Ti je ketu: Ballina > Shëndeti > Psikologji
Psikologji

Ndjenja e fajësisë dhe kapërcimi i saj

Fajësia është një gjendje emocionale, që e përjetojmë kur kemi bërë diçka që nuk është dashur ta bëjmë ose, përkundrazi, nëse nuk kemi bërë diçka që mendojmë se është dashur ta bëjmë. Kjo na sjell në një gjendje që vështirë largohet e vështirë durohet.

 

Prof. dr. Neki Juniku, psikolog

Kur përjetojmë fajësi, ka gjasa të zhytemi thellë në atë që është turpëruese dhe që e ka lënduar ndonjë person dhe ka sjellë pasoja të pakëndshme për ne. Ndonjëherë, kjo ndjenjë e fajit është aq e rëndë, saqë na dërrmon plotësisht dhe nuk mund të gjejmë mënyrën si ta kapërcejmë.
Nëse fajësia përjetohet për ndonjë arsye të pranueshme, të qartë, ky është përjetim i shëndoshë. Në raste të tilla duhet ta korrigjojmë, ta përmirësojmë sjelljen tonë.

Nëse vazhdojmë të jemi “të pangopshëm” në dënimin e vetes sonë, fajësinë do ta përjetojmë edhe atëherë kur përpiqemi të shkojmë më tutje dhe ta kapërcejmë atë. Është mjaft e lehtë t`i kërkojmë falje personit që e kemi lënduar me ndonjë gjest pakujdesie. Ndërkaq, është më vështirë kur madje as nuk e hetojmë se dikë jemi duke e lënduar. Rast i këtillë do të ishte kur familjen tonë e lëndojmë rëndë, duke mos qenë pranë saj me orë të tëra (për shkak të punës tej mase për hir të karrierës). Vështirësia është e pashmangshme, kur, për arsye të rëndësishme dhe të kuptueshme, nuk mund ta ndryshojmë këtë orar.
Fajësia e shëndoshë na flet se duhet të bëjmë diçka për t’i përmirësuar raportet e rëndësishme për ne (ose edhe për vetëvlerësimin tonë). Ndërkaq, fajësia jo e shëndoshë bën të ndihemi keq për ndonjë arsye jo aq bindëse e jolegjitime.
Nëse kemi vepruar keq ose gabimisht, ne nuk mund ta ndërrojmë të kaluarën, por mund ta përmirësojmë sjelljen tonë kurdo që kjo është e përshtatshme. Në kohë të përshtatshme, të kërkohet falje ose edhe të bëjmë një sjellje dukshëm të mirë, si një kompensim për ta zbutur lëndimin e bërë me sjelljen tonë të papërshtatshme dhe të mos ndalemi më tutje aty. Sa më shumë vazhdojmë të mendojmë se duhet të bëjmë akoma më tepër, kjo do të na mundojë dhe do t`i vështirësojë raportet tona me të tjerët.

Përjetimi i fajësisë do të duhej të na e përqendronte vëmendjen, të mësojmë diçka nga përvoja e kaluar. Duke bërë kështu, do të ketë më pak gjasa të bëjmë përsëri të njëjtën sjellje të gabuar në të ardhmen. Ndjenja e fajësisë, që nuk do ta korrigjonte sjelljen tonë të gabuar, është ndjenjë jo e shëndoshë.
Askush nuk është i përsosur. Përpjekja për ta arritur përsosmërinë në sjellje do të na shpjerë në dështim, sepse është e pamundur të arrihet.
Të gjithë ne bëjmë gabime, të cilat më vonë i përjetojmë si ndjenjë të fajësisë. Qenësore është të kuptohet se kemi gabuar, sikundër edhe çdokush tjetër. Nuk duhet të lejojmë që ditë me radhë të akuzojmë veten se do të duhej të kishim ditur, të kishim vepruar ndryshe, të kishim qenë një person ideal. Nuk jemi ideal, as të tjerët nuk janë. Kështu është jeta.
Nuk ka një shkop magjik për kapërcimin e ndjenjës së fajësisë. Njohja e shkakut kryesor të ndjenjës së fajësisë do të mund të ndihmonte (bie fjala, veprimi në mospërputhje me vlerat tona).
A na rraskapit fajësia, apo na shpie drejt veprimeve dhe ndryshimeve pozitive? A është ajo stimuluese për korrigjim, apo një vuajtje? Qartësia e plotë lidhur me këto çështje do të lehtësonte të kuptohet nëse ndjenja jonë e fajësisë është e shëndoshë.
Ndjenja e mohuar e fajësisë do të shfaqet si ankth, depresion, shqetësim ose në ndonjë formë të problemeve psikosomatike.

© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

 

#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
269

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, rirodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT 2017 TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.com ww.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version