Ti je ketu: Ballina > Aktuale > Ahengjet verore
Ahengjet verore

Ndejat vetëm me gra...

Asnjëherë nuk i kam kuptuar festat me ndeja vetëm me gra, të organizuara nga gratë, e megjithatë vazhdoj të shkoj pothuaj në të gjitha llojet e ndejave që më ftojnë: kanagjeqe, lindje fëmijësh, ndeja për syneti, ndeja ditëlindjesh etj.

Shkruan Albana Beqiri

Zgjohem gati me alarm: jam vonë dhe para meje kam një ditë të ngarkuar, të cilën duhet ta përmbyll me pjesëmarrjen në ndejën e një mikeshës sime. Ndërsa bëhem gati të dal, përballem me dilemën: të shkoj më parë te frizerja apo në zyrë? Meqë frizeren e kam afër shtëpisë, e zgjedh atë me idenë se pastaj do t’i kisha më për mbarë punët e tjera. Gjersa frizerja ime, Besa, më lan flokët, celulari më bie së paku 10 herë. Disa prej thirrjeve janë nga puna, të tjerat nga mikesha të mia që më ftojnë për kafe apo për drekë. Mbërrij në punë, një mal shkresash e takimesh më presin aty, më përpin rutina e megjithatë gjej kohë të shkëputem dhe ashtu pothuaj me vrap të marr udhën për blerjen e dhuratës. Vrapoj për në shtëpi të bëj drekën, të kryej ndonjë punë shtëpie dhe natyrisht të bëhem gati për festën. Njëherazi vë gjellën në zjarr dhe hekurin për hekurosje. Pasi kam përzgjedhur nga një pirg veshjesh të hedhura mbi krevat, ato me të cilat do të shkoj në festë, bëhem gati të hekuros. Ndërkohë vazhdoj t’u përgjigjem disa telefonatave pune. Por, më në fund jam gati: jam veshur dhe po ashtu e kam bërë edhe tualetin. Shkëlqej e tëra, e mbushur me atmosferën e festës që më pret! Ndërkaq, ka filluar të rigojë shi dhe taksisë ku jam ulur, i duhet të presë në trafikun e dendur që e rëndon edhe më Prishtinën në ditët me shi. Ndeja është caktuar për në orën 8 e unë, edhe pse i urrej vonesat, mbërrij me 10 min vonesë. Megjithatë, jam ndër të parat, në mos e para e ftuar që ka mbërritur në lokalin ku mbahet ndeja. Gratë fillojnë të vijnë tufa-tufa, të gjitha me vonesë, stil ky i njohur tashmë në tipin se “kush është më e rëndësishme vjen më vonë”. Si në çdo ndejë tjetër, festa fillon tamam së paku 90 minuta pas orës së paraparë për fillim. E ulur në tavolinën time vijoj saktësisht ritualin tim në ndeja të tilla: derisa muzika është ende në sfond, i ngul sytë nga dera e lokalit duke studiuar me detaje të gjitha gratë që hyjnë, të njohura ose të panjohura! I shoh tek përqafohen me njëra-tjetrën, tek lëvizin nga tavolina në tavolinë për të bërë xhiron e famshme të promovimit të fustanit apo frizurës së re, tek argëtohen me njëra-tjetrën duke i bërë komplimente shoqja-shoqes për veshjen, dukjen, frizurën, bizhuteritë apo këpucët e mbathura për këtë natë. Deri këtu gjithçka është e pranueshme, qoftë për syrin, qoftë për veshin! Vjen edhe çasti i fillimit të festës së vërtetë! Pasi janë rehatuar të gjitha të ftuarat nëpër tavolinat përkatëse, muzika buçet aq sa tundet tavani bashkë me dyshemenë e lokalit. E njëjta muzikë, shpesh tallava, pothuaj në çdo ndejë! Fillon vallja rrethore nën tingujt e muzikës popullore dhe këtu fillon zallamahia. Timpanet e veshëve fillojnë dhe buçasin, nuk mund të bësh qoftë edhe bisedën më të vogël me mikeshat e tua që ke në krah dhe zgjedhja e vetme është të vallëzosh. Fatkeqësisht, unë nuk di t’i kërcej ritmet popullore, kështu që e vetmja zgjidhje për mua është të rri ulur dhe të kullos sytë nëpër sallë. Së pari më intereson moda e fundit e veshjeve: pa asnjë dyshim atë e gjej gati çdo herë në një sallë të mbushur plot me gra e vajza, të cilat ndoshta me javë të tëra kanë vrarë mendjen sesi do të vishen, grimohen e zbukurohen për këtë ndejë. Të gjitha llojet e veshjeve mund t’i shohësh në ndeja të tilla: që nga ato të modës së fundit e deri te kostumet popullore! Ngarendja pas modës, dëshira për të tingëlluar “trendi” dhe “shik” (nënkuptohet që në këtë rast nuk bëhet fjalë për shërbimin sekret të SHIK-ut), nganjëherë është aq e fortë sa i bën disa nga këto gra që të mos shohin se a u shkon apo jo aksh model fustani! Ato kanë paguar shuma të majme parash për të imituar aksh modele, që e kanë parë nëpër revistat e modës, pa u kujtuar aspak për një detaj tepër të vogël: se modelja që ka pozuar me atë fustan i ka pasur së paku 15 kg më pak dhe linjat e trupit perfekte! Në dreq modelja, në dreq moda, në dreq linjat: ato kanë vendosur të jenë “trendi” dhe për këtë ndoshta kanë zgjedhur modelin më të papërshtatshëm, atë lloj fustani që ua nxjerr me bujari në pah linjat XXL! Ani pse fustani i këtillë është i dedikuar për linjat e numrit XS - S! E çka pastaj? Ky nuk është krim! Thjesht, nuk ia kanë qëlluar veshjes, edhe pse kanë shpenzuar apo pretenduar shumë. Fatkeqësisht, apo fatmirësisht, në shumicën e rasteve ato mendojnë se ia kanë qëlluar. E, dalja në valle është një nga mënyrat për të reklamuar veshjen!

Atmosfera fillon të ndizet deri në çmendi, pothuaj asnjë grua nuk e gjen të ulur në tavolinë, pothuaj të gjitha kërcejnë, pavarësisht moshës, pozicionit apo statusit!
Adrenalina në kulm dhe ky është çasti kur unë shijoj deri në fund studimin tim. Të harruara në ritmin e muzikës ato tjetërsohen, sikur heqin maskat dhe mund t’i kundrosh ashtu siç janë. Harrojnë të tërheqin barkun e futur në një apo dy numra më të vegjël se numri real dhe ashtu duken edhe më njerëzore. Frizurat e ngrira fillojnë të shprishen, kënga e vallja janë në kulm dhe, nën thirrjen grishëse të këngëtarit të radhës “t’i kallim fitilat e llamës”, ato e kallin krejt festën. Hareja është në kulm dhe duket se asgjë nuk u bën më përshtypje. Festa vazhdon e vazhdon për orë të tëra. Unë i gëzohem momentit të përfundimit, ndonëse e di se për së paku një javë rresht do të kem probleme me timpanet e veshëve. Largohem nga ndeja të tilla me betimin se kjo do të jetë ndeja e fundit ku unë do të marr pjesë, por e di edhe vetë se kjo nuk është e vërtetë. Asnjëherë nuk i kam kuptuar festat e tilla, ndeja vetëm me gra, të organizuara nga gratë e megjithatë vazhdoj të shkoj pothuaj në të gjitha llojet e ndejave që më ftojnë: kanagjeqe, ndeja për lindje fëmijësh, ndeja për syneti, ndeja ditëlindjesh etj., etj. Bontoni e do të jem e sjellshme me mikeshat e mia! Jam tip social dhe nuk u iki përgjegjësive shoqërore, mundohem të mos lëndoj mikeshat apo të afërmit e mi dhe qe 10 vjet vazhdoj të shkoj pothuaj në çdo ndejë që më ftojnë. Me përtesë natyrisht, por e vetëdijshme për rutinën e ndejave të tilla, të kthyera në klishe. E di që në krye me saktësi matematike se si është rrjedha e ndejave të tilla, e megjithatë vazhdoj të shkoj nëpër to! Bontoni ma kërkon të shkoj!

© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
270

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, rirodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT 2017 TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.com ww.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version