Ti je ketu: Ballina > Aktuale > Intervistë me ikonën e `Zërit të Amerikës, gazetaren Laura Konda
Intervistë me ikonën e `Zërit të Amerikës, gazetaren Laura Konda

E njohur si një nga ikonat e "Zërit të Amerikës", gazetarja e shquar Laura Konda, në korrik të vitit 2019 lajmëroi drejtpërdrejt përmes programit të udhëhequr prej saj për rreth 20 vjet "Ditari" tërheqjen nga puna në këtë medium prestigjioz ku bëri emër. Ky nuk ishte një vendim i rastit e aq më pak i lehtë për të, por të cilin ajo do ta kumtojë me shumë emocione. "Nuk mund të ndahesha pa u thënë lamtumirë teleshikuesve", thotë Konda, gjatë një interviste për revistën Teuta. Në këtë intervistë, ajo flet për punën e saj si gazetare, për familjen, jetën në SHBA dhe lidhjen e saj me atdheun.

Intervistoi Faik Hoti

Znj. Konda, në korrik të vitit 2019, në edicionin e lajmeve kryesore në shqip të "Zërit të Amerikës", lajmëruat tërheqjen tuaj nga VOA (Voice of America) pas një pune 20-vjeçare aty. Si e përjetuat një moment të tillë dhe a e kishit menduar më parë tërheqjen përmes një paralajmërimi të drejtpërdrejtë televiziv?
Vendimi im për t`u larguar nga Zëri i Amerikës, nuk ishte një vendim i momentit, ishte një hap të cilin kisha menduar ta merrja prej disa kohësh. Natyrisht, që nuk ishte një vendim i lehtë. Pata emocione kur iu drejtova me këtë lajm teleshikuesve, me të cilët kisha 20 vjet që komunikoja thuajse çdo ditë e nuk mund të ndahesha pa u thënë "lamtumirë". Ishte një detyrim, një shprehje e respektit ndaj tyre.
Cili ishte dallimi i të bërit lajme për të tjerët dhe i të bërit apo dhënies së një lajmi për vetveten?
Puna e gazetarit televiziv është gjithmonë një punë me emocione. Ti je në kontakt direkt me teleshikuesin, sikurse aktori me spektatorin. Por, ndodhesh në një skenë shumë më të madhe, ti nuk e sheh spektatorin, por e ndien që ai është atje, i pranishëm, duke pritur lajmin e fundit. Atë ditë pata emocione të veçanta, sepse ishte dita e fundit në një profesion që e dua fort, ishte komunikimi i fundit me audiencën e Zërit të Amerikës.
Si kanë qenë këta 20 vjet për ju në VOA, si kishit filluar dhe si arritët që për shumë vjet të jeni zëri me të cilin identifikohej VOA tek shikuesit dhe dëgjuesit e saj në trevat shqiptare, në Kosovë, Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi dhe në SHBA?
Unë e kam thënë edhe herë tjetër, e quaj veten me fat që m`u dha rasti të punoja në një medie prestigjioze, siç është Zëri i Amerikës. Ka qenë një punë që e kam bërë me shumë pasion, ngaqë gazetaria ka qenë profesioni im i preferuar, por edhe ngaqë e kam konsideruar si një punë që lidhej ngushtë me zhvillimet dhe fatet e kombit shqiptar. Në këta 20 vjet kam pasur rastin të raportoj për ngjarje me rëndësi historike: lufta e Kosovës, kriza e refugjatëve, bombardimet e NATO-s në Serbi, më pas pavarësia e Kosovës, njohja e shtetit të ri të Kosovës nga Shtetet e Bashkuara e më pas nga vende të tjera; transformimet demokratike në Shqipëri, pranimi i Shqipërisë në NATO, lumnimi e shenjtërimi i Nënë Terezës, përpjekjet dhe fitoret e njëpasnjëshme të shqiptarëve të tyre në Maqedoninë e Veriut në fushën e të drejtave, përpjekjet e shqiptarëve të Malit të Zi për të fituar të drejtën e përfaqësimit në politikën e vendit... Në jetën e Shteteve të Bashkuara, ngjarje si 11 shtatori dhe pasojat e sulmeve terroriste në politikën ndërkombëtare, luftërat në Irak e Afganistan, kriza e refugjatëve në Siri, zgjedhjet presidenciale amerikane... zbulime të rëndësishme në fushën e shkencës dhe teknologjisë...
Cilat kanë qenë elementet përcaktuese që kanë ndikuar në karrierën tuaj të suksesshme si gazetare?
Mendoj se ka luajtur rol pasioni im i hershëm për gazetarinë, bindja se integriteti dhe objektiviteti në raportim janë elemente kyç të gazetarisë së ndershme. Natyrisht që të qenit pjesë e një medie me besueshmëri të lartë, ka luajtur një rol të rëndësishëm.

U rrita duke pasur si model prindërit

A keni pasur ndonjë emër model nga bota e gazetarisë (shqiptare apo botërore) të cilit keni dashur t`i ngjani për nga profesionalizimi dhe dedikimi për gazetarinë e mirëfilltë?
Nuk mund të them se kam pasur ndonjë model të veçantë në gazetari; natyrisht, që kam ndjekur me interes shumë gazetarë të njohur amerikanë e anglezë si Larry Kingun në intervistat e tij. Më ka pëlqyer mënyra se si i formulonte pyetjet, shkurt e të drejtpërdrejta. Po ashtu, kam ndjekur me interes intervistat e gazetarëve të njohur Barbara Walters, apo Pierce Morgan, analizat për ngjarjet e ndryshme ndërkombëtare të Christine Amanpourit... Por, mund të them se vazhdimisht kam pasur si shembull dy prindërit e mi: babai im ishte Drago Siliqi, gazetar, poet, kritik letrar, botues, drejtor i Shtëpisë së vetme botuese në Shqipëri, asaj "Naim Frashëri". Im atë fatkeqësisht u nda nga jeta shumë herët, në moshën 33-vjeçare. Nëna ime ishte Drita Siliqi, profesoreshë letërsie në Universitetin e Tiranës, po ashtu gazetare e kryeredaktore në revistën "Shqiptarja e Re". Babanë nuk kam pasur fatin ta njoh, pasi isha më pak se dy vjeç kur u nda nga ne, por nëna ime, Drita, ka qenë për mua shembull për etikën e punës, ndershmërinë dhe integritetin njerëzor që e karakterizonte. Pikërisht fakti që unë u rrita në një shtëpi me shumë libra, ku bisedohej për letërsinë, artin, gazetarinë dhe hynin miq të shumtë të prindërve të mi nga kjo fushë, zgjoi ëndrrën time të fëmijërisë për t`u bërë gazetare dhe më pas e bëri atë realitet.

Cili ka qenë lajmi më i vështirë për ta kumtuar gjatë karrierës suaj si gazetare dhe cili më i gëzuari, të cilin do të donit ta ndanit me lexuesit e "TEUTA"-s?
Lajmi më i vështirë ka qenë në ditën e sulmeve terroriste të 11 shtatorit. Sulmet ndodhën rreth orës 9 të mëngjesit dhe emisioni ishte në orën 12, akoma nuk diheshin hollësi për sulmet, i gjithë Uashingtoni zyrtar u boshatis pas sulmeve në Pentagon, që ndodhej shumë pranë zyrave tona, ne gazetarët e Zërit të Amerikës qëndruam për të raportuar... Lajmi më i gëzuar ishte kur njoftova në emisionin "Ditari" shpalljen e pavarësisë dhe njohjen e Kosovës nga Shtetet e Bashkuara: deklarata e Departamentit të Shtetit doli gjatë emisionit tonë, kolegët ma sollën në studio me nxitim dhe e lexova me shumë emocione drejtpërdrejt për teleshikuesit. Ishin momente historike...
Përtej profesionit të gazetarisë dhe VOA-s, cila është familja juaj, profesionet e anëtarëve të familjes, ku jetoni?
Unë jam e martuar prej 36 vjetësh me bashkëshortin tim, Gjergj Konda dhe kemi dy djem, Tedin dhe Martinin. Gjergji është ekonomist me profesion dhe në Shqipëri ka mbajtur pozicionin e ministrit dhe zëvendësministrit të ekonomisë; në fillimin e viteve 1990 ka qenë pjesë e ekipit që vuri në zbatim reformat për liberalizimin e ekonomisë, stabilitetin makroekonomik dhe ndërtimin e institucioneve të tregut në Shqipëri. Në SHBA ai ka punuar si ekonomist i lartë në IFC (pjesë e Bankës Botërore). Djemtë punojnë në fushën e programimit dhe teknologjisë së informatikës.
Kur dhe si keni shkuar në SHBA, cili ishte motivi i shkuarjes atje, rruga dhe zhvillimi juaj profesional?
Familja jonë erdhi në SHBA në vitin 1995, kur Gjergji filloi studimet për Master në Ekonomi në Universitetin Columbia në Nju-Jork. Fillimi i jetës në një vend të ri, është i vështirë. Por, SHBA-të janë një vend që ta lehtëson integrimin në shoqëri, sidomos fëmijëve. Këtu njeriu nuk e ndien veten të huaj, pasi Amerika është vendi i emigrantëve. Unë fillimisht dhashë mësime të gjuhës angleze për emigrantët dhe më pas të gjuhës shqipe për diplomatë amerikanë. Kisha aplikuar ndërkohë për punë te radio Zëri i Amerikës, ku fillova punë në tetor 1998, që koincidon me trazirat në Kosovë. Kam mbresa të veçanta nga ajo kohë. Shërbimi shqip i Zërit të Amerikës i shtoi programet: nga tri emisione në ditë, për disa kohë ne i dyfishuam ato, si dhe hapëm një linjë telefonike 24 orë në ditë, ku refugjatët linin mesazhe për familjarët e tyre, me të cilët kishin humbur lidhjet gjatë luftës. Në nëntor të vitit 1999, Zëri i Amerikës në shqip filloi emisionin e parë televiziv "Ditari" dhe unë, së bashku me kolegun Elez Biberaj, në atë kohë shef i shërbimit shqip të Zërit të Amerikës, ishim prezantuesit e parë të emisionit. Shpejt, "Ditari" u bë një emision me shikueshmëri të lartë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe, me fillimin e transmetimit të emisionit në internet, në shumë vende të tjera të botës, kudo ku kanë emigruar shqiptarët. Unë kisha pasur eksperiencë si gazetare te "Zëri i rinisë" në Shqipëri, duke qenë pjesë e shtypit të shkruar, ku kontakti me audiencën nuk është i drejtpërdrejtë; te Zëri i Amerikës kontakti ishte i drejtpërdrejtë. Isha e ndërgjegjshme që lajmet tona ndiqeshin me shumë interes, falë zhvillimeve në rajon dhe audienca e "Ditarit" priste me padurim të njihej me qëndrimin e Uashingtonit për zhvillimet e ditës. Kjo ma shtonte ndjenjën e përgjegjësisë në përgatitjen dhe prezantimin e emisionit. Zëri i Amerikës, fillimisht si radio e më pas si televizion dhe medie digjitale, gjatë më tepër se 7 dekadave ka fituar reputacion të lartë si një medie serioze, që e pasqyron realitetin me objektivitet dhe paanshmëri. Pavarësisht nga bindjet personale, pikërisht këtë moto përqafova unë gjatë 20 vjetëve të karrierës sime te Zëri i Amerikës.
Kemi dëgjuar që bashkëshorti juaj ka pasur të afërm të tij të cilët kanë jetuar që më parë në SHBA, a mund të na rrëfeni pak për këto lidhje dhe ndikimin e tyre që ju të shkoni në SHBA?
Po, të dy gjyshërit e Gjergjit kanë qenë emigrantë në Amerikë në fillim të shekullit të 20-të. Gjyshi nga nëna, Dhimitër Skënde, u kthye në Shqipëri në vitet `20, ku krijoi familje dhe u vendos në fshatin e tij të lindjes, Dardhë e Korçës, ndërsa gjyshi nga babai, Gaqo Konda (Gjoleka), qëndroi më gjatë në SHBA. Ai u bë një biznesmen i suksesshëm, u lidh me lëvizjen shqiptare për pavarësi dhe punoi në Boston, krahas me patriotë të njohur, si Fan Noli, Faik Konica e të tjerë. George Konda, siç njihej në SHBA, u bë menaxheri i parë i gazetës politiko-patriotike "Dielli", me editor Fan Nolin. Gazeta ishte organ i shoqatës "Besa besën", që kishte në programin e saj pavarësinë e Shqipërisë. Artikujt e tij në gazetë nënshkruheshin me pseudonimin "Gjoleka", për të shmangur pasojat që familja e tij mund të kishte në Shqipëri nga administrata otomane. Babai i Gjergjit, Vangjeli, lindi në SHBA dhe pas një vizite me të ëmën në Shqipëri, mbetën atje për shkak të luftës. Kështu që familja jetoi e ndarë për shumë dekada, deri në kthimin përfundimtar në Shqipëri të Gaqo Kondës, në vitet `60. Kjo lidhje familjare me SHBA, i dha Gjergjit pasaportën amerikane në vitin 1991, duke bërë të mundur edhe ardhjen në SHBA të familjes sonë.

Cila është Laura Konda jashtë petkut të gazetares, si bashkëshorte, si nënë...?
Për mua familja është gjëja më e shtrenjtë në jetë. Kam pasur fatin të kem në krah një bashkëshort që ka qenë njëkohësisht miku im më i mirë dhe që më ka mbështetur gjatë gjithë jetës familjare dhe karrierës sime si gazetare. Djemtë tanë, Tedi dhe Martini, janë sot dy profesionistë të mirë në fushën e kompjuterëve, janë dy djem shqiptaro-amerikanë, të cilët janë integruar plotësisht në jetën amerikane, por që nuk i harrojnë rrënjët e tyre shqiptare. Unë dhe Gjergji ndihemi krenarë për ta.
Nëse do të mund të bënit një krahasim lidhur me pozitën e gruas në SHBA me atë në Shqipëri e Kosovë, a keni vërejtur dallime të theksuara dhe, sipas jush, a mund të zbuten ato?
Pozita e gruas lidhet shumë me zhvillimin e shoqërisë. Një vend i zhvilluar, me institucione dhe ligje demokratike, siguron edhe barazinë gjinore. Shtetet e Bashkuara, edhe pse janë shteti më i pasur në botë, nuk janë në krye kur është fjala për pozitën e gruas në shoqëri. Edhe pse këtu ligjet sanksionojnë barazinë gjinore e ka numër të madh grash kongresiste, senatore, shkencëtare, udhëheqëse biznesesh të fuqishme, statistikat tregojnë se gratë ende nuk vlerësohen njëlloj me burrat për punë të njëjtë. Shqipëria e Kosova janë ende në procesin e hartimit dhe përmirësimit të ligjeve që lidhen me të drejtat e gruas. Por, mendoj se duke pasur parasysh kulturën maskiliste që ka predominuar në këto vende, ka pasur arritje të rëndësishme në këtë drejtim: Kosova pati një grua presidente dhe ka sot një numër grash politikane me influencë; Shqipëria, po ashtu, ka mjaft gra në politikë: deputete, ministre, ambasadore... Megjithatë, ende këto vende kanë një rrugë të gjatë për të bërë.

Në dhjetor 2019, Unioni i Gazetarëve Shqiptarë ju nderoi me Çmimin e karrierës për rezultatet profesionale në punën këmbëngulëse shumëvjeçare. Çfarë do të thotë për ju një çmim i tillë, dhe cila ishte ndjenja gjatë pranimit të këtij çmimi në Prishtinë?
Unë u ndjeva shumë e nderuar me marrjen e Çmimit të Karrierës në Gazetari, pasi ishte një vlerësim i punës sime shumëvjeçare nga Bordi i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, një grup profesionistësh të fushës së gazetarisë. I falënderoj edhe një herë me mirënjohje për nderimin që më bënë.
Pas përmbylljes së një 20-vjeçari të punës në VOA, me çka do të merret Laura Konda më tutje?
Tani për tani jam duke punuar për botimin e një përmbledhjeje me poezi dhe kritika letrare të babait tim, Drago Siliqi. Së bashku me Gjergjin, i cili gjithashtu e përmbylli karrierën e tij shumëvjeçare në Bankën Botërore, tani jemi më të lirë të bëjmë gjëra, të cilat mungesa e kohës së lirë nuk na kishte dhënë mundësi t`i bënim më parë.

© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
Teuta Magazine

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, riprodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.com  www.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version