Ti je ketu: Ballina > Gra të njohura > Edita Tahiri, ashtu siç askush nuk e njeh!
Ekskluzive
Edita Tahiri, ashtu siç askush nuk e njeh!
“Gjithmonë e kam pasur të qartë që duhet të jetoj ndershëm dhe jam kundërshtare e pakompromis e korrupsionit. Ndaj, jetoj ndershëm dhe qeverisjen e kam bërë ndershëm”, kështu pohon gjatë bisedës për revistën “Teuta”, politikania Edita Tahiri, e cila ende nuk e ka siguruar një kulm mbi kokë, me gjithë angazhimin politik tash e 27 vjet. Jeton te motra, ndërkohë që në këtë bisedë rrëfehet për fëmijërinë e munguar, vizitat tek i ati në burg, punën e parë si mësimdhënëse, arsyen e mosqëndrimit në diasporë dhe detaje të tjera interesante nga jeta e saj.

Shkruan Antigona Uka

E lindur në Prizren, në vitin 1956, në një familje që ka qenë kombinim i bashkimit të njerëzve nga dy anët e kufirit, babai nga Prizreni, ndërsa nëna nga Kukësi, ajo u rrit pa e ndier dashurinë prindërore. Sa ishte foshnjë, babai iu burgos nga regjimi i Rankoviqit dhe, në vend të vizitave në parqe me lodra, ajo ishte e rregullt në vizitat në burg, ndërkohë që nëna, duke i rritur e vetme pesë fëmijë, duhej të mbante dy punë njëkohësisht dhe, si rrjedhim, nuk kishte ‘luksin’ e përkëdheljes e faljes së dashurisë ndaj fëmijëve.

Nana na frymëzonte për shkollim
“Fëmijëria ime ka qenë e vështirë. Babai im ka qenë në burg në kohën e Rankoviqit, pasi është angazhuar në veprimtari kombëtare për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Ka qenë i dënuar 9 vjet dhe i ka mbajtur 5. Atëbotë kam qenë 11-muajshe, e kur është kthyer isha gjashtë vjeçe. Atë fëmijëri, në mungesë të babës dhe angazhimeve të nanës që të punojë dyfish më shumë për ta mbajtur familjen, edhe sot kur ta mendoj, e shoh si një fëmijëri të privuar”, kujton me nostalgji politikania, e bindur që këto rrethana ishin përcaktuese të orientimit të saj të mëvonshëm, në shërbim të çështjes kombëtare.
Pas daljes nga burgu, babait të saj iu desh të mjekohej për 10 vjet në qendra të ndryshme neuropsikiatrike. “Ishte i izoluar edhe në shtëpi dhe derisa u rehabilitua shkuan edhe 10 vjet. Deri 16 vjeç, kjo ka qenë sfida që kemi pasur ne fëmijët, e posaçërisht nëna, e cila, pavarësisht nga këto rrethana, na mbështeste dhe na frymëzonte për shkollim”, potencon ministrja. Si rrjedhim, të pesë fëmijët u rritën e u shkolluan në frymën e patriotizmit. Vëllai i madh i Editës, ka ndërruar jetë vitin e kaluar, ndërkohë që ka jetuar prej vitesh në Belgjikë. Të dy motrat e saj kanë qenë mësimdhënëse, njëra e matematikës, tjetra e gjeografisë, ndërkaq vëllai i vogël ka zgjedhur të merret me kontabilitet.
Fakti se nëna ishte e detyruar të punonte dyfish, në një fabrikë konfeksioni në Prizren dhe pastaj në shtëpi, një orar si rrobaqepëse, Edita si fëmija më i vogël, nuk kishte mundësi të ndiente dashurinë, përkëdheljet e saj dhe sot, gjithmonë kur sheh skena të tilla dashurie nënë-fëmijë, si në jetë apo në filma, i mungon kjo pjesë e pajetuar. “Nana, dashurinë ndaj nesh e ka treguar përmes angazhimit për mbijetesë, e veçmas për shkollimin tonë. Edhe doktoraturën kur e kam mbrojtur, e kam pasur në mendje nanën. Dhe thosha, po të ishte gjallë, do të ishte shumë e gëzuar”, shprehet me bindje znj. Tahiri. “Mallin për familjen e saj, që kurrë nuk e pa, qëkur ishte martuar, për shkak të kufirit të bllokuar, e kemi pasur pjesë të jetës. Më kujtohet që, sidomos vikendeve, kur nana ishte në shtëpi, e fillonte ditën me një vaj për mallin që ndiente, mundohej të na shmangej në tjetër dhomë, por vaji i saj dëgjohej tek ne”.

“Pamundësinë për të studiuar psikologji, e kompensova me lexim të psikanalizës”
Kur erdhi koha për studime, Edita, për të kuptuar vuajtjet, torturat që kishte përjetuar babai dhe shqiptarët e tjerë, kishte dëshirë të studionte psikologjinë. “Doja të dija si kanë reflektuar në aspektin psikologjik ato tortura, si është dëmtuar kombi ynë në aspektin psikologjik. Mirëpo, familja ime nuk kishte mundësi financiare për të më dërguar në Zagreb, ku kishte degë të psikologjisë, ndaj u përcaktova për elektronikë, në atë kohë një degë më moderne. Megjithatë, kurrë nuk i jam ndarë leximit të psikanalizës”, tregon.
Pas diplomimit ishte angazhuar si mësimdhënëse në arsimin e mesëm në Prizren, me entuziazmin për të ndihmuar gjeneratat e reja. Njëkohësisht kishte regjistruar studimet në universitetin e Zagrebit dhe kishte fituar një bursë për të studiuar në Britani të Madhe, ku kishte bërë një master njëvjeçar. Pas angazhimit në Lidhjen Demokratike të Kosovës, në vitin 1991 u zgjodh ministre e jashtme e Kosovës. “Asokohe fillova punën në diasporë, por, pas pesë muajsh, vendosa të kthehem në Kosovë, pasi, kur bëja lobim për çështjen e Kosovës, kisha pyetje ku jetoj. Ata pesë muaj, ato pyetje ishin indikative se nuk mund të prezantoja një gjendje, nëse jetoj jashtë, ndaj u ktheva. Vazhdova të mbaja funksionin e njëjtë, por, për shkak të rrezikut të arrestimit, në marrëveshje me presidentin Rugova, publikisht mora titullin sekretare për marrëdhënie me jashtë e LDK-së. Realisht, kam qenë pjesë e qeverisë deri në vitin 2000, kur janë shuar ato institucione, me ardhjen e UNMIK-ut”, tregon znj. Tahiri.
Kur ishte propozuar për kryenegociatore në bisedimet Kosovë - Serbi, përveç vijave të kuqe, si ajo për mosbisedime për statusin, sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, ajo se për minoritetin serb dhe minoritetet e tjera, Pakoja e Ahtisarit është maksimale dhe pika tjetër e kuqe, jo biseda për rregullimin e brendshëm të Kosovës, negociatorja kosovare kishte vënë edhe një kusht, e ai ishte prania e ShBA-ve në tryezën e bisedimeve.
E trajnuar në ShBA për dialog, me një shkollim në Harvard pas luftës, ku kishte fituar titullin magjistër i shkencave për administratë publike, pastaj me një doktoraturë për shkenca politike, me temë në dështimet e UNMIK-ut dhe lejimin që Serbia të vendosë struktura paralele, pranimi i detyrës së kryenegociatores, konsideron se i dha mundësinë të zgjidhë problemet që kishte trajtuar në doktoraturë. Duke renditur disa nga arritjet në këto bisedime, ministrja për dialog, garanton qytetarët e Kosovës se çdo marrëveshje e arritur deri tash bazohet në ligjet e Kosovës dhe deri tash mbi 30 marrëveshje, asnjë ligj nuk është ndryshuar, ndaj, kjo sipas saj, është një provë për qytetarët.

“S’kam banesë timen, jetoj tek motra”
Të qenit femër në pozitë, aq më tepër si negociatore, pa dyshim që nënkupton edhe një kujdes më të shtuar për dukjen e jashtme, veshjen, grimin, flokët. Në këtë drejtim, ish-ministrja, ka vërejtje për prodhuesit dhe importuesit e gardërobës në vend, pasi, pohon duke qeshur se, ose ajo duhet të bjerë në peshë, ose furnizuesit e butikëve të ndryshojnë numrat. Kozmetikën e preferon më shumë të firmës Channel. Grimin e bën vetë. Viziton rregullisht floktarin. “Flokët natyrale i kam kaçurrela, i rregulloj me shkumë, xhel”. Edhe për gardërobë ka gjetur një zgjidhje. “Prej kohës kur kam studiuar në Amerikë, 2001-2002, kisha mundësi të njihesha me produktet amerikane, dhe për shkak të numrit, tash vazhdimisht porosis online. Kam miq në Amerikë dhe ata, kur vijnë, m’i sjellin. Po flas për gardërobë zyrtare, pasi rrobat e tjera i blej këtu, në Bruksel, apo kudo”. Nuk synon brendet e larta, pasi, siç shprehet, bën një jetë modeste. “Gjithmonë e kam pasur të qartë që duhet të jetoj ndershëm dhe jam kundërshtare e pakompromis e korrupsionit, thekson ish-ministrja, duke shtuar se ka 27 vjet që është angazhuar në politikë, por ende nuk ka banesë. “Këtë askush nuk e di. Më në fund kam kontraktuar një banesë, të cilën po e paguaj gradualisht, por ende nuk jam vendosur në të. Jetoj te motra. Dhjetë vjet kam jetuar te Edi Shukriu, edhe ajo ka qenë në LDK. Para se të banoja me Edin, kam banuar me një shoqe të studimeve, e tash jam te motra”.
Kur bëhet fjalë për ushqimin, znj. Tahiri tregon se, kur ndodhet jashtë vendit, preferon restorantet italiane, ndërkaq, në shtëpi, thotë se motrën e ka eksperte të kuzhinës, ndaj preferon të gjitha, edhe ushqimet tradicionale edhe ato italiane, franceze etj. Nuk ka rregull në ushqim, mëngjesin e kapërcen gjithmonë dhe e di që nuk po bënë mirë, por jo edhe sallatat. Ndërkohë që rregulli numër një, për sa i përket ushqimit, është freskia e tij.
Pushimet në det nënkuptojnë udhëtimet drejt Shqipërisë ose Turqisë, e ndonjëherë, kur bregdetet nuk janë zgjedhja e preferuar, ky itinerar ndryshon për të vizituar vende të tjera atraktive.

© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
264

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, rirodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT 2017 TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.net  ww.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version