ne kemi qenë gjenerata e parë pas luftës në Prishtinë, po flas për aktrim, klasa e Faruk Begollit, që kemi pasur një entuziazëm të madh për punë. Kemi qenë të vendosur në zyrat e minatorëve të Trepçës afër Hotelit Grand, me një shpresë se diçka ka për të ndryshuar... Por, për fat të keq, kjo nuk ndodhi... edhe sot nuk ma merr mendja që ka ndryshuar diçka për të qenë. Në vitin 2001 vendosa të bëja njëfarë ndërrimi, pa ditur se ku do të jetë ai vend. Por, atë vit ishim mysafirë në Festivalin e Filmit në Sarajevë. Gjenerata jonë atë kohë shumë pak e kemi folur gjuhën, si i thoshim atëherë, serbokroate, unë e kam mësuar gjuhën për një periudhë shumë të shkurtër kohore, brenda gjashtë muajve. Kam pasur mirëkuptim të madh prej profesorëve në Sarajevë, që kanë punuar me mua edhe individualisht edhe jashtë orëve. Thënë të drejtën, më janë dashur 3 vjet të adaptohesha sadopak. Tash jam i punësuar në teatër atje. Jam anëtar i Ansamblit ­të Teatrit ‘Sarajevski Ratni Teatar’, që është formuar në vitin 1993, është njëri nga teatrot e rrallë në Evropë që është formuar gjatë luftës, gjatë bombardimeve në Sarajevë. Gjatë kohës së okupimit të Sarajevës, i ka pasur rreth 34 premiera. Disi mburrem që jam anëtar i atij teatri. 
Me çfarë po merreni aktualisht atje, jeni i angazhuar në ndonjë projekt filmik apo teatri?
I kam shfaqjet në teatër. Janë katër shfaqje aktive. E kemi formuar një asociacion privat, që jemi pak të tërhequr prej institucioneve, marrim fonde prej Ministrisë së Kulturës si të pavarur, por marrim fonde edhe prej ambasadave, fondacioneve të ndryshme të BE-së etj. Quhemi “Kontakt”, ndërsa shfaqjen e parë e kemi bërë në kooproduksion me teatrin kamertal 55 të Sarajevës. Projekti i dytë ka qenë një shfaqje me invalidë të luftës, është koreodramë. Për herë të parë në ish- Jugosllavi kanë punuar njerëzit që janë në karroca invalidësh, që kërcejnë e vallëzojnë në ato karroca dhe që i rrëfejnë ngjarjet e tyre dokumentare të jetës. Jemi më shumë të fokusuar në temat sociale. Projektin e ardhshëm do ta bëjmë një shfaqje me pensionistë, ku ata do t’i kujtojnë kohët e tyre, muzikën që e kanë dashur, e që e kanë formuar njëfarë grupi-rok, ndërsa janë të moshës 70-80 vjeçe. Po kështu, para disa muajve kam dërguar një skenar në Qendrën Kinematografike të Kosovës, fjala është për një film të metrazhit të shkurtër, në të cilin ngjarja zhvillohet në vitin 1997, kur në Prishtinë ka pasur demonstrata. Unë e kam pasur një dëshirë të madhe, e kam ndier të nevojshme të bisedoj për atë periudhë, se më duket që ka mbetur si në hije, e ne jemi rritur këtu, i madh e i vogël ka dalë në protesta. Pas rezistencës, që i thoshim paqësore, ndodhi njëfarë revolucioni edhe moral, edhe emocional, edhe fizik. Për mua ka qenë një periudhë goxha interesante, prandaj, siç e thashë, e kam ndier të nevojshme ta qes në letër. 
I përmendët shfaqjet që po i realizoni, që janë të karakterit social. Si ndihet aktori në të tilla shfaqje, kur provokohen ndjenja jo të lehta...
Është interesant edhe për ne, se kohët e fundit, teatri ka marrë një frymë të re. Është teatër dokumentar e nuk mund të mbetesh indiferent. Është shumë interesant t’i shohësh ata njerëz çfarë vullneti kanë, si e heqin atë farë turpi që i themi ne, dhe të pranojnë të vallëzojnë në karroca invalidësh. Për një moment, mandej e harron edhe aktrimin, që edhe për ne është njëfarë mësimi, e aktrimi më i mirë është kur nuk aktron.

 Shtresa më e ulët intelektuale – politikanët 

Të kthehemi te studimet tuaja, pse e zgjodhët pikërisht Universitetin e Sarajevës për të studiuar, çfarë ju tërhoqi të shkonit atje? 
I kam përfunduar studimet në Sarajevë në vitin 2004. Pse Sarajeva? Nuk kam ndonjë përgjigje të mençur. Ka ndodhur rastësisht. Kam pasur dëshirë ta provoj diku tjetër, pasi një kohë të gjatë kemi qenë të izoluar. Me shkolla në shtëpi private, kemi qenë në njëfarë getoje të mbyllur dhe shumë pak kemi ditur për vendet e rajonit. Babai im, për shembull, i ka kryer studimet në Zagreb, zhurnalistikën, ndërsa unë shumë pak kam pasur kontakt me atë botën e ish-Jugosllavisë, me atë botën sllave. Sarajeva është një pikë e veçantë e këtij rajoni, po flas për gjithë Ballkanin, ka qenë shumë aktive edhe në muzikën rok, edhe në teatër, ka qenë njëfarë lloj qendre e artit. Është qytet me një emocion të jashtë- zakonshëm. Të jesh i rrethuar 4 vjet, të të gjuajnë me bomba e granata, e të mbërrish të mbash të gjallë shpirtin, dëshirën për të bërë zbavitje, të kesh vullnet për jetë, këtë nuk ke mundur të shohësh si në Sarajevë! Një gjeneratë e tërë e aktorëve, që sot i kam kolegë, gjatë ditës kanë qenë në front, e në mbrëmje kanë lënë kalashnikovët para derës së sallës së teatrit, për të mbajtur orët e aktrimit, për t’i dhënë 130 premiera gjatë luftës, kjo ndodh rrallë! Prandaj, pavarësisht gjendjes financiare që ka pasur Sarajeva, ka qenë shumë interesante të studiosh në atë vend. Nuk kam pasur qëllimin të mbetem atje, por jam pritur shumë mirë. Nga më shpie rruga nuk e di, por aktualisht kam vendosur të jem atje. 
Në fakt, sa është atraktive jeta artistike në Sarajevë?
Shikoni, Sarajeva i ka 4 teatro profesioniste, është produkt i madh i akademive që çdo vit dalin 8-10 aktorë, ndërsa çdo katër vjet hapet një vend i ri pune! Sarajeva ka pasur fatin të ketë traditën e mbajtjes së festivalit të teatrit, sivjet u bënë 58 vjet, domethënë gati 60 vjet traditë, ka Festivalin e Filmit, që është një prej festivaleve më të mëdha në regjionin e Ballkanit, Festivalin e Jazz-it, ‘Sarajevska zima’ (Dimri sarajevas)..., të gjitha këto festivale kanë sjellë tërë kohën hyrje-dalje aktorësh, muzikantësh e regjisorësh të mëdhenj. Është një lloj qyteti ku më së miri vendosen kontaktet, nëse ke dëshirë të dalësh diku, në Evropë ose edhe në Holivud.
Me përjashtim të festivaleve, a e vuan teatri i Sarajevës mungesën e publikut, siç e vuan Teatri Kombëtar i Prishtinës?
Ka ndodhur një fenomen në Sarajevë. Deri para 5-6 vjetësh kemi pasur këso problemesh, është dashur të ndiqen shkollat e mesme, nxënësit, studentët, profesorët e universiteteve etj... Por, me krizën ekonomike duket se njerëzve u ka ardhur te hunda televizioni, se televizioni dhe interneti, serialet, kanë thithur një pjesë të madhe të publikut të teatrit. Brezat e vjetër, që janë mësuar të shkojnë rregullisht në teatër, pak janë demoralizuar, por dy vjetët e fundit në mënyrë marramendëse është kthyer publiku në teatër! Mendoj se për këtë ka ndikuar banaliteti, kiçi dhe shundi që janë duke u shfaqur pa pardon në televizion dhe njerëzit janë lodhur prej asaj pune! Edhe ne e kemi përgjegjësinë tonë: Sa i ofrojmë publikut, aq na vijnë... Vitin e fundit nuk e kemi luajtur asnjë shfaqje ku nuk ka qenë, bile 80 për qind e sallës e mbushur.
Konsideroni se pas gjithë këtyre viteve të qëndrimit tuaj atje, vërehen ndryshime për të mirë në Sarajevë? E vuajnë akoma periudhën e luftës? 
Vjen në një kohë të caktuar ajo nevoja për të biseduar për luftën, për ta qitur në rend të parë, kush sa është i gatshëm të falë, jo të harrojë, se, sa më shpejt që fal, aq më lehtë ka për të përparuar. Në Bosnjë, vonë ka filluar të ndërrohet ‘shiriti’, që themi ne, të mendohet për të ardhmen, duke e lënë luftën anash, për t’u dhënë brezave një shtytje. Në Prishtinë ende është e freskët ajo atmosferë, sepse sot, dita-ditës ne ende kemi probleme me shtetin fqinj, Serbinë, dhe ato varrë që kanë qenë gati të shërohen, prapë po hapen. E di se dikush preket, por jam goxha i sigurt në mendimin se shtresa më e ulët në aspektin intelektual të popullatës, si në Bosnjë, në Serbi, në Kosovë, janë politikanët. Ka përjashtime, me siguri. Është një kohë e pakohë, kur vijnë mediokritetet në pozita, marrin vendime, e shfrytëzojnë rastin e një popullate që është e lodhur, shumë e lodhur, për të ndryshuar diçka, se, kanë kaluar një pjesë të madhe në protesta, në revolucione... Është krijuar njëfarë gjendje apatie, si në Kosovë, ashtu edhe në Bosnjë. Ky është terreni më i përshtatshëm për mediokrit. Duhet t’u ruhemi këtyre situatave.
Ju keni lindur dhe jeni rritur në Prishtinë, a mund të thoni çfarë i dallon dhe çfarë kanë të përbashkët boshnjakët dhe shqiptarët?
Duke u nisur nga vetja, ne jemi më tragjikë, më patetikë. Edhe unë personalisht. Ndërsa në Bosnjë, sidomos në Sarajevë, tragjedinë e marrin pak më me shumë humor. Për gjërat e tjera, sado-kudo jemi gati të njëjtë. Ta zëmë, nëse nisemi nga ushqimet e disa tradita që na kanë mbetur nga koha e turqve, për shembull, sarma këtu – sarma atje, bakllava këtu - bakllava atje...
Ju merr malli për Prishtinën? 
Paj, po. Me kalimin e viteve, po ndiej nevojë më të madhe të vij, por është ajo barrierë e tmerrshme që unë nuk mund ta zgjidh. Bosnja ende ka probleme të brendshme shtetërore, njëherë nuk ka mundësi ta pranojë Kosovën si shtet, dhe një pjesë e madhe e politikanëve, edhe e kroatëve edhe e boshnjakëve, janë goxha indiferentë ndaj kësaj çështjeje. Por, sikur edhe të mos ishin indiferentë, hasin në probleme nga pjesa e republikës serbe, që me çdo kusht mundohet të sabotojë çdo lloj iniciative në parlament që ka lidhje me Kosovën. Ajo po më pengon të vijë më shpesh, pasi nuk ka lidhje direkte nga Sarajeva për në Prishtinë. E kur bëhet fjalë për vizitë të prindërve të mi tek unë në Sarajevë, më lehtë është të udhëtosh prej Prishtinës në Nju-Jork sesa për në Sarajevë. Por shpresoj që kjo situatë të rregullohet shumë shpejt...
Duket sikur po jetojmë në një periudhë të rëndë, ku nuk respektohen vlerat dhe sikur gjithçka është rrënuar. Sa është vështirë të mbijetosh në këtë fazë transicioni në gjithë Ballkanin?
Po mundohemi të mos jemi egocentrikë duke thënë që ne artistët e kemi vështirë. E kanë vështirë të gjithë. Duhet të jemi të vetëdijshëm se duhet dalë nganjëherë 30 km prej Prishtinës për të parë se si jeton dikush tjetër. Njësoj është edhe në Bosnjë. Imazh real i Bosnjës nuk është Sarajeva, as imazh real i Kosovës nuk është Prishtina. Është vështirë të mbijetosh, por duhet të pajtohesh me fatin se duhet t’ia lëmë kohës një periudhë të caktuar që disa gjëra të vijnë në vete. Unë një problem e kam, si në Sarajevë ashtu edhe në Prishtinë, që çdo send që nuk funksionon tek ne, argumenti i fundit që ne mundohemi të arsyetohemi e që është hipokrizi kombëtare, është se - ‘ka qenë luftë e na ka lënë me pasoja!’ Lufta nuk ka lidhje me rrethin e lagjes sime, për shembull, ku vlon bërlloku! Ose, mungon vetëdija qytetare se vetura nuk parkohet aty ku kalon këmbësori, se me veturë nuk kalohet në ngjyrë të kuqe të semaforit, se mbeturinat nuk gjuhen nga kati i katërt i banesës! Ose, respekti për më të moshuarin në autobus, respekti për fqinjin më të moçëm që ta kalojë i pari derën e hapur të banesës etj. Po më duket se ato vlera janë duke u shuar dhe jemi në atë periudhën kur kemi kërcyer në njëfarë kapitalizmi të egër, e kemi bërë të gjithë nga një IPhone, dhe “jemi të hutuar”, pa i kapërcyer disa gjëra të tjera. Kjo, po tutem se ka për të na lënë shumë të mangët, të palexuar! E kemi bërë njëfarë interneti, i lexojmë vetëm titujt e gazetave, vetëm titujt e librit. Jetojmë shpejt, nuk kemi kohë... 
Tani, disa vjet pas diplomimit, a ekziston ndonjë arsye tjetër e cila ju mban “të lidhur” për Sarajevën, përveç angazhimit tuaj profesional?
Në Sarajevë nuk më mban vetëm profesioni. Më mbajnë ata njerëz për të cilët kam qëndruar. Nuk kam ndenjur as për një teatër, se prej teatrit nuk mund të bësh shtëpi në Ballkan, por më ka ndalur ai qytet, ata njerëz, ata miq që i kam. Atje e kam krijuar familjen, e kam njëfarë lidhjeje emocionale që nuk ka lidhje më me profesionin. 

 Ka kaluar koha e aktorëve bohemë 

Sa është stresuese puna e aktorit? 
Shumë. Është e pamundur të jesh indiferent ndaj asaj që e bën. Nëse merrem me një temë ku një çift bashkëshortor e kanë humbur fëmijën dhe me atë problem mundohen tash ta ruajnë martesën, e gati që është e pamundur, nëse nuk e luan veç për sy e faqe, është e pamundur të të mos lërë diçka në aspektin emotiv. Nëse merresh me viktimat e luftës në Bosnjë, në Kosovë, është e pamundur të të mos lërë diçka mbrapa. Ka strese, ka dilema shumë deri në ditën e fundit. Sa herë që dal para publikut, mendoj a është mirë a jo. Nuk jam i kënaqur. Është profesion që do shumë punë, ka kaluar koha e aktorëve bohemë, që rrinë nëpër kafene dhe pinë raki. Sot për aktrim duhet të kesh kondicion, të jesh esëll, se konkurrenca është e madhe dhe gjeneratat e reja që vijnë të përpijnë në sekondë.
Cilin rol do ta veçonit dhe pse?
Do ta veçoja si shfaqje, jo si rol, shfaqjen “Hypermnesia”. Prej roleve e veçoj atë në filmin grek ‘Xhejs’, që e kam bërë gati para dy vjetësh, pastaj rolin e babait në shfaqjen “Vrima e lepurit”...
Mendoni se ka ardhur koha që të gjithë aktorët e suksesshëm shqiptarë të mblidhen dhe të realizojnë një film të bazuar mbi dramën e trishtë të luftës së Kosovës?
Koha ka ardhur moti, bile më duket se koha po kalon! Dikush duhet të marrë iniciativën. Kur them dikush, aty e përfshij edhe veten. Jemi pak dembelë, unë po mundohem të mbaj kontakte me shumicën prej kolegëve që jetojnë në Amerikë, Francë, Londër etj., ne nuk mund ta mbledhim vetveten. Është dikush që i mbledh aktorët, ai është producenti apo një regjisor. Nuk mundemi vetë ta marrim iniciativën. Temë e madhe është lufta në Kosovë. Akrepat e orës në Kosovë nuk ia kanë nisur të rrahin në ‘99-tën, por shumë më herët. Duhet pasur kujdes shumë në skenar, mos të jetë shumë ambicioz. Ta bëjmë një skenar të mirë. Të jemi autokritikë dhe jam i bindur që me autokritikë do të mund t’i shmangemi patetizmit. 
Ju faleminderit për kohën tuaj!
Faleminderit juve!

© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
Teuta Magazine

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, riprodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.com  www.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version