Ti je ketu: Ballina > Aktuale > Hija e tmerrit të përjetuar
Rrëfimi i njërës nga të përdhunuarat
Hija e tmerrit të përjetuar
Fragmente të kësaj ndodhie po e ndiqnin nga pas si një hije e pandashme. Ato po e torturonin gjatë gjithë kohës, gjatë ditës, por edhe në gjumë. Shpesh zgjohej e lemerisur nga gjumi, e qullur në djersë. Gjithmonë ëndrrat e frikshme, që i shfaqeshin në forma të ndryshme, përfundonin tek përpjekja e pasuksesshme e saj për të ikur. Sakaq, në sekondat e parë midis ëndrrave të frikshme dhe realitetit të dhimbshëm, me shpejtësinë e një ndriçimi rrufeje ndiente një lehtësim, që, megjithatë, atë ditë pranvere kishte arritur të ikte nga xhelatët e saj.

Shkruan Afërdita Uka

Ishte përpjekur që me çdo kusht ta ruante si sekretin më të madh të jetës së saj. Bindja se zbulimi i çfarëdo detaji nga ky sekret vetëm sa do ta bënte të vuante më shumë dhe për të do të ishte një lloj ripërjetimi i asaj ngjarjeje të tmerrshme të luftës, e kishte shtyrë që për një kohë të gjatë këtë sekret ta ruante në skutat më të errëta të memories. Por, ishte gënjyer kur kishte menduar se do ta kishte më lehtë sikur këtë histori tmerri të mos e ndante me askënd.
Teksa po largoheshin nga njëri fshat i rajonit të Dukagjinit, që kishte qenë simbol i rezistencës gjatë luftës së fundit, ajo ishte ndalur nga forcat paramilitare serbe bashkë me grupin e saj. Derisa po ecte shkujdesur në mes të kolonës së të përndjekurve, ajo u habit shumë kur, pikërisht në momentin kur po kalonin para grupit të paramilitarëve serbë, dëgjoi ata tek po e thërrisnin edhe emrin e saj bashkë me pjesëtarët e tjerë të grupit të saj, që kishin ndihmuar luftëtarët e lirisë. Tashmë e dinte se ishin tradhtuar nga dikush, që tani po fshihej prapa maskës në grupin e paramilitarëve, andaj ideja për të mos u paraqitur ishte opsioni më fatal në atë moment. Nuk kishte forcë as të mendonte e as të paragjykonte fatin e mëtutjeshëm.
Si e mpirë ishte radhitur në mesin e pjesëtarëve të tjerë të grupit, që po përgatiteshin për ekzekutim. Atëherë, kur zemra po i rrihte fuqishëm, me bindjen se ishin momentet e fundit të jetës së saj, njëri nga paramilitarët e ftoi me gisht që të tërhiqej nga grupi dhe t’i afrohej atij. Nën tytën e armëve e drejtoi tek një shtëpi buzë rrugës. Që në hyrje të një salloni të madh të asaj shtëpie, që ruante gjurmët e tmerrit, ku përveç gjurmëve të gjakut e plumbave, kishte edhe shumë veshje të brendshme të femrave të hedhura kudo, ajo e kuptoi se çfarë e priste.

Përdhunimi
E tmerruar nga frika dhe duke qarë, ajo filloi t’i luste ata që ta lironin apo ta falnin. Pas kësaj përpjekjeje të kotë, ajo u përpoq shumë që të rezistonte. Me duar bosh u përpoq të mënjanonte nënshtrimin, që po i bënin tre njerëz të armatosur deri në dhëmbë. Por, ishte e kotë. Me forcat e fundit të trupit u përpoq të ikte nga duart e tyre. Në këtë përpjekje titanike, ajo u mposht nga forca fizike e meshkujve pas një goditjeje, që mori në fytyrë, që e rrëzoi atë përtokë pa ndjenja.Nuk e di sa kishte qëndruar aty, por i kujtohet që kur ishte përmendur, njërin nga paramilitarët, që kishte mbetur në dhomë me të, e kishin thirrur jashtë. Ishte veshur shpejt, kishte kërcyer nga dritarja dhe kishte ikur me vrap drejt maleve, që ndodheshin afër shtëpisë ku ishte përdhunuar ajo. Ende pa arritur tek pjesa e shkurreve më të dendura, në drejtim të saj kishin nisur të fluturonin plumbat e paramilitarëve, që kishin kuptuar arratisjen e saj. Një plumb sa nuk e kishte plagosur në këmbë. E rraskapitur nga lodhja, me shpirt të sfilitur nga dhimbja për aktin e përdhunimit, duke u fshehur e shpesh edhe nëpërmes shtigjeve të parrahura më parë, pas disa ditësh kishte arritur në shtëpi.

Rikthimi
E ndërpret rrëfimin, ofshan thellë dhe qan me dënesa, kur rikujton atë moment të shfaqjes në derë të shtëpisë. Kishte ditë që e gjithë familja e kishin qarë dhe vajtuar për të vdekur. Lajmi i hidhur, se ajo ishte shkëputur nga kolona për t’u pushkatuar nga paramilitarët, kishte arritur shpejt në familjen e saj. Shumëkush u kishte thënë se i kishin dëgjuar krismat e ekzekutimit, por asnjëri prej tyre nuk kishin qenë në gjendje ta konfirmonin se e kishin parë të vdekur apo pasi të ishte goditur nga plumbat. Familja e dinte për të vdekur, por ajo si në ëndërr ishte shfaqur në derë të shtëpisë. Paraqitjes së befasishme të saj nuk i kishte rezistuar e ëma, por as e motra, që ishin alivanosur me t’u shfaqur ajo.
Pasi ishte çmallur me familjen, ishte mbyllur në një dhomë, kishte qarë shumë dhe, nëpërmes kujtimesh, i kishte ngjarë që po e përjetonte sërish atë skenë tmerri. Ripërjetimi i atij momenti në ditët pasuese ishte bërë pjesë e përditshmërisë së saj. Sa herë e kujtonte, i ngjante më i rëndë dhe më i papërballueshëm se herën tjetër. Sado që, shpesh i dukej se kishte arritur buzë çmendurisë, asnjëherë nuk mori guximin që të kërkonte ndihmën e psikologut apo të profesionistëve të tjerë të shumtë, që menjëherë pas luftës kishin ardhur në Kosovë si pjesë e organizatave të ndryshme ndërkombëtare për të ndihmuar rimëkëmbjen e vendit tonë.
Pasi e kishte ndryrë për një kohë të gjatë në vete, më në fund kishte vendosur që ta ndante me të motrën. Ndonëse e kishte pasur shumë të vështirë që ta hapte
zemrën dhe të rrëfehej, me kohë e kuptoi se kishte bërë shumë mirë, ngase kjo i krijoi një ndjenjë qetësie dhe një mbështetje më shumë për veten.
Por, mbështetja më e madhe dhe prehja i erdhi kur pas disa vjetësh fati e takoi me një person që e mirëkuptoi dhe e priti me krahë hapur. Ngushëllimi dhe mbështetja, që i ofroi ai, ishte pikërisht ajo për të cilën kishte nevojë më së shumti. Ishin ngrohtësia, afërsia dhe dashuria që e bënë të kridhej e tëra në harmoninë familjare dhe të linte pas të kaluarën e dhimbshme.

© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
270

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, rirodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT 2017 TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.com ww.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version