Ti je ketu: Ballina > Aktuale >

 Në kujtim të Sokol Olldashit 

Kështu e rrita Kolin tim...

Përfundimi fatal i ish-ministrit shqiptar, Sokol Olldashi, në fundnëntorin e vitit 2013, thjesht – trishtoi çdokënd, la pa frymë! Me të ëmën, zonjën Kozeta Mamaqi, gazetare në pension, e cila po përjeton çaste të rënda, sikurse e gjithë familja, kthehemi prapa në kohë dhe provojmë të kthejmë në kujtesë momente jo të lehta të jetës së saj dhe të të bijve, që i rriti me aq mundime në atë regjim të egër...

Nga Sanije Gashi

Shtatëmbëdhjetë vjetët e kalua në internim, peripecitë e përjetuara, vuajtjet për të atin, malli për të bijtë, Ardianin e Sokolin, këtë grua e bënë akoma më të qëndrueshme, që diti t’i përballonte stuhitë e jetës. Pas mbarimit të universitetit dhe kursit të gazetarisë, edhe pse i doli emërimi për të punuar në Radiotelevizionin Shqiptar, Kozeta, tanimë e fejuar, do të shkonte të punonte pranë gazetës “Adriatiku” në Durrës, ku jetonte bashkëshorti i saj i ardhshëm. Në këtë gazetë, Kozeta punoi nga viti 1967 gjer në vitin 1974. Atje, në Durrës, u bë nënë, me dy djem, me Ardianin e Sokolin.

Njollosja e njeriut me personalitet
Kundër Dashnor Mamaqit, njeri me funksione të larta partiake, shumë shpejt ‘luhet karta’ e rrezikshme: “Babanë e arrestuan për miqësi me Beqir Ballukun, e akuzuan se së bashku kishin dashur të përmbysnin pushtetin popullor etj., etj. , pa fakte e argumente, sikurse bëhej për të gjithë në atë kohë dhe e dënuan me 15 vjet burgim! Kur shkonim dhe e takonim në burg, ai thoshte: Mbajeni kokën lart, se unë s’kam bërë asgjë!”

Në emër të Partisë, goditej familja
Me transferimin e të shoqit të Kozetës në Tiranë, në Ministri të Mbrojtjes, gazetarja fillon punë në revistën mujore ‘Ylli’, mirëpo, pikërisht në këtë kohë (1975) nisën problemet e të atit. Për Kozetën, kjo do të thoshte edhe mbarim i karrierës së gazetarisë. Fillon një periudhë tepër e rëndë për familjen Mamaqi, ashtu sikurse po u ndodhte edhe shumë familjeve të tjera në Shqipërinë e asaj kohe!
“Atëherë, siç thashë, unë kisha dy fëmijë, Ardianin e Sokolin. Me dënimet që po bëheshin, dihej se ç’i priste familjet tona. Mua e motrën, Sonjën, na lanë burrat, motrën tjetër,Yllkën, edhe kjo gazetare, e la i fejuari, ndërsa vëllanë, që ishte student në vitin e fundit, e lanë pa diplomë… Sonjën, që punonte në Kinostudio e çuan në Tepelenë, me gjithë fëmijët e vegjël dhe me burrin, i cili pas dy ditësh ia ktheu shpinën familjes dhe u kthye në Tiranë. Familjen e babait e çuan në Burrel, kurse unë me familjen time isha akoma në Tiranë. Ndiqja fshehurazi fatin e tyre. Dëgjova se familjen e babait e patën çuar nga Burreli në Selenicë të Vlorës. Më pas dëgjova që babanë e kishin arrestuar. Isha në merak dhe në ankth. Duket, ishte ky shkaku që më 13 tetor të 1975 më thërritën në këshillin e lagjes e më dhanë urdhrin që do të internohesha të pasnesërmen, më 15 tetor. Pyeta për arsyen, por më thanë se do ta merrja vesh atje, ku do të më çonin, madje nuk më treguan as se ku do të më çonin. O Zot, ç’kohë të këqija që ishin! Bëra përçapjet që të merrja vesh pse, si, qysh, po ishte e pamundur, se të gjitha dyert ishin të mbyllura për mua! Madje, dy ditët e fundit unë ndiqesha. Kisha dy burra nga prapa në çdo lëvizje, ashiqare, dhe dy i kisha te porta e pallatit, domethënë i shihnin gjithë dynjaja. Tani duhej të bëhesha gati.

Ishte një natë shumë e tmerrshme për mua

Sokoli ishte me temperaturë të lartë dhe atë natë ka qarë shumë, shumë... Burri ishte me shërbim në det, sepse ishte shef i radiolokacionit në flotën e Durrësit. Tërë natën i qepa plaçkat që duhej t’i merrja me vete, më duhej t’i mbështillja në dengje. Të vetmin njeri nga farefisi që arrita ta njoftoja, ishte xhaxhi, Rahmi Mamaqi, që m’u ndodh në ditët e fundit të asaj kohe të mbrapshtë, të rrezikshme, se nuk ishte e kollajshme të quheshe armik! Edhe vetë xhaxhi Rahmiu nuk hipte në katin e dytë, ku banoja, po më thërriste nga poshtë. Unë zbrisja shkallët dhe së bashku shëtisnim rrugëve e bisedonim. Ai shante Enverin, shante qeverinë, i kishte paraparë që prej kohësh që do të mund të ndodhnin këto gjëra. Në ato biseda, xhaxhi Rahmiu më jepte kurajë të mbahesha. Kështu që, i vetmi njeri që arrita ta merrja në telefon, nga çerdhja, ku kisha vajtur për ta marrë Sokolin, ishte xhaxhi Rahmiu. I thashë shkurt:
- Xhaxhi, mos më kërko më, unë internohem! Kaq.
Për nisje, më sollën një kamion të madh me njerëz të sigurimit dhe me një polic me automatik. Plaçkën e ngarkoi e gjithë lagjja. Kamioni ishte i zbuluar, ndërsa oficerët ulur përpara në kabinë. Sokoli ende ishte me temperaturë 39. I luta ata në kabinë, nëse kishin mundësi, të ma mbanin djalin brenda. E morën. Sokoli ishte më pak se 3 vjeç, ndërsa i madhi, Ardiani, ishte 7 vjeç e gjysmë. U ula në një deng plaçkash mbi karrocerinë e kamionit, e mora djalin e madh pranë, ndërsa përballë meje qëndronte polici me automatik. Kur u nisëm, u mblodh e gjithë lagjja, populli. Kështu bëhej në të tilla raste! As qava, as e dhashë veten fare në sy të tyre. Shtrëngova fort Ardin, tim bir, dhe u nisëm. Fillimisht, na shëtitën nëpër rrugët e Tiranës që të na shihnin mirë qytetarët. Kjo pamje do t’u thoshte atyre: Shikoni, në qoftë se edhe ju do të bëheni armiq si këta, kështu do ta pësoni! Sapo dolëm nga Tirana, kamioni u mbulua nga të katër anët, që unë të mos merrja vesh fare se ku do të më çonin.”
Ku do të më çojnë? - pyeste veten Kozeta atë ditë të 15 tetorit të 1975. Mbuluar mbi karrocerinë e atij kamioni, duke shtrënguar fort Ardin, asnjë intuitë e saj s’e kapte dot enigmën, që u zgjidh veç në të ngrysur, kur kamioni ndaloi diku e pasi e zbuluan nga mushamaja e rëndë, ajo pa gjyshen, nënën, motrën e vëllanë. E kishin çuar në Selenicë. Po babai ku ishte? Ndërsa po e kërkonte me sy, i vëllai ia mori vështrimin e i tha se atë e kishin arrestuar. O Zot, çfarë dhimbjeje!

Internimi në Selenicë
“Unë e dija se mamanë, gjyshen, Yllkën e Gëzimin, i kishin çuar nga Burreli në Selenicë, një qytezë minatorësh (në Vlorë), që mbas saj nuk kishe ku shkoje. Duhet të kapërceje lumin, Vjosën, që të mund të shkoje nga Mallakastra, Fier e tutje...
Filloi për mua një jetë e re, tanimë përsëri pranë familjes atërore. Mungonte babai, që e kishin arrestuar, por ende nuk dinte kush se ku ishte e sa ishte dënuar. Asnjë lajm. Kjo situatë zgjati për gati dy vjet, për aq kohë sa babanë e kishin mbajtur në hetuesi. Mbas dy vjetësh arriti një telegram, nëpërmjet të cilit babai na njoftoi se ishte dënuar 15 vjet dhe se ndodhej në burgun e Ballshit. Nga një anë u mërzitëm, sepse na u duk dënimi i rëndë, por nga ana tjetër u gëzuam që do mund të komunikonim e të shiheshim me të.”
Në Selenicë, Kozeta mbush 29 vjet jetë. Për gazetaren e re filloi një jetë e mundimshme. Në punë të ndryshme bujqësore, në fermë, së bashku me të motrën, Yllkën, ndërsa i vëllai, Gëzimi, punonte minator në minierën e qymyrgurit. Tregon se atje e njohu me tamam jetën e popullit nga afër!
Lë këpucët dhe mbath çizme minatorësh, të cilat, pasi i shqyheshin të vëllait, që ia jepnin në minierë, i merrnin Kozi e Yllka, u vinin pulla dhe i përdornin. Orari i punës do të zgjaste 8-10 orë, duke llogaritur hera-herës edhe 6 kilometra rrugë, vajtje-ardhje, ndërsa verës punonin nga 10-12 orë, me orar të zgjatur. Ajo tregon se në ato kohë të vështira, edhe ekonomikisht, i vëllai punonte shumë, aq sa i bënte dy-tri norma në minierë, që të mund të mbaheshin nëna e gjyshja, që rrinin në shtëpi, por edhe babai, që e furnizonin me ushqime rregullisht, tanimë në burg.

Ndarja nga të bijtë, dita kur qau e gjithë Selenica
I shoqi i Kozetës, edhe pas dy gjyqeve në Tiranë, që ia lanë fëmijët për rritje e përkujdesje nënës, vazhdoi t’i kërkonte ata edhe në Selenicë. U caktua dita e gjyqit. Ai u bë në një sallë të madhe, me qëllim që të merrnin pjesë shumë njerëz, populli, që duhej të dëgjonte se si ajo, armikja e klasës, nuk duhej të kishte të drejtë të rriste as fëmijët e saj. Argumenti i babait të fëmijëve, që kërkonte t’i merrte ata, ishte se Kozeta nuk plotësonte kushtet politike për t’i rritur e për t’i edukuar. Trupi gjykues e mbështeti dhe i dha të drejtë atij! “Unë, që isha ballë për ballë me ish-burrin tim, u ngrita atë moment në këmbë e protestova, duke thënë se - kisha dashurinë e nënës për ta, se kisha kushte shpirtërore, morale dhe gjithçka për t’i rritur fëmijët e mi!... Por, më kot, sepse guximi im bëri që dikush nga trupi gjykues të më thoshte se po të flisja më, do të më nxirrnin jashtë!” Gjyqi i Selenicës ia dha të drejtën e rritjes e të edukimit të fëmijëve babait të tyre. Ishte një goditje e fortë shpirtërore për nënën e tyre, Kozetën. Ajo e apeloi atë vendim pranë gjykatës së Vlorës dhe shpresoi... Por, gjyqi i katërt nga radha që bëhej për fëmijët, tanimë në Vlorë, u bë me një prokuror ushtarak! A mund të ishte i drejtë të zhvillohej ai gjyq civil me një prokuror ushtarak?! Gjyqi e kish paracaktuar vendimin. Asaj do t’i merreshin fëmijët. Kozeta, duke dalë nga ajo sallë e ftohtë, mori të zbriste shkallët e drunjta të asaj godine, por u këput nga dhimbja dhe mori rrokullimën shkallëve. E rrëmbeu në krahë i vëllai, i cili u mundua ta qetësonte. Më pas, të dy u kthyen shpirtvrarë e të dërrmuar në Selenicë. Ç’do t’u thoshin fëmijëve? Po të tjerëve, gjyshes, nënës, Yllkës, që prisnin zemërdridhur?
Mbas disa ditësh do të ekzekutohej vendimi. Ajo do të ishte dita më e tmerrshme për Kozetën. Rrëfen: “I përgatita fëmijët shpirtërisht. Në qendër të Selenicës prisnin makina e policisë dhe një taksi që do të merrte fëmijët. Gjithashtu kishin ardhur i ati, gjyshi, xhaxhai e disa kushërinj të tyre. Në shesh kish dalë gjithë gjindja, populli i Selenicës, burra e gra, pleq e fëmijë. Kishin dalë për të bërë sehir. Ishte shfaqje, që hynte te demaskimi që u bëhej të deklasuarve… Unë nuk dola fare nga shtëpia. Fëmijët erdhën e i morën me dhunë përfaqësues të lagjes dhe të policisë. I morën me zor, ndërsa ata qanin, duke shqelmuar, duke thirrur – mami, mami…!!! I shoqëroi vëllai im gjer te makina, ku i futën. Ata kundërshtonin, ulërinin e përplasnin këmbët, por vendimi u zbatua. Ata i mbyllën në makinë, duke i larguar dhimbshëm nga unë, nëna e tyre. A mund të ketë monstruozitet më të tmerrshëm?” – pyet Kozeta. Më pas shton: “A e beson që atë ditë, fshehurazi, e gjithë Selenica kishte qarë me atë skenë?”
Jeta e Kozetës në Selenicë kaloi plot peripeci, por ajo do të vazhdonte kërkesat e nënës për t’i rimarrë të bijtë! Gjyqi i kishte dhënë mundësinë që me të bijtë të takohej 3 herë në vit. Gjithashtu, ata mund t’i kalonin pushimet verore pranë nënës. Në këto takime, fëmijët ia sillte i vjehrri, o në Vlorë, o në Fier. Në këto raste, Kozetës i duhej që në orën 2 të pasmesnatës të zinte radhë tek agjencia për të marrë biletë, që të mund të shkonte t’i merrte fëmijët. Megjithatë, ato ishin ditët më të bukura për të e për familjen e saj. Shtëpia e Selenicës mbushej me gëzimin e tyre.
Kozeta, së bashku me motrën, Yllkën, dhe vëllanë, Gëzimin, nga Selenica, rregullisht vizitonin babanë në burgun e Ballshit, të dielave, një herë në muaj.

Sokoli e violina
Kozeta kujton se si njëherë, kur djemtë e saj po i kalonin muajt e verës pranë së ëmës, i mori edhe ata me vete, për ta vizituar gjyshin në burg. Sokoli, i cili atëherë po ndiqte shkollën e muzikës në Durrës, kishte marrë me vete edhe violinën e vogël, për të studiuar në verë. “A nuk e marrim dhe violinën me vete, që të dëgjojë gjyshi se sa bukur i bie?” - i kishte thënë djalit e ëma, e ai ishte treguar i gatshëm. Gjatë asaj rruge të gjatë e të vështirë, gjer në burgun e Ballshit, fëmijët nuk ishin ankuar për lodhje, e madje Sokoli nuk kishte dashur t’ia jepte kujt tjetër violinën e tij për t’ia mbajtur. Takimi ishte mes hekurave, me policinë pranë. Babai e gjyshi u kënaq kur pa fëmijët e aq më shumë nipërit. “Ke një surprizë”- i pati thënë Kozeta të atit. Në atë moment, Sokoli hapi violinën, e vendosi mes supit e mjekrës, në dorën tjetër mori harkun dhe filloi të luante mbi telat e instrumentit katër stinët e Vivaldit. Gjyshi u mallëngjye shumë, sytë iu mbushën me lot, e puthi nipin mes hekurave e i tha: “Rrofsh, o bir, ma ke shtuar ymrin për dhjetë vjet, të falem nderit shumë!” Mirëpo, Dashnor Mamaqi nuk arrin t’i mbarojë 15 vjetët e dënimit, vdes në burgun e Zejmenit – Lezhë, më 1984, kur kishte bërë vetëm 8 vjet atje.

Lotët e Kolit nga mbibunkeri...
Pas 11 vjetësh jete e pune në Selenicë, më 26 dhjetor 1986, Kozeta, mbas shumë e shumë lutjesh për t’u afruar pranë fëmijëve, vendoset në Shijak. Tashti ishte 40 vjeçe. Aty fillon punë në rrobaqepësi, në repartin e hekurosjes.
Ndërkohë, Kozeta kishte fituar edhe gjyqin e gjashtë - të drejtën që t’u afrohej fëmijëve. Djemtë i shkonin në shtëpi përditë nga Durrësi në Shijak, Ardiani edhe flinte me të ëmën, derisa shkoi ushtar në Lezhë. Atëherë, Sokoli, gjimnazist, ishte më shpesh pranë së ëmës. Megjithatë, Kozetës nuk i hiqet nga mendja një përjetim i dhembshëm nëne: Pas një takimi me fëmijët në Durrës, kur ajo u vinte nga Selenica, Sokoli i vogël shkoi për ta përcjellë të ëmën në stacionin e trenit. Si u përqafuan dhe Kozeta zuri vend në vagon, djali hipi mbi një bunker, që ishte aty pranë, e filloi të qante, të qante... Kur treni u nis, ai valëviste dorën, duke e ndjekur me sy, derisa treni humbi në largësi…

Në rrobaqepësi, në Shijak, Kozeta punoi për katër vjet e gjysmë. Më pas, mbas shumë përpjekjesh, ia dhanë të drejtën e diplomës. Filloi punë si mësuese në gjimnazin e fshatit Luz i Vogël të Kavajës, që ishte në të njëjtën kohë edhe shkollë bujqësore. “Eh, kujtimet më të bukura i kam nga Luzi i Vogël!”
Në Luz të Vogël, Kozeta punoi vetëm një vit shkollor. Ajo atje kishte nën përgjegjësi edhe bibliotekën e shkollës. Një ditë, atje në bibliotekë, hyn një koleg i saj, që ishte vendës nga Luzi e që gjithashtu jepte gjuhë-letërsinë. Kozeta, ngriti kokën nga libri që po lexonte, u ngrit në këmbë dhe e ftoi Beqir Curumin të ulej. Ai i tha se nuk do të rrinte, por se kishte vajtur atje për t’i dhuruar një gazetë, të cilën porsa e kishte lexuar. Ishte “Zëri i Popullit”. - E kam sjellë për ty - i thotë dhe ia zgjat. Kozeta e merr, disi e çuditur, atë gazetë. Sipër, në faqen e parë lexon mbishkrimin që kolegu kishte bërë për të: “Me respekt, Kozetës, që meriton gjithçka!” Beqiri i thotë: - Babai yt është rehabilituar! Lexoje! E lexon në heshtje atë shkrim. E kishte shkruar Spiro Dede (shok i saj i fakultetit e i kursit të gazetarisë). Argumentonte rehabilitimin e të atit publikisht: - Dashnor Mamaqi del i pafajshëm! Këtë pafajësi e kishte shpallur edhe Gjykata e Lartë e Shqipërisë.
“E lexova disa herë atë shkrim, e lexova dhe qava, qava për fatin e tij e të gjithë familjes, por natyrisht edhe u gëzova, sepse, siç thotë populli, e drejta vonon, por nuk harron, e, si të thuash, figurës së babait tani i ishte hequr ajo damkë që i kishin vënë.”
Viti 1991, Kozetës i solli edhe një përjetim jo të lehtë nëne. Pas gjithë atyre heqjeve në jetë, ajo tregon se si një ditë marsi, kur po kthehej nga Luzi i Vogël, te stacioni i autobusit po e priste Sokoli. – “Më dha një copë letër, që unë edhe sot e kësaj dite e mbaj me vete, ku djali i madh, Ardiani më kishte shkruar: “Mami, më fal, unë po iki!” Kaq. U nisa me Sokolin që ta kërkoja dhe ta ktheja, po në portin e Durrësit nuk kishe ku të hidhje mollën. Kishte edhe të shtëna armësh. Nuk e gjetëm! Hipëm në tarracën e një pallati dhe pritëm atje gjer në të gdhirë, kur vapori i fundit që kishte mbetur në port mori rrugën drejt detit të hapur. Ardiani po ikte për në Itali... Ishte një kohë shumë e vështirë për ne, mes ankthit, pritjes e shpresës gjer në momentin e telefonatës së parë të Ardit, që lajmëroi se ishte mirë me shëndet. Në ato kushte, ai ishte lajmi më i mirë për mua, Sokolin dhe gjithë familjen.”
Kështu u rrit Koli im!

Dashuria që i mungoi tërë jetën
Me përmbysjen e sistemit të diktaturës, Kozeta, më në fund, kthehet në Tiranë (1991). Pas 17 vjetësh internimi, ajo punësohet në Radio Tirana, te departamenti i bashkatdhetarëve, ku punoi dhjetë vjet, gjer në vitin 2001, vit kur do të pensionohej.
“Në gazetari i bëra 17 vjet. Këtë profesion e përfundova aty ku dhe isha caktuar të punoja, fill si mbarova universitetin, në Radio Tirana. Me dhimbje. Faktikisht, gazetaria më ka pëlqyer gjithmonë, sepse më bënte të mësoja në çdo moment një gjë të re, të njihesha me një njeri të ri, ishte një dinamizëm dhe nuk ishte punë monotone. Sinqerisht, kam punuar me pasion.”
Jeta i kishte rezervuar edhe çaste të bukura. Gëzim i madh, pas shumë heqjesh, ishte për Kozetën edhe lindja e mbesës dhe nipërve. - Ata më japin aq shumë dashuri, sa më ka munguar në tërë jetën time!

***
Sokol Olldashi, fatkeqësisht, nuk është më. Jeta e tij u përmbyll në një natë me shi, në moshën më të mirë dhe me përvojën e pasur në politikë. Goditje e rëndë për nënën, nusen e re, fëmijët, për vëllanë Ardin... Për nënë Kozetën, që u bëri ballë gjithë stuhive të jetës, po këtij fataliteti?
Mbrëmje e 20 nëntorit 2013: Koli, atë pasdite, pasi drekoi, ra të pushonte. U zgjua dhe me të bijtë kaloi atë ndajnatë, me njërin ushtroi matematikën, me tjetrin biologjinë... Ndërkohë, bie telefoni: ‘takohemi për dhjetë minuta’ – i përgjigjet asaj telefonate. Doli. Doli dhe – s’u kthye më! Kjo ishte ndeja dhe përshëndetja jonë e fundit... e humba Kolin! - Është rrëfimi i nënës, që provon të gjejë fuqi për të përballur sulmin më të rëndë të jetës...
Si të ngushëllohet kjo zemër NËNE, ç’shprehje t’i thuhet mikes sime të shtrenjtë, për këtë përfundim enigmatik të të birit!?

© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
275

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, riprodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT 2017 TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.com  www.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version