Ti je ketu: Ballina > Moda > Zonja e fustaneve glamuroze...
Sherri Hill 2018
Zonja e fustaneve glamuroze...
Pasionin për suksesin dhe motivi për krijimin e fustaneve përrallore, të dominuara nga eleganca e sofistikuar, kanë krijuar reputacionin e projektueses Sherri Hill. Ajo po zhvillon perandorinë e saj të krijimit të fustaneve ngashënjyese në qendrën metropolitane në Nju-Jork. Industria e modës ka një sens shumë të zhvilluar për fustane glamuroze, ndaj për t’u veçuar duhet pasur një sens tejet të sofistikuar, për t’ia dalë mbanë. Por themeluesja e brendit ‘Sherri Hill’, i ka tejkaluar parashikimet, ngase kudo që paraqitet tërheq vëmendjen me fustanet e saj joshëse, që janë të konceptuara për të bërë që zonjat të ndihen hyjnore, ndaj fustanet e saj përrallore janë të favorizuara nga yjet e Holivudit. Dëshira e vizionares ambicioze, Sherri Hill, është që ta bëjë çdo grua të ndihet mirë dhe të duket si një yll i vërtetë.

Intervistoi BliNera Gashi
Fotografitë Fadil Berisha

E lindur në qendër të Amerikës, konkretisht në Oklahoma, Sherri ka një pasion të pangopur për artin. Kureshtja për disenjim i hapi rrugën e karrierës së saj mbresëlënëse. Sekreti i suksesit të saj - është aftësia për të krijuar disenje të paimitueshme, fustane me pëlhurë spektakolare, gjithmonë në kontakt të fantazisë dhe krijimit të veshjes së modës së lartë. Në fustanet e saj përjetoni momente të veçanta, thjesht të paharrueshme. Transformimi i grave në mbretëresha është synimi i kreatores së pagabueshme. Fustanet fantastike, të krijuara nga dora e saj, ju lënë pa frymë, koleksionet e saj janë pasqyrim i përsosur i elegancës, glamurit, ndjeshmërishë, misterit, romantizmit dhe femërsisë. Në intervistën për revistën TEUTA, ajo pohon se gruaja e veshur në fustanet e saj është femërore, elegante dhe glamuroze. Ajo shton se dëshiron që në fustanet e saj gruaja të ndihet e madhërishme.

Zonja Sherri, Ju keni qenë shumë e zënë kohët e fundit?
Po, kam qenë duke u marrë me punë gjithandej.
Sa kohë keni që punoni si kreatore? Si filloi karriera juaj?
Unë jam rritur nga prindërit që kishin dyqane të shitjes me pakicë, kështu që u rrita me një biznes, në një industri ku ne kemi shitur veshje të prodhuesve të tjerë.
Si do ta përshkruanit gruan në veshjen ‘Sherri Hill?
Qëllimi ynë është që të bëjmë çdo grua të duket më e bukur, tregu ynë ka tendencë të prodhojë atë çfarë duan gratë, që njerëzit të kenë ndjenja të lumtura.
Cilat janë parimet themelore të kreimeve tuaja?
Është shumë me rëndësi që të ketë kualitet, veshja të jetë e punuar mirë, trupi të jetë elegant, atëherë fustani do të duket shumë më tërheqës, më i bukur dhe më i përshtatshëm.


Çka ju frymëzon?
Më frymëzon gruaja e cila e vesh fustanin, më frymëzon vetë jeta.
Çfarë mesazhi përpiqeni të përcillni me secilin koleksion?
Lumturinë! Më pëlqen shumë klasikja. Mundohem që koleksionit tim t’i jap një frymë klasike, që është shumë e suksesshme sidomos te veshjet e mbrëmjes. Pra, ne, përsëri do të shkojmë nga bukuria klasike.
Në industrinë e modës, çfarë ju pëlqen më së shumti?
Më pëlqen veshja e mbrëmjes, dhe ne jemi pjesë e çdo gruaje. Veshja është pjesa më e rëndësishme e momentit. Fustanet e bëjnë gruan të duket më e veçantë dhe kjo është një ndjenjë shumë e mirë. Çdo gjë që ne bëjmë ka të bëjë me momentet e veçanta.
Nëse ju mund të jepni një këshillë të modës, çfarë do të jetë ajo?
Qëndroni ajo që jeni, vishni atë në të cilën ju ndiheni mirë. Sepse, nëse ju pëlqen ajo që keni veshur, atëherë ju do të ndiheni mirë.
Çfarë mendoni se ju ka bërë të keni sukses si kreatore?
Unë mendoj se ka të bëjë me vëmendjen dhe besueshmërinë. Unë, gjithashtu kam punuar shumë me misset. Kështu që vajzat kanë veshur fustanet e mia, dhe kur e përzgjedhura është gjykuar për bukurinë dhe për konkurrencën, sigurisht që është mirë edhe për mua, për shkak se ajo sjell një vëmendje të madhe të fustanit aktual që ka veshur.
Ju keni qenë disa herë në Shqipëri për të realizuar fotografi për koleksionet tuaja. Çfarë më së shumti pëlqeni në lidhje me Shqipërinë?
Më duket se kam qenë tri apo katër herë në Shqipëri. Çfarë më bën të më pëlqejë? Njerëzit e saj. Atje të gjithë kanë zemër të mirë, janë njerëz të ngrohtë, modestë dhe shumë mikpritës. Ai shtet ka aq shumë bukuri, një histori të veçantë. Çdonjëri është me fat. Ne shkuam në një fshat për fotografim, dhe gratë dilnin nga shtëpitë e tyre duke u përpjekur për të na ndihmuar. Kur ne mblidhnim lule, edhe ato afroheshin dhe na sillnin lule për fotografim.
Ju jeni duke bashkëpunuar me një fotograf shumë profesional, me Fadil Berishën. Sa është e lehtë të punosh me z. Berisha?
Ai është pak i çmendur, ha, ha. Ai është shumë kreativ. Një ndër gjërat që vëreni tek ai është se i do njerëzit dhe ka një zemër të madhe. Çdo fotografi e tij të krijon një ndjenjë. Ai është në gjendje t’i vërë të gjitha modelet para objektivit të kamerës së tij, në mënyrë që të jetë në gjendje për ta kapur zemrën e tyre, e jo vetëm fytyrën e bukur. Kjo është një ndjenjë shumë e bukur. Ai është ekstravagant, fotografon shumë gjëra. Fadili asnjëherë nuk lodhet së punuari. Ai kurrë nuk thotë “oh Zot, jam lodhur...” Kjo është arsyeja pse ne jemi duke bashkëpunuar aq mirë së bashku, sepse ne jemi punëtorë shumë kreativë që nuk ndalemi kurrë!

Çfarë e bën koleksionin tuaj të veçohet nga turma?
Mundohemi që të qëndrojmë me gjërat ngashënjyese, me çfarë është e bukur dhe çfarë nuk është, mundohemi të jemi më ndryshe. Është mirë të jesh ndryshe dhe të veçohesh nga turma, por nëse je i ndryshëm në mënyrë të shëmtuar, nuk është gjë e mirë. Unë mendoj që gjërat po kthehen në bukuri dhe cilësi. Gjithashtu ka të bëjë shumë me bukurinë e vajzës e cila e vesh atë fustan.
A është brendi Sherri Hill i suksesshëm sot?
Mendoj që po, ne jemi rehat dhe shumë të lumtur, të kënaqur me zhvillimin, por në këtë biznes je në rregull vetëm pas suksesit të koleksionit të fundit.
Çfarë e bën një ‘fashion show’ të mirë?
Vajzat e këndshme, fustanet e bukura dhe muzika e mirë!

 

© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
267

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, rirodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT 2017 TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.com ww.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version