Ti je ketu: Ballina > Aktuale >

Shkruan Sanije Gashi, gazetare/publiciste

 

Objekte të kryeqytetit në kujtim

Në Prishtinë ka ende objekte të vjetra që ruajnë kujtesën e qytetit. Ndonëse brezat e rinjë po i harrojnë, prishtinasit e vjetër i kujtojnë ende me mall.  Këtu sjellim disa prej tyre: 

 

 

Revista “Zani i Rinisë” (1965–2026)

Në hapësirën arkitektonike të godinës ku sot ushtron funksionin e saj Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), dikur shtrihej epiqendra e mendimit dhe e fjalës së lirë rinore: redaksia e revistës “Zani i Rinisë”, e cila ndodhej në katin e tretë (hyrja pas ndërtesës). Si e vetmja tribunë periodike e të rinjve shqiptarë e kohës, kjo revistë lindi si një manifestim i vullnetit intelektual dhe nismës vetëmohuese të studentëve.
Për mua, ky ambient përfaqëson pikënisjen e jetës sime profesionale. Aty e hodha hapin e parë në gazetari, në atë shtator të vjeshtës së vitit 1965. Aty nisa një rrugëtim që, me përvojën e gjatë gazetareske, u shndërrua në një angazhim prej plot 55 vitesh.
Përballë kësaj ndërtese, këto ditë ndjeva sërish pulsin e atyre viteve, ndërsa koha u fiksua përgjithmonë në një fotografi. Nuk është thjesht një kujtim, por një përulje para një epoke të ndritur idealesh dhe formimi intelektual. Një trashëgimi e paharruar, që vazhdon të jetojë brenda meje.

 
Nga qelia e torturës te tempulli i shëndetit

Dispanseria e sëmundjeve të mushkëtive, dikur seli e UDB-së famëkeqe

I vendosur në rrugën “Fehmi Agani”, objekti i ish-Dispanserisë së Sëmundjeve të Mushkërive mbart një arkitekturë të veçantë që tërheq vëmendjen, por mbi të gjitha, ai përfaqëson një arkivë të gjallë të kujtesës kolektive të qytetit. E ngritur në vitin 1928 nga një arkitekt francez, kësaj ndërtese i është dashur të kalojë përmes shtresimeve më dramatike të historisë shekullore, duke nisur nga gjeneza e saj si seli e Xhandarmërisë Serbe dhe e UDB-së, ku bodrumet e errëta shërbyen si qeli burgu dhe vend torturash për shqiptarët veçanërisht gjatë aksionit famëkeq të armëve. Me kalimin e dekadave, ky funksion ndryshoi duke shërbyer fillimisht si shkollë dhe më pas si çerdhe fëmijësh deri në vitin 1970. Kthesa përfundimtare e identitetit të tij erdhi në vitin 1971 me hapjen e Dispanserisë së parë të Sëmundjeve të Mushkërive, duke e shndërruar një hapësirë dikur sinonim të mbytjes dhe dhunës në një strehë shërimi, e cila sot qëndron jo thjesht si një dëshmi e arkitekturës evropiane të viteve `20, por si një monument i fuqishëm i transformimit historik.

 

Odiseja e kinemave prishtinase  

Prishtina e asaj kohe pulsonte nën ritmin e një gjallërie të veçantë, të ushqyer nga puna e palodhur e zejtarëve që i jepnin jetë qendrës së saj urbane. Në hapësirën ku sot ngrihet madhështore ndërtesa e Kuvendit të Kosovës, dikur shtrihej epiqendra e artizanatit prishtinas, ku ushtronin veprimtarinë e tyre berberët, këpucëtarët, nallbanët, kasapët, ëmbëltoret dhe saraçët, të cilët formonin damarin ekonomik e shoqëror të qytetit.


Në rrugën “Divanjolli” ngrihej objekti i Kino “Rinisë”, një tempull i argëtimit dhe i artit kinematografik që vizitohej nga rinia dhe adhuruesit e flaktë të filmit. Objekti reziston edhe sot, i veshur me ngjyrën bezhë të dikurshme dhe me dritare të vjetruara që dëshmojnë historinë e kryeqytetit. Në pjesën e përparme ndodhej biletaria dhe dyert e hyrjes që evokojnë hapat e kaluar të prishtinasve, ndërsa pas tyre shtrihej salla e madhe ku mblidheshin qytetarët përpara se të kalonin në sallën pritëse të kinemasë dhe të nisnin shfaqjen e filmit, e cila fillonte rregullisht me “zhurnalin”. Pjesë e paharrueshme e kujtesës kolektive mbetet tingulli karakteristik i “ngrënies” së farave “kërc-kërc”, i vetmi argëtim që guxonte të çante qetësinë e të pranishmëve në sallë.


Megjithëse nuk ka funksionuar si kinema për shumë vite, Kino “Rinia” gëzon statusin e mbrojtur, duke qenë e regjistruar në Listën e Trashëgimisë Kulturore për shkak të rëndësisë së saj kulturore e historike, ndërsa në shkurt të vitit 2025 ajo u përfshi nga një zjarr që u lokalizua shpejt nga autoritetet, por pa u riparuar ende plotësisht. Përveç saj, historia e kinematografisë prishtinase përfshin edhe “bioskopin” e Brankut te ish-Banka e Kosovës—sot ndërtesa e Qeverisë—që kishte filluar punën qysh në kohën e Mbretërisë Serbe, si dhe kinemanë e themeluar në vitin 1941 nga qytetari kosovar Malush Kosova, i cili kthehet nga Shqipëria dhe shndërron kafenenë “Union” në sallë kinemaje. Një tjetër kinema u hap në vitin 1943 nga aktori i mirënjohur Abdurrahman Shala, e vendosur midis ndërtesës së ish-Komitetit Krahinor dhe një rrugice që çonte përpjetë, pa lënë pas dore as kinemanë verore që dikur ndodhej në oborrin e Shtëpisë së Oficerëve, në zemër të kryeqytetit.
 

 Zëri i kujtesës: Furra që më ktheu fëmijërinë

Në zemër të qytetit, aty ku koha duket se ka harruar të ecë me hapa të nxituar, ngrihet ende si një relikt i heshtur shtëpia me figura në kulm. E ndërtuar në vitin e largët 1925, pranë objektit të komunës, ajo ruan në siluetën e saj dëshminë e një epoke tjetër. Dy figurat prej guri në majë të kulmit, si dy roje të vjetra të kujtesës, vazhdojnë të vëzhgojnë ndryshimet e kohës, ndërsa muret e saj mbajnë mbi supe pluhurin e dekadave dhe shpirtin e një pjese të qytetit që nuk jeton më.
Por, përtej arkitekturës së veçantë, shpirti i vërtetë i kësaj shtëpie dikur pulsonte në katin e saj përdhes. Atje fshihej një botë më e ngrohtë, më e thjeshtë: Furra e Abdurrahim Furunxhisë – i njohur ndër breza si pjesë e familjes së Rexhep Ekmekqilerëve, të cilët kishin marrë rrugët e largëta të Izmirit, por emri i të cilëve kishte mbetur i ngulitur në themel të këtij qyteti. Për fëmijët e lagjes, ajo ishte e njohur thjesht dhe me dashuri si “Furra me Syreta”.
Kujtoj atë kohë kur dielli lëshonte rrezet e fundit mbi kalldrëme dhe aroma e bukës së sapopjekur përzihej me flladin e mbrëmjes; atëherë kur ajri thithte aromën e furrës dhe zëri i ngrohtë i nënave jehonte nga pragjet e dyerve, një tingull që edhe sot e kësaj dite kumbon si një melodi e largët në veshët e mi:

“Fëmijë, blini bukë te “Furra me Syreta”...”

E ne, fëmijët, pa një pa dy, shkëputeshim nga lojërat tona të pafajshme dhe vraponim me zemrat që na rrihnin nga gëzimi drejt dritares së vogël të katit përdhes. Ktheheshim mbrapa me bukët e ngrohta, që na dukeshin si thesari më i çmuar i botës, duke mbajtur në duar vetë aromën e lumturisë fëminore.
E ndërsa vitet kalojnë, ajo furrë e vjetër vazhdon të mbetet një emblemë e gjallë për ata pak banorë të moçëm që i kanë rezistuar kohës. Pavarësisht mallit dhe dëshirës së zjarrtë për ta ruajtur këtë monument shpirtëror të qytetit në trajtën e tij origjinale – si një dëshmitare e heshtur e epokave që shkuan – ndërtesa ka pasur një restaurim të kujdesshëm. Edhe pse fasada e saj mban sot ngjyrë të ndryshuar, ajo ruan ende gjurmët e një shpirti urban i cili qëndron krenar.

 

 Ura e hekurt e kujtesës: stacioni i trenit të Prishtinës 

Portë e lotëve dhe e dhimbjes

I ngritur në themelet e kohës që në vitin 1911, si një dëshmitar i heshtur i epokave, stacioni hekurudhor i Prishtinës nuk është thjesht një kryqëzim shinash, ai mbetet arkivi i heshtur i shpirtit prishtinas, një monument ku historia ka trokitur gjithmonë me hapin e rëndë të fatit tonë të hidhur.

Stina e mërgimit të heshtur

Në vitet ’50, kur trysnia e papërballueshme e regjimit detyroi shqiptarët të shpërnguleshin drejt Anadollit, ky stacion u shndërrua në skenën e një drame kombëtare. Këtu, nën peshën e ftohtë dhe të rëndë të mallit, përshëndetjet u tretën në vaj, ndërsa ndarjet e përhershme vulosën plagën e një lamtumire pa kthim. Ishin çaste kur njerëzit nuk linin pas thjesht pragjet e shtëpive ku kishin lindur, por copëza të gjalla të shpirtit dhe të gjakut të tyre.

Plaga e vitit 1999

Dhimbja e këtij vendi u përsërit me egërsi në pranverën e vitit 1999. Përmes këtij stacioni, vorbulla e spastrimit etnik të orkestruar nga regjimi serb mori përmasa tragjike. Hekurudhat u shndërruan në korridore dëbimi për mijëra qytetarë të Prishtinës dhe më gjerë. Të shtyrë drejt vagonëve të stërngarkuar me ankth e pasiguri, ata u nisën në një rrugë kalvari drejt kufirit maqedonas, nën hijen e rëndë të frikës dhe vdekjes.

Nën peshën e kujtesës, ky stacion vazhdon të ruajë jehonën e ngjarjeve të pashlyeshme — një plagë e hapur në zemër të Prishtinës, ku historia flet përmes lotëve, lamtumirave të heshtura dhe kujtesës që refuzon të tretet në heshtje.
 

 © REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
Teuta Magazine 2026

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, riprodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.com  www.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version