Në gjurmët e artit: Festivali i ‘Akordeve’ dhe kompozitorja e pesë Okarinave të Arta, Pranvera Badivuku

Shkruan Blerina Gashi
Përtej zhurmës së kohës, skena e festivalit “Akordet e Kosovës” vazhdon të jetë një nga simbolet më të fuqishme të identitetit tonë muzikor. Ky institucion i artit të vërtetë, që dikur i fali Prishtinës netë të paharrueshme elegance e madhështie, mban ende gjallë nostalgjinë e një epoke të artë: atëherë kur kompozimet kishin peshë, vlerat artistike nuk negocioheshin dhe puna e merituar kurorëzohej nga komisione profesionistësh me çmimin më prestigjioz të skenës, Okarinën e Artë.
Në këtë histori suksesesh të pakompromis, një vend të veçantë zë kompozitorja e shquar Pranvera Badivuku. Ajo mban rekordin e jashtëzakonshëm të pesë Okarinave të Arta — një dëshmi e qartë e talentit të saj të rrallë. Me një opus krijues monumental, që numëron mbi 150 vepra në zhanre të larmishme - duke filluar nga pasuria e muzikës popullore e deri te finesa e muzikës së lehtë dhe asaj për fëmijë, Badivuku ka fituar me meritë të pakontestueshme duartrokitjet e publikut dhe vlerësimin e jurisë. Prej tyre, kënga ikonike “Eja, eja, e bardha verë”, e interpretuar me mjeshtëri nga zëri i papërsëritshëm i Esat Bicurit, shënoi triumfin e saj të parë, duke i hapur dyert drejt një rrugëtimi të gjatë e të lavdishëm.
Por ndikimi i Pranverë Badivukut nuk mbretëron vetëm brenda kufijve të një skene. Gjurmët e krijimtarisë së saj ndihen fuqishëm në ngjarje të tjera madhore të artit mbarëkombëtar, si festivali i këngës qytetare “Zambaku i Prizrenit”, apo në skenat prestigjioze të Shkodrës, Shkupit e Sarajevës. Aty muzika e saj u dëshmua gjithmonë si një urë e fortë lidhëse e estetikës dhe kulturës së lartë.

© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.