Ti je ketu: Ballina > Intervista > Babai na mësoi të thoshim `Rroftë Shqipëria`
Eliza Dushku
Babai na mësoi të thoshim `Rroftë Shqipëria`
Eliza Dushku konsiderohet aktorja më e njohur amerikane me prejardhje shqiptare, e cila përmes dokumentarit që i dedikoi vendit të shqiponjave, synoi të prezantojë anën më të bukur të Shqipërisë së panjohur. Ylli amerikan, në intervistën ekskluzive për revistën TEUTA, zbulon rregullat e arta për lumturi të përsosur...

Intervistoi Blerina Gashi
Fotografitë Fadil Berisha

Eliza, meqë flisni shqip, mund ta zhvillojmë bisedën në gjuhën shqipe apo do të komunikojmë në gjuhën angleze?
Përshëndetje! Po, unë flas disa fjalë në shqip, megjithatë unë do të përkushtohem që të mësoj më shumë në të ardhmen e afërt. Gjuhën shqipe e kanë folur gjyshërit e mi. Gjuha angleze ka qenë gjuha e dytë e babait tim. Ai në shkollën fillore në Boston duhej të mësonte anglisht, kur ishte një djalë i vogël me familjarë. Gjyshi im e quante gjyshen time “Lule e Bukur” dhe kjo është e gdhendur në gurin e varrit të saj. Unë mendoj se gjuha shqipe është e veçantë dhe një ndër gjuhët më të vjetra, ndryshe nga ndonjë tjetër. Unë, po ashtu, kam mësuar shqip gjatë angazhimit të xhirimit të dokumentarit tonë. 
Çka ju mësoi babai të thoni në gjuhën shqipe?
Disa fjalë dhe fraza. Në një moshë shumë të re, ai na mësoi që ne të thoshim “Rroftë Shqipëria”!
Kur ka migruar babai juaj në Amerikë, konkretisht në Boston? 
Babai im ka lindur në Boston, Massachusetts. Ndërsa prindërit e tij, që do të thotë gjyshërit e mi, kanë lindur në Korçë, Shqipëri, që ne kishim mundësi ta eksploronim në dokumentarin tonë filmik. Një vend i jashtëzakonshëm!
Si e përjetoi babai juaj dokumentarin të cilin e keni realizuar për Shqipërinë?
-Babai im i cili është ende gjallë, ndonëse shëndeti i tij është përkeqësuar në vitet e fundit, e ka shikuar dokumentarin tonë ‘Dear Albania’, të cilin e kemi realizuar për nder të tij dhe të paraardhësve tanë me shumë mallëngjim. Ai ishte shumë i lumtur dhe krenar për fëmijët e tij, për vëllanë tim, Nate, i cili e drejtoi filmin, si dhe për mua. Ka qenë një ndjenjë mjaft e fuqishme emocionale për të dhe për familjen tonë.
Disa vjet më parë ju e keni vizituar Shqipërinë. Si u ndiet pas mbërritjes suaj të parë atje?
Udhëtimi im i parë në Shqipëri ishte në vitin 2004 ... dhe isha e mahnitur. Njerëzit në vendin tonë janë pabesueshmërisht aq mikpritës, të sjellshëm dhe bujarë. Kultura dhe historia janë mahnitëse. Më pritën me krahë hapur dhe me shumë dashuri.
Familjarët tuaj vazhdojnë të jetojnë ende në Shqipëri?
Po! Kushërirat tona të mrekullueshme – Elvira, Filota, Neli, Floriani, Jackie, "Mbreti" David dhe Anna e vogël, janë të gjithë në Tiranë, si dhe kushërinjtë e tjerë në Korçë. Ishte surreale dhe e bukur për t`u bashkuar me ta dhe ne vazhdojmë ende të qëndrojnë në kontakt. Realizimi i dokumentarit ‘Dear Albania’, vërtet na afroi dhe na bashkoi. Skenat e dokumentarit, kur unë u takova me ta, përmes ndihmës së dyqanxhinjve tiranas, nuk ishin të shkruara. Ato ishin të vërteta!
A do të thotë se dashuria që ndieni për rrënjët tuaja, ju shtyu ta realizoni dokumentarin ‘E dashur Shqipëri’?
- Absolutisht, po. Jam ndier gjithmonë krenare për rrënjët e mia shqiptare. Duke e bërë këtë film me vëllanë tim, Nate, me miqtë e mi të dashur, Fadil Berisha, Blerim Destani, Aurela Gaçe, Lorik Cana dhe shumë të tjerë, ëndrra ime u bë realitet. 
Realizimi i dokumentarit ishte ide juaja? Cili ishte në fakt qëllimi i këtij projekti?
- Ideja për realizimin e dokumentarit ishte e Fadil Berishës, i cili më kërkoi dhe u takuam disa vjet më parë, derisa unë po xhiroja në Nju-Jork. Ne u bëmë shpejt miq, ndërsa tani Fadilin e ndiej si anëtar të familjes. Gjatë gjithë darkës sonë të përbashkët diskutuam për realizimin e një dokumentari për Shqipërinë, ngase diçka e tillë deri atëherë nuk ishte bërë. Ne kemi ndier se duhet dhe mund të kontribuojmë për realizimin e një projekti të tillë me resurset tona. 
Kur është transmetuar ky dokumentar? Cilat ishin reagimet, si është pritur nga audienca e gjerë?
Më 1 dhjetor 2016, ‘Dear Albania’ është transmetuar përmes NETFLIX Worldwide. Miliona njerëz në mbarë botën tani mund të shikojnë filmin tonë dhe ne u jemi shumë mirënjohës miqve tanë dhe interpretuesve të tjerë në film, si dhe tifozëve të cilët dhuruan fonde për prodhimin e filmit. Ky ishte një film i financuar në mënyrë të pavarur, një "projekt pasion", ku njerëz të panumërt kanë punuar pa asnjë pagesë tjetër, përveç nga dashuria e tyre për Shqipërinë. Filmi është pritur shumë mirë. Kam dëgjuar shumë familje që e shikojnë filmin së bashku dhe kjo është me të vërtetë një gjë mjaft e ëmbël. 
Aktualisht, vëllai im Nate dhe unë po hulumtojmë projekte të reja dhe rrëfime për Shqipërinë dhe shqiptarët. Po ashtu, ishim aq krenarë për miqtë tanë që realizuan filmin e metrazhit të shkurtër "Shok" dhe që përfaqësuan Kosovën dhe Shqipërinë në Academy Awards vitin e kaluar! Kjo ishte një pjesë fantastike e artit. Gjithashtu, kohët e fundit filmi "Bota", ishte shumë i veçantë.
Jeni rritur në Boston nga dy prindër me prejardhje të kombësive të ndryshme, nga babai shqiptar dhe nëna daneze. Ju, po ashtu, keni edhe tre vëllezër. Si ishte fëmijëria juaj? 
Unë jam fëmija i katërt, më e vogla në familje dhe e vetmja vajzë, ndoshta një lloj princeshe, do të thosha! Vëllai im i madh, Aaron, punon për Qeverinë e SHBA-ve, në punën e mjedisit dhe shërben si një politikan lokal në Boston. Vëllai i mesëm, Benjamini, është një sipërmarrës i suksesshëm. Ndërsa Nate është partneri im i produksionit dhe bashkëpunëtor në industrinë e filmit. Ne të gjithë kemi marrëdhënie shumë të ngushta dhe mbajmë tatuazhet e shqiponjës shqiptare. Ndërsa së bashku me babanë tonë, Filipin, para 10 vjetësh kemi udhëtuar në Tiranë.


T’i kthehemi profesionit tuaj. Keni pasur përherë dëshirë të bëheni aktore. Keni punuar shumë në këtë aspekt?
Në fakt, unë nuk kam dashur të jem aktore. Kur isha 9 vjeçe m’u ofrua roli im i parë. Megjithatë, ndihem shumë mirënjohëse, dhe tani, më shumë se 27 vjet më vonë, unë nuk mund të besoj për mundësitë dhe kontributin tim dhënë në fushën e filmit. Aktualisht jam kthyer përsëri në kolegj në Boston dhe po studioj, në nivelin Bachelor në degën e Artit. Po ashtu ­vazhdoj të punoj dhe të prodhoj filma, gjithashtu.
Cili konsiderohet të jetë suksesi juaj më i madh në industrinë e filmit?
Në shumë aspekte ‘Dear Albania’ është një nga sukseset e mia më të mëdha në 
karrierën time, ngase është dokumentar shumë personal dhe i dashur për zemrën time, njerëzit dhe familjen. Mundësia që kishim për t’i treguar botës vendin tonë, kur dihet se bukuria dhe natyra e Shqipërisë është aq e panjohur në botë, ky është një gjest tejet i madh për mua. 
Çfarë jeni duke punuar aktualisht në aspektin kinematografik?
Përveç studimeve në kolegj, jam, po ashtu, duke i shikuar mundësitë e reja të filmit dhe të televizionit, në të njëjtën kohë, mbështes organizatat jofitimprurëse dhe ato bamirëse, që janë të rëndësishme për mua. Të jetoj sërish në Boston me familjen time është një gjë e mahnitshme.
Mund të na thoni, cili është roli juaj ëndërrimtar?
Të jem në gjendje për t’u shërbyer të tjerëve dhe të jem një shembull i dashurisë dhe hirit (me dromca argëtimi) në këtë botë të çmendur. 
Çfarë pune do të bënit, nëse nuk do të ishit aktore?
Mbase do të merresha me mjekësi, kjo ndoshta për shkak të rrënjëve të mia shqiptarë!
Ç’plane keni më tutje?
Kolegji, puna, shërbimi, ndoshta të krijoj familjen time dhe një fëmijë një ditë, së shpejti :)
Arrini të balanconi famën me jetën tuaj personale?
Çdo ditë dhe në çdo kohë. Unë kam 
familjen dhe miqtë më të mirë. Unë qesh me veten time dhe nuk e marr jetën shumë seriozisht. Jap çdo gjë nga vetja për të tjerët dhe kjo më bën të lumtur. Të japësh, për mua është me të vërtetë më mirë se të marrësh.
Çka ju frikëson në jetë?
Fanatizmi, racizmi. Lufta. Njerëzit në planetin tonë, vëllezërit dhe motrat të cilët janë duke e përjetuar shtypjen dhe vuajtjen në këtë kohë. Ndërkaq, gjërat më të rëndësishme për mua, mbeten pa dyshim: Dashuria. Mirënjohja. Mëshira. Falja.
Kush është superheroi juaj i vërtetë?
Nëna ime, Judy Dushku, një avokate e përjetshme për të gjithë llojet e njerëzve në të gjithë botën. Humaniteti i saj është aq i madh, ndaj ajo është shembulli dhe superheroi im më i madh në jetë!
Si mendoni, është e vështirë t’i falësh njerëzit që të lëndojnë?
Mendoj se është e rëndësishme të mbani mend se njerëzit e lënduar, lëndojnë. Që do të thotë, njerëz të cilët janë të lënduar vetë, lëndojnë të tjerët. Është një cikël vicioz. Sa më shumë dashuri dhe keqardhje të ndiejmë, më shumë dhembje dhe falje do të përjetojmë. Sa më shumë që po kalon koha dhe po bëhem më e pjekur, po e kuptoj se sekreti për çdo gjë është DASHURIA. Kjo është zgjedhja dhe detyra jonë. Dashuria tërheq dashuri.

© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
Teuta Magazine

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, riprodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.com  www.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version