Ti je ketu: Ballina > Opinione > Përsëri për dashurinë time… të parë
Përsiatje
Përsëri për dashurinë time… të parë
Ora një pas mesnate! E vetme në shtëpi. Më në fund vendosa të shkoja për të fjetur. Duke ngjitur shkallët, nga mobili një dritë shkrepi dhe dëgjova një zhurmë. Tani teknologjia të bën shoqëri, po edhe të bezdis kohë e pa kohë. Me siguri, mendova, më ka ardhur ndonjë e-mail a ndonjë mesazh në facebook! Ashtu e lodhur, u shtriva në shtrat, pa e hapur mobilin deri të nesërmen në mëngjes.

Shkruan Valbona Luta

Nuk e di se çfarë ëndrrash më kanë shoqëruar gjatë natës, por kur u zgjova dhe e hapa mobilin, më priste një befasi! Një fotografi më doli përpara. Fytyrë e panjohur, m’u duk. Ende pa i çelur sytë mirë, provoja t`i bija në fije kush është e nga më ka ardhur. Flokët, të cilat e kishin pushtuar shumicën e ekranit, dukeshin si të ishin të një njeriu prej kashte, që i tremb zogjtë nëpër ara. Sytë gjysmë të mbyllur, pjesën tjetër të humbur… buzëve u ishte fshirë kufiri origjinal e ishin shkrirë me pjesën tjetër të fytyrës. Mos ta vëreja një shkëlqim si xixë, që vinte prej vathëve perlë, që i kam dashur dhe mbajtur gjithmonë, më besoni do të më duhej kohë për ta zbuluar kush ishte ky person! Një “selfie” aksidentale ia kisha bërë vetes në prag të vitit 2016! Vit që ma rrumbullakoi pesëdhjetën. Nuk po më duken shumë, në fakt hiç, derisa nuk po ma kujtojnë të tjerët. “Valbona, i bëre gjysmë shekulli!” Thua se jam fëmijë e me entuziazëm po e pres rritjen! Sikur dikur moti kur me thoshin “peeeesëmbëdhjetë vjeç,… tash je rritur, je bërë e madhe”!
Me një ndjenjë të përzier vendosa të dilja ta kaloj ditën jashtë. Trafiku i stërngarkuar. Çdo veture që më dilte përpara i jepja përparësi; me shpejtësi minimale e ngisja veturën, saqë edhe kalimtarët i bindja të kalonin rrugën, edhe aty ku nuk ishte vendi për këmbësorë!
Për kafe shkova në hotelin Du Vin, që gjendet në Cannizaro Park, në Wimbledon Village. Hotel jo shumë i madh, që dikur kishte qenë shtëpi e një konti italian. Me një `kopsht sekret”, që më mrekullon sa herë e shoh! Dimër pa borë por gjelbërim sa të duash, falë pemëve e shkurreve që nuk zhvishen kurrë. E ato gjethe që kishin rënë në tokë prej pemëve të tjera kishin marrë ngjyrë ari a të kuqe të zjarrtë, si të qershive në fund të stinës së tyre. Pjesa tjetër e parkut ishte e shtruar me bar, si kadife jeshile, që tashmë i ka dalë boja prej viteve. Veranda ku u ula deri vonë ka qenë e rrethuar me gardh dhe erë livande. 
Pasditen e kalova duke bërë pazare për të gatuar më vonë. Bleva një kungull, pasi e kisha ndër mend të gatuaj filhoses - petulla portugeze me kungull - recetën e të cilave dua ta ndaj me të gjithë lexuesit e revistës "TEUTA".
Prania ime në kuzhinë është rralluar, por këtë pasion, dashurinë time të parë, nuk e lë të më ikë derisa të jem gjallë. Po i dëgjoj shpesh në programe televizive, tonat dhe të huajat, duke iu referuar gatimit si art, dhe sado klishé që është bërë kjo shprehje, pajtohem edhe vetë plotësisht! Por bukuria e magjia e këtij arti është që është në dispozicion të të gjithëve. Të pasurve mund t’u shërbehen ushqime të ndryshme të sofistikuara e me bollëk, por mrekullitë e gatimeve kanë ndodhur në kuzhinat e të varfërve!
Kënaqësia që më ka sjellë gatimi është unike. Sa herë më është kthyer Ragipi në shtëpi, dhe djemtë prej shkolle - vetë ose me shokë – ushqimi ka pasur një fuqi të papërshkrueshme për të sjellë dashuri në komunikim. Ushqimi është i domosdoshëm për jetë, por unë e shoh atë edhe si pikënisje të dashurisë dhe lumturisë. Edhe nga fëmijëria ime e kam një muze me kujtime të bukura qe shpesh me shumë mall i kujtoj. Gatimet e nënës sime të dashur në shtëpinë e vogël, por të përsosur deri në hollësi, apo pallaçinkat që i gatuante babai im i ndjerë dhe gjithë të qeshurat që bënim gjatë rrotullimit të tyre në fultere. Pa i harruar asnjëherë momentet e veçanta me gjyshet e mia rreth kuzhinave dhe magjeve të tyre.
Janë disa shefa të mëdhenj kuzhine, recetat e të cilëve i gatuaj me vite, si Michael Pandya (për ushqim indian një prej librave favorit që e mbaj në kuzhinë), Nathalie Hambro (për bukën më të mirë me arra), Carluccio (për zuppa di cavolo/supën me lakra/me shtresa të lakrave të ziera, copave të bukës bajat dhe të djathit fontina të renditura një mbi një në tavë dheu e në fund të spërkatura me gjalpë), e shumë të tjerë, por më duhet ta pranoj që jam adhuruesja më e madhe e vëllait tim të vogël, Bashkimit, që ka punuar në disa prej restoranteve më të mira në Londër derisa është kthyer në Kosovë. Mund të them - pa modesti - edhe një prej shefave më të mirë shqiptarë në Angli. Mjeshtër i rrallë prej të cilit gjithmonë mësoj diçka. Një prej këshillave të Bashkimit është që ushqimet të përgatiten me pemë e perime sezonale - për arsye të shëndetit dhe shijes. Dhe pikërisht receta që thashë se do ta ndaj me ju ka një prej përbërësve kryesorë kungullin. Janë këto petullat portugeze, goxha të ngjashme me petullat tona, të cilat vjehrra ime e dashur i ka përgatitur, shpeshherë posaçërisht për mua, meqë më kanë pëlqyer shumë. I gatuaj edhe vetë me shumë kënaqësi për të vazhduar traditën e saj. 
Tani që janë gati, po i pres Dimalin, Drinin dhe dy mbesat e mia, Zanën dhe Loranën, për të kaluar disa ditë me mua! Një mënyrë tjetër për ta rinuar shpirtin!

 

© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

 

#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
Teuta Magazine

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, riprodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.com  www.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version