Ti je ketu: Ballina > Shëndeti > Lindja e fëmijës së dytë
Nga këndi im
Lindja e fëmijës së dytë

Lindja e fëmijës së dytë, gabimet e prindërve karshi fëmijës së parë...

Kur linda Lean, vajzën e dytë, në të njëjtën dhomë me mua ishte një doktoreshë, e cila po ashtu lindi një vajzë. Kur i erdhi për vizitë bashkëshorti me vajzën e madhe (3-4 vjeçe), ajo nxori nga çanta e saj një lodër, ia dha vajzës së madhe dhe i tha; ta ka sjellë motra! E ndoq reagimin e fëmijës. E mori lodrën krejt habi dhe në fytyrë sikur i lexohej pyetja; si është e mundur?!

 

Antigona Uka Lutfiu,
Msc. i Psikologjisë Shkollore dhe Këshillimit


Bashkëshortët e rinj, kur bëhen prindër për herë të dytë, pretendojnë se do të parandalojnë ndjenjat e xhelozisë së fëmijës së parë ndaj foshnjës, duke blerë një lodër, të cilën gjoja ia ka sjellë foshnja vëllait/motrës së madhe. Në këtë mënyrë, fëmija i parë vendoset para një situate tërësisht konfuze. Përveç që duhet të ballafaqohet me një realitet të ri, në të cilin vëmendja ndaj tij do të pjesëtohet, papritmas na del një lodër, rëndom gjigante, që bebja e paska sjellë për vëllanë/motrën e madhe. Fëmija e merr lodrën krejt habi, por vëmendja e tij është tek bebja. Këmbëngulja se lodrën ia ka bërë befasi foshnja, e vë në lajthitje, varësisht nga mosha që fëmija i parë ka.
Mirëpo, pse foshnja patjetër u dashka t’i bëjë dhuratë fëmijës së madh?! A nuk vlen rregulli i pashkruar se të ndash me të tjerët, është po kaq ndjenjë e mirë si të marrësh nga të tjerët. Pra, a nuk kemi arritur ne si prindër që gjatë edukimit të fëmijës së parë t’i përcjellim tek ai vlerat e ndarjes së gjërave me të tjerët, bërjen e dhuratave për të tjerët, dhurimin e rrobave për të tjerët, të ndihmuarit e të tjerëve në nevojë?! Nëse e kemi bërë këtë, atëherë, para se të lind fëmija i dytë, do të jetë një përvojë shumë e këndshme që fëmijës t’i themi; sot do të dalim bashkë që Ti t’ia blesh motrës/vëllait që do të lindë një lodër çfarë mendon se do t’i pëlqejë atij/asaj. Zgjidhe ti dhe ia bën befasi! Kjo do ta lumturojë pa masë fëmijën tuaj. Ai do të ndihet se është më i madhi nga fëmijët dhe se ai po bën diçka, ngjashëm me prindërit, në pritje të rritjes së familjes.
Qëllimi është që fëmija i madh ta dijë rolin e tij. S’ka nevojë ta mashtrojmë. Atij duhet t’i japim rolin e kujdestarit të fëmijës, të mbrojtësit të tij. Kjo mund të bëhet në përditshmëri, si, p.sh., Kujdesu për motrën derisa të shkoj në banjë; Kujdesu për motrën derisa të laj enët. Ndonëse e dini se gjithçka është në rregull, për t’ia kujtuar përgjegjësinë që i keni lënë, ju e pyesni nga matanë dhomës, “Zemër, a është motra mirë? Kujdesu që motra të mos lëndohet; Largo lodrat e vogla që mund t’i fusë motra në gojë. Pas çdo sjelljeje të tillë, inkurajojeni fëmijën tuaj, duke e lavdëruar për atë që ka bërë. Thoni; Të lumtë. Falënderojeni. Përqafojeni, duke i thënë: Faleminderit që je kaq i kujdesshëm me motrën.
Pra, në këtë mënyrë, ju njëkohësisht e edukoni fëmijën tuaj, duke e bërë të përgjegjshëm dhe duke krijuar tek ai ndjenjën e kujdesit ndaj të pambrojturve, në këtë rast, ndaj anëtarit të ri të familjes. Veshja me këtë lloj përgjegjësie do të shmangë mundësinë që ai ta lëndojë beben.
Megjithatë, xhelozia mund të nuhatet në situata të caktuara; nëse ju gjatë kujdesit për foshnjën, i flisni asaj fjalë të ëmbla në prani të fëmijës së madh, mbani kontakt joverbal, si kontakti me sy, duke harruar se aty është edhe fëmija i madh, e qortoni fëmijën e madh, ndërkaq sa ktheni kokën nga bebja e zbusni fytyrën dhe i flisni me ëmbëlsi etj., komentoni me të tjerët sjelljet e bebes...
Duhet shumë kujdes. Nuk duhet ta anashkaloni foshnjën, të mos i dhuroni dashuri vetëm që të ruheni nga xhelozia e fëmijës së madh. Një alternativë shumë e mirë është të flisni në shumës. Në vend se bebes t’i drejtoheni me fjalët; zemra ime. I drejtoheni me fjalët; zemrat e mia. Ju ka mami engjëj. Ju kam gjithçka. Pra, çdo fjali ngërthen shprehjen e dashurisë ndaj të dy fëmijëve njëkohësisht.
Kurseni komentet me të tjerët për beben, në prani të fëmijës së madh. Kjo situatë do ta rrisë xhelozinë e tij, pasi ai e ndien se po e humb vëmendjen që kishte dhe se këtë vëmendje po e fiton foshnja.
Në situatat para gjumit, tregoni përralla. Ndani kohë ekskluzivisht për fëmijën e madh, qoftë duke luajtur lojën e preferuar të tij, duke ia lexuar një libër, duke shkuar bashkë në market. Shfrytëzojeni kohën kur bebja është në gjumë për t’ia dëshmuar fëmijës së parë se për ju ai mbetet po aq i rëndësishëm, sa ishte më parë.

© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

 

#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
270

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, rirodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT 2017 TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.com ww.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version