Ti je ketu: Ballina > Aktuale > Gratë që po ndryshojnë Kosovën
Gratë që po ndryshojnë Kosovën
Avancimi i grave në pozita udhëheqëse është rruga më e shpejtë për të përmirësuar ekonominë dhe imazhin e vendit.

Gratë vizionare, të cilat shquhet për profesionalizmin e tyre, janë burim i përparimit dhe zhvillimit të drejtë të shtetit. Me qëllim të ndikimit në rritjen e numrit të grave në pozita ekzekutive dhe të përmirësimit të pozitës së tyre shoqërore, në vazhdim jua prezantojmë gjashtë zonja të shquara dhe tejet të guximshme, të cilat nuk ndaluan asnjëherë për arritjen e synimeve të tyre, por kokëlartë dhe me shumë profesionalizëm i tejkaluan sfidat me të cilat u ballafaquan.  

Blerina Gashi

 

Justina Shiroka - AVANCIMI I GRUAS 

Ndonëse është bërë përparim i dukshëm në avancimin e profesionistëve të gjinisë femërore, gratë vazhdojnë të ballafaqohen me pengesat gjinore dhe pabarazi gjatë punës në fushën e ekonomisë. Zonja Justina Shiroka, profesoreshë universiteti dhe anëtare e Akademisë së Shkencave të Kosovës, përherë ka qenë zë i fuqishëm për ndryshimin e politikave dhe favorizimin e grave në vendimmarrje ekonomike. Si një grua profesioniste, përherë ka besuar se arsimi i vajzave është mënyra e vetme dhe më efektive për të përmirësuar jetën individuale, ngase mungesa e arsimit kufizon perspektivën dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

 

Jasmina Tolaj - ZONJA E TALENTUAR

Kujdesi për shëndetin e grave nga një specialist është tejet i rëndësishëm. Ndërkaq, përtej aftësive personale, gjithashtu afërsia e mjekut dhe prirja për të komunikuar me pacientin luan rol të rëndësishëm. Hulumtimet tregojnë se këta dy komponentë, që i posedon Dr. Jasmina Tolaj, gjinekologe, pa dyshim kanë bërë që ajo të shquhet si një nga specialistet më të njohura të Klinikës Gjinekologjike në Prishtinë. Orari i gjatë dhe puna me intensitet të lartë asnjëherë nuk e kanë zmbrapsur doktoreshën e shkathët, të diplomuar në Bashkimin Sovjetik, ngase ajo me shumë profesionalizëm, entuziazëm dhe kurajë ia ka dalë mbanë, duke i kapërcyer të gjitha pengesat.

 

Valdete Daka - KRYETARJA DINAMIKE

Ndonëse lista e emrave të gjinisë femërore që mbajnë pozita shtetërore, aktualisht është tejet e vogël në Kosovë, megjithatë, në mesin e zonjave të fuqishme, veçohet zonja Valdete Daka, e cila për shumë vjet suksesshëm po drejton Komisionit Qendror Zgjedhor në vend dhe shquhet si një udhëheqëse dinamike në një botë të sfidave të barazisë gjinore. Ajo ka arritur me shumë profesionalizëm të kapërcejë pengesat përmes aftësive udhëheqëse të menaxhimit, ndaj ia ka dalë mbanë, si grua drejtuese profesioniste në një sektor me përgjegjësi të rëndësishme të vendimmarrjes.

 

Sihana Badivuku - ZONJA E MUZIKËS KLASIKE

Emër i njohur i skenës kosovare, Sihana Badivuku, është ndër femrat më të shquara dhe më të njohura për violinë, falë aftësive dhe talentit të saj të mrekullueshëm. Violiniste bashkëkohore, e cila vazhdon traditat e mëdha klasike të epokave muzikore dhe sjell muzikën e tyre në ditët moderne. Profesioniste, e cila ka punuar shumë dhe ka arritur suksesshëm të bëhet violiniste e klasit botëror. Sihana pa diskutim është frymëzim për çdo të ri i cili dëshiron të bëhet një violinist profesionist.

 

Besa Llugiqi - SHARMI OPERISTIK

Lista e këngëtarëve të suksesshëm kosovarë të operës, përmban emra të shquara dhe të njohur të gjinisë femërore. Besa Llugiqi, pa dyshim është një nga këngëtaret e famshme, e cila suksesshëm ka depërtuar në skenën operistike. Aftësia e saj e të kënduarit ka nxjerrë në pah shkathtësitë artistike, për të cilat këngëtarja është angazhuar që të arrijë nivel të lartë dhe të njihet ndërkombëtarisht. Ajo zotëron zë të bukur dhe të fuqishëm, ndaj kritika e vlerëson përherë në superlativ. Sopranoja me zërin e saj ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në avancimin e zhanrit operistik në skenën kosovare.

 

Dhurata Hoxha - AVANCIMI I GRUAS NË POLITIKË

Pjesëmarrja e grave në politikë është një parakusht themelor për barazinë gjinore dhe demokracinë e vërtetë. Ndonëse përfaqësimi i grave në këto pozita udhëheqëse nuk është i kënaqshëm, njëra nga zonjat e reja, e cila po tejkalon suksesshëm barrierat me të cilat ballafaqohet dhe po shquhet për karrierë politike është Dhurata Hoxha, ministre e Integrimit Evropian. Përmes pozitës aktuale në të cilën ndodhet, ajo ka pasur ndikim të fuqishëm në vendimet që mund të jenë me peshë në rrjedhën e historisë kosovare.

© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

 

#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
275

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, riprodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT 2017 TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.com  www.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version