Ti je ketu: Ballina > DIASPORA > Kosovarët më me ndikim në botë
Personalitete
Kosovarët më me ndikim në botë
Depërtimi në cilëndo fushë në industrinë ndërkombëtare nuk është i lehtë, porse sukseset e kosovarëve, të cilët po vazhdojnë të thyejnë të gjitha barrierat, dëshmojnë se asgjë nuk është e pamundur. Në vazhdim jua prezantojmë katër yje super të talentuar: Rita Ora - pop këngëtare, Ramë Lahaj - tenor, Dua Lipa - pop këngëtare, Erjona Ala - modele, të cilët na kanë bërë krenarë me praninë e tyre kudo që janë shfaqur.

 

Shkruan Blinera Gashi

  

   

Rita Ora, vajza ambicioze, e patrembur, me natyrë të hareshme dhe shpirt të shfrenuar, e cila ndez dhe frymëzon, gjatë viteve të fundit, përveç suksesit muzikor, është shndërruar në ikonë të brendeve botërore, siç janë DKNY, Calvin Klein, Rimmel London dhe Adidas, të cilët kanë vrapuar pas saj, duke besuar se suksesi i fushatave të tyre ishte i pashmangshëm, nën imazhin e saj.

Me shpejtësinë e dritës ka pushtuar top-listat, por edhe ballinat e magazinave të modës. Duket se kurrë nuk mjafton buzëqeshja e saj dhe kombinimet shumëngjyrëshe. Ndërkaq, të gjitha vajzat ëndërrojnë që të kenë flokët e saj biondë, tenin në nuancë kapuçinoje dhe buzë të plota, të cilave buzëkuqi i kuq u ka tepër hije. Këngëtarja gjithnjë e më e popullarizuar britanike, shqiptarja nga Kosova, Rita Ora, të cilën e quajnë edhe Biondina ‘e krisur’, është bërë sinonim i aftësisë së transformimit të shpejtë, ndërsa adhurueset nga e gjithë bota po i realizojnë kombinimet sipas veshjes së saj si dhe po i shpërndajnë fotografitë e saj në rrjetet sociale. Rita Ora është 28 vjeç, ndërsa tashmë është provuar në role të ndryshme. E kemi njohur edhe si tinejxhere, edhe si damë elegante, por edhe si ngashënjyese. Publikimet e revistave të modës dhe portalet u vërshuan nga paraqitjet e saj, që ishin nga më të vërejturat.
Rita Ora nuk dallon nga yjet e tjera të muzikës pop për kombinimet ekstravagante të veshjes, veçse nga shpirti i saj rinor dhe nga energjia e pashterur pozitive, e cila në çdo rast shpërthen në plan të parë. Edhe pse çdoherë duket bukur, lë përshtypjen sikur asnjëherë nuk pozon dhe se nuk angazhohet shumë që në çdo moment të duket e përkryer. Çdoherë është në rroba të reja, porse veshja nuk është ajo që së pari bie në sy, është personaliteti i saj, buzëqeshja, sytë dhe qëndrimi që tërheqin vëmendjen. Në njërën nga intervistat e para për revistën britanike Vogue, thotë: Nuk bëhet fjalë se kush e ka kreuar veshjen dhe se a është i njohur. Thelbësor është – se si e mbani atë veshje dhe sa i përgjigjet personalitetit tuaj! Që me paraqitjen e saj, Rita nuk ishte e vetëdijshme se, krahas suksesit në muzikë, ajo do t’u bëhej model vajzave të reja, kur është fjala për stilin. Shpesh në intervista thekson se si është e tmerrshme se sa janë në gjendje vajzat ta kopjojnë pamjen e saj. Tjetër është të kesh frymëzim, e tjetër tentimi për ngjashmëri me çdo kusht. Rita konsideron se njerëzit duhet ta gjejnë veten në muzikën e saj, të përpiqen të jenë të lirë, të mendojnë me kokën e tyre dhe që emocionet t’i shprehin në harmoni me personalitetin e tyre. Ashtu duhet edhe të vishen dhe të duken, e jo të ndjekin verbërisht atë që bëjnë idhujt e tyre.
- Nuk është zbavitëse t’i kopjosh të tjerët. Kjo është e lehtë. Është zbavitëse të bësh diçka personale. Kështu është edhe me veshjen. Nëse atë që dëshironi nuk mund ta realizoni, ose nuk e keni parë askund, bëjeni vetë. Kjo është origjinale – ka thënë Rita Ora për Vogue-n dhe ka sqaruar se nuk do të refuzonte të dizajnonte ndonjë koleksion mode, porse në rast të tillë do t’i përkushtohej vetëm kësaj dhe që ky të ishte vërtet art – ka thënë Rita.
 


 

Është i vogël numri i tenorëve të suksesshëm, të cilët me zërin dhe interpretimin brilant arrijnë të mbushin sallat e koncerteve. Në mesin e këtyre xhevahireve, pa dyshim renditet Ramë Lahaj, djali nga Istogu, shfaqjet e të cilit priten me entuziazëm në gjithë botën.

Ky tenor kosovar ishte ndër më të vlerësuarit gjatë vitit 2018. Zëri i tij atraktiv dhe burrëror, evoluon gjatë këndimit, është tejet pasionant dhe i thellë, andaj entuziazmon adhuruesit, të cilët e ndjekin me shumë pasion kudo që shfaqet nëpër botë. Sot, Ramë Lahaj është një artist i mirënjohur, i cili me pjekurinë e tij ka bërë një karrierë triumfuese. Andaj, gjatë viteve të fundit ai arriti famë dhe njohje në mbarë globin.
Tenori ka korrur fitore në teatrot më të mira falë imazhit të fuqishëm dhe pranisë efektive në skenë. Prandaj, jo rastësisht, legjenda e muzikës operistike, tenori i madh botëror, Plaçido Domingo, është tejet i mahnitur me potencialin vokal të tenorit kosovar, Ramë Lahaj, interpretimin e të cilit e vlerësoi në superlativ, ngase zëri i tij rezulton të jetë i përsosur. Të dy së bashku së fundmi janë paraqitur në teatrot më me renome, ndërkaq Domingo, i fascinuar, thotë: - ‘Rama është në formë të përkryer për paraqitjet e tij koncertale. Ai tashmë është paraqitur në shumë teatro botërore, madje në teatro shumë të rëndësishme. Është tenor i cili ka të gjitha mundësitë për të bërë karrierë fantastike’! Andaj, pa dyshim Ramë Lahaj është përfaqësuesi më i suksesshëm kosovar, karriera e të cilit është përherë në rritje.
Nga Meksikoja në Angli, nga Franca në Rusi, kudo që u paraqit në skenat e shumta prestigjioze, shkëlqeu, e bëri për vete publikun dhe triumfoi me interpretimin madhështor. Vokali i tij brilant, bëri që kritika ta vlerësojë në superlativ.
Por cilët janë eksponentët të cilët e kanë shndërruar atë në një nga tenorët më të mirë në botë. Pa dyshim Rama ka arritur suksesin përmes fuqisë, gamës dhe fleksibilitetit të tij. Që kur u zbulua ndërkombëtarisht, depërtimi në teatrot më me renome dhe arritjet marramendëse e shndërruan në mbret të tenorëve. Talenti i tij i padiskutueshëm kombinohet me aftësitë e vokalit që i lejon atij të sjellë interpretimin me përsosmëri. Përtej homogjenitetit, hijeshia e këndimit pa dyshim është sekreti i vërtetë i suksesit të tij. Të gjitha këto veti pozitive, në ditët e sotme, Ramë Lahaj-n e kanë shndërruar në një zotëri bashkëkohor dhe atraktiv. Pavarësisht nga thjeshtësia e tij dhe zëri magjepsës, ai e bën tërheqës dhe të besueshëm çfarëdo roli që interpreton. Ai është një artist i gjithanshëm, plot potencial, i cili është dëshmuar për aftësitë e tij interpretuese. Këngëtar i pasionuar, i cili provokon duartrokitjet dhe psherëtimat në masë.
Pas performancave në teatrot më me renome në botë, në maj të vitit 2018, tenori Ramë Lahaj, për nder të Ditës së Evropës, iu rikthye fuqishëm skenës prishtinase. Interpretimi i tij pasionues, bëri që koncerti të ishte një kryevepër, e cila entuziazmoi tej mase artdashësit të cilët e nderuan bashkëkombësin e tyre me duartrokitjet frenetike.


 

Sharmin dhe talentin duket se i ka trashëguar nga i ati, Dukagjini, me të cilin ngjan jashtëzakonisht shumë. Kosovarja britanike, Dua Lipa, emri i së cilës ka zgjuar interesim të jashtëzakonshëm në botë, rrugëtimin e saj drejt famës botërore e ka nisur me shumë vrull dhe seriozitet.

Këngëtarja britanike, e cila pa keqardhje hoqi dorë nga modelimi, në momentin kur ndodhej në pikën që i duhej të humbte peshë, të ndiqte dieta, ta riformonte trupin e saj, e kjo ishte pikërisht koha kur ajo adhuron picat, kështu që ajo pa mëdyshje u largua nga bota atraktive e modelimit. Në fakt, ajo e ndiente se kjo nuk ishte rruga të cilën duhej ta ndiqte, ndonëse modelimi është një përvojë e mahnitshme dhe të qenit në fokusin e aparatit fotografik, është një punë tejet atraktive, por këtë profesion ajo nuk e shihte si karrierën e cila medoemos duhej realizuar, ngase në ëndrrat e saj muzika përherë zinte vendin primar, edhe pse, në fillimet e karrierës së saj, atëherë kur ajo ishte fëmijë, nuk arrinte të këndonte notat e larta. Ishte pikërisht mësuesi i saj i parë, ai i cili i kishte sugjeruar të merrej me muzikë, porse problem mbeteshin notat e larta. Ndaj dhe sot ajo kujton se pa të, nuk do të kishte karrierë muzikore. Vetëm kur u regjistrua në shkollën “Sylvia Young Theatre School” në Londër, ajo e kuptoi se mund të bëhej këngëtare. Përderisa dashurinë për muzikën e ka nga babai, ngase si fëmijë përherë ishte e rrethuar me muzikë, yjet nga të cilat inspirohet janë Pink dhe Nelly Furtado. Ndërkaq, zhanri i saj është Pop i errët dhe ka ndikim të madh nga hip-hopi.
Këngëtarja e talentuar, e cila përherë është në lëvizje nga një shtet në tjetrin, sa më shumë udhëton, aq më mirë ndihet, ndërsa me vendosmëri thotë se është duke e jetuar ëndrrën e saj, shprehet e entuziazmuar vajza e cila është e lindur në Londër nga të dy prindërit kosovarë, të cilët u larguan në fillim të viteve ’90 nga Kosova, për t’u rikthyer sërish në Prishtinë, pas përfundimit të luftës, periudhë kur Dua jeton disa vjet në kryeqytetin kosovar dhe rikthehet sërish në Londër për ta vazhduar jetën e saj në metropolin britanik, tani e vetme, pa prindërit.
‘Jeta që kam bërë e vetme në Londër, që në moshën 15 vjeçe, më bëri më të sigurt dhe të pavarur’, thotë këngëtarja kosovare Dua Lipa. ‘Ky fakt luajti një rol të madh dhe ishte vendimtar për sukseset e mia, që i kam mbërritur sot. Nëse unë nuk do të vrapoja dhe nuk do t’i kontaktoja njerëzit profesionistë të muzikës dhe nëse nuk do të bisedoja me ta për çështje pune, nuk mendoj se sot do të isha këtu ku jam, ngase përherë kam menduar se personi i vetëm i cili do të më ndihmonte të arrija diçka në jetë, jam unë, vetja ime. Natyrisht, unë e kam ekipin tim, i cili bën punë të mahnitshme, por, nëse nuk do t’i përmbushja obligimet e mia, suksesi do të mungonte. Ndieja se personeli nga produksioni muzikor, nuk po më gjenin mua, prandaj i kërkova dhe i gjeta unë ata’, thotë këngëtarja sharmante, mega ylli botëror, debutimet e së cilës po mrekullojnë audiencën dhe po i garantojnë rrugë të ndritur e të suksesshme.


 

Një nga supermodelet më të famshme botërore është pa dyshim shtatlarta nga Mitrovica, Erjona Ala. Angazhimi në më shumë se 60 revy brenda vitit, e rangon atë në top-listën e modeleve më të suksesshme në glob. Zbuloni kush është vajza modeste, e cila nuk pëlqen ta imponojë suksesin e saj tek të tjerët, por që ka arritur sukses të jashtëzakonshëm në industrinë e modës botërore.

Erjona Ala ishte vetëm dy vjeçe, kur, bashkë me prindërit, në viti 1997, u largua nga qyteti i minatorëve, për t’u shpërngulur në jug të Norvegjisë, në qytetin Kristiansland. Disa vjet më vonë, kur ajo ishte 15 vjeçe, derisa po shëtiste me babanë e saj në qytetin e bukur të Oslos, ndalohet nga një agjente për zbulimin e modeleve nga agjencia Heartbreak Managment, e cila i ofron të punojë si modele për këtë agjenci. Meqë kurrë nuk e kishte menduar të merrej me një profesion të tillë, fillimisht nuk e përfill ofertën që i bëhet. Megjithatë, duke e rimenduar, pajtohet që ta provojë. Kështu ishte fillimi i emigrantes kosovare, që ishte rritur larg nga vendlindja e saj, e cila shumë shpejt ngjitet në maja të industrisë së modës dhe që nga atëherë shtatlarta tërheqëse, vajza me natyrë të hareshme, është shndërruar në ikonë të brendeve botërore. Kështu, që nga viti 2010, kontratat me agjencitë e modës nuk kishin të ndalur, fillimisht ishte Ford Models në Nju-Jork, në Milano, në Paris. ‘Mbaj mend, kur kam filluar punën, jam munduar të mos tregoj që merrem me modelizëm, veçanërisht në shkollë nuk doja ta kuptonin. Frikohesha se si do të reagonin nxënësit e tjerë, çka do të thoshin ata për mua. Bile, kur e kuptuan, turpërohesha të shkoja në shkollë. Kam qenë shumë, vërtet shumë e turpshme. Nuk e di pse, ndoshta pse unë e dua jetën normale, kështu siç jam në shtëpi. Mbaj mend, pasi fitova konkursin në Elite dhe u ktheva në shkollë, nxënësit më thanë: ‘ti modele, sa e gjatë, sa e keqe’ - qeshet Erjona, e cila komunikon shumë bukur në gjuhën shqipe. Porse, të qenit modele, nuk ishte punë e lehtë. Udhëtimet nga një shtet në tjetrin, takimet me agjenci të modës, kontratat, e shumë angazhime të tjera, vështirë të menaxhoheshin nga një vajzë 15 vjeçe, prandaj ishte babai i saj ai i cili përherë e mbështeti të bijën në rrugëtimin që kishte nisur. Kështu, në moshën 16 vjeçe Erjona arrin të marrë pjesë në 64 revy të kreatorëve më të njohur botërorë të modës, siç janë: Versace, Chanel, Michael Kors, Louis Vuitton, Dolce&Gabbana, Burberry, Alexander Wang, Armani, DKNY, Cushnie et Ochs, Francesco Scognamiglio, Givenchy, Marc Jacobs, Moschino, Yves Saint Laurent, Zimmermann, Marc Cain, Nina Ricci, Pamella Roland, Roberto Cavalli etj. Po ashtu, ishte imazhi kryesor për fushatën Louis Vuitton. Mbi të gjitha, publikimi i fotos në ballinën e revistës Vogue, botimi italian, ishte një nga përvojat më të mëdha. Vazhdimisht ishte në lëvizje, nga Nju-Jorku në Paris, nga Milano, kudo ku e ftonin. Erjona, e cila është e gjatë 1.79 cm, nuk peshohet asnjëherë, ky është ligj të cilin e respekton me përpikëri. Thotë se ushqehet bio dhe nuk ka nevojë të mbajë dietë. Ndërkaq, nga ushqimi tradicional kosovar adhuron jashtëzakonisht piten dhe flinë. Se sukseset e saj nuk kanë të ndalur, e dëshmon fakti se çdo vit merr pjesë në më shumë se 50 revy, ndërsa gjatë vitit kanë nga dy sezone, ndërkaq për shkak të intensiteti të lartë të punës, që nga viti 2014 ka braktisur Evropën dhe jeton në Nju-Jork.
Por, një gjë është e veçantë tek Erjona, ajo është një nga vajzat e rralla, e cila nuk pëlqen që ta ekspozojë punën e saj: ‘Në radhë të parë, nuk dua ta imponoj tek të tjerët veten time, as suksesin tim, madje as në rrjete sociale. Modelimi është art, nuk ka të bëjë vetëm me faktin se si dukem’ – shprehet e lumtur Erjona, e cila përherë me shumë nostalgji kujton vendlindjen e saj, të cilën nuk po arrin ta vizitojë aq sa ka dëshirë.

 © REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
274

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, riprodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT 2017 TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.com  www.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version