Ti je ketu: Ballina > Moda > Luante me modën dhe me meshkujt
COCO CHANEL
Luante me modën dhe me meshkujt
E lindur në Saumur të Francës më 1883 si Gabriele Chanel, më vonë e quajtur Coco, si fëmijë ilegjitim, pas vdekjes të së ëmës, vendoset në jetimore, pastaj shkon në Moulin, ku mëson zanatin e qepjes. Ia fillon nga zeroja dhe arrin deri në maja. Më 1955 kreon kostumin e dëgjuar Chanel, i cili e bën të njohur në botë. – Stili, jam unë. I punoj rrobat që më pëlqejnë mua. Këtu qëndron e vetmja fshehtësi e suksesit tim – kështu e kishte publikuar recetën e vet të suksesit.

Gresa Drini

Në hotelin Ric të Parisit, valonin flamujt. Brenda, në një kënd, pranë zjarrit të kaminit, rrinte një çift jo i rëndomtë. Ajo, truphollë, me flokë të bukur, me sy të zinj si thëngjilli, me buzë të holla të grimosura me ngjyrë karmin, në moshën pesëdhjetë vjeçe. Ai biond, i gjatë, trup atleti, tip i bukur gjerman. Ishte ajo Coco Chanel, ndërsa ai Hans Gunther von Dincklage. Lidhja e tyre ishte më shumë se romancë. Ishte, në fakt, skandal i madh politik. Ky diplomat gjerman, me të cilin Coco Chanel po e ndante këndin e vet në hotelin Ric, ishte spiun. Si franceze, për t’u lakmuar, si patriote e vërtetë, gjatë okupimit nazist e kishte mbyllur shtëpinë e saj të modës në Rue Cambon, porse Hansin, trumcakun e saj, siç po e thërriste, e konsideronte si refugjat. – Kur një grua e moshës sime ka fat të gjejë dashnor, nuk mund të pritet nga ajo që t’ia kontrollojë dokumentet e udhëtimit – e arsyetonte më vonë veten.
I nevojitej dashnori, që të mund të mbijetonte. Femra, e cila nuk dashuron, thoshte, nuk është femër. Të merremi vesh: me rëndësi është ta dashurojnë, e jo të dashurojë. Prandaj, Coco, meshkuj që e shoqëronin, në jetën e saj, i mbante, në rend të parë, për të dëshmuar dhe për të vërtetuar femërsinë e saj. Për këtë qëllim ishte e gatshme madje edhe të gënjente dhe të vuante.
Coco Chanel, pa mëdyshje, ishte grua krejtësisht e veçantë. Mirëpo, nuk kishte lindur si e tillë dhe as që i është dhënë ndonjë gjë në pjatë. Famën e saj e ka ndërtuar vetë, me energjinë çuditbërëse. Olimpin e saj, në të cilin ishte ngjitur si një perëndeshë, vetë e ka ngritur. Vërtet, jo vetëm me kujdesin dhe me këmbënguljen e saj, porse ndonjëherë, duhet pranuar, edhe me gënjeshtra dhe me dinakëri. Si një fëmijë ilegjitim i një çantaxhie dhe i një shërbëtoreje, shpejt do ta ketë të qartë se për të pasur sukses, duhet të luftojë vetë. Femra, e cila në atë kohë donte të bënte karrierë, e kjo atëherë ishte e rezervuar vetëm për meshkuj, detyrohet që pikërisht ata meshkuj t’i mundë me armë femrash.
Kishte fëmijëri të mjerueshme. Babanë, thuaja, as që e kishte parë – i kishte braktisur atë dhe të ëmën. – Nëna, ndërkaq, më kishte vdekur kur isha 6 vjeçe – rrëfente në moshën 12 vjeçe. Për ata 6 vjet, në mes të gënjeshtrave dhe të të vërtetave, me të ëmën në rrugë shiste sumbulla, penj dhe verë të lirë. Në moshën 19 vjeçe, Coco ditën punon në një lokal të veshjeve të brendshme, ndërsa natën këndon në një lokal. Aty, veç të tjerash, këndonte këngë sentimentale “Kush e ka parë Cocon”, që bënte fjalë për qenin e humbur të quajtur Coco, nga edhe e merr emrin e saj të mëvonshëm.
Ç’është e bukura, e përshtatshmja, elegantja, nuk kishte mësuar nga librat, por me vëzhgimin e kujdesshëm të çdo gjëje rreth vetes. – Luksi, e drejta, nuk është e kundërta e varfërisë, por e së rëndomtës, shpjegonte më vonë. Shpejt e kuptoi se çfarë u mungonte shumë femrave: instinkti se si te të tjerët të nxisin admirimin. Në kohën kur çdo gjë ishte në shenjë të stolive të begatshme, kur IN ishte stolia e tepërt, vëmendjen do të mund ta tërhiqte zvogëlimi i stolive. Në një shtëpi mallrash merr kapele të vogla, të lira kashte, të cilat i dekoron vetëm pakëz. Kjo ishte një kundërshti me kapelat e mëdha, në të cilat po “vendoseshin” kopshte të vërteta të vogla të luleve. Natyrisht, kapelat e saj zgjojnë kureshtjen dhe femrat, thjesht, nisin të vrapojnë pas tyre. Kështu fillon një karrierë e suksesshme, e madhe.
Le style c’est moi! – Stil jam unë, bëhet moto e saj. Qendra e botës së saj të modës ishte vetë ajo. – Po i punoj fustanet, që po më pëlqejnë mua. Këtu qëndron misteri i vetëm i suksesit tim – kishte zbuluar recetën e vet. Ajo që nuk i pëlqente asaj, e hiqte menjëherë nga modelet e saj. Në vend të teorive të thata feministe lidhur me lirinë dhe të drejtat e barabarta të femrave, ajo u ofroi femrave lirimin nga burgu, që po e bënin rrobat e tyre, në të cilat me shekuj ishin penguar.
Palltot e gjata e të përshtatshme dhe rrobat me xhepa për çelësa dhe për cigare, fundet, të cilat këmbëve u japin lirinë, fustanet që nuk shtrëngojnë... Dhe, në vend të shumë fustaneve, për shembull, propozon një të zi për çdo çast. Sepse, pohon, eleganca dhe praktikja nuk bën të përjashtohen. Këtë po e tregonte në çdo kreacion të saj.

Cocos nuk mund t’i afroheshe lehtë. Me myshterinjtë takohej rrallë personalisht, ndërsa në shoqërinë parisiene ishte si një sutë e druajtur, të cilën vështirë është ta shohësh, e lëre më ta zësh. Humbte në çastin kur këtë e dëshironte. Zor e kapshme. E gjakonin milionerët e fabrikantët, princërit e baronët. Ajo, ndërkaq, kënaqej me vënien e grackave, me zgjimin e shpresës së rreme, me lënien e gjurmëve të gabueshme... I mblidhte vardisësit mu si trofetë. Coco Chanel është sfingë! Kishte pohuar Uiston Çerçilli. E, dihet se sfinga është shumë e dëshirueshme. Madje e rrezikshme. Kush nuk i përgjigjej pyetjeve të saj, nuk i kënaqte dëshirat e saj, ai e humbte lojën dhe zhdukej. Coco kujdesshëm e kultivonte atë imazh të vetin prej sfinge. Nuk lejonte që ndjenjat e saj të bëheshin publike. Kur Boy Capel, i cili ia kishte mundësuar ngritjen shoqërore dhe i cili, sipas fjalëve të saj, ishte dashuria e jetës së saj, humb jetën tragjikisht më 1919, duke u përplasur me veturë për një dru, Coco do të vuajë shumë. Ndonëse fshehurazi.
Edhepse fëmijë i rrugës, Coco, megjithatë, gjithkujt po i linte përshtypje aristokrateje. Madje edhe aristokratëve të njëmendtë.
Duka i Uestministerit, i pasur me kështjella, por edhe me teka në kokë, gjunjëzohej para sharmit të saj. Cocos, ndërkaq, i pëlqente ekscentrizmi dhe jeta e tij luksoze. E bën për vete, mirëpo, mjerisht, edhe ai kishte një dëshirë shumë të zakonshme – të kishte trashëgimtarin. Coco nuk ishte kundër pasjes së fëmijës, porse ngarendja pas karrierës, për sa i përket amësisë, e çonte në qorrsokak. Pastaj, tashmë ishte tepër vonë. Te dyzetenjëvjeçarja, që, dorën në zemër, dukej si 35 vjeçe, trupi e di të vërtetën, ai nuk mund të mashtrohet. Kështu, këtë ofertë martesore të dukës i duhet ta refuzojë në mënyrë ngadhënjyese, duke i thënë: - Në Angli ka shumë duka. Ndërsa në botë ekziston vetëm një Coco Chanel.
Gjatë luftës së Dytë Botërore e mbyll shtëpinë e saj të modës në Paris dhe me diplomatin gjerman Hans Gynther von Dincklage shkon ekzil në Zvicër. Në moshën 70 vjeçe përsëri kthehet në Paris. Për të dytën herë bëhet perëndeshë e tij. Kontesha e re Marie-Helene Rotchild e kërkon për ndihmën e saj modore dhe përkrahjen. Këtë e bën me gjithë zemër, ndërsa rrobat që i kreon ia sjellin triumfin e ri. Suksesi, natyrisht, e kënaqte. Mirëpo, a ishte vërtet grua e lumtur? Ndoshta më së miri për këtë flet fakti se ajo kishte rojën e natës. Sepse, u frikësohej natës dhe të dielave, zbrazëtinë e të cilave nuk mund ta plotësonte me punë dhe me aktivitete. Coco Chanel vdes më 10 janar 1971, një të diel, natën. Ishte 87 vjeçe. E gjejnë në shtrat, në fustan të mëndafshtë të bardhë të gjumit, me fytyrë të qullur nga lotët. Sikurse ta kishte qarë vdekjen.
 

© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
269

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, rirodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT 2017 TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.com ww.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version