Ti je ketu: Ballina > BOTIMET

SANIJE GASHI

Gazetare, publiciste, editore, luftëtare për emancipimin e gruas


Është ndër të parat gazetare shqiptare dhe më e njohura, që bën gazetari aktive plot 50 vjet, e cila arriti të bëhej emër me konsideratë përmes shkrimeve që kishin për qëllim ngritjen e gruas shqiptare në çdo pikëpamje. Është themeluese e dy revistave, Kosovarja dhe Teuta.

U lind në Prishtinë, ku dhe kreu të gjitha nivelet e arsimimit, tetëvjeçaren, shkollën Normale, Shkollën e Lartë Pedagogjike, si dhe studioi në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës. Profesionin e gazetarisë e nisi në shtator të vitit 1965, në revistën Zëri i Rinisë. Në nëntor të vitit 1971 emërohet redaktore në revistës Kosovarja, që doli në dritë po atë vit, kurse më 1975 emërohet kryeredaktore e saj. Këtë revistë e drejtoi plot 18 vjet. Në maj të vitit 1994, tashmë gazetare me përvojë, themeloi revistën e parë të pavarur për gruan dhe familjen, Teuta, e vetmja e këtij profili jo vetëm në Kosovë.

Sanija, e cila gazetarisë ia kushtoi një jetë të tërë me përkushtim të lartë, gjatë gjithë kohës u angazhua në dobi të gruas, mbështeti arsimimin e saj, të menduarit në mënyrë bashkëkohore dhe të lirë, luftën për të drejtat njerëzore, vetëdijesimin për t’ia hapur vetes shtigjet e jetës, gjithnjë në shërbim të krijimit të një të ardhmeje më të mirë. Ngriti dhe trajtoi tema me interes, intervistoi personalitete të shquara, shkroi për përjetimet e rënda të grave shqiptare gjatë luftës së fundit.
Është bashkëthemeluese e Forumit të Gruas të LDK-së dhe veprimtare që në orët e para të themelimit. U angazhua në dy drejtime parësore, në medie dhe në Kryesi të Forumit. Në pranverë të vitit 1990 u zgjodh në Kryesinë e Shoqatës për Zhdukjen e Analfabetizmit në Kosovë Motrat Qiriazi.

E angazhuar në kohë të rrezikshme, me delegacionin tre anëtarësh kosovar u takua në Paris me kryetaren për të Drejtat e Njeriut, Danielle Mitterrand, lidhur me shkeljen e të drejtave të njeriut në Kosovë, veçanërisht të fëmijëve (1 tetor 1990); Ishte pjesëmarrëse në themelimin e Degës së parë të LDK-së për Gjermani, në Frankfurt (tetor 1990); merrë pjesë në Tribunën politike në Babenhausen (Gjermani), bashkë me Prof. Fehmi Aganin, organizuar nga bashkatdhetarët, me rastin e 2 Korrikut, shpalljes së Deklaratës Kushtetuese; merrë pjesë në demonstratat e organizuara nga shqiptarët në Bon (Gjermani), ku paraqitet me fjalën e saj; si dhe në Seminarin Aksionar për të Drejtat e Njeriut dhe për Demokracinë në Kosovë, në Bruksel, në temën Preventimi për parandalimin e luftës në Ballkan (10 shkurt 1993). Si veprimtare e FG të LDK-së, bashkë me koordinatoren e forumit, ia dorëzon kryetarit të Qeverisë Jugosllave, Stipe Mesiq, peticionin e nënshkruar nga 220 mijë nëna shqiptare, me rastin e vrasjes së fëmijës 11-vjeçar, Afrim Prebreza (Zagreb, korrik 1991). I njëjti peticion i dorëzohet kryetarit të RP të Shqipërisë, Ramiz Alia (27 korrik 1991). Me atë rast realizohet edhe takimi i parë i grave kosovare me gratë shqiptare, pas gati gjysmë shekulli të ndara. Merrë pjesë në protestën masive të 13 qershorit 1991 si më të rrezikshmen Varrimi i Dhunës ndaj shqiptarëve (ndodhet në rradhë të parë), me kërcënimet për likuidim të protestuesëve nga policia serbe; në FG të LDK-së e bashkorganizon protestën masive të grave të kryeqendrës (korrik 1991), etj.

Duke i cilësuar shkrimet në revistën që po e drejtonte si armiqësore dhe shqetësuese për opinionin serb, gazetat serbe të Beogradit (Borba, Politika, Politika Ekspres), Jedinstvo e Prishtinës e Radio Televizioni i Prishtinës - emisioni në gjuhën serbe, e kritikojnë si të papërshtatshme për rrethin, sidomos në kohën e kthimit të ushtarëve shqiptar në arkivole nga armata jugosllave. Me shkrimet në revistë si dhe me veprimtarinë e saj si anëtare e FG të LDK-së, arrestohet dy herë dhe burgoset nga regjimi serb në janar të vitit 1992. Në Gjyqin për Kundërvajtje në Prishtinë dënohet me urgjencë, me motivin se me shkrimet shqetësuese për opinionin serb ka shkaktuar Fyerje të ndjenjave nacionale të qytetarëve (Vredjanje nacionalnih osecanja gradjana). Për periudhën e rëndë të okupimit, është gazetarja dhe veprimtarja e vetme e arrestuar dhe e dënuar me burgim.

Me përfundimin e luftës në Kosovë, pos vazhdimit të botimit të revistës Teuta, realizon edhe botime-extra në kuadër të revistës: Rehabilitimi i familjes pas luftës (1999), Rikthimi i fëmijëve të stresuar në jetë normale (1999), Shtatzënësia dhe amësia (botimi i 3-të, 2004); Barazia gjinore dhe ndërtimi i paqes (2006), Gatojca (1982, 1989). Botoi dhe librin Gra të shquara shqiptare të autores Edi Shukriu (2000, 2003).

Është autore e librave publicistik: ‘Histori të tmerrit 1998-1999 / dosje krimesh lufte, rrëfime të grave’ (2009); Histori të tmerrit 1998-1999 në gjuhën rumune: ‘Ororile războiului din Kosova 1998-1999, Dosarul crimelor de război, mărturiile femeilor’ (2010); ‘Ecje nëpër kujtesë, tregime jete të grave me karrierë’ (2010); ‘Ecje nëpër kujtesë, botim i dyte i plotësuar’ (2012); ‘Prishtina e fëmijërisë sime’ (2013); `Serbian Crimes in Kosovo 1998-1999` (2015); `Gjurmë ndër vite` (2015); `PRISHTINA, Monografi Unike / A Unique Monograph` (2016).
Është intervistuar nga mediet e ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare si: Zëri i Amerikës (Uashington, maj 2000) , BBC-ja (Londër, 2004 dhe 2010), etj. Është e përfshirë në Fjalorin enciklopedik ‘Gazetarë dhe publicistë shqiptarë’ si dhe në ‘Fjalorin enciklopedik të Gruas Shqiptare’.

Gjatë punës në gazetari u shpërblye me Medaljen për Punë; me Çmimin Gazetare e shquar e Kosovës; me Mirënjohje Publike (1980, 1985) dhe dy herë u nominua për çmimin Shpërblimi i Nëntorit (Dita e Prishtinës); Nga gratë parlamentare të Kuvendit të Kosovës, nderohet me Certifikatën - Mirënjohje për kontributin në zhvillimin e demokracisë, më 2012; Nderohet me çmimin “Mbretëresha Teuta” nga Klubi i Femrave Shqiptare në Kroaci, 2012.

Në edicionin e 16-të të Panairit të Librit Prishtina 2014, Shoqata e Botuesve të Kosovës, e nderon me Çmimin për Vepër Kapitale, për librin ‘Prishtina e fëmijërisë sime’.

Sanije Gashi është fituese e çmimit "Ramiz Kelmendi” për vitin 2015 të cilin e ndanë Festivali i Letërsisë Orllan FLO, - Mirënjohje për kontributin e jashtëzakonshëm pesëdhjetëvjeçar gazetarisë dhe publicistikës në Kosovë.

 



 

PRISHTINA, MONOGRAFI UNIKE Shqip/Anglisht

Libri Monografi Unike për Prishtinën, është libër luksi, një vulë e veçantë për kryeqytetin, ngase autorja në të zbulon Prishtinën nga një aspekt tërësisht të panjohur.

Në këtë libër unik ngërthehen në mënyrë të shkëlqyer ngjarjet, njerëzit, jeta e dikurshme prishtinase, monumentet e rëndësishme kulturore dhe historike,  atraksionet e pathëna deri më tani nga personalitetet dhe njerëzit e zakonshëm prishtinas, ngjarje të kryeqytetit tonë të paraqitura nga një prespektivë unike. Ky libër është botim i dytë i plotësuar në gjuhën shqipe -  ndërsa i pari në gjuhën angleze, me parathënie nga shkrimtarja / publicistja Miranda Haxhia.

PRISHTINA E FËMIJËRISË SIME
Monografi ekskluzive që flet për një pjesë ë së kaluarës së qytetit dhe të njerëzve që e jetuan atë kohë...
 
Askush të mos mendojë se ka kryer udhëtimin më të bukur të jetës së tij: ai është udhëtim ku veç këmbët nuk përdoren. Është udhëtim në kohë përmes kujtesës. Në ç’shekull u ndal udhëtari i parë në këtë qytet dhe ç’ditë e bekuar qe kur vuri gurin e themelit të parë? Kush e qëndisi flamurin e parë shqiptar? Kush e ngriti ndërtesën e bukur? Kush e bëri dasmën përrallore? Ç’zbukurime patën nuset e asaj kohe? Si e kalonin ditën njerëzit, gratë ç’botë shihnin nën perçen e zezë të cilën poeti Esad Mekuli e quan...perdja e robnisë?
 
GJURMË NDËR VITE
Në pesëdhjetëvjetorin e karrierës gazetareske dhe publicistike Sanije Gashi boton librin ekskluziv “Gjurmë Ndër Vite”. 
 
Në këtë libër të paharruar publicistik autorja kujton kohën e kaluar në profesionin jetësor, gjurmët e lëna në një rrugë jo të lehtë, ku era e harresës s’mund t’i pluhurosë… Një përmbledhje udhëtimesh, esesh, dhe intervistash me emra të njohur të letërsisë dhe mendimit të lirë, mes tyre Esad Mekuli; shkrimtari Anton Pashku; veprimtarin për çështje kombëtare Ihsan Toptani; Elena e Ismail Kadare; Nermin Vlora; diktatoren shqiptare Nexhmije Hoxha; veprimtaren austriake Kristinë Fon Kol; mjekun francez Bernard Benedetti; këngëtaren Inva Mula; neuropsikiatrën Zana Shita; të cilët ndryshuan botën shqiptare në gjysmë shekullin e kaluar.  Këto shkrime pasqyrojnë rrjedhën e jetës, në kohë më të hershme, e sidomos në atë të periudhës së rëndë okupuese të vendit tonë – me helmimet, burgosjet, kur prangoseshin bindjet e idetë. 
SERBIAN CRIMES IN KOSOVO 1998-1999

Appalling true stories of Albanian women`s suffering, told first-hand

Those who survived, tell chilling tales of torture, rape, disappearance and brutal murder!

This book is made up of the dramatic accounts from the Albanian women who experienced the horrors of the Kosovo war, during the years 1998-1999, not only in faraway areas, but inside their very homes and families; of women who experienced cruel murders of their children, parents, husbands, pregnant women...

 

 

 

 

 

ECJE NËPËR KUJTESË II

Tregime jete të  grave me karrierë

Botim i dytë i plotësuar

Përzgjedhja e grave eminente, që janë përfshirë në këtë libër, është një përzgjedhje autoriale e Sanije Gashit, që në fakt pasqyron jo vetëm njohuritë e saj për karrierën dhe sukseset e këtyre personaliteteve të spikatura, por edhe kapacitetet e saj për të hedhur dritë mbi sfidat e tyre në kontekstin e furtunave të kohës. 
Portretizimi, bashkëbisedimi dhe rrëfimet jetësore mes autores dhe grave eminente paraqet një debat kompleks të ideve, qëllimeve dhe dilemave që kanë gëluar në ndërgjegjen e tyre, të njerëzve që ndiejnë thellë shqetësimet e të tjerëve dhe kanë potenciale për të bërë ndryshime pozitive edhe në rrethana kur ato janë dukur të pamundura.
ORORILE RĂZBOIULUI DIN KOSOVO 1998 - 1999

Dosarul crimelor de război, mărturiile femeilor

Această carte este realizată pe baza mărturiilor dramatice ale femeilor, care au trăit ororiile războiului,  nu doar în afara locuinţelor, ci mai ales în interiorul acestora, în propriile lor familii; Ale femeilor care au asistat la uciderea bestială a copiilor, părinţilor, bărbaţilor, gravidelor (Qirez, Likoshan, Prekaz); Ale celor care au fost martorele brutalităţilor şi al sfârşitului femeilor în puţuri (Qirez, Studenica), care s- au  îngrozit  de arderea femeilor şi copiilor (Poklek, Gjakova), de îngroparea  de vii  (Lubizhde, Prizren); Ale femeilor care au petrecut nopţi de coşmar prin adăposturi, printre ruinele caselor, care mergeau în acele coloane lungi şi care  năşteau în munţi (Koliq), sau în mulţime, pe când erau alungate dincolo de graniţele Kosovei; Ale celor care din închisoarea din Lypjan au fost duse în închisorile din Serbia.

ECJE NËPËR KUJTESË I

Tregime jete të grave me karrierë

Autorja e librit, me ç’shihet, na jep të gjalla rrëfimet e grave shqiptare me karrierë, që jo rrallë nuk kanë gëzuar jetë e përjetime për t’u lakmuar. E veçanta, prandaj, dhe mbase më e papritura dhe më e pakëndshmja e këtyre intervistave dhe bashkëbisedimeve janë zezonat, të cilat pjesa më e madhe e grave nga Shqipëria, po asgjë mangut edhe nga Kosova, kanë përjetuar në vitet e totalitarizmit dhe të sistemit komunist. Janë copëza historish individuale, dëshmi të rralla dhe të gjalla autentike, momente kyç, kryesisht të pamira, të hidhura dhe herë-herë edhe tragjike e përplot travaje, dëshmi këto, të dhëna dhe të thëna në vetën e parë, secila më kurioze se tjetra, që lexohen me një frymë.
HISTORI TË TMERRIT 1998-1999

Ato që mbijetuan luftën, rrëfejnë për ngjarjet rrëqethëse të torturës, përdhunimit, zhdukjes dhe vrasjeve brutale...

Me këtë libër, Sanije Gashi ka arritur t’i bëjë të njohura disa nga ngjarjet më dramatike të ndodhura në periudhën e luftës në Kosovë. Libri ‘Historii të tmerrit 1998-1999’, është vepër e cila përbëhet nga rrëfime të grave, dëshmitare të krimeve serbe të ndodhura në familjet e tyre. Gjatë dhjetë vjetëve të hulumtimit, gazetarja Gashi ka zhvilluar intervista të drejpërdrejta me gratë, të cilat paraqesin tragjeditë personale, dhe rrëfejnë për mizoritë e masakrave dhe të torturave makabre që i ushtruan forcat serbe ndaj civilëve shqiptar, siç janë: djegia e grave dhe e fëmijëve, përfundimi tragjik i grave të gjalla në bunarë, ekzekutimi i fëmijëve, dhunimet.... Ky libër është dëshmi e gjallë, libër i dhimbjes që u shkrua në bazë të dëshmive dhe fakteve, për t’i treguar botës të vërtetën se çfarë ka ndodhur në Kosovë.

 
 
 
 

 

GATOJCA, Libër praktik

Libri GATOJCA synon t’u ofrojë ndihmë femrave të reja. Natyrisht, ky botim as që tenton të përfshijë çdo gjë që ka të bëjë me gatimin dhe teknikën e përgatitjes së ushqimit; nuk është kuzhinë e tërësishme, por është një përpjekje që të jepet çelësi për kuzhinë të mirë.

Për çdo grua është kënaqësi - e njëherazi edhe argëtim - përgatitja e tryezës, të shtruarit e saj për ngrënie. Ka raste, kur kjo gjë u shkakton pak a shumë kokëçarje amviseve të reja. Ju jeni ajo që këtë kënaqësi, tash e tutje, do t`ia ofroni anëtarëve të familjes, të afërmëve tuaj, mysafirëve, por në mënyrë bashkëkohëse - duke u kujdesur për shëndetin e tyre, duke mos e tepruar asnjëherë me asgjë: duhet të keni parasysh gjithëherë se shujtat nuk kanë për qëllim vetëm që të ngopeni, por edhe të tubohen anëtarët e familjes rreth tryezës, që është knaqësi e posaçme!

1989

GATOJSA
Me martesën fillon një etapë e re e jetës… Shtëpia juaj! Për të keni ëndërruar që moti, si vajzë e re, e sot mund t’i pritni…Është i rëndësishëm intimiteti, të cilin do t’ia jepni shtëpisë suaj; kjo varet nga shija, sensi për të bukurën dhe maturia. Në banesat e rregulluara me shije, koha kalon shpejt, dëshirojmë të qëndrojmë më gjatë në to, e ndiejmë veten mirë…
 
Mirëpo në këtë rast, e që është qëllimi i këtij libri, do të ndalemi e të përqendrohemi vetëm në një ‘kënd’ të shtëpisë, siç e quajmë shpesh, ku amvisja (apo më mirë – gatojca) e kalon një pjesë të mirë të kohës së saj – në kuzhinë. Ndaj qëllimi ynë është t’i dalim në ndihmë gatojses së re, amvises të papërvojë, që të dijë të organizojë në përgjithësi punët e kuzhinës dhe rreth saj, duke u kujdesur për funksionalitetin dhe pajisjen e saj me elemente të nevojshme, për të arritur kështu deri te qëllimi kryesor: gatitja e gjellërave cilësore e të shëndetshme, preokupim ky që duhet të jetë i secilës gatojce.
 
1982
Faqe 1 / 1

Revista TEUTA
264

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, rirodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT 2017 TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.net  ww.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version