Ti je ketu: Ballina > Shëndeti > Xhelozia, ndjenjë e mundimshme
Xhelozia, ndjenjë e mundimshme

Xhelozia është ndjenjë e mundimshme, një përjetim i individit, se është duke e humbur vlerën në sytë e personit shumë të rëndësishëm për të – ose kur individi e ka të vështirë të arrijë diçka, që dikush tjetër e ka arritur dhe i sjell kënaqësi. Xhelozi do të përjetohet, po kështu, nëse personi, që për ne është shumë tërheqës, e ka syrin tek dikush tjetër.

 

Prof. dr. Neki Juniku, psikolog

Xelozia mund të jetë një problem i rëndë në raportet bashkëshortore. Sipas një studimi, xhelozia është fuqishëm e pranishme tek rreth një e treta e çifteve bashkëshortore. Mendimi se xhelozia është shenjë e dashurisë, nuk është i saktë. Atëherë, ç’është ajo që njerëzit i bën të jenë xhelozë? Studimet bëjnë të ditur se xhelozia është e lidhur me vetëvlerësimin e ulët, me tendencën që personi të ndihet i pikëlluar, në ankth dhe emocionalisht jostabil, me ndjenjën e pasigurisë dhe të varësisë nga partneri.
Kapërcimi i xhelozisë arrihet sikur edhe ndryshimi i cilitdo reagim emocional. Kjo fillon me vetëdijesimin, i cili do të mundësojë të kuptohet se skenat që sillen në mendjen tonë, në të shumtën e rasteve, nuk kanë asgjë të përbashkët me të vërtetën. Kur kjo të jetë kuptuar, ne nuk do të reagojmë më ndaj skenave të imagjinuara në mendjen tonë. Xhelozia është reagim emocional, nga bindja e gabuar për saktësinë dhe vërtetësinë e skenave të prodhuara nga imagjinata jonë. Duke ndryshuar besimet, ndryshojmë atë që imagjinata jonë ka sajuar dhe eliminojmë edhe përjetimet dhe reagimet destruktive emocionale. Për ta arritur zgjidhjen permanente dhe tejkalimin e emocionit të xhelozisë në raportet bashkëshortore, duhet ndryshuar besimet thelbësore të pasigurisë dhe projektimi i skenave, të cilat gjoja se i bënë partneri ynë.


Duhet kushtuar kujdes të veçantë shfaqjes së ndjenjës së xhelozisë me qëllim që, sapo të jemi të vetëdijshëm dhe e ndiejmë xhelozinë, të jemi në gjendje ta transformojmë atë. Njerëzit shpeshherë e injorojnë atë që ndiejnë, madje nuk janë të vetëdijshëm se ç’janë duke përjetuar. Në këtë mënyrë, ata sikur krijojnë një mbulesë për ndjenjat e fshehura dhe kështu shfaqin veten në një mënyrë të befasishme dhe të padëshiruar për veten. Në këtë mënyrë, emocionet e tyre dalin në sipërfaqe, kur i injorojnë dhe nuk i transformojnë ato. Duke i injoruar ato, ata assesi nuk i ndihmojnë vetes. Xhelozia është një problem i ndërlikuar, por mund të arrihet që kjo ndjenjë e pakëndshme dhe e rëndë të shfrytëzohet në të mirën tonë, duke e transformuar atë në vetëbesim. Kjo mund të realizohet duke e pranuar ndjenjën e xhelozisë dhe duke e konsideruar atë si diçka të natyrshme dhe normale, pa u shqetësuar dhe pa u turpëruar për përjetimin e saj nga vetë ne. Sa më shumë që ta fshehim, xhelozia do të rritet akoma më shumë dhe do të shfaqet në kohë të papërshtatshme e jetën tonë do ta bëjë të rëndë dhe të mjerë. Nga ky vështrim, për xhelozinë mund të kuptohet lidhja e saj e ngushtë me pasigurinë personale dhe me vetëvlerësimin e ulët, të cilin po e analizojmë më hollësisht në vazhdim.


Vetëvlerësimi, në esencë, paraqet mënyrën si e shikojmë veten dhe sa kemi besim tek vetja jonë. Vetëvlerësimi ose vetëbesimi është shumë i rëndësishëm për suksesin tonë, por vetëvlerësimi shumë i lartë si edhe ai shumë i ulët, mund të jenë të dëmshëm. Kur vetëvlerësimi është shumë i ulët, ai shpie në depresion. Personi merr vendime të gabuara, krijon raporte destruktive dhe nuk arrin realizimin e potencialit të vet. Në anën tjetër, vetëvlerësimi shumë i lartë shpie në narcisoizëm, që mund të dëmtojë raportet personale (veçmas në rastet e zhgënjimit). Andaj, shikimi realist pozitiv i vetvetes konsiderohet ideal.
Në formimin e nivelit të vetëvlerësimit tonë mund të ndikojnë faktorë të ndryshëm. Trashëgimi mund të ketë ndikim në formimin e përgjithshëm të personalitetit e po ashtu edhe të vetëvlerësimit, por shumë shpesh edhe përvoja mund të jetë bazë e vetëvlerësimit. Vlerësimet e vazhdueshme negative në fëmijëri nga prindërit dhe nga të afërmit, kanë gjasa të shkaktojnë vetëbesimin e ulët. Bazë për vlerësim pozitiv të vetes është ta pranojmë veten tonë të tillë siç jemi e jo si “do të mund” të ishim. Kjo nuk do të thotë të mos jemi asnjëherë kritik ndaj vetes sonë dhe se asnjëherë nuk duhet të ndryshojmë, por të jemi në gjendje të jetojmë me dobësitë tona dhe me mënyrën tonë të përpjekjes që të jemi më pak të tillë. Me fjalë të tjera, nëse do ta pranonim veten tonë ashtu siç jemi, nuk do të preokupoheshim me dobësitë dhe do ta shihnim veten në mënyrë reale, duke mos qenë krejtësisht “të verbër” ndaj të metave tona, por duke mos i shikuar ato si fatale.

Ja disa mënyra si të jemi më shumë adhurues sesa kritik ndaj vetes sonë:

  1. Të jemi në gjendje të mendojmë për dobësitë tona, nuk do të thotë ta urrejmë veten tonë;
  2. Të kthehemi prapa dhe t`i shikojmë arritjet tona. Kur kemi bërë diçka mirë, të mos frikohemi të pohojmë se kemi qenë të suksesshëm;
  3. Të mësojmë ta shikojmë (si në pasqyrë) tërë atë që e adhurojmë te vetja jonë;
  4. Të përpiqemi të bëhemi një person më i mirë, por pa pritur se kjo do të arrihet “aty për aty”. Bie fjala, mund të jemi plotësisht të pakënaqur me peshën tonë. Le t’i japim vetes një kohë, brenda së cilës realisht do të mund të arrijmë sukses“pak nga pak”;
  5. Të shohim si duket kur jemi vetja jonë, pa qenë të ngarkuar si ta impresionojmë dikë tjetër;
  6. Të mund të mendojmë për të kaluarën, por pa qenë të dërrmuar me pendime, ngase ne kemi bërë shumë gjëra të mira për veten, për familjen dhe për miqtë tanë, për çka mund të krenohemi;
  7. Ta kuptojmë se askush nuk është i përsosur. Kur jemi të prirur të mos e vlerësojmë veten, na duket se të gjithë janë më të vlefshëm se ne. Është e mundshme që të tjerët të jenë më të mirë se ne në ndonjë pikëpamje, por kjo nuk do të thotë aspak që të mos e vlerësojmë veten tonë, të mos jemi vetja jonë. Në vend të krahasimit negativ, të pafavorshëm për veten, le ta pranojmë këtë fakt se ndokush është më i mirë se ne në ndonjë pikëpamje dhe pastaj të shohim, nëse nga kjo mund të mësojmë diçka.
  8. Në përfundim, le ta theksojmë edhe një herë se nxitësit kryesorë të xhelozisë janë bindjet e gabuara që krijojnë ndjenjën e pasigurisë. Për ta eliminuar pasigurinë dhe vetëvlerësimin e ulët, nuk është e nevojshme të ndryshohemi, por vetëm t’i ndryshojmë bindjet dhe besimet tona për imazhin tonë të pavërtetë. Për t`u arritur kjo, duhet të zotërohen shkathtësitë për ndryshimin e bindjeve e besimeve të gabuara për veten. Gjykimi i vetes sonë, do ta fuqizojë xhelozinë akoma më shumë.

 

© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

 

Lexuar 4944 herë.
#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
Teuta Magazine

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, riprodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.com  www.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version