Ti je ketu: Ballina > Aktuale > Xhelozia te fëmijët
Xhelozia te fëmijët

Nëse një fëmijë përjeton pakënaqësi, madje edhe zemërim, kur një fëmijë tjetër posedon apo bën diçka që ai e synon, atëherë kemi të bëjmë me ndjenjën e xhelozisë. Duhet bërë dallimi ndërmjet xhelozisë dhe lakmisë. Xhelozia, ndryshe nga lakmia, ngërthen në vete pasigurinë dhe një lloj rivaliteti ose gare. Për shembull, një fëmijë mund ta xhelozojë vëllanë ose motrën e vet, sepse mendon që prindërit atë e duanë më shumë.

 

Shkruan Prof. dr. Neki Juniku, psikolog


Fëmijët më të vegjël, xhelozinë e shfaqin drejtpërdrejt, me çapkënëri dhe sjellje, përgjithësisht, të përkeqësuar, me imponim të kujdesit ndaj tyre, e ndonjëherë e bëjnë tërthorazi (thithja e gishtit të madh, lagia në shtrat, belbëzimi i befasishëm, refuzimi i ushqimit, pretendimi se është i sëmurë), kryesisht në mënyra për të tërhequr vëmendjen e personave të rëndësishëm për ta.

Te fëmijët më të rritur, xhelozia mund të shfaqet po kështu hapur ose drejtpërdrejt (përleshja dhe komentet nënvlerësuese për fëmijën që xhelozohet, përqeshja dhe tallja e tij, shpërthimi në vaj, zemërimi i furishëm dhe agresiviteti). Ndërkaq, shfaqja e xhelozisë tërthorazi bëhet përmes injorimit të individit që xhelozohet, komenteve sarkastike rreth tij, gënjeshtrave dhe mashtrimit, ëndërrimit ditor dhe qëndrimit refuzues.

Si të veproni për kapërcimin e xhelozisë së fëmijëve tuaj
Para se të filloni angazhimin për evitimin e xhelozisë së fëmijës suaj, verifikoni dhe bindeni veten tuaj se nuk jeni personalisht të ngarkuar me ndjenjën e xhelozisë ndaj kujtdoqoftë, vëllezërve, motrave, miqve, fqinjëve. Pa e evituar çdo dyshim lidhur me këtë, nuk do të mund të pritni sukses në kapërcimin e xhelozisë së fëmijëve tuaj. Ja disa udhëzime si ta arrini këtë:

Shndërrojeni xhelozinë në ambicie
Nëse fëmija i juaj është i mërzitur ngase shoku i tij ka marrë nota të larta, inkurajojeni dhe motivojeni atë të mësojë më shumë dhe të marrë nota më të mira. Në këtë mënyrë, ai do ta ngrejë sigurinë, duke mos u fokusuar më në atë se si do t’ia kalojë dikujt.

Mësojeni fëmijën tuaj të ndajë bashkë dhe të bashkëpunojë me të tjerët
Kjo do të flakë nga ai çdo lloj pasigurie. Herët a vonë, do ta shihni fëmijën tuaj në shoqëri me ata që më parë i ka xhelozuar ose i ka lakmuar. Përforcojeni sjelljen e bashkëpunimit, e cila do ta fuqizojë harmoninë ndërmjet fëmijëve. Vëzhgoni ata dhe përpiquni nëse mund t’i zini duke ndihmuar njëri- tjetrin. Këto momente mbase mund të jenë më të rralla, por kur ta vëreni se po e ndihmojnë njëri- tjetrin, po bashkëpunojnë dhe po punojnë mirë së bashku, ua thoni që ju këtë e adhuroni dhe e vlerësoni. Në këtë mënyrë rriten gjasat që këtë ta përsërisin, sepse e dinë që ju dëshironi ta bëjnë këtë.

Nxiteni dhe fuqizojeni empatinë
Një mësim shumë i dobishëm për fëmijët është ushtrimi i shkathtësisë së empatisë - gatishmërisë të "hyhet në lëkurën” e tjetrit, të përjetojë, të ndiejë (pikëllimin, gëzimin) së bashku me të. Fjala është për rregullin e artë: “Afrohu pranë të tjerëve, që ata patjetër të jenë pranë teje”. Kjo shkathtësi bujare, njerëzore, do ta godasë fuqishëm xhelozinë që në fëmijëri dhe do të jetë shumë e rëndësishme dhe e domosdoshme për raporte të shëndosha me të tjerët, në moshë të rritur.

Dëgjojeni me kujdes fëmijën tuaj
Kjo ka shumë rëndësi, sepse, në shumë raste, xhelozia mund t’i ketë rrënjët më thellë. Bisedoni me fëmijën tuaj dhe përpiquni ta kuptoni shkakun e xhelozisë së tij. Ndonjëherë, shkak mund të jetë mungesa e vetëvlerësimit dhe besimit në vete. Ai mund të mos jetë i vetëdijshëm dhe mjaft i sigurt për veçoritë e tij pozitive, gjë që do të shkaktojë shfaqjen e xhelozisë ndaj ndonjë personi. Theksoni fuqishëm pikat e ndritshme të personalitetit të tij dhe vazhdimisht bindeni fëmijën tuaj se e doni. Le ta ndiejë sa më shumë ngrohtësinë dhe dashurinë tuaj. Përkujdesja, e shoqëruar me dashurinë, do t’i vërë gjërat në vendin e duhur, shpejt e në mënyrë të sigurt, dhe kështu xhelozia do të zbehet.

Mos bëni krahasime
Krahasimet e fëmijëve mund të sjellin fërkime. Krahasimet bëjnë që fëmijët të sjellin konkludimet, siç janë: “Ju po e doni atë më shumë se mua”, ose “Ju mendoni se ajo është më e mirë se unë”.

Theksoni dhe kultivoni veçantinë pozitive të secilit fëmijë
Fëmijës duhet bërë e qartë se ndjenjat, e po kështu edhe xhelozia e tij, janë reagim normal. Ai duhet të bindet se veçantia e tij respektohet. Kjo do të pamundësojë që xhelozia e tij të eskalojë në reagim destruktiv. Të gjitha këto mënyra të intervenimit do të mundësojnë reduktimin e xhelozisë dhe pasojave të saj të rënda, siç janë vetëvlerësimi i ulët, agresiviteti ndaj fëmijëve të tjerë, ndjenja e pafuqisë dhe izolimi social.

© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

 

#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
277

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, riprodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.com  www.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version