Ti je ketu: Ballina > Barazia Gjinore > Fund Dhunës Ndaj Gruas
Ekskluzive
Fund Dhunës Ndaj Gruas
Ekziston një bazë e mjaftueshme e provave që vërteton se burrat ushtrojnë dhunë në familje, ndërsa përpjekjet e shoqërisë civile për parandalim, kryesisht merren nga njëra gjini, nga GRATË. Dëshmitë shkencore vërtetojnë efektivitetin e strategjive të veçanta në angazhimin e burrave për të parandaluar dhe për të zvogëluar dhunën e meshkujve ndaj grave. Prandaj, për këtë edicion, ekskluzivisht për të diskutuar lidhur me këtë dukuri shqetësuese dhe si të parandalohet dhuna në bazë gjinore, kemi kërkuar opinionet e profesionistëve: Profesor Shemsi Krasniqi, sociolog; Dr. Dr. med. Halil Krasniqi, kirurg vaskular dhe Profesor Anton Berishaj, sociolog.

  
 

Nevojitet transformimi i burrit tradicional

Dhuna në familje, veçanërisht ajo e burrit ndaj gruas, është jo vetëm shqetësuese, por edhe turpëruese. Është fatkeqësi e vërtetë nëse në jetën familjare dhe bashkëshortore ka dhunë e mosbesim.

Shkruan Shemsi Krasniqi, sociolog

Është fatkeqësi jo vetëm për bashkëshortët, por edhe për fëmijët e tyre, për brezin e ri, nëse prindërit ose familjarët e tyre ushtrojnë dhunë ndaj njëri-tjetrit. Megjithatë, pavarësisht nga aktualizimi, mendoj se dukuria nuk është në rritje në krahasim me periudhat e mëparshme. Në rritje është raportimi i saj, sensibilizimi dhe alarmimi i shoqërisë në lidhje me të. Në rritje është reagimi personal, publik, e deri diku edhe institucional. Në rritje është mosdurimi dhe mospranimi i kësaj dukurie të shëmtuar, në rend të parë nga ana e vetë gruas. Ky reagim është shenjë e mirë, për të paralajmëruar fundin e heshtjes dhe nënshtrimit shekullor, dominimit dhe pushtetit absolut të burrit mbi gruan. Reagimi është një shpresë se burrat do të mbledhin mend! Kjo është një shpresë se gratë do të mund të bëjnë jetën e tyre dinjitoze, se do t’i zhvillojnë dhe do t’i shfrytëzojnë lirshëm kapacitetet e tyre intelektuale, profesionale dhe njerëzore dhe se brezi i ri do të mund të rritet i qetë, i lumtur dhe pa traumat e dhunës familjare. Megjithatë, ka diçka edhe më të mirë sesa reagimi ndaj dhunës. Ajo është preventiva, këputja e saj në rrënjë, pamundësia për të ndodhur ajo. E kjo bëhet përmes rritjes së mirëkuptimit, forcimit të tolerancës dhe harmonisë familjare, solidaritetit dhe respektit reciprok, përgjegjësisë dhe dashurisë bashkëshortore dhe familjare. Si mund të kultivohen këto vlera për të mos ndodhur fare dhuna, urrejtja, xhelozia dhe mosbesimi bashkëshortor? Burri tradicional duhet të transformohet, siç është transformuar çdo gjë tjetër në këtë botë. Burrit nuk i ka hije më ajo burrnia e vjetër, ku pyetet vetë dhe vendos vetë. Burrit nuk i ka hije më ecja përpara gruas ose mospërfillja e fjalës së saj; ajo ndarja e rreptë e punëve të shtëpisë, ajo arroganca dhe agresiviteti mbi gruan; nënçmimi, frikësimi dhe shkelja e saj. Burri i sotëm duhet të kuptojë se gruaja është vetja e dytë, sikurse që edhe vetë është vetja e dytë e gruas. Dhuna ndaj saj është dhunë mbi vetveten dhe s’është vetëm dëm e padrejtësi, por edhe turp. Burri duhet të kuptojë se vlerë më e lartë se burrnia është njerëzia dhe se njeriu kurrë nuk është njeri, nëse e dhunon njeriun, ia rrezikon jetën, e privon prej të drejtave dhe lirive elementare, si dhe ia shkel dinjitetin njerëzor. Burri i sotëm duhet të kuptojë se kuptimi i jetës familjare është dashuria, e jo dhuna e urrejtja.

 

Shkelje morale e personalitetit të femrës

Dhuna ndaj gruas është shkelje morale e personalitetit të femrës, e integritetit psikik dhe fizik të saj, të lëvizjes dhe veprimit të lirë, e lidhur me shtypjen e të drejtave njerëzore dhe shoqërore. Dhuna ka si pasojë dëmtimin shëndetësor, që sjell traumë psikike, vdekjen, plagosjen, cenon në rrënjë mirëqenien e grave dhe rrënon dinjitetin dhe vetëvlerësimin e tyre.

Shkruan Dr. Dr. med. Halil Krasniqi

Këtë fenomen të keqtrajtimit e ndihmojnë, pos të tjerash, faktorët kulturorë, shoqërorë, socialë, agresiviteti mashkullor, pretendimet dhe zhgënjimet seksuale, pakënaqësia seksuale, xhelozia, pretendimi i dominimit, forca dhe kontrolli mbi gruan, presionet dhe vështirësitë e jetës, labiliteti psikik i burrit dhe dëshira e tij patologjike për ta kontrolluar gruan në çdo lëvizje duke e shndërruar atë në objekt të dirigjuar nga ai. Faktori Social luan një rol të rëndësishëm në dhunën në familje. Familjet e varfra janë më tepër të atakuara nga dhuna dhe vuajtja e harmonisë. Faktori modern, i quajtur celular me internet dhe komunikime sociale, është kryesisht përgjegjës kryesor i konflikteve dhe dhunës ndaj gruas, si gjini më e pambrojtur. Komunikimet e lira në portale të ndryshme, por edhe mundësia për të shikuar gjëra pornografike, por edhe komunikimet e pakufizuara, janë sot problemi kryesor i humbjes së besimit te njëri-tjetri, po edhe i mundësive të shumta për të qenë i/e pavarur në disa aspekte. Këtu preferohet që çifti të jetë i sinqertë me njëri-tjetrin. Që të dy të kenë qasje të njëjtë në celularët e tyre, të mos ketë kod bllokimi dhe për çdo mesazh të huaj ose të dyshimtë t’i tregojnë njëri-tjetrit. 
Nga të dhënat shkencore është e njohur se personat e gjinisë mashkullore, të cilët si fëmijë kanë përjetuar dhunë, ata edhe janë të predispozicionuar për të ushtruar dhunë në familje, kurse femrat, të cilat kanë përjetuar dhunë, më tepër i janë të nënshtruara dhunës. Femrat e moshës së ulët janë kryesisht të nënshtruara ndaj dhunës, kurse ato nën 30 vjeç pësojnë rrahje dy herë më tepër se ato mbi 30 vjeç. Në statistikat shtetërore në Gjermani, në vitin 2016 mbi 22.000 femra iu nënshtruan dhunës nga burri dhe mbi 1100 u vranë. Femrat shqiptare kanë cilësi të veçanta në kujdesin familjar shtëpiak dhe të familjes së ngushtë. Janë familjare, kanë respekt ndaj meshkujve dhe vlerësojnë gjininë e kundërt dhe situatën. Për këtë, duhet vlerësuar më tepër femrat shqiptare, mundi i tyre dhe detyrat e shumta në familje e në shtëpi. Këto mund te jenë: shtatzënësia, kujdesi, rritja dhe edukimi i fëmijëve, mirëmbajtja e shtëpisë dhe e kopshtit, përgatitjet e ushqimit të përditshëm, kujdesi i vjehërrive, dhe, mundësisht, edhe ndjekja e profesionit ose puna shtetërore. Këto dhe shumë të tjera janë tiparet specifike që e vlerësojnë dhe kërkojnë respekt të lartë. Dëmtimi fizik dhe psikik i bashkëshortes me të cilën jeton, me të cilën ndan të mirën dhe të keqen në jetë, të cilën e dashuron dhe me të cilën këmben procese reciproke, për logjikën e shëndoshë është e papranueshme. Duhet pasur shumë kujdes që gjatë diskutimeve, acarimeve dhe mospajtimit të mos ndodhin kriza të pafrenuara psikike që shpien në dhunim dhe, më keq, edhe në vrasje.

Këshilla: Kujdesi reciprok për fëmijët duhet të jetë edhe detyrë e babait dhe jo vetëm e nënës. Gruas duhet dhënë mundësia të kalojë disa orë jashtë familjes dhe shtëpisë e fëmijëve. Të takojë një shoqe me të cilën bisedon e lirë dhe pi një kafe së bashku. Bashkëshortët të kenë mundësinë që pa fëmijë dhe jashtë shtëpisë të papenguar të kalojnë një ditë ose disa orë së bashku. Kur fillon grindja në mes të çiftit, njëri duhet të sprapset dhe duhet të tërhiqet nga zënia a kacafytja. Në momentin kur njëri tërhiqet nga diskutimi, edhe situata qetësohet. Çdo vazhdim i situatës, pezullon gjendjen dhe nuk ka më përmbajtje fizike e psikike. Këtu shfaqet mospërmbajtja psikike, e cila sjell krizën nervore dhe me këtë lind agresiviteti i pakontrolluar për të rrahur dhe për të vrarë. Për këtë, çdoherë duhet biseduar, duhet diskutuar me shkëmbim fjalësh dhe mendimesh. Në jetën bashkëshortore, për një jetë harmonike, është primare të bëhen kompromise në familje, të ketë mirëkuptime, është shumë me rëndësi të ruhet respekti ndaj njëri-tjetrit. Po të humbet respekti, është shumë e vështirë të rikthehet vlerësimi i njëri-tjetrit. Para se të vendosë burri të ngrejë dorë mbi gruan, duhet të mendojë dhe duhet të numërojë deri në dhjetë. Më së miri është të tërhiqet, të mendojë disa orë ose të flejë një natë. Të nesërmen, nuk do t’i ketë po të njëjtat mendime.  Vrasja dhe dhunimi i një femre në familje ka pasoja tragjike për tërë familjen dhe farefisin. Këto gabime nuk mund të korrigjohen asnjëherë më. Apelojmë në rregullimin ligjor dhe respektimin e normave ligjore për të mbrojtur të drejtat e viktimës.

Dr. Dr. med. Krasniqi është drejtor i Klinikës së Kirurgjisë Vaskulare dhe Endovaskulare - Helios Klinikum Pforzheim, në Gjermani

 

Shoqëria në krizë morale dhe ligjore

Dhuna në familje nuk është vetëm cenim i integritetit fizik dhe moral i ndonjë personi të caktuar, por është edhe tregues i nivelit të shëndetit shoqëror. Të dhunohet dikush në familje, do të thotë se kemi të bëjmë me një shoqëri që është në krizë morale dhe ligjore.

Shkruan Anton Berishaj, sociolog

Ani pse nuk kemi të bëjmë me ndonjë dukuri të re, meqë dhuna në familje, për fat të keq – qoftë historikisht qoftë kulturalisht, ka një shtrirje globale në kohë dhe hapësirë, shoqëritë, që në kohën e sotme manifestojnë indiferencë ndaj saj, cilësohen si të vonuara në zhvillim. Andaj, interesi shoqëror i krijimit të mekanizmave dhe ambientit sociokulturor të ndalesës së dhunës në familje nuk matet vetëm me numrin e viktimave dhe të të akuzuarve, por me modueset e zgjidhjes së konflikteve, tolerancës, respektimit të personalitetit, gjetjes së moduseve të kapërcimit të konflikteve, respektimit të personalitetit të secilit anëtar të familjes. Thënë shkurt – dhuna në familje i takon së kaluarës dhe vetëm ata që neglizhojnë të tanishmen, ushtrojnë dhunë mbi anëtarët e familjes – kushdo që janë ata. Dhuna në familje nuk është dukuri e shëmtuar që lidhet dhe cilësohet vetëm si dhunë mbi gratë. Dhuna në familje është shëmtirë që merr hapët, prek të gjithë ata që nuk janë në gjendje të mbrohen fizikisht: gratë, fëmijët, prindërit e moshuar, personat me nevoja të veçanta… Jemi dëshmitarë të një realiteti tepër destruktiv – si këtu në Kosovë, ashtu dhe në Shqipëri – ku mediet ditë e përditë njoftojnë mbi prindërit, gratë, fëmijët, të fejuarat, të dashurat e dhunuara. Është brengosëse sidomos për një ambient ku – sidomos gruaja, ka qenë madje tradicionalisht e mbrojtur edhe nga Kanuni – që ajo të vritet pa asnjë konsideratë. Nuk jemi më popull kanunor, por, megjithatë, të vritet gruaja, nuk ishte askurrë, as që është ndonjë virtyt trimërie, por forma më e ulët e ligështisë. Megjithatë, si në Kosovë e Shqipëri, e edhe në mërgatë, ajo vritet pa asnjë konsideratë ndaj traditës kanunore (për të cilën ndoshta edhe nuk duhet të krenohemi), por të vritet në mënyrën më të vrazhdë para fëmijëve (ose bashkë me fëmijë – siç ndodhi rasti në Gjakovë), para ose së bashku më prindër e familjarë, siç ndodhën raste në Shqipëri, pa asnjë konsideratë ndaj lirisë dhe statusit të gruas pas divorcit, siç ishte rasti i Dijana Kastratit etj., është e paparë dhe e padëgjuar ndër shqiptarë.
Burrëria është shpikje e meshkujve. Insistimi në glorifikimin e burrërisë si vlerë, nuk është asgjë tjetër, pos përpjekje për të justifikuar qyqarinë. Çka do të thotë burrëri? Epërsi fizike mbi ata që janë më të dobët fizikisht? Respektim i traditës në kuptimin e përfilljes së vlerave tradicionale për të cilat jemi mësuar të besojmë se janë vetëm tonat? Imponim i personalitetit të pajustifikuar me asnjë cilësi tjetër, përveç atyre që i fitoi me lindje? Burrëri, qoftë edhe në kuptimin pezhorativ të saj, nuk nënkupton dhunë dhe vrasje të grave, fëmijëve, të moshuarve dhe atyre me nevoja të veçanta. Burrëria, nëse pajtohemi se ka bazë për t’u cilësuar si vlerë, në kuptimin sociokulturor të mjedisit, nënkupton të shfaqësh tolerancë, mirëkuptim, durim, gatishmëri të falësh e jo të vrasësh. Burrëri nuk është të dhunohen gratë, fëmijët, prindërit e moshuar dhe personat me nevoja të veçanta… Burrëria në të vërtetë është një fiksion i trilluar nga shoqëria maskuline, patriarkale, në aspektin gjinor shovinist, që insiston në epërsinë e burrave ndaj gjinisë tjetër me lindje, pavarësisht nga kualitetet e tjera kulturore, morale, psikike... Epërsia ndaj gjinisë tjetër vetëm në bazë të faktit se keni lindur djalë, nënkupton kthim mbrapa në speciet darviniste. Ne, megjithatë, jemi qenie që avancimin e jetës e bazojmë në relativizimin e forcës fizike, duke shpikur mekanizma që gruan dhe burrin i trajtojnë si qenie njerëzore të barabarta e jo si specie të veçanta, që sajojnë shtresa shoqërore të destinuara për nënshtrim dhe për dominim. Miti mbi Kopshtin e Edenit dhe krijimin e gruas (Evës) nga një kockë të burrit (Adamit) nga Zoti, nuk është asgjë tjetër, veç një justifikim i dëmshëm religjioz i dominimit të burrit mbi gruan, pa asnjë argument të qendrueshëm. Forca fizike nuk mjafton të shpjegohet subordinimi i burrit mbi gruan, ndërsa format e dhunës deri në vrasje – janë shembujt më eklatantë të qyqarllëkut të krijesave të përçudnuara nga familjet dhe shoqëria jonë që veten e quajnë burra – kushdoqofshin ata. Burrëria, qoftë edhe si shpikje fiktive maskuline, nëse ekziston, përveç që duhet krijuar mekanizma shoqërorë për të mbrojtur veten nga të tjerët (trimëria), duhet të kompletohet edhe me krijimin e mekanizmave të mbrojtjes së të tjerëve nga vetvetja.

© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. 

Lexuar 14647 herë.
#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
Teuta Magazine

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, riprodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.com  www.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version