Ti je ketu: Ballina > Shëndeti > Trashësia nuk është vetëm problem estetik
Shëndeti
Trashësia nuk është vetëm problem estetik
Ka dëshmi se pesha e tepërt ndikon në çdo organ të trupit. Edhe në shpirt. Bukuria, në fakt, është në vend të fundit të listës së argumenteve për dobësim. Teprica e kilogramëve është problem i madh shëndetësor. T’i numërojmë rreziqet që i sjell trashësia. Mirëpo, nuk është kjo e gjitha – kemi gjetur edhe lajme të mira!

DIABETI: Diabeti i tipit 2 po përhapet si epidemi në gjithë botën e zhvilluar. Shikuar statistikisht, njerëzit e trashë kanë rrezik të dyfishtë nga sëmundja e diabetit krahasuar me ata që nuk kanë tepricë të kilogramëve. Lajm i mirë: Me shtimin e aktivitetit fizik, humbja e kilogramëve dukshëm e zvogëlon rrezikun nga shfaqja e kësaj sëmundjeje, ndërsa diabetikëve u ndihmon ta kontrollojnë sëmundjen.

INKONTINENCA (PËRMJERRJA): Pamundësia e mbajtjes së urinës – inkontinenca, është problem shumë i shpeshtë te personat e trashë, kryesisht te gratë. Arsye është shtypja mekanike e fshikës dhe dobësimi i muskujve mbyllës. Më së shpeshti fjala është për të ashtuquajturën inkontinencë e stresit (kur urina shpëton me rastin e ngarkimit fizik, teshtitjes ose të qeshurit). Hulumtimet tregojnë se ky çrregullim shfaqet te 61 për qind e grave, mirëpo kjo përqindje rritet me kalimin e viteve.
Lajm i mirë: Kur me uljen e peshës zvogëlohet shtypja në fshikëz si dhe me aktivitet të lehtë fizik, problemi i inkontinencës zhduket shpejt.

QESKA E VRERIT OSE IDHCA: Gurët në idhcë ose në qeskë të vrerit, tri deri katër herë më shumë ua bëjnë të hidhur jetën personave me mbipeshë sesa atyre me peshë normale. Pjesëtaret e gjinisë së butë janë në rrezik më të madh. Ato, ndërmjet moshës 20 dhe 30 vjeçe me kilogramë të tepruar, kanë 6 herë rrezik më të madh nga krijimi i gurëve në idhcë, në krahasim me gratë që kanë peshë të mirë. Te personat e trashë idhca është e ngopur me kolesterinë, kështu që krijohen gurët. Lajm i mirë: Personat aktivë dhe truphollë, më rrallë vuajnë nga kjo sëmundje dhe nga ‘sulmet’ me dhimbje të idhcës.

NYJAT: Ngarkesa me peshë trupore i dëmton nyjat. Studimet e reja e kanë lidhur trashësinë me rrezikun nga osteoartriti i ijëve. Mirëpo, për shkak të tepricës së peshës, më së shumti goditen gjunjët. Lajm i mirë: Aktiviteti fizik me masë dhe zvogëlimi i peshës trupore nga pesë deri në dhjetë për qind, dukshëm dobësojnë shtypjen në nyja.

SHIKIMI (SYTË): Edhe ruajtja e shikimit është një nga argumentet për ulje të peshës. Studimet kanë treguar lidhshmërinë ndërmjet trashësisë dhe krijimit të kataraktit (pëlhurës së përhirtë). Te njerëzit e trashë, thonë se rreziku nga shfaqja e saj është 36 për qind më e madhe sesa te moshatarët me peshë normale. Këtë e lidhin me sheqerin e lartë në gjak dhe të materieve të ndryshme në organizëm, sepse ndikojnë në krijimin e kataraktit. Lajm i mirë: Ushqimi i drejtë dhe aktiviteti fizik, përsëri e zvogëlojnë edhe këtë rrezik.

SËMUNDJA E ALCHAJMERIT: Hulumtimet më të reja kanë treguar se trashësia, sidomos kur indeksi i masës trupore është tepër i lartë, e rrit rrezikun nga sëmundja e Alchajmerit. Shkencëtarët kanë gjetur lidhjen ndërmjet indeksit të masës trupore dhe proteinave që grumbullohen në trurin e të sëmurëve nga kjo sëmundje, që kanë rolin kryesor në shkatërrimin e qelizave nervore. Lajm i mirë: Mënyra më aktive e jetës, është dëshmuar se ndihmon edhe mbajtjen më të gjatë të kthjelltësisë së trurit dhe mbron nga demensioni.

MËLÇIA: Te njerëzit e trashë të moshës mbi 30 vjeç, të cilët ushqehen keq (hanë shumë ushqime të përpunuara, të pasura me sheqer dhe me yndyrë), është shumë e shpeshtë mëlçia e ashtuquajtur e yndyrshme. Lajm i mirë: Me dietë dhe me ushqim të drejtë ky problem mund të shmanget me sukses. Yndyrat nga mëlçia fillojnë të tërhiqen nga java e pestë ose e tetë e dietës.

KANCERI: Disa tipa të kancerit janë të lidhur me trashësinë. Te gratë është kanceri i grykës së mitrës, i vezoreve, i gjirit, i zorrës së trashë, i pankreasit. Studimet më të reja kanë treguar se te gratë me peshë të tepruar rreziku është më i madh nga kanceri i veshkave. Meshkujt e trashë anojnë më tepër nga kanceri i zorrës së trashë, rektumit dhe prostatës. Lajm i mirë: Përvetësimi i mënyrës së shëndoshë të ushqimit dhe aktiviteti fizik, zvogëlojnë rrezikun nga kanceri për 10 deri në 30 për qind!

GIHTI: Sëmundja e nyjave është e shkaktuar me vlera të larta të thartirës urinare në gjak, që moti është e lidhur me tepricën e kilogramëve. Njerëzit me peshë, tregojnë hulumtimet, dy deri tri herë më shpesh kanë nivel të lartë të thartirës urinare sesa ata me peshë normale. Meshkujt janë më të dëmtuar sesa gratë. Lajm i mirë: Me ushqim të rregullt dhe me aktivitet fizik, rreziku nga gihti zvogëlohet dukshëm, ndërsa simptomat e sëmundjes së shfaqur zbuten.

ZEMRA, TRURI, ENËT E GJAKUT: Sëmundjet e zemrës dhe të enëve të gjakut janë shkaktarët kryesorë të vdekjes te gratë dhe te meshkujt në botën e zhvilluar. Njerëzit e trashë shpesh kanë tension të lartë të gjakut, që është faktori kryesor i rrezikut për krijimin e sëmundjeve të tilla. Kolesterina e lartë, yndyrat në gjak, po kështu shkaktojnë probleme të zemrës. Kilogramët e tepruar shkaktojnë edhe shfaqjen e angjinës pektoris, ndërsa ka rasate të vdekjes për shkak të sulmit në zemër dhe në tru, pa simptoma paraprake. Lajm i mirë: Humbja madje edhe e paktë e peshës ndikon në përmirësimin e shëndetit. Për çdo 10 për qind më pak peshë, rreziku nga sëmundja e enëve të gjakut dhe të zemrës bie për 20 për qind.

ËNDRRA: Apnea është çrregullim shumë serioz i lidhur ngushtë me trashësinë. Kjo ndodh kur personi gjatë fjetjes për disa sekonda ndalon të marrë frymë dhe gërhet fuqishëm. Pasojë e kësaj është përgjumja gjatë ditës, ndërsa në disa raste shfaqen edhe simptomat e sëmundjes së zemrës. Lajm i mirë: Shkrirja e kilogramëve shumë shpejt e zvogëlon rrezikun nga apnea.

DEPRESIONI: Hulumtimet kanë treguar se nganjëherë trashësia është pasojë edhe e depresionit. Profesionistët thonë se lodhja, gjumi i keq, i lidhur me gërhitjen dhe me apnenë në gjumë dhe, në përgjithësi, kualiteti i dobët i jetës, diskriminimi social (shumica pa të drejtë, njerëzit e trashë i konsiderojnë budallenj, dembelë dhe të pashfrytëzuar), kontribuojnë në humbjen e vetëbesimit dhe shfaqjen e depresionit. Lajm i mirë: Aktiviteti fizik është ilaç i vërtetë edhe për depresionin! Në hulumtimet e ndryshme, të anketuarit të cilët ngadalë i janë kthyer formës, janë bërë të vetëdijshëm dhe më të lumtur.

© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
274

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, riprodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT 2017 TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.com  www.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version