Ti je ketu: Ballina > Aktuale >

Shkruan Dr. Dr. med. Halil Krasniqi
 

Në gjendjen normale fiziologjike trupi ynë ka një temperaturë prej 37 gradësh Celsius. Në bazë të kësaj, temperaturat e larta të cilat mbretërojnë tani, nuk duhet të na mundojnë fare, ngase edhe trupi ynë e ka të njëjtën temperaturë. Prandaj, trupi i njeriut prodhon vazhdimisht temperaturë nga lëvizja e muskulaturës, nga procesi punues i organeve të brendshme si dhe nga procesi i metabolizmit kimik trupor. Për një kohë të shkurtër trupi i njeriut mund të arrijë një temperaturë prej 41 gradë Celsius. Këtë temperaturë e dhurojmë në ambientin ku gjendemi, pra jashtë trupit tonë, ngjashëm si një radiator.

Pavarësisht nga pesha dhe aktiviteti trupor, ne prodhojmë një energji prej 100 vatësh, e cila i përgjigjet një temperature prej tri poçeve elektrike.
Trupi ynë posedon një lloj termostati me të cilin ai e rregullon ndryshimin e temperaturës: sikur në lëkurë, në shtyllën e kurrizit, por edhe në trurin tonë gjenden qeliza nervore të cilat janë të ndjeshme ndaj temperaturës.
Nëse temperatura e trupit tonë ulet ose ngrihet me një vlerë të caktuar, atëherë lirohen hormone të veçanta në organizëm, të cilat ndihmojnë në rregullimin e temperaturës fiziologjike normale.
Posa ngrihen temperaturat e larta në mjedisin tonë, menjëherë reagon tensioni dhe qarkullimi i gjakut në forma të ndryshme si: gjaku tërhiqet nga organet dhe qarkullon në sipërfaqe të trupit. Nga ky proces zgjerohen enët e gjakut. Tensioni i gjakut ulet, sepse sasia e njëjtë e gjakut ka tani vend të mjaftueshëm në enët e zgjeruara të gjakut. Personi fillon të djersitet. Këtu fillon të harxhohet, të digjet energjia e cila e freskon trupin tonë. Në temperaturat ekstreme, trupi i njeriut mund t‘i humbasë deri në 6 litra lëngje trupore. Këtu fillon rrethi vicioz. Kujdes! Nga tensioni i ulët i gjakut nuk qarkullon gjak i mjaftueshëm në zemër, për shkak të kësaj edhe truri nuk pranon oksigjen të mjaftueshëm.

Sipas institutit Robert Koch, vitin e kaluar vetëm në Berlin kanë vdekur 490 persona si pasojë e valës së të nxehtit.
Nga djersitjet e shumta trupi i njeriut humb substanca të rëndësishme mineralesh, por edhe kripëra të shumta të cilat shpien në një mungesë të madhe të elektroliteve dhe me këtë rast shkaktohet një sulm i të nxehtit. Kjo situatë mund të kundërveprohet, nëse marrim lëngje isotonike të mjaftueshme, por edhe supa me zarzavate plotësuese.

KËSHILLA SI TË NDIHENI MIRË NË VALËT E NXEHTËSISË, POR EDHE T`I PËRBALLONI LEHTË TEMPERATURAT E LARTA nga Dr.Dr.med.Halil Krasniqi:

Mos përdorni lëngje të akullta
Këto kërkojnë shumë energji për t’u ngrohur në traktin gastrointestinal të tretjes. Më mirë është të përdorni çaj të ngrohët me nenexhik të freskët si dhe lëng molle të përzier një me dy me ujë. Mundësisht të përdorni pak alkool.

Pak mish dhe salsiçe të skarës dhe më tepër perime e sallata
Ushqimet e lehta me perime, pemët e freskëta dhe sallatat e ndihmojnë dhe e plotësojnë gjendjen e mineraleve në trup. Ushqimet e skarës, ato të yndyrshmet, si patatet e skuqura, e mundojnë trupin shumë dhe shkaktojnë djersitje e me këtë humbje energjie.

Relaksim me ujë të ftohtë
Relaksim të nevojshëm mund të fitoni duke i larë krahët me ujë të ftohtë, por edhe këmbët në një banjë freskuese.

Përdoreni klimën në kuptim të plotë
Klima duhet të programohet vetëm 5 gradë më ftohtë se temperatura jashtë. Këtë duhet ta keni parasysh: Temperaturat më të larta gjatë ditës janë në mes të orës 16.00 dhe 18.00. Në këtë kohë krijohet temperaturë plotësuese nga ndërtesat dhe rrugët e asfaltuara.

Të dembeloseni në valën e nxehtësisë është e shëndetshme
Në temperaturë mbi 35 gradë është mirë që të lëvizni sa më pak. Aktivitetet trupore dhe sportive duhet të kryhen në mëngjes ose në mbrëmje vonë.

Flini dhe pushoni të relaksuar
Bëni dush para se të shkoni në krevat me ujë të vakët dhe mbulohuni kryesisht me mbulesë të hollë freskuese, hapni dritaret. Ventilatorët dhe sistemi i klimës nuk duhen aktivizuar ose përdorur natën.

Mbulesa e kokës është e rëndësishme
Gjatë qëndrimit të gjatë në natyrë, në rreze dielli duhet, patjetër të mbuloni kokën. Qëndrimi i gjatë në rreze të diellit mund të shkaktojë ënjtjen e cipës së trurit, por edhe ënjtjen e tërë trurit. Nëse kjo ndodh, atëherë shfaqen këto simptoma: të përziera të stomakut, vjellje, marramendje, humbje të vetëdijes, rrahje të shpeshta të zemrës, por mund të shkaktohet alivanosja kardiovaskulare.

Rregulla e rrobave në valën e të nxehtit
Rrobat e lehta dhe të gjera, pantallonat, kalojnë temperaturën jashtë trupit, gjersa rrobat e ngushta dhe të lidhura për trupi krijojnë temperaturë plotësuese.
Vishuni me rroba të bardha, ato e reflektojnë temperaturën, jo rroba të zeza, këto e absorbojnë dhe krijojnë temperaturë të panevojshme.

© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

 

 

Lexuar 6543 herë.
#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
Teuta Magazine

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, riprodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.com  www.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version