Ti je ketu: Ballina > Aktuale > Muaji i mjaltit
Muaji i mjaltit

Vendet më romantike në Evropë

Në kokë keni vendet tërheqëse, këngët e qeta, shoqëruar me një gotë verë! Jeni duke kërkuar vendin më romantik në Evropë? Zbuloni pamjet më të mahnitshme, qytetet mesjetare dhe kështjellat e lashta, vende ideale për të kaluar muajin e mjaltit, përvjetorin e martesës apo disa ditë të nxehta në shoqëri të të dashurit! Jua prezantojmë disa nga qytetet më mahnitëse, ndërkaq ju do ta zgjidhni destinimin tuaj!

 

PARISI
Asnjë listë e qyteteve romantike nuk do të ishte e plotë pa Parisin - i cili në vetvete konsiderohet të jetë një qytet i dashurisë. Kryeqyteti i Francës është një nga qytetet më të vizituara në botë, ndërkaq madhështia e tij është e përjetshme. Lejoni vetes të shijoni shampanjën në Kullën Eifel, shëtitje romantike, restorantet e mrekullueshme, mbrëmjet e paharrueshme - janë momente të cilat do të mbesin përjetësisht në kujtesën tuaj. Parisi me bukurinë e përjetshme tërheq vizitorët nga e gjithë bota në çdo periudhë të vitit.

 

ROMA
Qytet i jashtëzakonshëm me lagje të lashta, monumente kulturore dhe historike, me restorante të mahnitshme, shoqëruar me muzikën atraktive. Roma i vetmi qytet në botë i cili ruan në gjirin e tij më të voglin shtet në botë, Vatikanin. Kryeqytet modern evropian, kryevepër me shumë monumente për miliona vizitorë. Nëse insistoni që për muajin e mjaltit të zgjidhni një qytet urban, Roma është zgjedhje e përkryer, ndërkaq sheshi Spanjoll mbetet një nga vendet me historinë më emocionuese dhe pitoreske, të cilin patjetër duhet ta vizitoni.

 

LONDRA
Qytet për të dashuruarit, qytet i luksit, glamurit, romancës dhe historisë. Arkitekturë mahnitëse, legjenda të shumta, pallate mbretërore, bare moderne, bukuri para së cilës do të mrekulloheni. Londra është e pasur me histori, por dhe me një influencë të jashtëzakonshme në trendët e modës. Duke ecur në një rrugë të saj, ju do të ecni nëpër shekuj dhe kontinente të ndryshme. Qytet me jetë të pasur kulturore, si dhe kulturë të sofistikuar ndërkombëtare. Lejoni që ky qytet t’ju joshë me magjinë e tij spektakolare. Pamja panoramike e Londrës nuk e lë askënd indiferent. Cilado që të jetë preferenca juaj, Londra ka shumë për t’ju ofruar. Qytet i cili për ju ka gjithmonë diçka romantike.

 

PRAGA
Konsiderohet një nga qytetet më të bukura në botë që nga mesjeta. Shprehjet - qytet i artë apo kurora e botës, i atribuohen Pragës, e cila ndodhet në zemër të Evropës. Me 866 hektarë konsiderohet një nga qendrat historike më të mëdha në botë. Është metropol i gjallë kulturor. Do të mahniteni me bukuritë e tij, nëse e zgjidhni për vizitë këtë qytet fantastik. Praga është një nga qytetet më të vizituara në Evropë, sepse ajo ka ruajtur bukuritë e saj historike, të cilat e bëjnë ndër qytetet më të veçanta. Praga është vend i përsosur për ata që kërkojnë për të udhëtuar në një qytet të pasur me histori dhe mrekulli arkitektonike. Udhëtimi në Pragë ofron gjithçka, prandaj është e pamundur që të mos ndiheni magjishëm në kryeqytetin çek.

 

MONAKO
Qytet i cili rrezaton bukuri të mahnitshme dhe paqe, një nga vendpushimet më të bukura në botë. Bukuria unike, vera e famshme, klima e këndshme, muzgu magjik, plazhet e bukura dhe hotelet buzë detit, e bëjnë një pushim të paharruar. Çdo ndërtesë në principatën franceze duket e mahnitshme. Monako shquhet për pastërtinë dhe rregullin e tij. Qytet pa asnjë krim, ku çdo gjë është ndërtuar në mënyrë të përsosur. Do të entuziazmoheni dhe do ta dashuroni këtë qytet sapo të arrini në të, ngase në të çdo gjë është ideale për jetë.

 

STAMBOLLI
Vend i magjishëm, i cili shtrihet në dy kontinente, qyteti më i madh i Turqisë të rrëmben me bukurinë dhe monumentet e shumta historike. Qytet dinamik, tejet modern, një nga pesë qytetet më të mëdha në botë, i cili rrezaton bukuri në çdo cep. Rrethuar nga deti në tri anë, ky qytet është kombinim magjepsës i së kaluarës orientale dhe i së tashmes evropiane. Stambolli vitet e fundit është shndërruar një nga vendet më të vizituara për miliona evropianë.

 

MADRIDI
Nëse dëshironi një muaj të mjaltit të paharruar, vizitojeni Madridin. Është qytet i cili kurrë nuk fle, qytet i muzikës dhe i argëtimit. Provoni ushqimet tradicionale të kuzhinës spanjolle, vizitoni monumentet historike, kërceni flamengo dhe bëni shoping. Thjesht, kënaquni në tërë magjinë që ju ofron ky qytet. Këtu muajin e mjaltit dinamik e keni të garantuar. Është emocionuese!

 

VENECIA
Qytet italian, ku romanca praktikisht është emri i tij i dytë. Edhe pse ai është i njohur kryesisht për turizmin e tij masiv dhe atraksione të shumta, ky qytet është në fakt një nga vendet më të mira botërore, për të sapomartuarit dhe përjetimin e muajit të mjaltit. Romanca rrezaton nga çdo kanal, nga rrugët e ngushta dhe udhëtimi unik me gondolë. Prandaj, çdokush që e ka vizituar Venecian, ka mbetur përjetësisht i dashuruar me bukurinë e saj. Ngase ky është qytet me një histori të pasur dhe plot ngjarje. Venecia është perlë e Adriatikut, e cila në kohën e karnavalit, shndërrohet në qendër të botës.

 

BUDAPESTI
Kryeqyteti hungarez gjithnjë e më shumë është duke u bërë një nga vendet e preferuara evropiane, veçanërisht për shkak të bukurisë së tij që në shikim të parë. Për hirë të specifikave të tij dhe cilësisë, duket se aty vërtet merr frymë romanca. Veçohet për arkitekturën e lashtë dhe tejet tërheqëse. Vizitojeni Budën dhe Peshtën dhe gjeni pjesën tuaj të preferuar romantike.

 

 

#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
270

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, rirodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT 2017 TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.com ww.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version