Ti je ketu: Ballina > DIASPORA > Artist i shquar i Filarmonisë së Vjenës
Ekskluzive: Shkëlzen Doli
Artist i shquar i Filarmonisë së Vjenës
Kur në vitin 1980, Shkëlzen Doli kishte filluar t’i merrte leksionet e para për violinë, askush nuk e kishte menduar se djali nga Gjakova, një ditë do të arrinte të renditej në mesin e artistëve më të shquar të Filarmonisë së Vjenës. Sot, ndërkaq, kudo që paraqitet arrin të tërheqë vëmendjen e qindra e mijëra të pranishmëve me interpretimin e tij fantastik dhe paraqitjen atraktive… Në intervistën ekskluzive të realizuar enkas për revistën Teuta, nga kryeqyteti austriak, Shkëlzen Doli (46) shpalos të pathënat e jetës së tij dhe rrugëtimin e palodhur deri tek triumfi mbresëlënës botëror, që e arriti me shumë punë, sukses që e shndërroi në njërin nga perlat e kombit shqiptar!

Intervistoi Blinera Gashi
Foto Fadil Berisha
 

Koncerti vjetor i Filarmonisë së Vjenës, solli në pah performancën tuaj të shkëlqyer artistike. Si keni arritur dhe sa vjet u bë që jeni pjesë e kësaj Filarmonie? 
- Angazhimi im në Orkestrën Filarmonike të Vjenës ka filluar që në vitin 1995. Gjatë studimeve, mbas një audicioni shumë të vështirë, fitova të drejtën për të luajtur në këtë orkestër të mrekullueshme. Ishte një ëndërr e bukur që u realizua. Të marrësh pjesë në evenimentin më të madh të muzikës klasike, është një ndjenë e rrallë dhe magjike. Por në koncertin ku shpirti shqiptar u shpërnda në gjithë botën, besoj që do të mbetet një kujtim i pashlyeshëm në memorien time dhe përjetim i një emocioni të bukur.
Kush ishte udhërrëfyesi juaj që ju bëri ta dashuroni muzikën dhe pse e zgjodhët pikërisht instrumentin e violinës?
Ishte Gjakova, me dashurinë dhe fanatizmin për ta ruajtur dhe kultivuar muzikën e vërtetë shqiptare. Kurse violina ishte zgjedhje e dytë, mbasi që kur doja të regjistrohesha në shkollën e ulët të muzikës në Gjakovë (për fat të mirë) nuk kishte vend për Fizarmonikë :) .
Konsideroni se jeni një njeri i lindur me fat dhe talent, apo mendoni se puna në vazhdimësi e zhvillon talentin?
Është kombinimi i të triave: talenti, puna, që është shtylla e zhvillimit të talentit, dhe pak fati.
Pas përfundimit të nivelit të ulët të shkollimit tuaj në Gjakovë, ju u shpërngulët në kryeqytetin e Vojvodinës. Pse zgjodhët pikërisht Novi Sadin për të vazhduar shkollimin tuaj?
Në Novi-Sad kam shkuar në moshën 16 vjeçare, me ftesën e profesorit hungarez Imbre Jambor, pasi më kishte dëgjuar në konkursin e të rinjve për ish-Jugosllavinë. Shkolla e mesme e muzikës e Novi-Sadit ishte ndër më të njohurat për harqe. Mund të them që “zanatin” apo teknikën e duhur për ta zotuar violinën e kam mësuar atje.
Më pas vazhduat studimet tuaja në Vjenë? Mund të na flisni në mënyrë kronologjike për arritjet tuaja profesionale?
Në vitin 1992 fitova konkursin në Universitetin Shtetëror të Vjenës, dega solo-violinë. Kurse menjëherë me angazhimin tim në vitin 1995 në Orkestrën Filarmonike të Vjenës mund të them që jeta ime artistike mori një kthesë të madhe. Tingujt që vinin nga Filarmonia e Vjenës më kanë influencuar dhe më kanë nxitur që në fillimet e mia drejt një perfeksioni muzikor, me dëshirën për të arritur edhe unë dikur në këtë nivel botëkuptimi dhe interpretimi muzikor.


A keni pasur përkrahje nga ndonjë figurë e artit në formimin dhe avancimin tuaj në Austri, apo jeni krenar me pavarësinë dhe fuqinë tuaj personale...?
- Pyetja e mirë është gjysma e përgjigjes :) , jam me të vërtetë krenar me pavarësinë dhe arritjen time, pa mbështetje të askujt!
Nga qyteti i Gjakovës jeni larguar në moshë të re, madje historia e familjes suaj është e lidhur me migrimin, ngase ju keni lindur në Elbasan? Ç’mund të na flisni për atë periudhë të jetës?
- Unë jam larguar nga Gjakova për të studiuar në Novi-Sad pak a shumë në të njëjtën moshë si babai im kur u largua nga Gjakova në fund të viteve ‘50 për në Shqipëri. Por si gjakovarëve që dashuria për qytetin e tyre nuk u shuhet kurrë dhe herët a vonë kthehen në vendlindje, babai im u kthye. Ishte fillimi i viteve ‘70 kur jemi kthyer në Gjakovë. Unë kam qenë 3 muajsh, prandaj Elbasanin nuk e mbaj mend fare. Mungesë për Shqipërinë nuk ndieja, sepse ishte Mami (me prejardhje nga Përmeti) që e mbulonte këtë boshllëk. Mund të them që gjithçka çfarë kam arritur në jetë, është rezultati i punës dhe i mbështetjes së fuqishme të prindërve të mi.
Jeni njeriu i vetëm në familje që merreni me muzikë?
- Ne jemi tre fëmijë, kam një motër dhe një vëlla. Që të tre kemi filluar të merremi me muzikë në fëmijëri, por vetëm unë kam vazhduar si profesionist.
Me violinën keni vizituar shumë vende të botës, ku keni dhënë koncerte të ndryshme. Mund të veçoni ndonjërin prej tyre i cili ju emocionoi dhe ju la përshtypje të veçanta?
- Çdo koncert rrezaton emocione të veçanta, por ai që mua më ka lënë mbresa të jashtëzakonshme dhe emocion të veçantë, ka qenë koncerti me orkestrën tonë në Mauthausen për viktimat e Holocaust-it.
Ju jetoni në Vjenë, megjithatë, përveç angazhimit tuaj në Filarmoni, keni edhe ndonjë angazhim tjetër në kryeqytetin austriak?
- Puna jonë në Filarmoni dhe në Operën e shtetit është aq e dendur, saqë nuk mbetet kohë për angazhime të tjera.
Cilat janë pasionet tuaja, përveç violinës? Si i kaloni ditët në Vjenë?
- Momentalisht jam në përfundim e sipër të shtëpisë sime këtu në Vjenë. Nuk mund të them që është pasion, por më shumë aventurë :) .
Jeni i lindur në Elbasan, i rritur në Gjakovë dhe vazhdoni të jetoni në Vjenë. Çfarë ju dhanë këto qytete dhe për çfarë do t’i kujtoni përjetësisht?
- Janë 3 qytete (edhe pse me përmasa të ndryshme) të lidhura ngushtë me artin muzikor. Për Elbasanin nuk mund të flas shumë, ngaqë nuk jam rritur atje, por mund të them që muzika e bukur dhe këngët tradicionale të Elbasanit më kanë shoqëruar gjatë gjithë jetës. Me Gjakovën, qytetin ku jam rritur, më lidhin të gjitha kujtimet e fëmijërisë dhe rinisë sime të hershme. Qyteti ku mësova dhe luajta për herë të parë në violinë është dhe sot për mua një burim i pashtershëm i nostalgjisë dhe i pasionit. Do të mbetet për mua skena më e bukur dhe më e vështirë. Kurse Vjena, si kryeqytet i muzikës për gjithë botën, arrin të bëjë zhvillimin dhe transformimin e një instrumentisti në një muzikant të kompletuar. Për këtë i jam shumë mirënjohës Orkestrës Filarmonike të Vjenës.
Cili është leksioni më i madh të cilin e keni mësuar në jetë?
- Të jesh apo mos të jesh për dikë në ditët e vështira!
Jeni shpeshherë në udhëtime, vizitoni shumë qytete, takoni miq të rinj dhe kolegë kudo që shkoni. Megjithatë, ku ndiheni më rehat, ku e konsideroni shtëpinë tuaj?
Me gjithë agjendën time shumë të ngjeshur me koncerte pothuajse në të gjitha kontinentet e botës, gjej kohë ta vizitoj familjen time në Gjakovë. Momenti kur ulem në kanape dhe bisedoj me Mamanë time, është e vetmja ndjenjë e të qenit në shtëpi.
Cilat janë disa nga ndikimet e modës tek ju? Jeni të pasionuar pas veshjes moderne?
- Në përgjithësi, mund të them që femrat tregojnë më shumë interesim për modën sesa meshkujt. Kjo te shumë femra bëhet për të ndjekur një standard të shoqërisë. Kam përshtypjen që femrat flasin më shumë për trendët dhe ka shumë prej tyre që futen në kategorinë “Fashion Victim”. Në rrethin tonë kulturor femrat janë më të varura me zhvillimin e modës sesa meshkujt. Ka dhe ka pasur kultura, për shembull, në renesancën apo barokun evropian, ku veshja te të dy gjinitë ka qenë e madhërishme dhe për të dy palët me rëndësi. Unë vetë mundohem të vishem sipas shijes sime dhe jo të imponuar. Nuk kam kompleks për t’u shquar në shoqëri përmes rrobave (modës moderne).
Është përmbushur ëndrra juaj profesionale. Çfarë synoni të arrini në jetë?
Arritja e suksesit tim në Vjenë nga Kosova, për mua është arritja e “ëndrrës amerikane në mes të Evropës”.

© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

 

#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
Teuta Magazine

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, riprodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.com  www.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version