Ti je ketu: Ballina > Aktuale > Dashuri të mëdha
Dashuri të mëdha
Nuk është me rëndësi në cilin vit, as në cilin meridian janë takuar këta njerëz. Këto çifte janë arsyeja për konceptin tonë romantik të dashurisë. Kur ndodhën këto dashuri, ata e pranuan verbërisht njëri-tjetrin, pa marrë parasysh normën, rrethanat ose pengesat. Ata dhanë gjithçka dhe sakrifikuan çdo gjë për të qenë së bashku. Këto çifte nuk janë një shembull, por një përkufizim i dashurisë së vërtetë!

Inva Mula dhe Hetem Ramadani
Ishte një dasmë në Izrael, në të cilën ishin të ftuar të dy personalitetet, vendi ku për herë të parë u takuan sopranoja Inva Mula dhe Hetem Ramadani. Mbase dashuria mes tyre lindi menjëherë, meqë, nga kjo darkë, të dy u ndanë të fascinuar, megjithatë, kishin disa sfida, të cilat duhej tejkaluar, përpara se të nisnin një lidhje serioze. Kur në fund u bashkuan, ky fakt për shumëkënd u duk i çuditshëm. Sido që të jetë, bashkëjetesa shumëvjeçare e biznesmenit kosovar me sopranon tiranase është një nga tregimet më të mëdha të dashurisë.

 

Anila dhe Ardit Gjebrea
Ikona e muzikës shqiptare, Ardit Gjebrea, ishte thellësisht i dashuruar me Anilën, pothuajse në shikim të parë. Ky çift është një nga tregimet më të mëdha dhe më intensive të dashurisë. Pas njohjes, dashuria e tyre shumë shpejt do të kurorëzohej për faktin se çifti tanimë prisnin një fëmijë. U përfol se gjatë gjithë këtyre viteve lidhja e tyre kishte batica dhe zbatica të shumta. Nuk munguan ditët e lumtura, por duket se edhe krizat ishin të pranishme, ndonëse ata përherë kishin vullnetin t’i jepnin gjithmonë një mundësi të re marrëdhënies së tyre. 

 

Maria dhe Behxhet Pacolli
U takuan rastësisht një ditë pune në Bashkimin Sovjetik. Më pas intensifikuan kontaktet dhe shumë shpejt lidhja e tyre mori një dimension të ri. U martuan në heshtje, pa shumë bujë. Maria Pacolli, vajza nga Leningradi, me shumë kënaqësi pranoi ta lidhte jetën e saj me biznesmenin kosovar, Behxhet Pacolli, ndaj pa asnjë mëdyshje thotë se –‘Kam takuar një njeri të mrekullueshëm, që më vonë është bërë burri im e më pas babai i 4 fëmijëve tanë shumë të bukur’. Shtatlarta sharmante pa mëdyshje është një grua elegante, tejet e afërt, e cila reflekton kulturë të lartë njerëzore.

 

Lumnije dhe Hashim Thaçi
Martesa e tyre ishte pa shumë zhurmë e bujë. U njohën në vitin 1993, atëherë kur Lumnija kishte nisur studimet në Universitetin e Prishtinës, ndërsa Hashimi ishte në përfundim, para diplomimit. Lidhja e tyre zgjati disa vjet, derisa ata vendosën të martoheshin, në vitin 1997, atëherë kur Lumnija niset për në Zvicër, atje ku ishte vendosur për të jetuar përkohësisht Hashim Thaçi. Nuk kishin as dasmë të madhe, as fustan nusërie dhe as shumë të ftuar, e tëra e kësaj ceremonie ishte vajtja e saj në mërgim. Kështu nisën jetën e tyre bashkëshortore presidenti aktual i Kosovës dhe zonja e parë e vendit.

 

Leonita dhe Granit Xhaka
Futbollisti i famshëm prishtinas, Granit Xhaka, i cili ka bërë për vete miliona adhurues të futbollit në mbarë botën, është një djalë tejet rigoroz dhe i disiplinuar, i cili nuk lë anash as jetën private. Pranë tij përherë qëndron bashkëshortja e tij sharmante, Leonita – e cila po ashtu është nga një familje kosovare, me të cilën u takua për herë të parë kur Graniti luante për klubin e tij gjerman, ndërsa Leonita në atë kohë po punonte për ekipin e Bundesligës. Në fakt, zeshkania mahnitëse shkaktoi një stuhi, kur në medie u shfaq për herë të parë përkrah futbollistit sharmant. Dashuria e tyre ishte aq e fortë, saqë shumë shpejt pas takimit të tyre të parë ata zyrtarizuan lidhjen e tyre.

© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
274

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, riprodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT 2017 TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.com  www.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version