Ti je ketu: Ballina > Aktuale > Terapia e njohjes dhe e sjelljes
Këndi i psikologut
Terapia e njohjes dhe e sjelljes
Terapia e njohjes dhe e sjelljes (angl. Cognitive Behavioral Therapy - CBT) është një formë e psikoterapisë që synon kapërcimin e problemeve emocionale dhe të sjelljes së papërshtatshme të individit përmes ndryshimit të bindjeve apo besimeve të tij.

Shkruan Prof. dr. Neki Juniku, psikolog

Ngjarjet, zakonisht shoqërohen me shfaqjen e një mendimi, gjykimi apo vlerësimi. Vetë ngjarja nuk shkakton drejtpërdrejt reagimin emocional, por vlerësimi ose mendimi për atë ngjarje. Ideja është që përmes terapisë së njohjes dhe të sjelljes, individi t’i zbulojë dhe t’i ndryshojë shtrembërimet në të menduar, të cilat i shkaktojnë dhe i mbajnë shqetësimet dhe vështirësitë psikologjike. E mbështetur në një varg parimesh të qarta dhe të verifikuara shkencërisht, terapia e njohjes dhe e sjelljes paraqet një trajtim efikas të problemeve të lidhura me mirëqenien emocionale.
Ide qendrore në terapinë e njohjes dhe të sjelljes është ajo se mendimet tona për ngjarjet në jetën e përditshme ndikojnë fuqishëm në ndjenjat dhe në sjelljen tonë. Ne ndihemi ashtu si mendojmë. Shumë nga shqetësimet tona emocionale, veçmas ato në lidhje me ankthin e fuqishëm dhe depresionin, kanë të bëjnë me interpretimet e paqëndrueshme, jofleksibile të ngjarjeve në jetën tonë. Një tendencë e shpeshtë e individëve është nënvlerësimi i fakteve relativisht të favorshme në jetën e përditshme të tyre, i vlerave dhe virtyteve që kanë, si dhe stërmadhimi i dështimeve dhe i kanosjes së rrezikut, gjë që u sjell pikëllim, brengosje, qëndrim të pavolitshëm ndaj vetes. E tërë kjo, përfundimisht, rrezikon cilësinë e jetës së tyre. Nisur nga kjo, mund të thuhet se ata do të mund të bënin një jetë më të lumtur, nëse do të mendonin në mënyrë të shëndoshë.

Besimet negative
Mendimet negative dhe domethëniet që personat ua veshin ngjarjeve, kryesisht nuk janë të sakta, reale dhe të dobishme. Në shumë raste, ngjarjeve të caktuara u veshim domethënie ekstreme, dhe, si rezultat i kësaj, përjetohet shqetësimi. Në këtë mënyrë, domethënia që i japim cilësdo ngjarje ndikon në reagimin tonë emocional dhe sjelljen tonë pas asaj ngjarjeje. Është ky një parim që e përmbledh qartë e thjesht esencën e terapisë së njohjes dhe të sjelljes.
Besimet negative na ndalojnë të bëjmë përpjekje që ta përmirësojmë jetën tonë, duke na sjellë ndjenjën gjithëpërfshirëse të pafuqisë dhe të mungesës së shpresës, vazhdimin e nënvlerësimit të vetes e të efikasitetit personal dhe, përfundimisht, vënien e vetes në gjendje të ndjeshmërisë dhe prekshmërisë së vazhdueshme nga çrregullimet emocionale. Së këndejmi, një nga synimet e terapisë së njohjes dhe të sjelljes është që t’u ndihmohet individëve të zhvillojnë mendime e besime të balancuara, jo ekstreme dhe të dobishme, të cilat ua lehtësojnë atyre t’i përshtaten realitetit dhe t’i arrijnë qëllimet e veta.

Ndjenja e izolimit
Çka mendojmë dhe si ndihemi, do të përcaktojë po kështu edhe mënyrën e reagimit. Nëse ndihemi të dëshpëruar, ka të ngjarë të tërhiqemi dhe të izolohemi, siç është të qëndruarit në shtrat tërë kohën, moskontaktimi i miqve, sjellje këto që edhe më fuqizojnë ndjenjën e izolimit dhe e mbajnë ndjenjën e pakëndshme. Nëse jemi në ankth, shmangemi nga situatat që i përjetojmë si kërcënuese dhe si të rrezikshme (të qenit në ndonjë tubim, shfrytëzimi i ashensorit, fjalimi publik), sjellje këto që pamundësojnë kapërcimin e frikës.
Siç sugjerohet edhe nga emërtimi i saj, terapia e njohjes dhe e sjelljes thekson fuqishëm edhe rolin e sjelljes. Në një anë, me teknikat e terapisë së njohjes dhe të sjelljes synohet ndryshimi i sjelljes së papërshtatshme të individëve, domethënë arritja e sjelljes së dëshiruar. Në anën tjetër, duke modifikuar sjelljen, synohet ndryshimi i mënyrës si mendojnë dhe si ndihen ata. Ilustrim për këtë janë shembujt e personave në depresion apo të përfshirë nga letargjia, të cilëve u sugjerohet të jenë aktivë sa më shumë që është e mundur, kurse atyre të frikësuar dhe në ankth, u sugjerohet ballafaqimi gradual dhe permanent me situatën gjegjëse frikësuese dhe anksioze.

Menaxhimi i problemeve
Terapia e njohjes dhe e sjelljes është e strukturuar, meqë synon identifikimin dhe zgjidhjen e problemeve specifike, saktësisht të caktuara, ndryshe nga psikoterapitë e tjera në të cilat klienti bisedon me terapistin për jetën e vet pa ndonjë kufizim. Fokusimi i saj është në problemet aktuale, në mendimet dhe sjelljen e tanishme, pa bërë ndonjë përpjekje për t’i zgjidhur çështjet nga e kaluara.
Trajtimi zakonisht zgjat 5-20 seanca, e çdo seancë 30-60 minuta. Gjatë këtyre seancave, terapisti e klienti analizojnë veçmas mendimet, ndjenjat dhe sjelljen e individit përkatës, duke vlerësuar nëse ato janë jorealiste dhe të padobishme si edhe efektin apo ndikimin e tyre të ndërsjellë tek ai person. Terapisti pastaj do të jetë në gjendje t’i ndihmojë atij apo asaj në përcaktimin e mënyrave të veprimit apo shkathtësive për ndryshimin e mendimeve dhe sjelljeve të padobishme. Synimi final i terapisë është që klienti t’i zotërojë shkathtësitë specifike të veprimit dhe t’i aplikojë në jetën e përditshme me qëllim që të arrijë t’i menaxhojë problemet e veta dhe të ndërpresë ndikimin e tyre negativ në jetën e vet edhe pas përfundimit të trajtimit terapeutik.

Trajtimi psikologjik
Terapia e Njohjes dhe e Sjelljes (TNS) është një formë e trajtimit psikologjik përmes së cilës na lehtësohet t’i identifikojmë dhe t’i sfidojmë mendimet tona të shtrembëruara dhe negative për veten tonë dhe botën rreth nesh dhe të zotërojmë strategjitë praktike për arritjen e ndryshimeve të menjëhershme pozitive në cilësinë e jetës sonë. Ajo synon të na sqarojë se si mendimet që kemi ndikojnë në qëndrimin tonë dhe na mëson të mendojmë pozitivisht për jetën tonë, të ballafaqohemi me situatat frikësuese në vend të shmangies së tyre, të bëhemi terapistë për veten tonë.
Trajtimi psikologjik, i mbështetur në TNS, fokusohet në atë që është duke ndodhur aktualisht në jetën e individit e më pak në atë se çka nga e kaluara mund t’i ketë shkaktuar vështirësitë e tij. Fokusi kryesor është në mendimet, ndjenjat dhe sjelljen si përcaktues të cilësisë së jetës së individit. TNS synon t’i mësojë personat të arrijnë kontrollin e mendimeve, ndjenjave dhe sjelljes (duke sfiduar dhe duke evituar mendimet automatike, duke zotëruar strategjitë e modifikimit të sjelljes). Kjo do të rezultojë me më shumë ndjenja pozitive që do të sjellin më shumë mendime dhe sjellje pozitive.
Terapia e Njohjes dhe e Sjelljes (TNS) është aplikuar në trajtimin dhe kapërcimin e një vargu të tërë problemesh: ankthit, fobive sociale, stresit post-traumatik, depresionit, vetëvlerësimit të ulët, frikës irracionale, abuzimit të substancave (duhanit, alkoolit, drogave), pagjumësisë, problemeve bashkëshortore, problemeve të ndryshme emocionale dhe të sjelljes te fëmijët, adoleshentët etj.

© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
277

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, riprodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.com  www.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version