Ti je ketu: Ballina > Shëndeti > Fëmijët e stresuar dhe në ankth
Këndi i psikologut
Fëmijët e stresuar dhe në ankth
Nga shumë studime shkencore, të bëra në shkolla, dhe nga deklaratat e arsimtarëve e të prindërve, është konstatuar prania e theksuar e stresit, frikës dhe formave të ndryshme të ankthit te fëmijët dhe adoleshentët në shkollë. Shkaqet e tyre lidhen kryesisht me frymën e theksuar garuese në shkollë, me stërngarkimin e nxënësve, me problemet në familje, konfliktet ndërmjet prindërve, kufizimet financiare etj.

Dr.Neki Juniku, psikolog

Në anën tjetër, prindërit me këmbëngulje kërkojnë që fëmijët të jenë të suksesshëm në mësim, kreativë dhe të avancuar në komunikim! Është e qartë se këto kërkesa janë joreale dhe të vështira për t’u realizuar nga fëmijët dhe e tërë kjo tek ata sjell stres dhe ankth.
Ankthi konsiderohet shkak dhe pasojë e suksesit të dobët në mësim. Stërngarkimi shkakton rraskapitjen dhe ankthin, e rezultat i tyre është suksesi i dobët, që sjell përsëri ankth. Ankthi vështirëson përqendrimin e vëmendjes, zgjidhjen e testeve dhe e tëra përfundon me rënie të motivacionit për mësim, sjellje agresive, izolim social dhe ikje nga shkolla.
Përveç intervenimit klinik psikoterapeutik, ekzistojnë shumë mundësi të tjera për shkollën, arsimtarët dhe prindërit, që t’u ndihmojnë fëmijëve të mësojnë t’i përballojnë frikën, ankthin dhe stresin. Këtu është fjala për atë që të sigurohen rrethana më të volitshme të punës dhe jetës në shkollë dhe në familje (ndërtimi i komunikimit të përshtatshëm, tolerancës, koha e bollshme për mësim të qetë dhe pa presion me rastin e zgjidhjes së testeve, më shumë kohë dhe mundësi për argëtim dhe relaksim).
Po kështu, ekzistojnë edhe disa teknika, të cilat mund t’i mësojnë fëmijët për arritjen e relaksimit, me qëllim të reduktimit të stresit dhe ankthit, ndërtimit të qëndrimeve, ndjenjave dhe sjelljes pozitive (teknika e relaksimit progresiv të muskujve, ushtrimi i frymëmarrjes së thellë apo diafragmike, imagjinimi dhe meditimi).

Ja edhe disa udhëzime praktike për t’u ndihmuar fëmijëve në reduktimin e ankthit dhe stresit:
1. Me situatat frikësuese, fëmijët duhet të ballafaqohen, sepse, duke ikur nga to, për një kohë të shkurtër ata do të ndihen më mirë, por frika dhe ankthi do të fuqizohen edhe më shumë;
2. Stresin dhe ankthin e fëmijëve s’bënë ti injorojmë, por as edhe t’i stërmadhojmë; fëmijët e frikësuar duhet t’i dëgjojmë me vëmendje dhe ndaj tyre të shfaqim empati, “të hyjmë në lëkurën e tyre”, t’i inkurajojmë në përballimin e frikës, duke i siguruar për gatishmërinë tonë që t’u ndihmojmë;
3. Te fëmijët duhet inkurajuar tolerimi i ankthit, sepse, me kalimin e kohës, ai do të bjerë;
4. Me shembullin personal duhet të tregojmë mënyrën e shëndoshë të përballimit të frikës e të ankthit dhe të shfaqjes së kënaqësisë që “ia dolëm” në kapërcimin e tyre;
5. Fëmija duhet bindur se nuk është e domosdoshme të jetë i përsosur, por duhet ndërtuar edhe gatishmëria e pranimit të gabimeve dhe lëshimeve;
6. Theksojeni gjithmonë pozitiven - “gotën gjysmë të mbushur e jo gjysmë të zbrazët”;
7. Planifikoni aktivitete relaksuese; lojën, këngën, vallëzimin, sportin, jo vetëm për hir të garës, por edhe të kënaqësisë;
8. Afirmoni afërsinë, shoqërimin, tolerancën dhe kujdesin për veten;
9. Cilëndo sjellje, qoftë ballafaqimin me situatat frikësuese, qoftë ikjen nga ato, fëmijët e mësojnë duke i vëzhguar prindërit, prandaj shfaqeni sjelljen e duhur;
10. Përkraheni dhe përforcojeni sjelljen e guximshme, përmes lavdërimit dhe shpërblimit të fëmijës sa herë tregohet i guximshëm;
11. Inkurajojeni shfaqjen e emocioneve (frikës, brengosjes), e jo fshehjen e tyre dhe dëshmoni gatishmëri për të biseduar lidhur me to;
12. Ruajini stabilitetin dhe gjakftohtësinë; për t’i ndihmuar fëmijës në reduktimin e ankthit, duhet menaxhuar ankthi juaj (ngadalësojeni të folurit, merrni frymë thellë, rregullojeni shfaqjen e fytyrës);
13. Në rastet e frikës dhe ankthit te fëmijët, ndihmoni aplikimin e teknikave relaksuese, të përmendura më parë (frymëmarrjen e thellë, qetësimin, meditimin).

© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
Teuta Magazine

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, riprodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.com  www.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version