Ti je ketu: Ballina > Aktuale > Ta shfrytëzojmë kohën për të jetuar mirë
Ekskluzive
Ta shfrytëzojmë kohën për të jetuar mirë

Antigona Uka
 

Menaxhimi i duhur i kohës në këtë jetë, që për secilin prej nesh është bërë tejet e ngarkuar dhe stresuese, nënkupton ndarjen e një kohe për relaksim. Ndaj, në vend se të flasim për punën, këtë herë do të bashkëbisedojmë me tri zonja për relaksin, për çastet që secili i ndan për t’u çlodhur, posaçërisht fundjavat. Flasin, Prof. dr. Natyra Karahoda-Gjurgjeala, deputetja Xhevahire Izmaku dhe sopranoja me famë botërore, Besa Llugiqi. 

 

Natyra Karahoda Gjurgjeala
Fundjava në liqene ose në koncerte

Bëhet fjalë për 42 vjet përvojë pune, gjatë të cilave ka pasur një periudhë kohore, kur Prof. dr. Natyra Karahoda – Gjurgjeala, e ka kuptuar sa i rëndësishëm është relaksi i ­fundjavës. “Për të gjithë të punësuarit, relaksi në fundjavë ka rëndësi. Për mua personalisht, ky relaks gjithherë ka qenë shumë i rëndësishëm. Sa ka qenë i rëndësishëm, e kam kuptuar në një periudhë të veçantë kohore, kur punoja në ordinancë, pas dëbimit nga puna, në vitet 1991-1999, kur edhe të shtunave isha e detyruar të punoja”, rrëfen doktoresha. Ka pasur disa metoda për kapërcimin e stresit gjatë ditëve të punës. Ndonjëherë Prof. dr. Karahodës i ka mjaftuar pak pushim, shoqëruar me lexim të gazetës dhe muzikë. “Gatimi pastaj ka qenë më i lehtë, duke marrë parasysh se paraqet sërish një punë. E në rastet e punës pa fund, pushimi në fundjavë, më shumë ka qenë nevojë fizike e organizmit tim për pushim, sesa vendosmëri për respektim të këtij pushimi”, shprehet ajo.
E pyetur se si dhe ku relaksohet, zakonisht në fundjavë, qëndron përherë në Prishtinë apo i pëlqen të udhëtojë, doktoresha përgjigjet: “Zakonisht jam munduar të jem diku jashtë shtëpie. Në rini këtë e kemi bërë si familje, duke qëndruar në pushimoren në liqenin e Batllavës ose duke e kaluar ditën në liqenin e Badovcit. Ndonjë fundjavë kemi qenë në Prizren, te prindërit e bashkëshortit”. Mirëpo, përtej pushimeve të tilla relaksuese, për Prof. dr. Karahodën, pasioni për muzikën klasike është një tjetër relaksim i pazëvendësueshëm. “Pëlqej shumë koncertet e muzikës klasike, të organizuara nga Filarmonia e Kosovës dhe shumë festivale të tjera, si Chopin Piano Fest, Kamer Fest Prishtina, DAM-Festivali etj., në të cilat marr pjesë si spektatore”, tregon ajo.
E kur fundjavat kalohen në shtëpi, doktoresha është e njohur ndër miq për nikoqirllëkun e saj të veçantë. “Unë dhe Bashkimi kemi qenë shumë herë nikoqirë të mysafirëve vendës dhe ndërkombëtarë, në darka të ndryshme, me ç‘rast jam munduar të përgatis gatime të ndryshme të kuzhinës sonë. Meqë numri i të ftuarve ka qenë i madh, tavolina suedeze ka qenë zgjidhja ideale”.
Si specialiste e fiziologjisë, më mirë se kushdo, doktoresha e di sa ka rëndësi qetësia shpirtërore për trurin e njeriut. “Qetësia shpirtërore, pa dyshim ndikon në mënyrë pozitive (një mori e punimeve shkencore e mbështesin këtë pohim) në sjelljen e njeriut, i cili rrezaton lumturi, që ndikon te kolegët e punës, duke mundësuar rezultate të mira në punë e që, përfundimisht, shpërblehet me ndjesinë e kënaqësisë”, thekson ajo. E derisa qasja në internet, kontrollimi i e-mail-eve dhe mesazheve po krijon stres të vazhdueshëm, shumëkush e ka zgjidhur këtë problem për fundjavë, duke fikur telefonin dhe duke refuzuar çfarëdo kontakti me kompjuterë e laptop. Prof. dr. Karahoda, është e sigurt se çdo gjë mund të presë deri të hënën. “Meqë unë nuk jam edhe shumë e re, rishtas e pensionuar, nuk kam krijuar varësi teknologjike, sikur të rinjtë e sotëm. Të premten, para gjumit, e ndali zilen e telefonit dhe kontrollimin e e-mail-it e bëj vetëm atëherë kur di se pres diçka me rëndësi. Zaten,çdo gjë mund të presë deri të hënën, kur fillon java e re e punës”, përfundon doktoresha.

 

Xhevahire Izmaku
Jetoj më shumë për të punuar

Relaksi është bërë pothuajse fjalë e panjohur për deputeten Xhevahire Izmaku.

Jo vetëm ditët e punës, por edhe fundjavat shpesh shndërrohen në ditë të zakonshme pune, duke minimizuar mundësinë e relaksimit e duke ndikuar jo mirë edhe në raportin e saj me vajzën. “Edhe tani nuk gjendem në shtëpi dhe momentalisht jam mbi qiellin e Parisit, duke u kthyer për Kosovë nga një udhëtim pune. Një fundjavë që më përsëritet shpesh që të jem jashtë shtëpisë dhe që nuk e kam në qejf fort, sepse ndiej mungesën e një pushimi, siç mund të jetë vikendi, kur vajza ime ma thotë shpesh që e ëndërron sikur jam në shtëpi duke përgatitur mëngjesin derisa ajo fle”, kujton ajo.
Dita e saj e punës nis në 8 të mëngjesit dhe përfundon vonë, e çlodhja nënkupton ndonjë punë shtëpie, si p.sh., “t`i gatuaj vajzës diçka që e ka në qejf, të ftoj miq në shtëpi apo të takoj prindërit. Kam shumë dëshirë të shoh ndonjë film dhe shpesh me vajzën ftojmë ndokënd nga miqtë në shtëpi dhe shikojmë ndonjë film. Mua ndodh edhe më zë gjumi, me ç‘rast vajza ime inatoset me mua, sepse nuk arrij ta shoh fundin e filmit, për shkak të një dite që mund ta kem pasur shumë të lodhshme”. Duke qenë me studime doktorate, ky fakt thotë se e kufizon të lexojë romane thjesht për t’u relaksuar.
Pyetja nëse ka pasur ndonjë periudhë kohore në jetën e saj kur ka punuar pa fund, ndaj dhe vendosmëria për respektimin e pushimit në fundjavë ka ardhur si pasojë e punës së tepërt, deputetes ia kujton një rast. “Viti i kaluar ka qenë i tillë për mua, saqë erdhi fundi i shtatorit e nuk arrita t`i shoh as dy ditë në diell. Më në fund, u nisëm me vajzën dhe, kur ne filluam pushimet, nisi shiu e të ftohtit, sa përfunduam të mbështjella me batanije në plazh dhe ky pushim i vonë zgjati vetëm 2 ditë”. Znj. Izmaku pohon se shpesh ndihet në faj “se karriera neve si nëna shpesh na e lë mangut pjesën e kujdesit prindëror! Por, vajza ime u rrit në krah me zhvillimin tim në politikë dhe mendoj që më mirëkupton më shumë sesa meritoj! Ajo ma kujton shpesh që unë jetoj më shumë për të punuar! Vajza ime është shpesh kritikja më e madhe imja, por shpesh edhe këshilltarja ime! Ajo di të gatuajë më mirë se unë dhe shpesh i kemi ndërruar rolet, sepse, derisa kthehem nga seancat e vona, ajo përgatit pasta të mrekullueshme! Jam me fat që e kam dhe i lutem Zotit që çdo nënë të përjetojë ndjesinë e kujdesit të fëmijës vajzë! Jo më kot e duam këngën; "Kush ka vajza botën ka", shprehet ajo. Në fundjavë, deputetja zakonisht viziton prindërit në Vushtrri, e nganjëherë me motrat dhe ndonjë mike shkojnë në Durrës ose në ndonjë vend në Kosovë, sa për të ikur nga rutina. “Unë nuk e kam praktikuar jetën e natës dhe shumë rrallë ndodh që me ndonjë kolege të dalim dhe të pimë një gotë verë dhe të flasim për jetën. Ka mbi një vit që bëj gjumë të rregullt në mëngjes dhe kjo më ka ndihmuar shumë për energji pozitive dhe po ashtu edhe një fizik më të rregullt, sepse ka rëndësi edhe kjo që të kemi një mendje më të kthjellët”.
Kur bëhet fjalë për qasjen në internet dhe kontrollimin e e-mail-eve dhe mesazheve në vazhdimësi, deputetja tregon se në këtë aspekt merr kritika nga të afërmit. “Unë s`mund ta shoh një sms ose e-mail dhe të mos i përgjigjem në shpejtësi! Sepse mund ta lë në gjysmë, p.sh., drekën ose një kafe dhe e marr si një urgjencë përgjigjen! Për këtë sivjet kam marrë një vlerësim nga një organizatë, që na monitoron ne deputetëve, se sa u përgjigjemi e-mail-eve dhe pyetjeve të votuesve”, tregon ajo, duke e pranuar se është e okupuar nga teknologjia e re dhe nga mediet online.

 

Besa Llugiqi
Rri larg rrjeteve sociale dhe ndihem shumë mirë kështu

Jeta e ngjeshur me koncerte të njëpasnjëshme, të cilat nënkuptojnë udhëtime të shumta, sopranos Besa Llugiqi i lë pak kohë për relaks.

Këngëtarja e muzikës klasike është e vetëdijshme se “pas çdo pune të lodhshme, është i domosdoshëm një balancim me çlodhjen, edhe pse kohët të fundit nuk kam shumë kohë për relaks afatgjatë”, pohon ajo.
“Nganjëherë punoj më gjatë se 12 orë në ditë. Por, gjithsesi, unë jam person që e dua punën edhe dinamizmin në jetë, andaj për mua edhe puna që bëj më relakson. P.sh., provat për një shfaqje ose koncert për mua janë relaks”, shprehet Besa, duke shtuar se ka edhe mënyra të tjera si preferon të çlodhet, “preferoj të pi kafe me shoqet ose familjen, lexoj, shëtis, gatuaj. Gjithçka varet nga humori dhe ngarkesa e ditës”.
Për një këngëtare që po prek kulmin e suksesit, është e pamundur të vendoset një kufi mes punës dhe pushimit. “Pikërisht tani jam në valën e punës së madhe, me shumë projekte të ndryshme afër njëri-tjetrit dhe në vende të ndryshme, ndaj nuk mund ta vendos as edhe një ditë pushim deri në fund të muajit. Por, gjithsesi, ky është edhe mundim i bukur”, thekson sopranoja. Në fundjavë, Besa thotë se preferon një gotë verë, një film të mirë ose një libër të mirë, “dhe darkë me t`im shoq, që ndodh shpesh, por meqë jemi shumë larg, na mungon atmosfera e shtëpisë dhe në këtë periudhë preferoj më shumë ngrohtësinë e shtëpisë”.
Këngëtarja pajtohet se qetësia shpirtërore ndikon në personalitetin e njeriut, duke i ndihmuar të jetë më i qetë dhe më i lumtur, e rrjedhimisht, duke reflektuar pozitivitet në mjedisin ku punon dhe jeton. “Konsideroj që është faktor i domosdoshëm për të pasur sukses, edhe pse në këtë kohë është e vështirë të kesh luksin e një qetësie, jo vetëm shpirtërore, por edhe ambienti, me gjithë ato rrëmuja dhe parregullsi që hasim gjate ditës, ndikojnë shumë në humorin tonë”, shprehet ajo. E kur bëhet fjalë për qasjen në internet, kontrollimin e e-mail-eve dhe mesazheve në vazhdimësi, të cilat krijojnë stres të vazhdueshëm, madje sipas studimeve, kontrollimi i telefonit rrit hormonin e stresit, këngëtarja e ka të zgjidhur këtë problematikë globale. “Në fakt, këtë problem nuk e kam. Mundohem të rri sa më larg botës virtuale, sepse nuk më ka tërhequr asnjëherë. Kam qenë gjithmonë larg rrjeteve sociale dhe ndihem shumë mirë kështu”, përfundon ajo.

© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

 

#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
Teuta Magazine

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, riprodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.com  www.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version