Ti je ketu: Ballina > DIASPORA > Karriera e realizuar jashtë vendit!
Hulumtim
Karriera e realizuar jashtë vendit!
Mendoni të jetoni dhe të punoni jashtë kufijve të vendit tonë? Katër Zonja metropolitane zbulojnë këshillat praktike të përvojës së tyre të cilat ishin vendimmarrëse për suksesin e arritur. Pse ndodhi ta braktisnin vendlindjen, si u gjendën në vende të huaja, çfarë është zhvillimi i karrierës së tyre të suksesshme, rrëfejnë: Laura Konda, spikere dhe gazetare e Zërit të Amerikës, Uashington, Ardiana Gjini Beeley, mjeke në Bristol (Angli), Ilire Rexha Gjocaj, inxhiniere në Hamburg (Gjermani) dhe Shenida Bilalli, regjisore në Zagreb (Kroaci).

Shkruan Blerina Gashi

 

Profili profesional
Unë kam studiuar në Universitetin e Tiranës, në degën e Gjuhës dhe letërsisë angleze. Këtë degë e pata zgjedhur për shkak të pasionit tim për letërsinë. Në fakt, pasioni im i viteve të rinisë ka qenë poezia. Një pjesë e poezive që kam shkruar u botuan në fundin e viteve ‘70 dhe në vitet ‘80, në revistën “Nëntori” dhe në gazetat “Drita” dhe “Zëri i Rinisë”. Babai im, Drago Siliqi, ishte shkrimtar, poet, kritik letrar, përkthyes dhe botues. Nëna ime, Drita Siliqi, ishte profesoreshë e letërsisë në Universitetin e Tiranës. Kjo ishte arsyeja që unë u rrita në mesin e librave dhe shkrimtarëve. Mësimin e gjuhës angleze, krahas frëngjishtes dhe italishtes, që i kisha studiuar më parë, e shihja si një mundësi për të lexuar në origjinal shkrimtarët e mëdhenj. Menjëherë pas diplomimit, në vitin 1983, fillova punë si gazetare në gazetën “Zëri i Rinisë”, njëkohësisht jepja mësim si pedagoge e jashtme në Universitetin e Tiranës. Më vonë punova si mësuese e gjuhës angleze në shkollën e mesme “Petro Nini Luarasi” dhe pastaj si pedagoge me ngarkesë të plotë në katedrën e gjuhës angleze, derisa u largova nga Shqipëria në gusht të vitit 1995.
Ndërkaq në Uashington erdhëm në vitin 1996, meqë bashkëshorti im, Gjergji, filloi një internship në Bankën Botërore. Unë ndërkohë punoja si mësuese e gjuhës shqipe për diplomatë dhe ushtarakë amerikanë në një shkollë për mësimin e gjuhëve të huaja. Pastaj Gjergji u punësua si ekonomist i lartë në International Finance Corporation, pjesë e Bankës Botërore. Fillimisht mendonim se do të ktheheshim në Shqipëri, por pas ngjarjeve tragjike të 1997-ës, vendosëm të qëndrojmë në Shtetet e Bashkuara. Unë fillova punë tek Zëri i Amerikës në kulmin e trazirave në Kosovë, në tetor të vitit 1998.

Fillimi i punës
Punësimi në një medium, nuk ishte diçka e lehtë. Megjithatë, mbas disa përpjekjeve, mora një ofertë në vitin 1998, ndërsa punën e fillova në tetor të atij viti, kur emisionet e Zërit të Amerikës, filluan të shtoheshin. Natyrisht, që u mor parasysh edhe profesioni im i mëparshëm i gazetarisë në Shqipëri. Momenti kur unë fillova punën në Zërin e Amerikës përkoi me një periudhë plot me sfida për Ballkanin: trazirat në Shqipëri pas ngjarjeve të shtatorit 1998, vrasja e Azem Hajdarit, dorëheqja e kryeministrit Nano, përkeqësimi dramatik i situatës në Kosovë dhe diplomacia “shuttle” e Richard Hoolbrukut. Për shkak të intensifikimit të politikave agresive të Sllobodan Millosheviqit dhe spastrimit etnik të shqiptarëve, brenda disa muajsh, konflikti në Kosovë shpërtheu në një luftë në shkallë të gjerë, e cila u pasua nga sulmet ajrore të NATO-s. Puna jonë si gazetarë të Zërit të Amerikës për pasqyrimin e të gjitha këtyre ngjarjeve ishte sa interesante, aq edhe e vështirë.
Në nëntor të vitin 1999 Zëri i Amerikës filloi transmetimin e programit televiziv Ditari, ku unë isha spikere, krahas me kolegun dhe shefin e shërbimit shqip në atë kohë, Elez Biberaj. Sot, pas gati 15 vjetësh, unë jam spikerja e Zërit të Amerikës me kohën më të gjatë në këtë pozicion. Gjatë këtyre viteve kam pasur rastin të intervistoj një numër të madh udhëheqësish, politikanësh dhe intelektualësh nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia, drejtpërdrejt në studio, si dhe gjatë udhëtimit tim në rajon.

Programi ditor
Dita ime e punës fillon që në mëngjes, në orën 7:30. Por, dua të theksoj se puna e gazetarit nuk ka orar, ajo është një punë shumë dinamike dhe në kërkim të vazhdueshëm. Gjatë këtyre viteve unë kam qenë folëse dhe njëkohësisht redaktore e emisionit televiziv “Ditari”. Dita fillon me kontrollin e informacioneve të ditës, lajmeve, burim i të cilave është zyra e lajmeve e Zërit të Amerikës dhe agjenci të tjera, si APTN, Rojters; një kontroll i shpejtë i shtypit të Shqipërisë dhe të Kosovës, që zakonisht ka filluar një mbrëmje më parë, nga shtëpia. Pastaj një takim me shefin e shërbimit, Arben Xhixho, për përcaktimin e temave që do të kemi në emisionin e ditës, pasi kemi kontaktuar edhe me korrespondentët tanë në rajon: Shqipëri, Kosovë, Maqedoni. Më pas, përgatitja dhe përkthimi i lajmeve të ditës, si dhe redaktimi i materialeve që do të përfshihen në emisionin e orës 12:00, në rajon ora 18:00. Pasdite, puna vazhdon me përgatitjen e lajmeve të emisionit të radios, në orën 2:30, ora 8:30 e mbrëmjes në rajon. Siç thashë, puna gjatë gjithë ditës është shumë dinamike, gjithmonë në ndjekje të zhvillimeve më të fundit, në mënyrë që në emisionet tona dhe në faqen e internetit të pasqyrohen lajmet më të fundit. Një rëndësi të madhe në shërbimin tonë i kushtohet objektivitetit në pasqyrimin e ngjarjeve, përmes korrespondentëve tanë në rajon, por edhe përmes intervistave të drejtpërdrejta me udhë-heqës, politikanë, intelektualë dhe analistë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia. Një vend të posaçëm në emisionet tona zënë edhe intervistat e regjistruara me kongresistë, zyrtarë dhe analistë amerikanë. Synimi ynë në këto intervista është: saktësia, objektiviteti dhe njohja e mirë e problemit - faktorë shumë të rëndësishëm për të ruajtur besueshmërinë e audiencës.

Karakteristika të rëndësishme
Në Amerikë punohet shumë. Është e vërtetë, që edhe konkurrenca është e madhe. Shpeshherë për një vend pune në një institucion aplikojnë disa qindra persona njëherësh. Pra, gjetja e një vendi pune intelektuale është tepër e vështirë, por unë do të thosha që me këmbëngulje dhe me besim në vete, është diçka që mund të arrihet. Dua të përmend si shembull rastin tim: unë kisha punuar si gazetare në Shqipëri dhe kisha bindjen që puna në Zërin e Amerikës lidhej me profesionin tim, të cilin e kam pasur pasion dhe nuk e kam parë thjesht si një mjet jetese; pra ishin pasioni dhe këmbëngulja faktorët përcaktues që arrita të punësohesha tek një radio prestigjioze, si Zëri i Amerikës, të cilën e dëgjonim shpesh në familje në ditët e diktaturës, fshehurazi. Natyrisht, që satisfaksioni është i madh kur fillon punë në profesionin që e dashuron.
Prandaj, mendoj se është i gabuar opinioni se gjetja e punës intelektuale në botën e jashtme është e pamundur, nuk jam dakord me këtë. Këtu, në Shtetet e Bashkuara, njoh shumë shqiptarë, të cilët kanë gjetur punë si intelektualë në saje të vullnetit, këmbënguljes dhe përgatitjes profesionale.
Konsideroj se personi që ka idenë të qartë, këmbënguljen dhe qëndrueshmërinë, mund të përparojë edhe në një shtet të huaj, kjo është shumë e vërtetë. Natyrisht që duhet shumë punë dhe sakrifica, por, po t’u shtosh këtyre edhe pak fat, gjetja e punës në një vend të huaj është diçka e arritshme; sepse puna e palodhur, vendosmëria, ndershmëria dhe talenti janë tipare që njerëzit i vlerësojnë kudo në botë. Jeta në Uashington është tejet dinamike, kjo është e vërtetë, por tani, pas kaq vjetësh, jam mësuar me këtë ritëm.
Përpiqem ta shfrytëzoj sa më mirë kohën që më mbetet pas punës në zyrë, pasditeve, apo në fundjavë, për të qëndruar pranë familjes sime, për të ndjekur jetën e pasur artistike dhe kulturore të Uashingtonit, për t’u takuar me miqtë, për të lexuar dhe për të kryer shëtitjet e preferuara përgjatë lumit Potomak.

Intelektualët shqiptarë
Kam gati 19 vjet në Shtetet e Bashkuara dhe nëse e krahasoj punën që bëhet në Tiranë me atë në Uashington, mund të them se tani edhe në Tiranën time gjërat kanë ndryshuar. Mediet kanë ecur shumë, atje ka një numër të madh organesh mediatike, në konkurrencë me njëra-tjetrën, për informimin e publikut. Pra, mendoj se ritmi i jetës sot nuk ecën shpejt vetëm në Uashington. Unë do të thosha që ndryshimi mes Tiranës dhe Uashingtonit qëndron tek cilësia e informimit të publikut, saktësia dhe serioziteti në dhënien e informacionit. Këtu mendoj se mbetet ende për të dëshiruar. Shqipërisë intelektualët nuk i mungojnë dhe, natyrisht, ata janë një forcë e madhe që ndihmojnë në zhvillimin e vendit, përmes mendimit të tyre, apo kontributit që japin në fushën e tyre. Por unë mendoj se intelektualët nuk është e thënë të jetojnë në Shqipëri për ta mbështetur vendin. Në kushtet e sotme, kur komunikimi është shtuar dhe perfeksionuar së tepërmi, nuk ekzistojnë barriera që ta pengojnë punën e intelektualëve, edhe pse distancat mund të jenë të mëdha. Një intelektual shqiptar në Uashington, në Paris, në Vjenë, apo në Toronto, mbetet një intelektual, që, edhe pse larg, mund të japë kontributin e vet për Shqipërinë. Dua të përmend me këtë rast kontributin që kanë dhënë në vite intelektualë të njohur shqiptarë me banim jashtë vendit, si: Naim dhe Sami Frashëri, Pashko Vasa, Asdreni, Fan Noli, Faik Konica, Martin Camaj, Aleksandër Moisiu… Fatmirësisht, sot, edhe pse ekzistojnë kufijtë tokësorë, nuk ka kufij për mendimin dhe fjalën e lirë. Ka një plejadë të tërë intelektualësh shqiptarë të ditëve tona, që me punën dhe arritjet e tyre në fusha të ndryshme, edhe pse jashtë vendit, japin një kontribut të madh për Shqipërinë, apo për Kosovën.
Tani për tani, nuk e di nëse do të pranoja të kthehesha dhe të punoja në njërin prej mediumeve në Tiranë, nuk kam ndonjë plan të tillë, por një proverb në anglisht thotë: “Never say never”, - Kurrë mos thuaj kurrë!

 

  

  

Para se të largohesha nga Kosova, kisha vite që punoja në fushën e shëndetit publik në Kosovë, e inkuadruar në Organizatën Botërore të Shëndetësisë pranë Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik. 

Ishte një ambicie e lartë për mua, të mos them ëndërr, që të kryeja studimet postdiplomike në institucionin, njërin prej dy më të akredituarve në botë, në London school of Hygiene and Tropical Medicine (LSHTM). Pata konkurruar për vend studimi dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë më sponsorizoi studimet master. Mbaj mend që kur zarfi me letrën që më ofronte vendin për studime kishte mbërritur, unë madje - kisha harruar që kisha aplikuar! Ftesa më erdhi jo më shumë se një javë para se viti akademik të fillonte, kjo për shkak se shërbimet postare në atë kohë në Kosovë ende ishin shumë të çrregulluara. Unë pata jo më shumë se pak orë të vendos të tërhiqem nga posti i punës, të organizoj udhëtimin dhe të rezervoj aplikimin për vizë në Tiranë! Por, më e ‘vështira` ishte të kthehesha në Gjakovë, ta njoftoja mamanë time se unë do ikja në Londër! Të them të drejtën, ajo nuk e priti buzagaz këtë lajm, edhe pse ishte dhe është ithtarja dhe inkurajuesja më e madhe për edukim të vazhdueshëm. Ime ëmë - edhe sot e kësaj dite më zë ngushtë: "ke shkuar vetëm për një vit!" Kështu, në Britani të Madhe, në Londër, shkova në shtator të vitit 2000. Nuk u shpërngula në Angli, as atëherë, as sot e kësaj dite nuk ndihem se jam shpërngulur – unë jam ende mjaft e ndërlidhur me jetën në Kosovë. Shkova në London school of Hygiene and Tropical Medicine, për të vazhduar studimet e larta, Master në Shëndetin Publik, pikërisht, mandej vazhdova me hulumtime për doktoratë dhe kështu jeta vazhdoi.

Profili profesional
Fillimisht studiova për Master në Shëndetin Publik, duke punuar temën e disertacionit në lidhje me "Depistimin për kancerin e qafës së mitrës në vendet e Evropës Juglindore". Me të përfunduar të Masterit, fitova vend dhe fondacion nga Departamenti i Shëndetësisë (Department of Health, ekuivalent në Britani të Madhe me Ministrinë e Shëndetësisë) për studime për Doktoratë (PhD) në fushën e "Epidemiologjisë dhe trajtimit klinik spitalor të meningjitit bakterial ndër të rritur", pranë Universitetit të Bristolit dhe atij të Londrës. Ky ishte projekt 4-vjeçar, po që në vitin e tretë të hulumtimeve të mia për doktoratë, unë fitova vend në programin për specializim në drejtim të shëndetit publik medicinal në Bristol. Nga studimet e doktoratës sime, dolën 4 publikime shkencore dhe Departamenti i Shëndetësisë inicioi disa ndryshime në trajtimin klinik të kësaj sëmundjeje, përfshirë edhe vaksinimin e të rriturve. Ndërkaq, nga fundi i specializimit u përkushtova në çështjet e kancerit dhe imunizimit e depistimit, si programe të shëndetit publik.
Posti që unë fitova për hulumtime të doktoratës, ishte angazhimi si doktoreshë me bazë në Spitalin Universitar të Bristolit, departamenti i sëmundjeve ngjitëse, por unë isha mjeke `vizitore` në 24 spitale anekënd Anglisë e Wals-it. Ishte një sfidë mjaft e madhe, thënë sinqerisht. Jo vetëm profesionalisht, se kryerja e detyrës së mjekut në Angli, krahasuar me këtë në Kosovë, ndryshon shumë, ishte sfidë edhe personale – të paraqitesh si individ kompetent në çdo aspekt në një vend që unë kurrë as që kisha dëgjuar, e sigurisht që shumica e njerëzve/kolegëve, atje as që dinin se ku i bie Kosova – kërkonte një durim e ego të fortë. Megjithatë, që atëherë unë fillova, them tash me përfitimin e mundësisë së reflektimit, të bëj karrierë – të njihem si profesioniste me rëndësi dhe të jem e respektuar në fushëveprimin tim profesionist. Fillova të ftohem në mbledhje vendimmarrëse dhe në konferenca ndër- dhe kombëtare, që në vitin e dytë të hulumtimeve për Doktoratë.

Puna në Bristol
Që prej 1 shkurtit 2014, në fakt, unë jam në post të ri - jam Specialiste e Shëndetit Publik, Udhëheqëse për ekipin dhe programet e imunizimit dhe depistimit (13 programe gjithsej, duke përfshirë ato që nga mosha perinatale deri te moshat e shtyra), për Shëndetin Publik në Angli (organizatë ekzekutive e Departamentit të Shëndetësisë) në qendrën për tri rajone: Avon, Gloucestershire dhe Wiltshire, me popullatë prej më se 2.4 milionë banorë, me seli në Bristol. Po ashtu, jam këshilltare për çështje të kancerit pranë trustit klinik të Bristolit (Clinical Commissioning Group), që ka fuqi vendimmarrjeje për sistemin e kujdesit sekondar dhe terciar në Bristol, si dhe jam Ligjëruese e Lartë e shëndetit publik me honorar (Honorary Senior Lecturer) pranë Universitetit të Bristolit dhe ligjëruese vizitore (Visiting lecturer) pranë Universitetit West of England.

Gjithmonë një hap përpara
Gjëja më e rëndësishme të cilën e kam mësuar në Britani - nuk është lehtë të cilësohet! Si profesionist, por edhe si individ, unë mësova dhe vazhdoj të mësoj çdo ditë. Të qeshem pak - tash vajzat e mia më `mësojnë`, që nga shqipërimi i duhur në anglisht, deri te `sjellja` e duhur. Të jem pak koncize – mësimi më i rëndësishëm është se - asgjë nuk e kompenson diturinë dhe asgjë nuk mund ta shpërfillë atë! Anglezët thonë - "it’s not what you know, but who you know" - "nuk vlen çfarë di, por kë njeh" – që t’i çelë dyert në jetë! Por, unë me gojën plot - u hedh poshtë këtë shprehje! Gjëja e dytë, që unë vazhdimisht po e vërtetoj, është rëndësia e përkushtimit të plotë në çdo gjë, nëse do të jesh i suksesshëm – qoftë në aspektin personal, qoftë profesional! Çdo gjë vjen me vështirësitë e veta, por, kur ke përkushtimin në atë çështje - nuk duket aq e rëndë dhe mendja dhe zemra punojnë bashkë - amplifikim i përpjekjeve.
Jeta nuk është kopsht me lule as në Bristol, sikur që nuk është në Kosovë. Të arrish jetë të përmbushur profesionale dhe personale, është shumë vështirë dhe kërkon sakrifica. Profesioni i mjekut në Angli është pa dyshim profesioni më i standardizuar dhe i kontrolluar aty, por edhe një prej profesioneve mjekësore më rigorozisht të kontrolluara në botë. Të jesh pjesë e këtij sistemi në pozitë të lartë e udhëheqëse, sidomos një e huaj (për nga kultura, edukimi etj.), nuk është lehtë, por është gjithsesi shpërblyese.

Të huajt, mëlmesë e çdo kulture
Gjithsesi, mendoj se të huajt janë mëlmesë e çdo kulture. Jo vetëm njerëzimi, po edhe evolucioni i specieve të tjera, është i definuar dhe ka përfituar nga `përzierjet ndërkulturore`. Në Angli, rreth 12% e popullsisë janë me origjinë nga jashtë. Porse më pak se 1% e posteve të larta janë të okupuara me të tillë. Anglezët si popull preferojnë mjaft kulturën konservatore - me shumë fanatikllëk mbrojnë traditat dhe trashëgiminë e tyre. Unë u marr lakmi, porse në përditshmëri kjo nuk e lehtëson jetën e një `të huaji`, edhe pse unë tashmë nuk e konsideroj veten të tillë, por ndonjëherë gjithsesi ka prej të tillëve që e kanë të vështirë të pranojnë vendime udhëheqëse nga dikush, që për ta nuk është `një prej tyre`, qoftë nga pacientët apo kolegët. Siç thashë, "dijeninë askush nuk mund të ta shpërfillë”, e ndër gjërat më të mira në Angli është se meritokracia është dominuese.

Krahasimet mes Kosovës dhe Britanisë
Të jem e sinqertë - edhe në jetën private, të përditshme, ne kosovarët, i kemi pritjet shumë të larta! Ne jemi të fokusuar të argëtohemi gati çdo ditë, po nuk `dolëm me shoqëri` të paktën çdo javë - ne ndihemi të mangët! Anglezët, p.sh., burri im, por lirisht mund të them edhe unë, më shumë vlerësojmë cilësinë e kohës sesa sasinë e shpeshtësinë! Porse unë vazhdimisht, jo vetëm që e krahasoj, por edhe dua të fus në jetën e familjes sime - disa vese e tipare të jetës sonë kosovare. Për shembull, në Angli shumë më shumë vlerësohet një ecje në natyrë, se një dalje në shoping, më shumë vlerësohet një darkë në shtëpi me miq se një mbrëmje në restorant. Të provosh një aktivitet të ri që ka një cak të qartë – është fokus i anglezëve! Gati secili bën plane për 6 muajt e ardhshëm çfarë do të arrijë - një kalim noti të një liqeni e ngjitje të një mali a tjetër. Por këto, natyrisht, ua ka mundësuar jeta stabile të cilën e kanë pasur për shumë dekada. Kurse te ne, deri vonë kemi planifikuar vetëm sot për nesër. Po ashtu, anglezët kanë shpirt shumë të fortë humanitar! Pothuaj çdo muaj, për shembull, shkolla e vajzës sime organizon aktivitete për të mbledhur donacione për ndonjë organizatë humanitare. Të gjitha këto planifikohen e organizohen nga vetë prindërit. Me miliona funte mblidhen çdo vit si donacione. Por, edhe këtë ne kosovarët e kompensojmë në një mënyrë me anë të kujdesit që kemi për njëri-tjetrin, në mënyrë jo të organizuar si atje, po gjithsesi shumë dashamirës.

Jeta private
Pas nja 3 vjetësh që jetoja në Angli, u takova me Fergusin, burrin tim, e pas nja dy vjetësh ne vendosëm të martohemi. Të vendosësh për lidhje martesore me një `të huaj` nuk ishte lehtë, as për mua as për Fergusin. Porse, ne veç sa vinim e bindeshim se vlerat që ne çmojmë dhe virtytet që mbajmë lart, na afrojnë shumë më tepër sesa dallimet etnike a kulturore. Mua më kujtohet që unë krijova një ndjenë të një afërsie shumë të madhe me Fergusin pas një tragjedie që familja jonë pësuam! Ato që ai i vlerësonte e i shtjellonte përputheshin plotësisht me çfarë unë ndieja; as edhe `djali i kojshisë`, të shfrytëzoj shprehjen popullore, jo që nuk do të më kishte kuptuar ashtu, po nuk do t’i kishte ndarë në mënyrë aq përkrahëse ankthet që unë kisha. Fergusi ka pasion jetën e natyrës së egër. Ai është producent programesh në këtë fushë dhe është shumë i suksesshëm, por edhe i kënaqur me këtë, edhe pse i kualifikuar në zoologji dhe antropologji. Ai me shumë sukses mbjell dashurinë për natyrën te vajzat tona, më shumë se unë për mjekësinë! Edhe pse vajza e vogël lojën e preferuar e ka "I am a doctor"!

Karakteristikat e rëndësishme
Është e rëndësishme që njeriu të punojë gjithmonë për profesionalizimin e vetes – kjo mendoj se është esenciale, e domosdoshme! Studimet nuk mjaftojnë. Nevojitet të marrim informacione përherë. Ditët kur prindërit tanë kishin - një diplomë dhe një punë për jetë, kanë mbaruar! Po të mos mbahemi në hap jo vetëm me arritjet, por edhe me mënyrat efikase se si të sintetizojmë, seleksionojmë e të dimë të interpretojmë këto arritje shkencore, secili prej nesh mjekëve de-facto do të pensionohet shumë shpejt. E një gjë që gjithsesi duhet të bëhet pjesë e arsimimit të vazhdueshëm profesional, është qasja shoqërore, jo individuale, e problemeve dhe e resurseve dhe etika mjekësore! Nuk thuhet kot - profesion i shenjtë! Kemi jetën e njerëzve në duar, nuk jemi pjesë e `tregut të lirë’!

 

 

Në Zagreb kam ardhur për studime në vitin 1978, si 18-vjeçare… Për mua ajo nuk ishte sfidë, po diçka që kam besuar që i takoj. Pas 4 vjetësh të studimeve në Akademi për teatër film dhe TV - ku ishte konkurrenca jashtëzakonisht e madhe, kam diplomuar dhe kështu e arsyetova besimin e prindërve të mi. Në atë kohë isha femra e parë dhe e vetmja kosovare-shqiptare që kam përfunduar Akademinë për teatër dhe film në Zagreb.

Shumë gjëra më mësoi Zagrebi. Së pari, që jeta nuk të ledhaton, pastaj të pranosh konkurrencën jo të barabartë me plot paragjykime ndaj femrës, kombit dhe popullit, të besosh në vetvete dhe të qëndrosh deri në fund. Përndryshe nuk i takon asaj bote. Gjithashtu, kam mësuar si të jesh profesioniste, e saktë, e përpiktë, e fjalës, të kesh disiplinë, të jesh e ndërgjegjshme, të njohësh gjuhë të huaja, kulturën e sjelljes në nivel më të lartë dhe të kesh stil. E, pastaj hyn në atë botën me plot konkurrencë. Nuk është rrugë e lehtë, por është e drejtë. Në Akademi nuk mësohet vetëm filmi, po forcohet karakteri. E thelbësore është njohja e kulturës së përgjithshme në çdo nivel.

Ndërtimi i CV-së
Pas përfundimit të studimeve isha e angazhuar në TV Zagreb, si bashkëpunëtore e jashtme në programin Dokumentar. Më pas jam kthyer në Televizionin e Prishtinës, në Prishtinë, ku fillimisht isha e angazhuar në montazhin e filmit, dhe më pas në programin Dokumentar si dhe në redaksinë për Fëmijë. Jam marrë, po ashtu, me problematikën e femrës dhe me tema sociale, si regjisore dhe skenariste, në emisionin për femra “Ato” të redaktores Zana Kada, dhe në ciklin e filmave dokumentarë “Ngjyra të jetës”...
Ato vite gjithmonë zgjojnë shumë emocione tek unë, të cilat ndonjëherë dëshiroj t’i harroj. Po kujtesa është më e fortë. Ato vite ishin më të vështira për Kosovën, për kombin, për intelektualët, për familjen, për çdo individ. Kosova ishte ndezur flakë, edhe unë isha pjesë e saj. Jam prishtinase dhe shihja qytetin tim të lindjes dhe të rinisë, që merrte një kah dhe fizionomi tjetër, se si shndërrohej nga një qytet i qetë, në një flakë të gjallë. Politika e vrazhdë ishte në çdo pjesë të jetës së çdo njeriu në Kosovë. Rrugët e Kosovës ishin përplot polici speciale, demonstrata, burgosje, të vdekur, të lënduar dhe të papunësuar. Po dy ngjarje kryesore ndryshuan jetën time plotësisht: Hyrja ime në zgafellen Trepça –“Stantërg”, ku isha me minatorë, 900 metra nën tokë, e vetmja femër. Ngjarja tjetër që tronditi Kosovën dhe që më ndryshoi jetën, ishte “helmimi i nxënësve”. Ndonëse isha e ndjekur në çdo hap, nuk u ndala, nuk u frikova, por i xhirova nxënësit e helmuar dhe e çova informatën në botë.

Puna në TV Zagreb – HTV
Shkuarja ime në Zagreb është e lidhur drejtpërdrejt me festivalin televiziv jugosllav të vitit 1990, i cili u mbajt në Neum, ku isha propozuar për shpërblimin e filmit dokumentar “Krahu i thatë“, i cili zgjoi interesim jashtëzakonisht të madh. Në këtë festival më ftuan të shkoja për të punuar në Zagreb dhe unë pranova. Mbaj mend se ditën kur shkova të përshëndetesha me kolegë në Televizionin e Prishtinës, ndodhi sulmi i policisë, prej nga na larguan me dhunë. Në Zagreb kam shkuar pa letërnjoftim, nuk kam menduar që do të mbetem këtu dhe të bëj një karrierë të suksesshme, se me punën time do të arrij deri te festivali i Kanës dhe që do të bashkëpunoj me TV-të e tjera evropiane dhe botërore, si: Orfej e Austrisë, Life e ShBA-së, TV Bruksel dhe shumë të tjera.
Në TV Zagreb punova si regjisore dhe skenariste në programin Dokumentar dhe për fëmijë, ku xhirova serinë e përbërë nga 10 episode për fëmijë me artistët më të njohur të Kroacisë, pastaj më morën në programin Dokumentar dhe informativ, ku një vit isha redaktore dhe gazetare e programit në gjuhën shqipe në HRT. Nuk është vështirë aspak të punosh në TV Zagreb. Aty më pranuan me një ngrohësi të jashtëzakonshme, si një talent me plot respekt. Punën e parë e kam bërë në Dubrovnik në “Dubrovacke igre”, si regjisore, ku qëndrova një muaj në qendër të Dubrovnikut, me pagesë të lartë, në hotele luksoze, me mysafirë elitarë dhe artistë botërorë. Ishte një botë tjetër nga ajo që e lashë në Kosovë. Në punë u tregova ekspeditive, me një shpejtësi të madhe dhe plot ide. Po kuadrimi im dhe kompozimi i kuadrove me stil, më hapën dyer të mëdha, hyra në botën e filmit dhe bëra emër në televizion dhe në kinematografinë kroate, ku sot e kam statusin - artistit i merituar.

Dinamika e punës
Kroatët respektojnë artin dhe talentin, mbizotëron profesionalizëm i madh. Punohet me më shumë asistentë dhe është mënyrë moderne e punës me teknologji të përsosur. Në punën tonë - kryesore është të kesh ide, qëndrim dhe të dish çka dëshiron. Pastaj së bashku me ekipin i realizojmë dhe suksesi është i të gjithëve. Gjatë punës në Kroaci kam marrë shumë mirënjohje dhe kam punuar një numër të madh të filmave që e kanë prezantuar Kroacinë në botë. Gjatë luftës isha në bordin kryesor për mbrojtjen e Kroacisë në HRT (Televizioni Kroat) ku kam pasur detyrë, si regjisore dhe gazetare, të animoj botën për demokratizimin e shtetit kroat.

Sjellja e kolegëve
Në TV Prishtina kam ardhur si një profesioniste (1983-1990), ku kishte edhe regjisorë të tjerë, që kishin përfunduar Akademinë e Zagrebit dhe të Beogradit. Isha e vetmja femër. Në atë kohë isha edhe në fazë të formimit të familjes, u bëra nënë e tre fëmijëve. Po në TV filloi të shihej rezultati i studentëve të jashtëm, derisa nuk filluan të formoheshin klane të ndryshme. Por, në atë kohë më tepër u besonin meshkujve regjisorë, të cilët luftonin për filma. Unë, ndërkaq, realizoja filma dokumentarë nga jeta. Në atë kohë disa kolegë më kanë bërë shumë presion gjatë punës në Prishtinë. Pas çdo filmi tim, përhapnin një antipropagandë, duke mos pasur parasysh që isha edhe nënë e tre fëmijëve, as që isha grua e martuar. Vetëm pse isha e talentuar dhe e guximshme! Sot pyes, a thua çfarë roli kishin ata! Ato sulme nuk harrohen, as nuk falen. Ajo ishte dhimbje shumë e madhe! Qëndrim të tillë të kolegëve në Kroaci nuk kam përjetuar kurrë dhe ajo është një nga arsyet që kam mbetur në Zagreb.

Karakteristikat e rëndësishme
Më besoni, mbas 25 vjetëve e pyes veten - çfarë force dhe vullneti kam pasur, çfarë guximi, nuk frikohesha as nga konkurrenca, as nga asgjë, veç shikoja të realizoja idenë. Po më vonë nuk kam pasur rastin shumë të zgjedh. Vitin e parë isha me të vërtetë zonjë, kisha privilegje, regjisore e cila punonte serinë e luajtur në 10 episode, me 30 artistët më të njohur në Kroaci. Përditë më merrnin me veturë, kam pasur dy ndihmësregjisorë dhe tre asistentë. I tërë ekipi ishim 40 veta. Por në, shpirt nuk isha e kënaqur. Vuaja për Kosovën, se shihja trena plot e përplot me shqiptarë që po i deportonin jashtë Kosovës. E bëra një film dokumentar me titull: “Kur humb vendlindjen”, ku e sulmova drejtpërsëdrejti Milosheviqin për zhdukjen e autonomisë, shkeljen e të drejtave elementare të shqiptarëve dhe shpërnguljen nga Kosova. Filmi më hapi të gjitha dyert. Nga ankthi i madh, nuk dija ç’të bëja, si nënë e tre djemve. Bashkëshorti në atë kohë nuk më ndihmonte, isha edhe ushqyese e familjes. Kisha ngarkesë të madhe, krahas xhelozisë së burrit. Mungonte në shtëpi, shpesh shkonte në Kosovë… Kjo bëri që të vendosja t’i thosha: ose të kujdesej për mua dhe fëmijët, ose të ndaheshim! Ashtu edhe u bë. Ai shkoi në Kosovë, lufta filloi në Kroaci, kufijtë u mbyllën… Mbeta pa punë dhe pa banesë. Shkoja në vijën e parë të luftës që të mund t’i ushqeja fëmijët! Kurrë nuk dihej se a do të kthehesha. Në atë periudhë bëra shumë filma me famë të madhe, si: “Muri i dhimbjes”, i cili mbërriti deri në Kanë dhe është filmi më i shitur në zhanrin e tij. Kroatët më çmojnë shumë për atë çka bëra për ta.

10 vjetët e fundit
Në Zagreb, përveç që merrem me filmin dhe gazetarinë, jam e angazhuar si Kryetare e Shoqatës së femrave shqiptare të Kroacisë, të cilën e emërtova ‘Mbretëresha Teuta’. Tendenca ishte të integroja femrën shqiptare në shoqërinë kroate dhe evropiane. Po ashtu, të njihja botën me statusin e popullit dhe të femrës shqiptare që nga civilizimi i vjetër i Ilirëve e deri në ditën e sotme. Kam organizuar shumë tryeza të rrumbullakëta për Kosovën që nga viti 1991 deri në vitin 2014, ku kanë marrë pjesë ambasadorë të ndryshëm dhe intelektualët më të fortë të Kroacisë. Po ashtu, kam organizuar tribuna, promovime librash, promovime të filmave nëpër shtete evropiane, me qëllim që të ndihmohej pavarësia e Kosovës. Në vitin 2005 themelova revistën për femra dhe familje ILIRIA, kryeredaktore e së cilës jam, e cila ka opus shumë të gjerë të temave të ndryshme, që nga intervistat me shtetarë të Kroacisë dhe të Kosovës, deri te personalitetet më të njohura nga bota shqiptare dhe kroate. Po kështu, qëllim i revistës është ruajtja e trashëgimisë kulturore, traditës dhe kulturës në përgjithësi. Është interesante se revista është në dy gjuhë dhe ajo ka thyer barrierën e mosinformimit për shqiptarë. Kemi ‘Ditët e Mbretëreshës Teuta’, një ngjarje regjionale – ndërkombëtare, tradicionale tash 9 vjet, ku janë të përfshira 5 ambasada dhe pakica kombëtare që jetojnë në Kroaci. Kemi, po kështu, edhe çmimin ‘Mbretresha TEUTA’ për fuqizimin e femrës shqiptare. Deri më tani me këtë çmim kemi nderuar zonjat: Nekibe Kelmendi, Flora Brovina, Sanije Gashi, Flora Masurica.

Jeta në Zagrebin metropolitan
Puna ime nuk është punë e zakonshme me orar fiks. Puna ime është me orar specifik, duket atraktive. Regjisorët dhe gazetarët mblidhen në qendër të Zagrebit, në ‘Cvjetni Trg’, aty është ‘shpica’ kryesore nga shoubizi i njerëzve, nga bota politike, gazetarë, njerëz nga kultura, femra të bukura të botës së modës. Ndonjëherë i përngjan korzosë sonë të dikurshme, por në nivel më të lartë. Zagrebi është, vërtet, metropol dhe ka restorante shumë atraktive, por unë e kisha dalluar ëmbëltoren ‘Milleniumin’ më të njohur në Zagreb, pronare e së cilës është shoqja ime shqiptare. Aty pi kafe dhe më pret fjala e ngrohtë shqipe, e cila shpesh mungon.

 

Zakonisht, kur kemi të bëjmë me ndryshime të mëdha jetësore, ndjenjat janë të pranishme tek secili, veçan kur vendos për t’u larguar nga qyteti i lindjes.


Vendimi për të lëshuar Kosovën ishte shumë i rëndë. Unë dhe bashkëshorti, të dy inxhinierë të diplomuar të elektronikës, të sapomartuar, kishim humbur punën nën presionin politik të pushtetit të dhunshëm serb. Në ato rrethana të rënda, kur e tërë Kosova po vuante një presion brutal, të gjithanshëm, nuk kishte mbetur hapësirë për të shpresuar dhe për të ndërtuar jetë të dinjitetshme. Edhe sot e kujtoj me shumë dhimbje vendimin tonë për të kërkuar hapësirë jete në një vend të huaj...
Kur i kumtuam babait tim (tashmë të ndjerë) vendimin tonë për të ikur, i lënduar në zemër, por me maturi dhe urtësi na tha: Meqë duhet të zgjidhni një vend të huaj për të jetuar, atëherë ju propozoj të përcaktoheni për Gjermaninë - nga një Komb, që nga dy disfata të mëdha është ngritur edhe më i fortë, mund të mësoni shumë dhe shkoni atje ku njihni së paku një shqiptar, e në Hamburg jetonte vëllai i madh i shokut tim me të shoqen, kështu që ne u përcaktuam për Hamburg - dhe nuk gabuam. Ikëm në shtator, bashkë me zogjtë shtegtarë... ishte viti 1991, po iknin nga Kosova shumë sikur ne...

Ndërtimi i CV-së
Pas mbarimit të Gjimnazit Matematikor në Prishtinë, kam vijuar studimet në Fakultetin Elektroteknik të Universitetit të Prishtinës, dega Elektronikë, ku edhe jam graduar me titullin Inxhiniere e diplomuar e Elektronikës. Pas akomodimit të përhershëm në Gjermani, kemi bërë kërkesë për nostrifikimin e diplomave tona në Ministrinë e Arsimit dhe Kulturës të Republikës në të cilin sot jetojmë (Schleswig-Holstein). Diplomat tona janë pranuar barasvlershëm me diplomat e fakulteteve përkatëse të universiteteve gjermane. Por, më duhet të them, vetëm nostrifikimi nuk mjaftonte për të ecur në profesion - u desh shumë punë këmbëngulëse, e mundimshme, me shumë sakrifica për t`u dëshmuar në tregun e punës. Megjithatë, diploma ishte një letërnjoftim i parë për qasje në atë treg.
Më lejoni t’ju rrëfej një episod të vogël nga ditët e mia të para në Hamburg, që ndërlidhet në mënyrë indirekte me ecjen time të sotme profesionale. Po shëtisnim me kunatën time dhe mbesën e saj në Hamburg, në Mönckeberg Straße, kur më ra në sy një Librari e madhe, Thalia quhet edhe sot, dhe shpreha dëshirë të hyja në të. U mahnita nga thesari i librave që gjeta aty, me dëshirë do të blija shumë libra, por, ngaqë buxheti im modest i refugjates nuk më lejonte një luks të tillë, u përcaktova për dy libra: një fjalor gjermanisht-shqip (Langscheidt) dhe një fjalor terminologjik të teknologjisë elektronike anglisht-gjermanisht. Ky ishte investimi im i parë për ecjen time të mëvonshme profesionale. Kunata ime, më vonë më kishte thënë se që atë ditë e kishte kuptuar çka është e rëndësishme për mua, çdo nuse tjetër do të përcaktohej për fustane apo stoli... Që atëherë ajo më ka ofruar gjithë përkrahjen e mundshme, për të më lehtësuar rrugëtimin tim profesional, për këtë e falënderoj nga zemra...

Etapat e avancimit
Në vitet e para të qëndrimit në Gjermani u bëra nënë e dy djemve të mrekullueshëm (Altinit dhe Valdrinit), dhe gjatë kësaj kohe isha e angazhuar me përkujdesjen ndaj tyre, ndërsa bashkëshorti po vijonte kurset e gjuhës gjermane dhe kurse të veçanta për integrimin e inxhinierëve migrantë në tregun e punës. Edhe pse në shtëpi, unë mësoja gjuhën gjermane paralel me bashkëshortin duke ndjekur leksionet dhe detyrat e tij. Kur ai i përfundoi, fillova unë kurset e aftësimit, ndërsa ai përkujdesej për fëmijët në shtëpi. Në këtë mënyrë, duke e plotësuar dhe duke e përkrahur njëri-tjetrin, ne ndërtuam jetën tonë të sotme familjare dhe profesionale. Pa ndihmën e pakursyer të bashkëshortit tim, unë nuk do të isha sot në pozitën profesionale ku jam. Shpagati mes familjes dhe profesionit nuk mjeshtërohet vetëm!
Pas mbarimit të kursit akademik të gjuhës gjermane, vijova një kurs tjetër kualifikues, 12- muajsh, për teknologji informative, me fokus në programim, meqë edhe gjate studimeve lëndët programuese më jepnin më shumë kënaqësi. Ky ishte edhe çelësi që më hapi dyert e mundësive profesionale. Fillova të punoja në mars të vitit 2000 në firmën PAV Card, si pjesë e një ekipi të përbërë nga matematikanë dhe inxhinierë të IT-së në programimin e një sistemi operativ për Smart Karta. Ishte kjo një sfidë e madhe për një fillestare si unë, projekti kishte karakter shkencor-kërkimor, puna ishte afatgjatë, me shumë përgjegjësi dhe shumë impenjative.
Sistemi operativ i punuar nga ne, është sot në përdorim në shumë Smart Karta nëpër botë. Aktualisht punoj ende në të njëjtën firmë, por tani me detyra të reja, me natyrë tjetër. Jam koordinatore për integrimin e Sistemit ERP (Enterprise Resorce Planing System) në tërë ndërmarrjen dhe në këtë kuadër e menaxhoj edhe softuerin përkatës dhe Databazën në ndërmarrje.

Suksesi në punë
Mund të them se profesionalisht i kam mbërritur caqet e synuara, nuk kam ambicie për më tepër, ndonëse procesi i kualifikimit nuk përfundon kurrë, teknologjia informative është shumë kërkuese, dinamike, ecën me hapa shumë të shpejtë dhe hapi duhet te mbahet, përndryshe ngecim.
Recetë për të pasur sukses karriere jashtë vendit është vetëbesimi, puna, këmbëngulja, guximi për ballafaqim me sfidat, ndërsa për femrën shqiptare ka rol të madh përkrahja në familje, posaçërisht nga bashkëshorti. Unë kam pasur shumë fat të jetoj me njeriun që kurrë nuk më ka penguar, por, përkundrazi, më ka dhënë shtysë në momentet kur unë kam dyshuar në vete lidhur me sfidat, nuk më ka lënë kurrë të sprapsem!
Për të mbërritur deri këtu, është dashur të punoj shumë, të sakrifikoj shumë nga koha ime e lirë, shpeshherë edhe nga koha për familjen time.
Fatmirësisht, jetoj në një vend me ekonomi të fortë, që krizën globale e ka menaxhuar shumë më mirë se vendet e tjera të rajonit. Sot Gjermania është motor i zhvillimit ekonomik të Evropës, edhe pse edhe këtu në profesione të caktuara është ndier pesha e krizës.
*Industria e teknologjisë informative këtu është treg i uritur për ekspertë të lëmit dhe Gjermania po zhvillon një strategji për absorbimin e ekspertëve nga vendet e tjera. Prandaj, mund të them se tash për tash vendet e punës në IT mund të konsiderohen stabile, edhe pse konkurrenca nuk fle. Në pozita të mira vazhdimisht duhet të dëshmohesh. Këto pozita gjithmonë janë të lakmueshme dhe të sulmueshme.
Shumë gjëra që i kam mësuar këtu, sigurisht se do t`i kisha mësuar edhe diku tjetër, megjithatë do të veçoja një urtësi që e kam marrë këtu:
Nuk bën të thuash kurrë "nuk di", "nuk mundem". Kam mësuar një shprehje gjermane që më ka lënë përshtypje shume herë, po e them në gjermanisht: "Augen zu und durch!", që në përkthim do të thotë: "mbyll sytë dhe ec përpara!" dhe ka kuptimin të mos frikohesh dhe të mos sprapsesh nga rruga në të cilën je nisur, të kesh vetëbesim!

Përgjegjësia në punë
Një anekdotë thotë: gjermanët jetojnë për të punuar, ndërsa të tjerët punojnë për të jetuar! Serioziteti dhe përgjegjësia në punë është një kriter i rëndësishëm, besoj në të gjitha vendet e përparuara në botë, jo vetëm në Gjermani. Natyrisht edhe këtu ka toleranca në kufij të caktuar, por një popull i edukuar në një shtet ligjor, si Gjermania, është i vetëdijesuar dhe u përmbahet kufijve të dhënë, edhe pse përjashtimet nuk mungojnë, si gjithkund nëpër botë. Shumica e shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë këtu kanë mësuar të sillen në suaza të këtyre "rregullave". Shumë shqiptarë këtu kanë ndërtuar storie të vërteta të suksesit me punën e tyre, edhe pse fatkeqësisht ka edhe shembuj negativë, për të cilët unë personalisht turpërohem. Në ritmin e përditshëm të jetës dhe të punës nuk ka ndonjë dallim të theksuar, meqë vetë puna e dikton një mënyrë pak a shumë të ngjashme të strukturës së ditës. Dallimi më i theksuar vihet re në organizimin e kohës së lirë dhe pushimit. Gjermanët i kushtojnë shumë rëndësi edukimit kulturor dhe janë të hapur dhe kureshtarë për njohuri të reja, prandaj një kohë të madhe të kohës së lirë e investojnë në këtë drejtim.
Në aspektin kulturor mund të mësojmë nga gjermanët shumë. Edukimi kulturor varet shumë edhe nga niveli arsimor i rrethit (familjar, shoqëror).

Gjermania nuk mundet më pa të huaj
Të huajt në Gjermani dikur ishin fuqi e thjeshtë punëtore, që i duhej trenit të shpejtë ekonomik gjerman. Por këta të huaj sot janë pjesë integrale e jetës gjermane, në të gjitha sferat. Me gjithë frymat radikale, që ndihen aty-këtu, shoqëria gjermane ka mësuar të bashkëjetojë me të huajt, në vend se të jetojë pranë të huajve. Nataliteti gjerman është në ngecje (për shumë arsye), pasqyra demografike gjithnjë e më tepër anon nga mosha më e madhe. Në këtë situatë nataliteti i të huajve e përmirëson edhe pasqyrën demografike të vendit, prandaj Gjermania nuk mundet më pa të huajt! Dhe është mirë kështu, në frymën e globalizmit nacionalizmat nuk kanë vend.
Personalisht nuk kam përjetuar ndonjë gjë të pakëndshme gjer më sot pse jam e huaj. Që nga fillimi kam treguar interes për të mësuar gjuhën dhe për të njohur kulturën gjermane për së afërmi. Kam lexuar shumë autorë gjermanë në përkthim, por vetëm kur i kam lexuar në gjermanisht, kam njohur bukurinë e vërtetë të veprës dhe gjenialietetin autorial. Ndoshta kjo ka ndikuar edhe në akceptancën gjermane ndaj nesh. Shokët tanë gjermanë janë shpesh të irrituar, kur dikush që jeton për 25 vjet në Gjermani nuk bën përpjekje për të mësuar së paku gjuhën gjermane. Edhe në Kosovë ndihemi mirë kur të huajt që jetojnë aty përpiqen të mësojnë gjuhën dhe respektojnë traditën tonë, apo jo?

Procesi mësimor
Jeta jonë është një proces i mësimit të vazhdueshëm, ne mësojmë çdo ditë, nga gjithkush, nga çdo situatë...
Profesionalisht, kurrë nuk ka qenë më lehtë se sot të aftësohesh - qasja në burimet e informatave është bërë aq e lehtë, saqë është mëkat të humbasësh kohë kot... duhet vetëm vullnet... Në epokën e globalizmit dhe digjitalizimit ne bombardohemi vazhdimisht me informacione nga më të ndryshmet, por konsideroj se një mendje e shëndoshe duhet t`i filtrojë dhe t’i kanalizojë informatat që i duhen me të vërtetë...

 © REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
Teuta Magazine

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, riprodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.com  www.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version