Ti je ketu: Ballina > Shëndeti > Ndjenja e brengosjes dhe sugjerimet për kapërcimin e saj
Ndjenja e brengosjes dhe sugjerimet për kapërcimin e saj
Brengosja mund të jetë pjesë e jetës së çdokujt. Ajo madje ndonjëherë mund të jetë edhe e dobishme, sepse mund të nxisë për të vepruar në zgjidhjen e ndonjë problemi. Por, nëse preokupohemi me pyetjet e panumërta “çka, nëse”, duke u përfshirë në skenarët më dramatikë të mundshëm, atëherë brengosja bëhet një problem serioz.

Prof. dr. Neki Juniku, psikolog

Mendimet e pareshtura anksioze dhe frikësimet mund të na paralizojnë tërësisht duke interferuar në jetën tonë dhe duke e shterur energjinë tonë emocionale. Madje, ajo që është më e rëndësishmja, brengosja e rrezikon seriozisht shëndetin tonë. Për fat të mirë, brengosja kronike është një shprehi mendore që mund të ndërpritet. Mendja jonë mund të ushtrohet për të qenë e qetë, që të na mundësohet shikimi i jetës nga një perspektivë më e balancuar dhe më pak shqetësuese.
Nëse brengat vërsulen në mendjen tonë, është mirë të pyesim veten: sa nga gjërat që na kanë frikësuar kanë ndodhur vërtet në jetën tonë? Përgjigjja është: shumë pak dhe, ato shumë pak që kanë ndodhur, kryesisht nuk kanë qenë aq të dhembshme dhe aq të vështira, siç i kishim menduar. Një filozof thotë: “Jeta ime ka qenë përplot fatkeqësi të tmerrshme, të cilat nuk kanë ndodhur asnjëherë. Duke ia kujtuar vetes se aq pak nga brengosjet e mia kanë ndodhur vërtet në jetën time, jam ndier gjithnjë e më i qetë dhe kam arritur të pengoj çdo mendim brengosës para se të rritej në një shqetësim të fuqishëm.”
Mendimet brengosëse duhet ndalur, sidomos në momentet kur jemi më të ndjeshëm apo më të prekshëm mendërisht, bie fjala kur përpiqemi të flemë. Në raste të tilla nuk jemi në gjendje të gjykojmë drejt.Do të ishte shumë e dobishme që brengosjen tonë “të madhe” ta nxjerrim në dritë, duke e diskutuar atë me ndonjë mik të ngushtë, me ç’rast do të jetë shumë më lehtë ta shqyrtojmë dhe të gjykojmë më drejt. Ndonjëherë vetëm përsiatja dhe gjykimi ynë për brengat tona apo shkrimi për to në ditar do të mjaftojë që ato të kalojnë.

E kaluara nuk mund të kthehet
Është shumë e rëndësishme që në jetën tonë të përqendrohemi kryesisht në të tanishmen e jo të zvarritemi në të kaluarën dhe as në të ardhmen, sepse e kaluara nuk mund të kthehet, e të ardhmen është shumë pak e besueshme se mund ta parashikojmë saktësisht.
Për t’i shmangur me sukses brengat, këshilla ime është: fokusohuni kryesisht në të tanishmen; mendoni si mund ta bëni më të mirë ditën e sotme dhe si të ndiheni sa më të lumtur sot. Provoni t’i realizoni të gjitha ato që mundeni. Po kështu, përpiquni të vini para vetes qëllime më afatgjata, që do t’ju bëjnë të ndiheni mirë.Brengosja është frikë nga pasiguria, nga e panjohura. Gjëja më e pasigurt është e ardhmja e jetës sonë, e brengosja për të ardhmen na e rrëmben kënaqësinë e tanishme, prandaj duhet të fokusohemi në veprimet tona të tanishme. Le ta përjetojmë kënaqësinë e së sotmes, sepse jeta është tepër e shkurtër që të brengosemi për të ardhmen. Është gjë normale tëbrengoseni për të ardhmen, por duhet të mendoni edhe për gjërat pozitive që mund të ndodhin, e sidomos për të tanishmen. Është një e vërtetë e palëkundshme, që disa njerëz refuzojnë ta pranojnë, se shumë gjëra që ndodhin në jetë janë jashtë kontrollit tonë.

Ndryshimi i të menduarit
Si mund t’u kundërvihemi me sukses brengosjeve tona? Një sugjerim i dobishëm dhe që mund ta realizojmë relativisht lehtë do të ishte ta ndryshojmë sjelljen tonë, bie fjala duke e “shtyrë brengosjen për më vonë”, pra duke e lejuar atë, por vetëm në një kohë të caktuar. Nëse fillon brengosja, thoni vetes: “për këtë do të mendoj më vonë”. Ushtrimet trupore, angazhimi i vazhdueshëm i duarve, frymëmarrja e thellë, meditimi, ndihmojnë shumë në largimin e brengosjes. Për ta evituar brengosjen, do të ndihmojë shumë edhe ndryshimi i të menduarit tonë. Përpiquni ta ndiqni “ardhjen” e brengosjes, mos e injoroni, pranojeni, por fillojeni angazhimin për ta zgjidhur atë. Ja edhe një sugjerim: le ta bëjmë brengosjen “të mërzitshme”, duke e përsëritur vazhdimisht, me ç’rast ajo do të vijë gjithnjë e më rrallë në mendjen tonë. Një ndryshim i rëndësishëm në mendjen tonë është të pranojmë se jeta është e paparashikueshme dhe jo aq e përsosur. Ky është kyç i pengimit të brengosjes për një kohë të gjatë.


© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
Teuta Magazine

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, riprodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.com  www.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version