Ti je ketu: Ballina > Gra të njohura > Gjyshet e kohës moderne
Familja
Gjyshet e kohës moderne
Gjyshet e kohës moderne janë të reja, elegante dhe tejet atraktive. Ato nuk ngjajnë aspak me imazhin e gjysheve të dikurshme. Si u ndien dhe si e pritën rolin e ri jetësor zonjat elegante, të cilat fituan statusin e gjysheve në moshë të re, në vazhdim jua zbulojnë rrëfimet ekskluzive të Vjollca Buçajt, këngëtare dhe Mimoza Shahinit, psikologe e fëmijëve.

Blerina Gashi
Foto Ridvan Slivova

 


 

Vjollca Buçaj, këngëtare

Roli i ri jetësor, që më rinoi për dhjetë vjet

Vjollca Buçaj, këngëtarja e dashur e shumë brezave, është njëra nga gratë e cila ka rrënuar mitin e dikurshëm të gjyshes, për sa i përket imazhit të saj. Ajo është një gjyshe e re, elegante, e bukur dhe e kohës. Në fakt, gjyshet në sytë dhe mendjen e vogëlushëve, sido që të jenë ato, janë njerëzit më të dashur, më të afërt dhe më të besueshëm për nipërit dhe mbesat e tyre.

Është e vërtetë që jam bërë gjyshe në moshë të re, - e nis rrëfimin e saj mallëngjyes, Vjollca elegante, që veçohet për pamjen e freskët dhe atraktive. Veçse, mund të them që për dhjetë vjet më ka rinuar mbesa që kam. Asnjëherë nuk kam menduar se unë jam e re për t’u bërë gjyshe, por ajo që më ka preokupuar menjëherë, sapo e kam kuptuar se vajza ime është shtatzënë, ishte fakti se si do të kujdesem dhe kënaqem me beben që do të lindë. Unë i kam dy mbesa, vajzat e vajzës sime, të cilat quhen Nina dhe Ida, që i dua pa fund. Personalisht mendoj se jam bërë nënë në kohën e duhur, as shumë e re, por as në moshë të shtyrë, i kam tre fëmijë, një vajzë dhe dy djem: Artën, Blendin dhe Artirin.
Mbesa më thërret MAMI, sikur vajza ime, ndonëse asnjëherë nuk jam preokupuar lidhur me këtë çështje, ngaqë, pa marrë parasysh, unë jam gjyshe për të.
Në fakt, kur e kam kuptuar se vajza ime është shtatzënë, në fillim kisha emocione të përziera. Në njërën anë, isha e lumtur që vajza ime Arta është një femër e shëndoshë për të krijuar edhe ajo familje, e në anën tjetër më dhimbsej, pasi që e dija se, po aq sa është bukur të bëhesh nënë, është edhe një përkushtim më i shtuar ndaj fëmijës. Por, gjithmonë e dija që mua do të më ketë pranë, në çdo situatë dhe se do t’i ndihmoj gjithë jetën, sa të mundem.
Ndonëse ne nuk jetojmë bashkë, ngase vajza ime Arta jeton me bashkëshortin Idealin dhe dy vajzat e saj në shtëpinë e tyre, çdo fundjavë, vizitorë të përhershëm të dy gjyshërve janë mbesat të cilat na mbushin me jetë.
Vërtet jam shumë e angazhuar edhe në profesionin tim, që e ushtroj çdo ditë, por edhe në atë të muzikës, çdo gjë e arrij me sukses falë punës, edhe ndihmës së familjes sime.
Mundohem aty ku jam të jap kontributin tim maksimal, si në shëndetësi, aty ku punoj, si në sferën e muzikës, profesionin tim pasionant. Prandaj, si çdo vit, ashtu edhe kësaj here, së fundmi kam punuar dy këngë të reja dhe dy bashkëpunime me këngëtarë të rinj. Shpresoj të pëlqehen nga adhuruesit e këngës sime.
E përveç këngës, njëlloj sikur muzika që është art, mendoj se edhe kuzhina është art në vete. Më pëlqen shumë të gatuaj. Mbesa ime çdo të premte kërkon pite me spinaq, kështu që menyja asnjëherë nuk ndryshon, ha-ha-ha, sepse fjalën e parë dhe të fundit e thotë Nina, shpirti im.
Në fakt, rrjedha e jetës prejse jam bërë gjyshe ka ndryshuar shumë për të mirë. Mendoj se jam rinuar, jam shumë më tole-rante, person shumë më shumë i ndjeshëm dhe bëj vizita të shpeshta nëpër dyqane të lodrave të fëmijëve, shkoj në kopsht dhe blej libra të përrallave e ninullave.
 

 

Mimoza Shahini, psikologe e fëmijëve

Jam një gjyshe klasike, e cila është e hapur për kontributin e saj në rritjen e nipave

Shtatlarta elegante, e cila u bë gjyshe në moshë të re, zonja ambicioze, Mimoza Shahini, e cila, krahas punës së psikologes dhe pedagoges universitare, papërtueshëm kohën e paktë e ndan me nipërit e saj, zbulon përjetimet e të qenit gjyshe në këtë periudhë të jetës së saj.

Jam bërë gjyshe në moshën 44 vjeçe, thotë Mimoza, e cila zbulon se kjo është një ndjenjë e veçantë dhe plot surpriza. “Sigurisht që, kur je prind, ndaj fëmijës tënd ke mjaft obligime dhe ndonjëherë për ta mbrojtur atë krijojmë lidhje të forta emocionale, por që, në përgjithësi, dominohen nga ndjenjat e përgjegjësisë dhe nuk ke mundësi t’i shijosh në tërë kuptimin e tyre. Ndërkaq, me nipat përjetoj një ndjenjë e cila jo vetëm që është e bukur, por ka një përulësi, krenari, empati si dhe përkushtim pa kushte. Mendoj se fakti që nuk kemi përgjegjësi të drejtpërdrejtë ndaj tyre, e bën si ndjenjë aq të pastër, sa nuk mund ta krahasoj as me dashurinë ndaj fëmijëve të mi. Shpesh e gjej veten duke folur aq shumë për ta, saqë e ndiej që e kam tepruar.
Fakti se do të bëhem gjyshe, tek unë ka ardhur si një proces normal, por ajo që është interesante është presioni që ndiej nga mjedisi, sidomos kur më bëjnë komplimente për moshën e re. Duke qenë se jemi në një proces të transicionit të rolit të gjysheve në jetën e nipave apo mbesave, si dhe si duhet të duket gjyshja, më duket që akoma kemi për të punuar. Shumë njerëz më kanë pyetur, nëse është problem të bëhesh gjyshe në moshë të re? Jeta ime personale ka vetëm një aspekt të saj - rolin e gjyshes, kështu që përpiqem atë rol ta luaj sa më mirë që mundem, por kjo nuk influencon rolet e tjera, që i kam në jetë. Ndoshta ky është dhe avantazhi i të qenit gjyshe e re. Gjyshja mund të jetë ajo që kujdeset për nipat dhe mbesat, që u tregon përralla, që luan me ta, por është edhe ajo që shërben si model në edukimin e mbesave dhe nipave pa cenuar raportin prind-fëmijë.
Unë kam dy djem, Kushtrimin dhe Arbrin, dhe jam bërë nënë në një moshë shumë të re. E mbaj mend që kam qenë shumë e frikësuar me fëmijën e parë. Jetoja vetëm me bashkëshortin dhe çdo gjë e kam mësuar përmes praktikës me fëmijë. Më kujtohet që kur kalonte vija e rregullt e shishes së qumështit, dhe djali më qante, nuk më zinte gjumi, duke menduar se mos e kam dëmtuar. Ndërsa në djalin e dytë gjërat kanë qenë më të lehta.
Ndërkaq, tani unë kam dy nipa, Deoni është i madhi dhe Lorisi është i vogli. Janë dy fëmijë të mrekullueshëm, mjaft të ndryshëm nga njëri-tjetri. Mendoj që kjo ka influencuar edhe marrëdhënien time me ta. Deoni është tip më intelektual, ka shumë dëshirë t’i lexosh libra, të bësh lojë imagjinative me të, i pëlqen shumë të fotografohet dhe vazhdimisht identifikohet me profesionin tim. Të gjithëve u thotë që kur të rritem do bëhem mjek për fëmijë si Nana. Ndërsa Lorisi është fëmijë energjik, mjaft eksplorues në botën rrethuese dhe është fëmijë që i shpreh pa rezervë emocionet e tij. Është shumë këmbëngulës dhe fëmijë me integritet të lartë, edhe pse ka vetëm dy vjet.
Nuk besoj që ndjenja e të qenit gjyshe lidhet me moshën, sidomos në kohët e sotme. Mendoj që kjo lidhet ngushtë me konstruktin social të pozicionit të gjyshes apo gjyshit. Nëse më parë ky pozicion lidhej me autoritetin edhe ndaj nipave dhe mbesave, sot ky pozicion është më fleksibël. Kjo bën që, kur nipat më thërrasin nëna, më kujton pozicionin tim që është ai i të dhuruarit dashuri pa kushte, ndërkohë që prindërit janë ata të cilët merren me edukimin e tyre.
Kam dy eksperienca të ndryshme, nga koha kur e kuptova se do të bëhem gjyshe. Me nipin e parë nuk kam pasur shumë kohë të mendoj se cila ishte përgjegjësia ime, pasi së bashku me bashkëshortin na është dashur të përgatisim dasmën dhe më duket që kam qenë shumë e stresuar. Duke qenë se djali ishte shumë i ri, kam qenë shumë konfuze dhe nuk kam shumë kujtime, të cilat lidhen me përjetimin tim në veçanti me shtatzëninë. Unë jetoj së bashku me djalin, nusen dhe nipat dhe në mënyrë të pashmangshme jam ndier përgjegjëse, ndoshta edhe më shumë sesa duhej. Ndërsa në shtatzëninë e dytë më duket kam qenë më e relaksuar, por gjithsesi e mbaj mend që, kur djali dhe nusja kanë thënë që është djalë, kam qarë. Unë nuk kam motër, as bashkëshorti, dhe kam pasur një dëshirë të madhe të kisha një mbesë. Gjithsesi, jam shumë e lumtur me të dy nipat. Në fakt, unë jetoj me ta, por nuk kam mundësi të kujdesem. Të dy shkojnë në çerdhe dhe po kalojnë shumë mirë.
Në përgjithësi, nuk do ta quaja veten moderne, më shumë jam një gjyshe klasike, e cila është e hapur për kontributin e saj në rritjen e nipave. Obligimet e mia janë të shumta dhe kjo e pamundëson që unë të jem afër tyre aq sa do të dëshiroja, apo për hir të së vërtetës shpesh edhe pse mund të jem fizikisht, ndoshta nuk mund të jem në gatishmërinë e tyre. Ata janë plot energji dhe mezi presin që unë dhe bashkëshorti të luajmë me ta, por kjo nuk është se është e mundur gjithmonë.
Madje më pëlqen shumë të gatuaj dhe mendoj që është një aspekt shumë i rëndësishëm i përkujdesjes, por, duke qenë se janë të vegjël, aktualisht ushqimi u përgatitet nga Vjosa. Ajo është shumë e përkushtuar në këtë drejtim.

Është shumë e vërtetë që të qenit gjyshe të bën ta shikosh botën nga një kënd mjaft interesant. Jam më e ndjeshme, kur djali apo nusja kritikojnë fëmijët. Unë fuqimisht besoj që nipat kanë ndikuar që unë të jem më e duruar, të di të ndaj me ta atë që ata kanë nevojë, pavarësisht se cili është disponimi im. Më pëlqen ky rol dhe jam shumë krenare që kam mundësi ta përjetoj në këtë moshë.”
 

© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
Teuta Magazine

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, riprodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.com  www.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version