Ti je ketu: Ballina > Aktuale > NË FAMILJEN E GAZETARIT DHE PREZANTUESIT HIVZI KRASNIQI
Çifte
NË FAMILJEN E GAZETARIT DHE PREZANTUESIT HIVZI KRASNIQI
Për njeriun, që për më shumë se katër dekada iu drejtua aq shumë herë qytetarëve përmes mikrofonit, shkroi me mijëra tekste këngësh, udhëhoqi me qindra apo edhe më shumë akademi e aktivitete artistike, bashkëpunoi me emra të mëdhenj e radiostacione të ndryshme, është kënaqësi, privilegj, por mbi të gjitha një përgjegjësi që të jepet për ta çuar në vend. Ai ia ka dalë me sukses, sepse këtë e bëri me përkushtim, profesionalizëm e dashuri.

Bisedoi Faik Hoti
Fotografitë Ridvan Slivova

Më shumë se dyzet vjet të kaluar me shumë pasion para mikrofonit në radio, s’e kanë lodhur fare gazetarin dhe prezantuesin e mirënjohur kosovar - Hivzi Krasniqin. Teksa përkëdhel nipin, Malin, dhe mbesën, Borën, të cilët s`u ndahen për asnjë moment, ai dhe bashkëshortja e tij, znj. Sevdije, thonë që ndjenja e të qenit gjysh dhe gjyshe, është e papërshkrueshme, e fuqishme dhe mahnitëse, aq sa këtë, ata me dashamirësi e altruizëm, ia dëshirojnë çdo kujt. "Unë i uroj çdokujt që Zoti t`i japë rehatinë, shëndetin dhe ta provojë ndjenjën e të qenit gjysh, që është diçka hyjnore, është një dimension tjetër i jetës, një qiell i shtatë", thotë Hivziu.
Bashkë me bashkëshorten e tij, Zonjën Sevdije, e cila i ka qëndruar përkrah që nga shkolla fillore në Pejë, kur ishin njohur së pari, ata flasin, në një bisedë për revistën "Teuta", për jetën e tyre dhe mbi të gjitha për atë që Hivziu e kishte dashuri të dytë të jetës së tij, përkushtim e pasion, punën si gazetar, të cilën e kishte filluar, para më së shumë se dyzet vjetësh, atëherë kur si student erdhi në Prishtinë për të studiuar gjuhën dhe letërsinë shqipe.

"Erdha dhe mbeta në Prishtinë"
"Erdha në Prishtinë për të studiuar, nisa edhe të punoja, ngula këmbë e mbeta këtu...", nis të tregojë Hivziu për vitin 1973, kur kishte nisur studimet në Prishtinë dhe më pas kishte nisur zyrtarisht edhe punën në Radio Prishtinën II të atëhershme. Paraprakisht, kishte bashkëpunuar me redaktorë të Radio Prishtinës – Programi i parë dhe kur kishte startuar Programi i dytë, bashkëpunëtorët ishin kujtuar për të dhe e kishin ftuar. "Saktësisht, kjo ka ndodhur më 27 shkurt të vitit 1974, kur kishte nisur Programi i Dytë i Radio Prishtinës", tregon ai. Rreth dyzet vjet pas atij fillimi, plot entuziazëm e energji, Hivziu kujton se në atë kohë dhe shumë vjet më pas, kushtet e punës ishin shumë larg kushteve që ekzistojnë sot në medie, por përkushtimi ishte i pakrahasueshëm, meqë, asokohe, thotë ai, punohej ndryshe, më me përkushtim.
"Kushtet kanë qenë diametralisht të kundërta me këto që janë sot, por atëherë kemi punuar më shumë, kemi qenë më të përkushtuar dhe gjërat kanë pasur më shumë vlerë. Sot ka shumë burime informacioni dhe prapë disi njerëzit mbeten të uritur për të marrë informacionin e duhur, në mënyrën e duhur, ndërsa asokohe kishte një burim apo gjysmë burimi dhe me të, besoni që kemi nxjerrë diçka të mirë në dritë", thotë ai.
Flet me dashuri për vitet e kaluara në Radio, duke punuar së pari në Programin e Mëngjesit dhe Programin e Natës të Radio Prishtinës II dhe pastaj edhe në Programin e Parë dhe duke qenë edhe përgjegjës kryesor për programin argëtues e humoristik të Radio Prishtinës II. Por, Hivziu nuk ishte vetëm njeri i radios, sepse, një vit pasi kishte filluar të punonte në Radio, ai ishte angazhuar edhe në Televizionin e Prishtinës (së pari me emisionin "Mirëqofshi"), por që, gjithsesi, zemra i mbetet te radioja. Aty, ku në fillet e para, në vitet kur Radio Televizioni i Prishtinës po merrte zhvillimin e tij, ai punonte në ekip me kolegë, të cilët i vlerëson shumë për punën e tyre, si Refik Serça, Antigona Qena, Dhurata Kaba, Hys Shkreli, Feim Kurhasani dhe të tjerët, gjithnjë nën përkujdesjen e redaktorëve apo "mësuesve", siç i quan Hivziu mbikëqyrësit e tyre, për të cilët thotë se "na kanë munduar, na kanë mësuar, por nuk na kanë falur në gabime. E them me dashamirësinë më të madhe se me fanatizëm e kemi dashur profesionin dhe punën, duke e çmuar atë".
Ndërsa flet për ngjarjet e shumë vjetëve më parë, sikurse ato të kishin ndodhur sot, duke u ndjekur me vëmendje nga bashkëshortja e tij, kjo e fundit pohon se, duke qenë bashkëshortja e një personi që me qytetarët ka komunikuar ditë e natë përmes mikrofonit, e ka shoqëruar shumë atë dhe për të ka qenë privilegj të jetë pranë njeriut, që përmes zërit të tij, humorit dhe çiltërsisë së tij, ka bërë të ndihen mirë shumë njerëz të vendit të tij. "Hivziu është një njeri shpirtgjerë, unë e kam falënderuar çdoherë Zotin që më ka dhënë rastin të jem me të dhe të ndaj jetën me të", thotë zonja Sevdije, një mësimdhënëse dhe kryefamiljare e përkushtuar. Ajo dhe Hivziu ishin martuar të rinj, meqë edhe ishin njohur shumë herët, si nxënës në Pejë, ku kishin jetuar vetëm deri rreth moshës njëzet vjeçe, meqë e ardhmja pastaj i kishte lidhur me Prishtinën. "Jemi rritur së bashku", thonë ata.


Nga një jetë e tërë së bashku, ajo kujton se talentin e Hivziut për shkrime, gazetari, poezi dhe shpirtin e tij artistik, e kishte vërejtur qysh si nxënëse, kur Hivziu shkonte dhe e ndihmonte klasën e saj që për një kohë të shkurtër të nxirrnin në dritë disa hartime që vlerësoheshin me notat më të mira nga mësimdhënësit.
E kjo dhunti e Hivziut gjithsesi se i kishte bërë për vete të gjithë ata që kishin pasur rastin të punonin me të, si Petrit Dushin, Akil Kocin, Mehdi Bajrin, bashkëpunëtorët, si Jusuf Gërvalla, Lekë Musolli, "mësuesit" si Rifat Kukaj, Anton Çetta, Enver Gjerqeku..., të cilët kujdeseshin për tekstet e ndryshme të këngëve, lajmeve, emisioneve...
Janë, ndërkaq, pikërisht tekstet dhe shkrimi i tyre ajo që Hivziun e ka bërë të njohur edhe në një dimension tjetër, krahas punës afër mikrofonit, moderimit të shumë ngjarjeve dhe organizimit të aktiviteteve të ndryshme të fushës artistike.
Ai është autor i 1200-1300 teksteve të këngëve që i ka mundësuar atij të bashkëpunojë me secilin kompozitor dhe me shumë këngëtarë, të cilët në këngët e tyre i kanë pasur tekstet e Hivziut. E kur është fjala për tekstet dhe këngëtarët, ai ka diçka për të thënë. "Në tekstet që shkruanim ne, kishte fabul, porosi, edukatë. Në to ka pasur etikë, jo censurë", thotë ai, duke e ndier për nder që tekste ka shkruar edhe për këngëtaren e madhe shqiptare Nexhmije Pagarusha, për të cilën ka një vlerësim të veçantë. "Ajo është e madhe dhe kurrë meritat për zërin dhe veprën e saj nuk i mori për vete, por çdoherë tha se atë e krijoi populli dhe vepra e saj është meritë e popullit të saj", thotë Hivziu, duke përmendur tekstin e këngës emblematike "Baresha" të shkrimtarit Rifat Kukaj, si të jashtëzakonshëm dhe burimor. "Ajo, thjesht, kurrë në jetë nuk ka ditur të fyejë dikë", flet me admirim për të. Gjithsesi, karriera e tij prej gazetari dhe prezantuesi të madh, nuk ka mundur të zhvillohet jashtë kontekstit nëpër të cilin ka kaluar edhe vetë vendi. Nëpër kohë të vështira, plot sfida e sakrifica, dhe me plot rreziqe, të cilave duhej bërë ballë, ndërkohë që padrejtësitë që i bëheshin popullit shqiptar, Hivziu dinte mirë t`i demaskonte përmes emisioneve të tij shumë të dëgjuara, qofshin në Programin e Mëngjesit apo në atë të Natës. "Ishte kohë kur çdo fjalë gëlltitej. Puna fillonte në 5 të mëngjesit e përfundonte pas mesnatës. Ka qenë kohë e acartë, por së cilës i kemi rezistuar me përkushtim e me zemër", tregon ai. Emisionet si "Pa brenga", "Globi muzikor", "Radari muzikor", kujtohen edhe sot nga dëgjuesit e tij, ndërkohë që, përveç emisioneve argëtuese, humoristike e satirike, Hivziu kishte punuar një kohë edhe në emisione televizive, në emisione sportive, siç ishte "Reflekse sportive" me Agim Binakun, më herët edhe me Burim Hatipin dhe emra të tjerë të gazetarisë sportive. " E doja shumë sportin, prandaj ishte kënaqësi që një kohë të punoja edhe në emision sporti", tregon ai.
Ndonëse thotë se është më shumë njeri i studios, atij dhe bashkëshortes së tij u ka mbetur në kujtesë një dokumentar i punuar me Bujar Kokorozin, në vitin 1996, që u realizua në Shqipëri dhe në Kosovë, dokumentar kushtuar Ansamblit Kombëtar të Valleve të Shqipërisë dhe koncerteve të zhvilluara në shtatë qendrat më të mëdha të Kosovës, përmes të cilit pasqyrohej shumëçka nga realiteti shqiptar dhe ndarja e gjatë midis një populli që jetonte në Shqipëri e Kosovës. "Është një dokumentar i veçantë", thotë zonja Sevdije, e cila shpjegon se në koncertet e organizuara në qytetet kryesore të Kosovës, ka qenë ndjenjë e papërshkrueshme të shihet se si ishte mirëpritur ajo ngjarje, që në njëfarë forme, thyen edhe barrierat e vendosura midis një populli nga regjimi serb.

Sërish, aty ku filloi gjithçka...
E kaluara dhe e tashmja e Hivziut, ndërkaq, sërish ka një pikë që i bashkon fort. Ajo është puna në radio. Ndonëse pas luftës, Hivziu kishte punuar në medie të ndryshme, përfshirë edhe mediet e shkruara si "Iliria Post", "Bota sot", pastaj në "Radio Dukagjini", ishte bashkëpunëtor i "Rilindjes", "Zërit të Rinisë", “Teutës”, "Kosovares" etj., ai vazhdon të kontribuojë aty ku ndihet më së miri, në radio, duke qenë që ka tetë vjet që është kthyer në Radio Kosovë, ndërsa ka dy vjet që udhëheq Programin e Mëngjesit. Aty ku përmes mikrofonit komunikon me qytetarët çdo ditë, ndan me ta lajmet e mira dhe të këqija dhe aty, ku çdo ditë pret lloj-lloj mysafiri për të shpalosur e trajtuar tema të ndryshme nga jeta. Katër dekada të kaluara në studio janë një jetë e tërë dhe lista e bashkëpunëtorëve të Hivziut është e gjatë, sikur edhe e ngjarjeve që nuk shuhen nga kujtesa. Ishte ndier shumë krenar kur me rastin e pesëdhjetëvjetorit të Radio Prishtinës (1995), gjatë kohës së okupimit, ish-Presidenti Rugova i kishte propozuar atë dhe Lekë Musollin që të flisnin për këtë përvjetor të RTP-së. Ndërkohë, shpreh respekt edhe për figura të tjera të larta, për tre akademikët e ndjerë, që së fundi u ndanë nga jeta: Mark Krasniqin, Esat Stavilecin e Pajazit Nushin, me të cilët kishte bashkëpunuar në forma të ndryshme, sikurse edhe me emra të tjerë, si Teki Dervishi, Jusuf Gërvalla, Daut Demaku etj. "Një jetë plot ngjarje e figura, që duhet ditur për t`i shpalosur", thotë bashkëshortja e Hivziut, Sevdija, duke shprehur admirimin për bashkëshortin e saj.

Ata janë prindërit e tre djemve: Jetikut, Gencit e Drinit dhe vajzës Kaltrina dhe gjyshërit e dy nipave dhe dy mbesave. Larg zhurmës së qytetit, në shtëpinë e tyre në njërën prej lagjeve më ekologjike të Prishtinës, në Sofali, ata jetojnë të lumtur nga puna e tyre dhe me të mirat që ua ka dhuruar jeta. "Më pëlqen sporti shumë, muzika, poezia, librat...", thotë Hivziu, duke kthyer vëmendjen gjithsesi te nipi, Mali, dhe mbesa, Bora, të cilët jetojnë me ta. "Kishim njëzet vjet që nuk kishte fëmijë në shtëpinë tonë, kështu që këta na kanë lumturuar", thotë Hivziu, pa harruar, megjithatë, të shprehë edhe shqetësimin e tij që gjërat në vend nuk po shkojnë si duhet. "Është person i ndjeshëm dhe i merr afër shpirtit gjërat që nuk shkojnë mirë, nuk pajtohet me to", thotë zonja Sevdije. Ajo thotë se nga pozicioni i bashkëshortes ka ndjekur hap pas hapi për vite punën e Hivziut dhe është mburrur çdoherë me të. E për njeriun që iu drejtua aq shumë herë qytetarëve përmes mikrofonit, shkroi me mijëra tekste, udhëhoqi me qindra apo edhe më shumë akademi e aktivitete artistike, bashkëpunoi me emra të mëdhenj e radiostacione të ndryshme, të jesh për më shumë se katër dekada para mikrofonit, është kënaqësi, privilegj, por mbi të gjitha një përgjegjësi që të jepet për ta çuar në vend. "Kam qenë përgjegjës për zërat e rinj që dilnin para mikrofonit dhe përgjegjës edhe për komunikimin tim të përditshëm me qytetarët përmes radios, këtij mjeti që dëgjohet kudo, në zyrë, në fushë, në veturë... "Kur e kujtoj këtë, çdoherë e di që radioja është ajo kutia magjike, është miku i mirë që të shoqëron kudo". Prandaj, thotë HIvziu, kam punuar dhe punoj me sinqeritet e dashamirësi, sepse "njerëzit me të cilët komunikoj përmes mikrofonit janë njerëzit e mi, janë me miliona dhe për këtë kemi respektuar çdoherë mikrofonin".
Si një njeri e profesionist, me punë të jashtëzakonshme, ai ka një porosi për kolegët e brezit të ri. "Ne punonim si ekip, kemi punuar e bashkëjetuar me profesionin dhe me radion si familje, prandaj edhe kishim sukses. Puna kërkon edhe talent edhe përkushtim, por mbi të gjitha dashuri për të", thotë ai.

© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

 

#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
264

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, rirodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT 2017 TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.net  ww.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version