Ti je ketu: Ballina > Shëndeti > Këndi i psikologut
Këndi i psikologut

Falja dhe pajtimi

A i keni dëgjuar ndonjëherë këto thënie: “Nuk mund t’ia fal derisa të jem gjallë”; “Ajo nuk kërkon falje e si mund ta fal?”; “Ta fal? Kurrë nuk do ta harroj çka më ka bërë!”

 

Shkruan
Prof. dr. Neki Juniku, psikolog

Shumë njerëz e keqkuptojnë faljen, duke menduar se falja nënkupton të ulesh me keqbërësin, të flasësh dhe të përqafohesh me të. Falja dhe pajtimi janë veprime të lidhura, por jo të njëjta. Ja një shembull. Miku yt të ka bërë një të keqe të madhe. A mund ta falësh, a mund të pajtohesh me të? Përgjigjja do të duhej të ishte kjo: Mund t’ia falësh, pajtimi është diçka tjetër.
“Të falësh, është sikur të lirosh të burgosurin dhe të zbulosh se i burgosuri je Ti! Mbajtja e inatit, të burgos, e falja të liron nga ai “burg”.
Falja krijon dhe ruan raportet e mira, redukton ankthin dhe mundëson shëndet më të mirë. Mbajtja e inatit është shkatërrim i vetes. Me kalimin e kohës, njerëzit do të kuptojnë se vazhdimi i zemërimit kushton (për individin gjegjës dhe për të tjerët) dhe për këtë arsye përcaktohen të lirohen nga zemërimi dhe hidhërimi. Vetëm kështu ata do të mund të planifikojnë riparimin e dëmit të shkaktuar. Falja është një koncept që në literaturën psikologjike gjithnjë e më shumë po vlerësohet si një mënyrë shumë e suksesshme për përmbylljen e zemërimit. Ajo është një çlirim nga ndjenja e pakëndshme e mospranimit, e hidhërimit, e urrejtjes dhe e revanshit për ofendimet dhe lëndimet që na janë bërë. Ajo do të bëjë të mundur fokusimin në segmentet pozitive të jetës sonë. Falja do të sjellë përjetimin e empatisë, të mirëkuptimit, madje edhe të keqardhjes ndaj personit që ka sjellë lëndimin. Falja do të sjellë një qetësim të mrekullueshëm dhe mundësinë e vazhdimit të jetës së mëtejme, kënaqësinë me të tanishmen, shmangien e suksesshme të ankthit dhe depresionit, jetën me plot kuptim dhe në harmoni me bindjet e aspiratat tona, afërsinë me personat e tjerë.

Falja, akt që mund të arrihet
Në analizën e mëtejme të aktit të faljes theksohen disa veprime, të cilat në asnjë mënyrë nuk kanë të bëjnë me këtë vendim fisnik. Të falësh, nuk do të thotë të minimizohet keqbërja dhe efektet e saj. Për shërim dhe ecje përpara, është i domosdoshëm vetëdijesimi për të keqen e bërë dhe lëndimin. E keqja duhet të mbahet në mend, në mënyrë që të pamundësohet të ndodhë përsëri.
Ndër momentet e tjera lidhur me aktin e faljes veçojmë se ajo duhet të mësohet dhe se dështimi i realizimit të saj mund të na sjellë një varg simptomash, të cilat sinjalizojnë se falja është e nevojshme. Simptoma të tilla mund të jenë: sarkazma, zemërimi, kriticizmi, cinizmi, mosbesimi ndaj të tjerëve, ankthi etj. Falja do të mund t’i evitojë këto simptoma. Akti i faljes nuk është aspak i lehtë, por, megjithëkëtë, falja është akt që mund të arrihet. Kjo është ilustruar me rastin nga një kamp i përqendrimit në të cilin një lider fetar kishte vëzhguar vrasjen e bashkëshortes dhe tre fëmijëve të vet dhe vrasësit i kishte lutur që ta ekzekutonin edhe atë, por ata e kishin refuzuar kërkesën e tij, duke i thënë se ai ishte i nevojshëm, meqë fliste gjashtë gjuhë. Pavarësisht nga ky moment i tmerrshëm, personi në fjalë kishte vendosur të falte! Ky akt i faljes është përjetuar si hapje e dyerve të shtëpisë për të nxjerrë plehrat jashtë. Akti i faljes është më domethënës për të lënduarin se për lënduesin. Ne vendosim të falim për të ndërprerë vuajtjen tonë. Vendosim të mos urrejmë lënduesin, ndonëse e urrejmë atë që ka bërë ai. Sqarimi psikologjik i këtij veprimi mbështetet në atë se falja është një akt i vullnetshëm, për të cilin përcaktohemi nga bindja dhe besimi se ne jemi diç më shumë, më të rëndësishëm se e keqja e bërë dhe dëshirojmë që këtë të keqe ta shporrim, të mos e kemi pranë vetes. Nëse te personi të cilin e falim nuk ndodh asnjë ndryshim për të mirë, kjo fare nuk duhet të na brengosë. Faljen duhet ta shikojmë, para së gjithash, si veprim që do ta ndryshojë jetën tonë, duke na sjellë jetë të qetë dhe të lumtur. Falja do t’ia heqë personit lëndues fuqinë që ta vështirësojë edhe më tutje jetën tonë.

Falja, proces i fuqishëm shërimi për zemrat e thyera
Nëse ngjarja lënduese ka të bëjë me ndonjë person me të cilin do të dëshironim të kemi raporte të mira, atëherë akti i faljes mund të sjellë edhe pajtimin. Kjo nuk është gjithmonë e mundur. Ndonjëherë, personi gjegjës nuk dëshiron të komunikojë me ne. Ndonjëherë, pajtimi mund të mos jetë i realizueshëm për arsye të ndryshme. Megjithëkëtë, falja është e mundshme edhe nëse nuk ndodh pajtimi. Falja dhe pajtimi mundësojnë që njerëzit të cilët kanë qenë armiqësorë njëri ndaj tjetrit, të jetojnë së bashku përsëri. Falja e veprimeve të mëparshme të gabuara mund të jetë qenësore për pajtimin ndërmjet miqve, anëtarëve të familjes, bashkëshortëve, fqinjëve, racave, kulturave dhe popujve. Në përfundim mund të themi edhe një herë se akti i faljes nuk do të lejojë që dhembja nga e kaluara e hidhur të diktojë rrugën e së ardhmes. Falja pa dyshim është një proces i fuqishëm shërimi për zemrat e thyera. Sipas këtij mendimi, falja është proces i brendshëm i elaborimit të lëndimit, kuptimit të asaj që ka ndodhur, sajimit të sërishëm të ndjenjës së sigurisë dhe evitimit të mërisë dhe armiqësisë. Pala lënduese nuk është domosdo pjesë e këtij procesi (faljes).
Falja është akt i vetmuar, ndërsa pajtimi një ndërmarrje e përbashkët. Për faljen nevojitet një person, kurse për pajtim nevojiten dy njerëz. Falja nuk kërkon pjesëmarrjen e lënduesit, por pendimi e lehtëson faljen.

Për arritjen e faljes - e rëndësishme mënyra e kërkimit të saj
Ja një kërkesë korrekte për falje: “Sa keq, unë vërtet të kam lënduar, kjo është e papranueshme”, me ç’rast falja është më e lehtë. “Jo vetëm të kam lënduar, por akoma më rëndë është se kam bërë diçka të keqe, të papranueshme”. “Meqë përgjegjësia është imja, çka mund të bëj që t’ju lehtësoj këtë lëndim?”
Ja një kërkesë fyese për falje: “Më vjen keq që jeni lënduar.” Kjo bën që personi i lënduar të ndihet thuaj se është fajtor që është lënduar. Çështja është se falja dhe pajtimi mund të jenë një proces i gjatë dhe i mundimshëm, për shkak të pengesave rreth pranisë së lënduesit. Mirëpo, falja ju përfshin vetëm ju. A nuk ia vlen kjo, për hir të shëndetit tuaj emocional dhe trupor?

© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
270

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, rirodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT 2017 TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.com ww.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version