Ti je ketu: Ballina > Aktuale > Zonjat me stil
Zonjat me stil

Zonjat me stil

 

Jua paraqesim katër gra të suksesshme, të cilat mendojmë se kanë lindur me gjenin e stilit.

Shkruan Blinera Gashi
Foto Ridvan Slivova


RESMIJE KRYEZIU
Shkencëtare, 72 vjeçe

Kombinimet e veshjes së shkencëtares Resmije Kryeziu, asnjëherë nuk kanë kaluar pa u vërejtur, ngase stili i saj përherë ka qenë interesant. Ajo gjithmonë ka qenë shumë elegante. Nuk është frikësuar asnjëherë të krijojë kombinime sipas trendëve të kohës. Ajo di, vërtet, se çfarë i përshtatet, ndaj arrin të veçohet me një veshje moderne. E cilëson eleganca, si në sakot klasike ashtu edhe në kombinimet magjepsëse të modës, me elemente relaksuese. Stili i saj personal mund të përshkruhet i sofistikuar, modern dhe energjik. Sekreti i Resmijes? - Nuk kam kreator, studioj tërë jetën estetikën dhe më mjafton shija ime që t’ia përshtat veshjen pamjes sime, moshës dhe profesionit. Blej kostume të gatshme sa herë jam jashtë vendit dhe sa herë e gjej masën time, por preferoj edhe të qep, blej materiale italiane, zgjedh modelin nga revistat e modës dhe qepjen ma realizon shumë bukur rrobaqepësi im, Ymeri, me të cilin bashkëpunoj qe katër dekada. Në mungesë të Ymerit, kostume të bukura më kanë realizuar Xeni dhe Mullaademi nga Gjakova. Pëlqej ngjyrën e bardhë, kafe dhe bezh, si dhe të zezën. Aksesorët plotësojnë veshjen time, prandaj: shallet, stolitë e argjendit, filigran të vjetra, si dhe stolitë në bakër, shumë të vjetra, janë pjesë e imazhit tim, këto më plotësojnë gardërobën e verës. 


  

JASMINA TOLAJ
Gjinekologe

Doktoresha e Klinikës Universitare të Prishtinës, Jasmina Tolaj, përherë ka qenë frymëzuese e botës moderne. Ajo gjithashtu mund të konsiderohet model unik në stilin e të veshurit, ngase ka sens të lartë për mënyrën e kombinimit të gardërobës, për këtë nuk ka dyshim. Stili i Jasminës është kombinimi më i mirë i mundshëm mes elegantes dhe sportives, është e habitshme sa bukur arrin të kombinojë personalitetin e saj me veshjen e përditshme, por edhe në raste të veçanta. Edhe pse nuk pëlqen që gardërobën e saj ta shoqërojë me bizhuteri, thjeshtësia e mënyrës së veshjes tregon ndjenjën e lindur të stilit dhe zbulon kënaqësitë në raport me modën. Eleganca është arma më e fortë e Jasminës, projektueses së imazhit të saj modern.
- Për mua, në çdo periudhë të jetës sime, ka qenë e rëndësishme si të vishem dhe si të paraqitem në rrethin ku jetoj, sepse me stilin e veshjes femra tregon personalitetin dhe kulturën e saj. Stili im i veshjes në punë është elegant, jo provokues, ndërsa jashtë punës preferoj stilin sportiv, por dhe kur jam në shtëpi dua të dukem bukur, në veshje praktike dhe atraktive. Veshjet sportive (tutat, atletet) janë pjesë vetëm e palestrës dhe askund tjetër. Ndërkaq, fustanet janë veshja ime e preferuar, sidomos në stinën e verës, me ngjyra të lehta, me gjatësi deri në gjunjë apo mbi gjunjë, por kurrsesi shumë të shkurtra. Fustanet tregojnë femërsinë dhe bukurinë te një femër, prandaj i dua shumë.
 

 

BURBUQE RUSHITI
Gazetare, 56 vjeçe

Buqja është e njohur për raportimet interesante dhe shkrimet emocionuese. Por ajo ka sens edhe për fusha të tjera jashtë gazetarisë. Stili personal konsiderohet një ndër faktorët e mrekullueshëm të saj. Buqja nuk është ndikuar nga tendencat e modës, por nga ndjeshmëria e lirë e krijimit të stilit personal. Ka diçka autentike dhe inteligjente rreth mënyrës së veshjes së saj. Ajo duket e qetë, e rehatshme dhe e sigurt në ato që mban. Pëlqen fustanet, por mban edhe xhinse, sako dhe peliçe. Gjithashtu adhuron stolitë, të cilat janë pjesë e pandashme e stilit të saj, por ato janë aksesorë të mëdhenj bashkëkohorë, për të cilat ajo e ka shijen e veçantë. Buqja stilin e saj e përshkruan unik, i cili reflekton botën e saj, dhe i cili anon nga klasikja e elegantja deri tek sportivja, por që çdoherë këto stile frymojnë me elemente folklori si dhe me elemente nga Lindja apo edhe nga Amerika Latine. I pëlqen ngjyrat pastele, por mbi të gjitha adhuron ngjyrën e kuqe dhe konsideron se është pjesë e saj.
-Dashurinë ndaj së kuqes si duket e kam nga nana, sepse, kur kam qenë e vogël, ajo shpesh më ka veshur në këtë ngjyrë. Pëlqej kreatorin botëror Valentino, por unë gjej gjëra shumë të pëlqyeshme edhe në `Forever 21`. Yves Saint-Laurent me shumë të drejtë thotë se `Moda zbehet, ndërsa stili është i përjetshëm`. Për mua shpirti i njeriut reflektohet edhe në stilin e veshjes. Shpirti yt i jep jetë veshjes sate. Nëse njeriu mundohet të dalë jashtë kësaj, atëherë krijohet diçka që është e panatyrshme, kur ti nuk je më ti.
 

 

SHPRESA GASHI
Këngëtare, 67 vjeçe

Përveç që është pjesë e komunitetit të artit për një jetë të tërë, Shpresa Gashi është e njohur për stilin e saj të veçantë. Çdoherë është veçuar me kombinimet të cilat janë parë rrallë dhe janë pëlqyer pa masë nga të tjerët. Konsiderohet projektuese e pazëvendësueshme e kombinimeve unike, të cilat di t’i bëjë vetëm ajo. Mënyra e saj e veshjes i tejkalon parashikimet e modës, porse të veçantë e bëjnë detajet. Stili i Shpresa Gashit pasqyron botën e saj artistike. Ajo pëlqen varëse skulpturore, që janë unike, bashkëkohore dhe të veçanta, stili i saj ka gjëra të pazakonta, prandaj gjithmonë ka të papritura. Ajo vërtet pëlqen të kombinojë pamjen e saj të jashtme me gardërobën që zgjedh, dhe ka besim në atë çka mban, që është çelës i pamjes elegante. Shpresa, e cila me dekada gëzon statusin e ikonës, së gruas më të veshur, modën e përshkruan si rotacion, i cili sillet dhe pas 20-30 vjetësh sërish kthehen gjërat e njëjta, por me detaje të vogla ndryshimi. Veshjet të cilat i blen nuk i përdor si të tilla, por ndërhyn dhe u jep imazhin e saj. Vazhdon të kultivojë stilin e dikurshëm, por me korrigjime të cilat ia imponon mosha. Dhe porosit: Është mjeshtëri që femra të dijë të fshehë defektin e të dijë të zbulojë atributin e trupit të saj. 

© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
264

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, rirodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT 2017 TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.net  ww.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version