Ti je ketu: Ballina > Aktuale >

Sa fëmijë ke? Personi përballë meje (në 99% të rasteve femër) vihet në siklet, kur unë, ashtu shpejt e pa asnjë shenjë mërzie, i them: asnjë. Pastaj, me një vështrim plot keqardhje e deri diku edhe plot mëshirë, më pushton të tërën dhe ndërsa dukshëm ndien keqardhje për mua e njëherazi edhe siklet, që krijoi një situatë të tillë, vijon me fjalinë inkurajuese: kurrë nuk është vonë për fëmijë. Zoti do të të gëzojë edhe ty...

Shkruan Albana Beqiri

Kaq e madhe është keqardhja e personit përballë meje, sa për një moment më bën edhe mua të ndiej keqardhje për veten. Keqardhje, pse me vendimin tim për të mos bërë fëmijë e kam bërë atë të ndihet aq keq! Dhe, që t’ia heq ndjenjën e fajit pse më pyeti dhe ndoshta më lëndoi, nxitoj t’i tregoj se vendimin për të mos pasur fëmijë e kam marrë unë vetë. Atëherë keqardhja kthehet në habi, e pse jo edhe në pamundësi për të më kuptuar. Me shumë gjasa është kjo e dyta: pamundësi e plotë për ta kuptuar vendimin tim aq absurd...

Kjo është një situatë me të cilën jam ballafaquar me vite, që prej momentit që për sytë e opinionit i kisha përmbushur kushtet për t’u quajtur potencialisht e aftë të bëhesha nënë! Por, ja që unë e mora “guximin” të mos i përmbushja pritshmëritë e rrethit familjar dhe atij shoqëror dhe vendimin për të mos bërë fëmijë e mora vetë, pa e marrë mundimin të jap shpjegime e aq më tepër të justifikohem. Asnjëherë nuk e kam ndier nevojën të justifikohem, as atëherë kur i kam marrë vesh fjalët e thëna pas krahëve të mi e në të cilat ngrinte kokë mosbesimi se isha unë vetë që kisha vendosur të mos kisha fëmijë. Deri edhe shoqe të mia, që unë i kisha konsideruar të afërta, i kishin thënë njëra-tjetrës apo të tjerëve se “gjynah, e shkreta. Nuk mundet të bëjë fëmijë dhe thotë se nuk po do vetë. E cila është ajo grua me mend në kokë që nuk do fëmijë”?!... Me vite nuk e kam kuptuar pamundësinë e njerëzve për të perceptuar idenë se mund të jesh grua me mend në kokë dhe të zgjedhësh me vetëdije të plotë të mos bësh fëmijë. Situata nga më qesharaket e absurdet më kanë shoqëruar me vite sa, sot, kur tashmë e kam kaluar moshën për t’u bërë nënë, më qeshet. Kam qeshur edhe atëherë kur isha shumë më e re. P.sh., familjarë të mi, të cilët as që e kanë vënë në dyshim dëshirën dhe detyrën time për t’u bërë nënë, pa e marrë mundimin të bisedojnë fare me mua, kanë shkuar deri aty sa të më caktonin takime nëpër gra që të ngjeshin apo s’di çka të bëjnë tjetër për me mbetur shtatzënë... Po ashtu, vite me radhë e kam ndier kujdesin e familjarëve apo miqve të mi, që t’i anashkalojnë bisedat kur bëhej fjalë për shtatzëninë e dikujt apo lindjen e ndonjë fëmije. Kjo derisa e mora vetë situatën në dorë dhe ua shpalla botërisht që nuk kisha asnjë problem me fertilitetin, as nuk mjekohesha, prandaj nuk ishte nevoja të më shihnin as me keqardhje, as me mëshirë e as mos të ruheshin që të përmendnin fëmijë apo shtatzëni para meje...

Tash, kur vitet kanë bërë të veten, këto janë histori të shkuara, me të cilat vetëm mund të vësh buzën në gaz apo të qeshësh pa të keq, ashtu si preferoj t’i konsideroj shumicën e këtyre “presioneve”: pa të keq. Po, duke qeshur, mund të konstatoj një tjetër dimension të keqardhjes së të tjerëve për situatën time, si grua pa fëmijë: sa herë që mërziten me fëmijët e tyre, mikesha apo familjare të mia, më drejtohen me fjalët: keq ta thuash, por lum ti që s’ke hiç fëmijë! Ta hanë shpirtin, ta plasin barkun... E di që është mërzi e momentit (adoleshenca të trazuara, moskuptime brezash etj.) dhe vë sërish buzën në gaz, pa u thënë asnjë fjalë, por duke uruar në heshtje që Zoti t’u japë durim e qetësi. Gjithsesi, tregimi im është vetëm një në morinë e atyre tregimeve të grave që nuk kanë dashur (besoj shumë më pak) apo që nuk kanë mundur të jenë nëna. Unë njoh shumë e shumë më tepër gra, të cilat, me gjithë përpjekjet e pareshtura, nuk kanë mundur të bëhen me fëmijë, e të cilat e vuajnë këtë fakt. Opinioni, paragjykimet, pritshmëritë, që, apriori, sa të martohesh, duhet të bëhesh me fëmijë, presionet e rrethit etj., ua kanë bërë më të vështirë situatën, duke ua shumëfishuar dhembjet shpirtërore. Një e njohura ime, gati moshatare me mua, ka mbi 20 vjet që stërmundohet të mbetet shtatzënë. Dëshira e saj për të pasur domosdoshmërisht fëmijë, tejkalon çdo imagjinatë. “Do të kisha falur edhe shpirtin, thotë ajo shpesh, vetëm e vetëm të mbaja në duar fëmijën tim, të dëgjoja dhe të ndieja të qarat dhe përkëdheljet e tij”. Nuk ka lënë mënyrë pa përdorur për të mbetur shtatzënë, që nga trajtimi për fertilitet e deri te mjekimet popullore. Po ashtu, disa herë ka tentuar shtatzëninë me in vitro, por ka dështuar në të gjitha herët. Është grua e fortë e me zemër të madhe. Qan sa herë dëgjon të qarat e një fëmije. E shoh në momentet e saj të mërzisë dhe them me vete se kjo botë është kaq e padrejtë. Edhe Zoti, ndoshta! I jep fëmijë dikujt që nuk e meriton të jetë nënë dhe e privon nga mëmësia dikë tjetër që e dëshiron me krejt qenien e saj. Laura, kështu quhet e njohura ime, më ka treguar se fillimisht ka qenë presioni i rrethit familjar ai që e ka bërë të ndihet keq. I shoqi është djalë i vetëm dhe për familjen e tij ka qenë e paimagjinueshme se ai mund të mbetej pa fëmijë. Aq të mëdha kanë qenë pritshmëritë dhe presioni ndaj saj, sa ajo në një moment i ka thënë bashkëshortit se më mirë të ndaheshin, që ai të gjente dikë tjetër, që do të mund t’i bënte fëmijë. Natyrisht që kjo nuk ndodhi, por te Laura presioni filloi të shtohej edhe më shumë, derisa në njëfarë mënyre iu kthye në mënyrë jetese. Obsesioni i saj për të pasur fëmijë u bë i dukshëm dhe ajo nuk resht së përpjekuri të bëjë fëmijë, pavarësisht nga mosha tashmë jo e favorshme. Shoh Laurën dhe përpjekjet titanike dhe përmes saj shoh të gjitha ato gra që ngjashëm si ajo nuk i reshtin përpjekjet për t’u bërë nëna. Thjesht, nuk dua të jem nën lëkurën e tyre! Ashtu sikundër gra të tjera, paragjykuese ndoshta, nuk duan të jenë nën lëkurën time!
Nuk është se jam marrë shumë apo kam vrarë mendjen për këtë temë. Unë, për veten time, e konsideroj kapitull të mbyllur me kohë. I mirë apo i keq, ka qenë vendimi im dhe kaq! Mund të kishte qenë shumë më ndryshe, shumë më frustruese ndoshta, po të kisha kaluar nëpër kalvarin mundues të pamundësisë për të pasur fëmijë. Nuk e di! Madje as që dua t’ia di!

Ndërsa lundroja një ditë në internet, shfletim pas shfletimi, syri më zuri një artikull, ku, bazuar në një tip sondazhi, që s’di as vetë kush e kishte bërë, në kuadër të rënies galopante të lindshmërisë, konstatohej se ishte rritur ndjeshëm numri i çifteve që kishin marrë vendimin e përbashkët për të mos pasur fëmijë. Në artikull renditeshin një numër i madh arsyesh, mes të cilave: karriera dhe dëshira për të mos e humbur atë, pamundësia ekonomike, ndjenja e fortë e pavarësisë, përtacia e çifteve të reja për të ndryshuar rutinën apo për të marrë përgjegjësi të tilla, si prindërimi etj. Duke i shkuar në fund artikullit, vrisja mendjen se në cilën prej të arsyeve të mësipërme do të më kishte kategorizuar artikullshkruesi. Dhe, natyrisht që qesha! E dija paraprakisht që nuk do t’ia qëllonte, pasi as unë vetë nuk do të dija ku ta kategorizoja veten.

© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

 

#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
277

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, riprodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.com  www.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version