Ti je ketu: Ballina > Intervista > Ekskluzive: Në shtëpinë e Gjylymsere dhe Shpat Kasapit
Ekskluzive: Në shtëpinë e Gjylymsere dhe Shpat Kasapit
Falë marrëdhënieve miqësore dhe të afërta që kanë ndërtuar nënë e bir, flasin me sinqeritet dhe pa rezervë, shfrytëzojnë çdo moment të lirë për të qenë bashkë, ndonëse Shpati është tejet i angazhuar në muzikë, ndërkaq zonja Gjylymsere Kasapi pedagoge e suksesshme në Universitetin e Shkupit dhe deputete në Kuvendin e Maqedonisë. Ambienti familjar mbetet i shenjtë dhe frymëzim për suksese të reja.

E dashura e Shpatit, zgjedhja e tij!

Intervistoi Blinera Gashi
Fotografitë Shkëlqim Ukshini

Zonja Gjylymsere, Shpat, jeni të dy të famshëm, por në fusha të ndryshme. Si jetohet brenda shtëpisë e cila drejtohet nga një pedagoge e zonja universiteti dhe një artisti të famshëm të estradës shqiptare?
Është e vërtetë se u takojmë fushave të ndryshme dhe bota profesionale është me ndikim të jashtëzakonshëm, kur gjendemi jashtë shtëpisë. Mirëpo, gjithsesi, mbështetja ime si nënë për sukseset e Shpatit në muzikë, ka qenë gjithmonë ndër prioritetet. Shpati ka filluar të këndojë si i vogël dhe ka pasur nevojë për mbështetje morale e financiare. Nga mosha katërmbëdhjetë vjeçe (14), jam munduar edhe si nënë, por edhe duke e zëvendësuar babin e Shpatit. Lidhja emocionale, që është e natyrshme midis nënës dhe fëmijës, është gjithmonë e pranishme, pa marrë parasysh ku gjendet Shpati në momente të caktuara, në shtëpi ose në aktivitete të ndryshme artistike. Vazhdojmë të jemi të afërt, pasi Shpati ende është i pamartuar, derisa ai të gjejë partneren e vërtetë të cilën e meriton dhe natyrisht ajo do ta zërë vendin primar në jetën e Shpatit. Kuptohet, pa e harruar nënën, motrën dhe anëtarët e tjerë të familjes.
Ju më parë keni jetuar në Tetovë, por që para shumë vjetëve u shpërngulët në Shkup. Keni nostalgji për jetën tetovare?
Vazhdimisht na mungon Tetova. Gati çdo javë jemi të pranishëm në familjen tonë më të gjerë, e cila jeton në Tetovë, sidomos Shpati ka shoqërinë e fëmijërisë së tij më të cilët vazhdimisht kontakton dhe shoqërohet. Unë kam nënën, motrat, vëllezërit, mbesat, nipërit, kushërirat dhe shoqet e mia, të cilat nuk mund t’i zëvendësoj me askënd në përditshmërinë time që e kaloj në Shkup.
Zonja Gjylymsere, jeni profesoreshë në Fakultetin Pedagogjik të Universitetit të Shkupit. Mund të na flisni për përvojën tuaj akademike në këtë institucion arsimor. Sa jeni e kënaqur me zhvillimet brenda tij? Gjatë këtyre viteve të punës suaj në universitet, a është shtuar numri i studentëve shqiptarë, a ka pasur avancim në këtë aspekt?
Nga viti 1996 jam me punë në Shkup, fillimisht si këshilltare profesionale në Ministrinë për Arsim dhe Shkencë të Republikës së Maqedonisë në Shkup dhe ligjëruese në Fakultetin Pedagogjik “Shën Kliment Ohridski” – Universiteti Kirili dhe Metodi në Shkup, në lëndët Pedagogjia parashkollore, Pedagogjia familjare, Pedagogjia shkollore dhe disa disiplina të tjera shkencore pedagogjike, të cilat ishin lëndë zgjedhore në grupin e studentëve me mësim në gjuhën shqipe, programe studimore të grupit klasor dhe parashkollor. Edhe pse i takoj grupit të profesorëve dhe intelektualëve, të cilët morën iniciativën për themelimin e Universitetit të Tetovës në qershor 1994, konkretisht dhe historikisht jam pjesë e grupit themelues të Fakultetit Filozofik të Universitetit të Tetovës, me çka gjithsesi krenohem, përsëri sukseset e mia akademike i arrita në Universitetin e Shkupit, në Fakultetin Pedagogjik, i cili sapo ishte themeluar. Sot jam profesoreshë ordinare e të njëjtave lëndë në këtë Fakultet dhe anëtare e Senatit të Universitetit Kirili dhe Metodi, përfaqësuese e Fakultetit Pedagogjik në këtë Senat. Për sukseset e mia akademike kontribut të veçantë ka dhënë Dekani i parë i Fakultetit Pedagogjik, Prof. Dr. Nikolla Petrov, i cili është një nga pedagogët e shquar jo vetëm në Maqedoni, po edhe më gjerë. Me këtë rast respekt të veçantë dua të shpreh për Prof. Dr. Avzi Mustafën, i cili pa rezervë, duke filluar si recensent në mbrojtjen e disertacionit të doktoraturës, me temën - Arsimimi i femrës shqiptare në Maqedoni në periudhën 1945-1990, dhe deri sot, ka qëndruar në mbështetje të punimeve të mia shkencore nga fusha e Pedagogjisë dhe sidomos si recensent i librave të mi të botuar deri më tani.
Jeni autore e pesë librave shkencorë. Sa është e vështirë të arrihet balanca mes familjes dhe aktiviteteve shkencore në universitet?
Po, unë kam botuar pesë (5) libra shkencorë, tre në gjuhën shqipe dhe dy në gjuhën maqedonase, të cilët i takojnë librit universitar, të kërkuar nga ana e studentëve, mësuesve, prindërve dhe publikut më të gjerë. Gjithashtu jam bashkautore e dy librave shkollorë, nga të cilët njëri u miratua nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe ishte mjaft i suksesshëm e i kërkuar nga mësuesit e shkollave fillore. Për sa i përket balancës mes familjes dhe aktiviteteve shkencore në Universitet, unë mundohem të gjej kohë për t’i realizuar sa më mirë, edhe pse kuptohet se ka vështirësi të shumta.
Keni tre fëmijë, dy djem dhe një vajzë. Shpati, duke qenë i vogli i shtëpisë, mund të thuhet se ishte më i përkëdheluri në familje?
Jehona është vajza ime e parë dhe e vetmja. Ajo është mësuese e mrekullueshme . Është e martuar dhe e lumtur me bashkëshortin e saj, Gazmendin, të cilët bashkërisht udhëheqin familjen e tyre të lumtur me tre fëmijë. Djali im i madh është Albini, i cili gjithashtu ka krijuar familjen e tij me Hanën, dhe me vogëlushen Amelijen, të cilën e dua jashtëzakonisht shumë. Shpati, vërtet, është më i vogli, por ai di disi të imponohet të jetë i përkëdhelur jo vetëm në familjen më të ngushtë, por edhe më gjerë, si nga ana e familjes sime, ashtu edhe nga familja e babait të tij.
Jeni e kënaqur me arritjet e fëmijëve tuaj, përderisa juve ju ka rënë barra e edukimit dhe mbarëvajtjes së tyre, meqë bashkëshorti juaj, Naim Kasapi, vdiq në moshë relativisht të re? E keni ndier mungesën e tij në këtë rrugëtim të edukimit të fëmijëve tuaj?
Fatkeqësisht, Naimi vdiq në moshë relativisht të re dhe barra ngeli mbi mua. Është shumë e vërtetë se prindi asnjëherë nuk është i kënaqur më sukseset e arritura të fëmijëve, por kjo gjithsesi është subjektive. Konsideroj se fëmijët e mi kanë arritur atë që kanë dëshiruar dhe konsideroj se duhet të jem e lumtur si nënë e tyre.
Gjatë ditës, zakonisht, kur mblidhet e tërë familja juaj? Keni ndonjë ritual të çajit ose të kafesë?
Obligimet e Jehonës ndaj familjes së saj si dhe Albini, i cili jeton gjithashtu me familjen e tij, nuk u lënë kohë të jemi shpesh bashkë. Unë dhe Shpati mundohemi që nganjëherë të jemi bashkë dhe të kënaqemi, sidomos gjatë fundjavave dhe në veçanti në ditët kur vijnë xhaxhallarët e Shpatit nga Zvicra.
Gjatë gjithë jetës suaj, ju jeni angazhuar që të jeni jo vetëm mamaja e Shpatit, por edhe mësuese e denjë dhe një mike e mirë. A jeni tolerante ndaj tij dhe a mund t’ju drejtohet ai për secilin problem?
Kuptohet se Shpati konsultohet me mua për problemet që nuk mund t’i zgjidhë vetë, por ai është mjaft inteligjent dhe i kuptueshëm për t’i përballuar sfidat me të cilat ballafaqohet.
Cila është muzika që e dëgjoni në shtëpi?
Muzikë popullore, qytetare, dhe sidomos bëjmë kombinim me muzikën moderne argëtuese.
Shpat, këshilloheni për muzikë me mamanë, apo ajo është e para që dëgjon versionin përfundimtar të këngës suaj?
Shpeshherë konsultohem me mamin dhe gjithashtu versionin përfundimtar të këngëve e dëgjojmë me mamin. Edhe shoqërinë e ftoj për të dëgjuar këngën para se ta plasoj në publik.
Zonja Gjylymsere, muzika mund të konsiderohet peng juaji rinor, përderisa në moshën e rinisë suaj, ju nuk ju lanë prindërit të merreshit me këndim? A mund të thuhet se ju e keni përkrahur Shpatin që nga momenti i parë kur ai ka shfaqur dëshirën për të kënduar?
Po, sigurisht që e kam përkrahur Shpatin nga fillimi, kurse unë edhe sot e kësaj dite këndoj bashkë me Shpatin në ambiente familjare. Si e re kam kënduar, kam fituar çmime të para dhe kam disa incizime të këngëve popullore burimore në Radio Shkup dhe Radio Tetovë.
Kur e keni ndjekur për herë të parë Shpatin në koncert?
Në Festivalin e fëmijëve “Bletëzat”, që u mbajt në Tetovë, ku Shpati me këngën “Do të bëhem bankier”, me tekst të Naim Kasapit, fitoi çmimin e parë dhe u motivua për festivale të mëtutjeshme, ku gjithmonë është prezantuar me këngë të kompozuara nga kompozitor të njohur shqiptarë dhe maqedonas.
A ka diçka për të cilën nuk pajtoheni ju dy mes vete?
Ka gjëra për të cilat nuk pajtohemi. Ato janë më shumë lidhur me të ushqyerit e Shpatit, koha të cilën e kalon gjatë natës me shoqëri dhe natyrisht unë si nënë dhe pedagoge shpesh kërkoj nga Shpati një disiplinë dhe respektim të rregullave shëndetësore dhe familjare.
Në fakt, emri juaj është përmendur në medie, se ishit kundër lidhjes së Shpatit me ish-të fejuarën e tij. Është e vërtetë kjo?
Aspak nuk është e vërtetë. Për sa i përket jetës private të Shpatit, unë nuk kam ndërhyrë asnjëherë dhe konsideroj se është përcaktim i Shpatit se me kë do të kontaktojë dhe do të vazhdojë të krijojë partneritet. Unë do ta mbështes gjithmonë dëshirën e Shpatit.
Shpat, keni të dashur? Çfarë tipi të femrave ju tërheqin? Ju pëlqejnë kosovaret?
Hëpërhë, nuk kam të dashur. Ka femra shumë të bukura, të cilat më tërheqin, nga Kosova, nga Shqipëria, nga Maqedonia dhe diaspora. Por, akoma nuk jam përcaktuar për një femër me të cilën do ta lidh fatin e jetës sime.
Shpat, a ekziston ndonjë aktivitet tjetër, përveç këngës, ku ju e shprehni potencialin tuaj ose, siç besojnë disa, se ju drejtoni biznese familjare?
Kur kam kohë, merrem me sport, lexoj ndonjë libër interesant dhe shpresoj të orientohem me ndonjë biznes familjar.
Aktualisht, jeni duke realizuar ndonjë këngë të re apo i keni dhënë vetes pushim për pak kohë?
Po, kam publikuar dy videoklipe të reja, të cilat shpresoj të jenë hite verore.

© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
Teuta Magazine

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, riprodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.com  www.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version