Ti je ketu: Ballina > Opinione > Shpresoj të mos i jap trishtim askujt, kur të thuhet emri im
Profil
Shpresoj të mos i jap trishtim askujt, kur të thuhet emri im
Nëse shumë programe televizive janë si çamçakëzi, që përdoren për të zhvilluar muskujt e fytyrës, Ardit Gjebrea e ka kapërcyer sfidën. Nisur para 9 vjetësh në tv Klan, e ka fituar ‘betejën’ për shikueshmërinë e të dielave. Moderatorit dhe këngëtarit të mirënjohur i është dashur kohë e gjatë, mund, frymë bashkëpunimi, një elegancë në sjellje dhe marrëdhënie komunikimi për të mbërritur në këtë siguri suksesi. Eksperienca e parë si drejtues i emisionit ‘Fëmijët dhe muzika’ në Tvsh, kur ishte ende student, i ka paraprirë ngasjes për të qenë pjesë e televizionit jo vetëm si këngëtar.


Shkruan Miranda Haxhia

Televizioni në njëfarë mënyre është i rrezikshëm: i jep kulturë atij që nuk e ka, ndërsa ia heq njeriut të kulturuar. Kjo dilemë ka bërë të dështojnë mjaft programe, apo drejtues të tyre. Gjebrea ka ditur të fitojë një publik popullor, njerëz të thjeshtë, njerëz të zakonshëm, që midis hapësirave të së dielës, hyjnë në program, gjejnë kurajën të shfaqin pamje të jetës së tyre, duke lënë pas gjurmë të suksesit për autorët e programit ‘E diela shqiptare’. Por, aq finesë ka rrëfyer përmes këtij programi, në kapjen edhe të pjesës tjetër të publikut, më e paangazhuar, siç janë fëmijët, apo debatet e ndryshme intelektuale në edicione të caktuara.

Kantautori Gjebrea
Tetë vitet e para të shkollës studioi violinë; në Liceun Artistik ‘Jordan Misja’, të cilin e përfundoi me të gjitha notat dhjeta (nota maksimale), studioi katër vjet për piano dhe u diplomua për kanto; mbaroi Institutin e Lartë të Arteve me titullin ‘Kompozitor’; kreu Studimet pasuniversitare për kompozicion në ‘S. Cecilia’ Conservatorium, Romë- Itali. Sot, me veshje sportive, i ëmbël në komunikim me qytetarët e ftuar në program, një shkëmbim batutash e ndërhyrjesh të goditura, nuk është më ai djaloshi me flokët paksa të gjatë, por një zotëri i vërtetë, të cilin, kushdo që e takon për herë të parë, nuk e harron për shkak të mirësjelljes së veçantë. 
Arditi është 54 vjeç, e me një histori suksesi, por ai nuk ishte i panjohur për shikuesit e dy-tre brezave. Të moshuarit dhe bashkëkohësit e Gjebresë e kujtojnë ende këngën e Gjyshes, apo ‘Kur këndoj për ty, moj nënë’. Ishte vetëm 5 vjeç, kur filloi të këndonte, e qysh prej asaj kohe të largët, ai magjepsi çdonjërën nga skenat e 250 koncerteve në Shqipëri e jashtë saj me zërin dhe interpretimin e tij. Këngët e tij ‘Jon’ dhe ‘Eja’, apo ‘Makina e memories’ u bënë hite e u kënduan nga shumëkush pas viteve ’90.

Ka gjetur një formulë magjike me ‘E diela shqiptare’ 
Filluar qysh në vitin 2008, atëherë kur rrallëkush besoi se do të kishte një kurbë gjithmonë e në ngjitje. Tani ajo është koha televizive më e dashur për shqiptarët. Me të njëjtët bashkëpunëtorë, Aldon Lipe e Pali Kuke, nga viti në vit sjellin risi, një frymë më gjithëpërfshirëse, më argëtuese dhe gjithmonë e më edukuese. Një meritë e Gjebresë dhe stafit të tij është ndërthurja dhe lidhja që bën mes personazheve, auditorit, drejtuesve të çdo pjese të ‘Së dielës…’ e në shumë raste ndërhyrja e argumenti i gjetur. Më të suksesshmet e minirubrikave të programit të gjatë, janë ‘Kam një mesazh për ty’, ‘Power Kids’, ‘Ne jemi çfarë hamë’ – në bashkëpunim me Blerina Bombaj; ‘Shihemi në gjyq’ - ku Eni Çobani prej kohe mban pezull mjaft familje me histori konfliktesh e kundërshtish; Mjaft pjesë argëtuese e plot të papritura që mbështjellin ‘Telebingon shqiptare’. Dashuria për muzikën, çdo pjesë që ka lidhje me të, është produkt i kuruar me kujdes dhe aftësi menaxheriale. ‘Kënga Magjike’, një nismë e përvitshme ka krijuar profilin dhe karakterin e vet si festival muzikor. Patentën e kësaj maratone muzikore e ka pikërisht Ardit Gjebrea. 
Harmonia e arteve të ndryshme, organizimi i stafit, pjesa e dukshme dhe ato mijëra punë të padukshme, paraprake, janë sekreti i ‘Së dielës shqiptare’, kësaj ‘Meduze’ televizive, kësaj sirene që të magjeps me këngët e befasitë e saj. ‘Shpresoj të mos i jap trishtim askujt, kur të thuhet emri im, dëshiroj të ketë vetëm buzëqeshje, mirënjohje dhe, mbi të gjitha, dashuri, është gjëja më e çmuar në këtë botë. Kush nuk di të falë dashuri, nuk e merr kurrë, si rrjedhim nu­k ka jetuar.’ 
- Është shprehur në faqen e vet të internetit Ardit Gjebrea, para disa kohësh, por rrisku i të bërit tv, e ka futur në diskutime me publikun, siç ishte rasti i intervistës me një vrasës të dënuar, në një nga programet e së dielës, në vitin 2016. Megjithatë, as ai rast nuk e uli shikueshmërinë e programit argëtues të së dielës. Dhe, Gjebrea e përballi edhe këtë akuzë me qëndrimin e tij korrekt e të përgjegjshëm.

‘Armët sekrete’ që rritin suksesin e Ardit Gjebresë
Anila ishte gjimnaziste te ‘Petro Nini Luarasi’, një vajzë e hijshme që nuk i kishte mbushur ende të 18-at, kur djaloshi 24 vjeçar ‘e gjuajti’ për ta pasur më pas shoqe për gjithë jetën.  Gjithmonë Gjebrea është shprehur se familja është gjëja më e bukur që ka, por ardhja në jetë e Annës ishte një plotësi jo vetëm për të, por edhe për Jonin, djalin e rritur të Arditit. Anilën dhe Arditin i bashkon një jetë e tërë qysh prej tridhjetë vjetësh, ndërsa ‘E diela shqiptare’ i ka bërë edhe ekip profesional. Anila është ashkëpunëtore e ngushtë e të shoqit në programin ‘E diela shqiptare’, si dhe në festivalin muzikor ‘Kënga magjike’.

Çfarë bëjnë shqiptarët nga e diela deri të dielën tjetër? 
Shikuesit shpeshherë kthehen në ‘skllevër’ të një mizërie programesh, që zaptojnë kohën e mbrëmjes për politikën. Dëgjojnë politikë. Mediokër politikanët dhe po aq mediokre idetë që shëtisin nga njëri kanal televiziv te tjetri.  Televizori është si Antikrishti. Në harkun e tre apo katër brezave, njerëzit nuk do të jenë në gjendje të 
mendojnë, të gjykojnë, të ecin përpara me mendjen e tyre dhe raca njerëzore do të kthehet në epokën e Gurit, të barbarizmit Mesjetar, në kohën kur kërmilli kapërceu kohën e Akullnajave. Nëse botës nuk i vjen rreziku nga një bombë atomike, jam e sigurt se do të mjaftonte një tepri banaliteti në televizione për ta shkatërruar keq atë. Ndaj ia vlen të thuhet se puna e një drejtuesi të njohur të programit të së Dielës në tv Klan, Ardit Gjebrea dhe stafit të tij, kalon përmes një rreziku të padukshëm, por këmbëngulës për të infektuar. Deri tani Gjebrea ia ka dalë të jetë larg kësaj vale ndjellakeqe. Dhe fjalët e mira i shkojnë për shtat personalitetit të tij si showman i suksesshëm.

Nga e Diela… deri të dielën tjetër?
Është një staf i tërë që punojnë për programin e ditës së diel. Pjesa e padukshme e gjashtë orëve të transmetimit direkt në tv Klan, është mundi e meraku i teknikëve të ndriçimit, janë kameramanët, grimerët. Pasionit të këtij ekipi i shtohet puna e mrekullueshme që bën me orkestrën mjeshtri Shpëtim Saraçi, trupa e baleti,e drejtuar nga Albi Nako. Pa harruar shoqëruesen simpatike të Gjebresë gjatë rubrikës ‘Telebingo shqiptare’, Andresa, e lindur dhe e rritur në Brazil. Ja, edhe pak ditë dhe…ora shënon 13.30, vjen rishtazi ‘E diela shqiptare’. Ai rishfaqet… për të sfiduar.

© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
Teuta Magazine

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, riprodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.com  www.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version