Ti je ketu: Ballina > Gra të njohura > Zonja e gjykatave dhe e zgjedhjeve në Kosovë
Valdete Daka
Zonja e gjykatave dhe e zgjedhjeve në Kosovë
Jeta e zonjës Valdete Daka është e lidhur me gjykatën. Si një prej gjyqtareve të para femra, që punoi në komunën e Prizrenit dhe që gjykoi rastet më të komplikuara në këtë komunë, ajo u vlerësua dhe u caktua gjyqtare edhe në Gjykatën Supreme të Kosovës, e po ashtu edhe kryetare e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Energjike dhe e vendosur për t’i çuar punët dhe drejtësinë deri në fund, ajo nuk iu shmang sfidave që shpesh do t’i thyenin edhe meshkujt e fortë. Në një rrëfim për “Teuta”, ajo dhe familja e saj flasin për sfidat profesionale dhe jetën e tyre familjare.

 

Bisedoi Faik Hoti
Fotografitë Ridvan Slivova

E rrethuar nga bashkëshorti Agroni dhe tre djemtë: Dreni, Sokoli dhe Atdheu, kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) dhe njëherësh gjykatësja në Gjykatën Supreme të Kosovës, znj. Valdete Daka, thotë të mos ndihet keq që, gjatë gjithë jetës së saj, në rrethin e saj të ngushtë familjar ka qenë e rrethuar më shumë nga meshkujt. Si vajzë e hasretit, që ka qenë në familjen e saj, ajo ndihet e lumtur me tre djemtë e saj dhe bashkëshortin, të cilët, përveç dashurisë që i ofrojnë çdo ditë, shprehin edhe respekt të madh për kryefamiljaren, duke e kompensuar kështu deri-diku mungesën e vajzës në familjen Daka. Ndërsa djemtë po ndiqnin me vëmendje të madhe përmes ekranit garën e madhe të “Formula 1” që po mbahej në Monako, Zonja Valdete dhe bashkëshorti i saj, Agroni, me një mikpritje të madhe, po shpalosnin për lexuesit e revistës “Teuta”, fragmente nga jeta e tyre e përbashkët, që kishte nisur diku para 30 vjetësh.


Një jetë e lidhur me gjykatën
Ndonëse është lindur në Mitrovicë, jeta e znj. Valdete lidhet me Prishtinën dhe Prizrenin. Ajo është rritur në Prishtinë, teksa kujton se familja e saj ka një lloj epiteti të familjes monarkiste-mbretërore, duke qenë që nëna e saj ishte korçare dhe gjyshi oficer i Mbretit Zog. Babai i saj, ndërkaq, Rifat Osmani, ishte një jurist i njohur kosovar.
“Me Agronin jemi njohur në Prishtinë, në vitin 1984. Ishte një njohje përmes miqve dhe shumë shpejt, pas njohjes, jemi fejuar dhe jemi martuar, pas një viti”, tregon Zonja Valdete. Pas martesës, ajo kishte shkuar për të jetuar në Prizren, ku jetonte Agroni.
Ai është inxhinier i ndërtimtarisë me profesion, por politika nuk kishte qenë e përjashtuar nga jeta e tij, duke qenë që, në vitin 1989, Agroni ishte në mesin e shtatë deputetëve të ish-Kuvendit të Kosovës, që në mars të atij viti kundërshtuan ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës nga Serbia, si deputet nga komuna e Prizrenit. Ai ka punuar në Ujësjellësin Rajonal “Cvileni” në Prizren.
I qetë, racional dhe mirëkuptues për punën shumë angazhuese të bashkëshortes, Agroni tregon se zhvillimet e pasluftës kishin bërë që ai dhe familja e tij të vinin për të jetuar nga Prizreni në Prishtinë, në vitin 2010. “Duhej sakrifikuar disi për interesin e përgjithshëm të familjes dhe, midis opsionit të parë, për të vazhduar në Prizren, ndërkohë që Valdetja kishte shumë angazhime në Prishtinë dhe, opsionit të dytë - që puna e saj dhe perspektiva e fëmijëve lidheshin me Prishtinën, ne vendosëm për të dytin, meqë dukej zgjidhje më pragmatike”, tregon ai.
Agroni, gjithashtu e ka gjetur veten mirë në Prishtinë, meqë punon si kontraktues nga USAID-i dhe mbikëqyrës i projekteve të ndryshme që lidhen me fushën e tij.
Nga ana e saj, jeta e Valdetes është e lidhur me gjykatën. “Prandaj, po e shihni që edhe më pëlqen të flas shumë rreth gjykatave, meqë tërë jetën kam qenë gjyqtare”, thotë duke qeshur ajo. E angazhuar si kryetare e KQZ-së, gjyqtare në Gjykatën Supreme të Kosovës dhe në Këshillin Gjyqësor të Kosovës, Zonja Daka kujton se edhe fillet e karrierës së saj ishin të lidhura me gjykatën. Së pari, si gjykatëse në Gjykatën Komunale në Prizren, ku kishte qenë gjykatësja e vetme femër dhe më e reja për nga mosha, duke punuar kryesisht në lëndët me të mitur, e pastaj edhe në çështje penale, deri në kohën e okupimit, kur ishte larguar nga aty prej pushtetit të dhunshëm serb.
“Kam vazhduar në gjykata edhe pas luftës, prej vitit 2000 në Gjykatën Komunale në Prizren, pastaj më 2002 trajnuese gjyqësore në Këshillin Gjyqësor të Kosovës, për të kaluar pastaj më 2003 në Gjykatën e Qarkut në Prizren, deri në emërimin në Gjykatën Supreme të Kosovës dhe Këshillin Gjyqësor të Kosovës më 2010”, tregon për karrierën e saj si gjyqtare zonja Daka.
Në këtë vit, familja Daka edhe ishin zhvendosur nga Prizreni në Prishtinë. Paraprakisht, ata kujtojnë se gjatë kohës së luftës, kishin kaluar momente të vështira, duke qëndruar të strehuar në një shtëpi në Prizren, me ditë të tëra edhe pa ushqime, derisa banesa e tyre në Ortakoll, prej nga ishin përzënë nga serbët, ishte uzurpuar nga paramilitarë e ushtarë serbë, të cilët edhe e kishin djegur në masë të madhe atë.
Kur historia e tyre kthehet ndërkaq shumë vjet më herët dhe shpaloset koha pas largimit nga puna me dhunë nga pushtuesi serb, Zonja Daka kujton se për një kohë në Prizren kishin hapur një biznes familjar me qëllim që ta mbijetonin atë kohë të vështirë. “Jam marrë një kohë me qepje fustanesh, ishte kohë e mbijetesës”, kujton ajo.
Sfida e KQZ-së
Ndërkohë, kur e kaluara lihet anash, Zonja Valdete dhe familja e saj kanë pasur një perspektivë krejt tjetër pas luftës, që njeh suksese në karrierë dhe qetësi e harmoni familjare.
Më 16 qershor 2010 ajo u emërua Kryetare e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga ana e ish-Presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu, e po këtë vit ajo ishte zgjedhur edhe gjykatëse në Gjykatën Supreme të Kosovës, që për të ishte një konfirmim i profesionalizmit dhe përkushtimit. “Para se të caktohesha në Gjykatën Supreme, kam punuar në Gjykatën e Qarkut në Prizren dhe kam pasur lloj-lloj rastesh të vështira nëpër duar. Kam qenë e njohur si gjykatëse më e rreptë dhe e cila është marrë me raste të vështira. Jam vlerësuar për punën që kam bërë dhe kjo ka bërë që të zgjidhem në Supreme”, thotë ajo. Natyrisht, pranimi i një detyre tjetër shtesë dhe me përgjegjësi, siç ishte KQZ-ja, ishte një sfidë tjetër e madhe për të. Por, vendimin për ta pranuar këtë sfidë, asaj ia kishte lehtësuar bashkëshorti, Agroni. “Kisha pak kohë të merrja vendimin për ta pranuar apo jo detyrën dhe kisha edhe dilema, por ma lehtësoi marrjen e vendimit Agroni dhe menjëherë pas propozimit e bëra edhe betimin”, tregon ajo. “Kur kanë mundur të tjerë para teje, mundesh edhe ti ta kryesh këtë përgjegjësi”, tregon t’i ketë thënë bashkëshortes Agroni, duke njohur karakterin energjik të saj dhe përgatitjen profesionale.
E nga puna në KQZ, zonja Valdete thotë të ketë mësuar shumë. “Puna në KQZ është sfidë e madhe, sidomos sfiduese ishin zgjedhjet e vitit 2010, për shkak të manipulimeve dhe kontestimeve të një numri votash e mandatesh. Por, duke punuar në KQZ kam mësuar shumë, sepse jam ballafaquar edhe me politikën, kam mësuar si shkojnë rrjedhat në politikë dhe, po ashtu, jam mësuar të ruhem nga politikanët. E kam ruajtur pavarësinë si gjyqtare dhe tash i di cilat janë rreziqet dhe di si të ballafaqohem me to dhe me sfidat që t’i jep puna në KQZ”, tregon zonja Valdete. Ajo është e bindur se në krye të këtij institucioni ka punuar ndershëm, duke i mbijetuar sfidat që shtrohen aty, dhe duke qëndruar çdoherë në anën e ligjit.
“Me rëndësi për mua ka qenë që ta zbatoj ligjin gjatë punës në KQZ. Ta ruaj balancën midis përfaqësuesve të partive politike që janë në KQZ. Gjithmonë, kur e kam ngritur dorën, kam dashur që të votoj në favor të ligjit dhe asnjëherë në fund të procesit zgjedhor, kur janë certifikuar zgjedhjet, nuk jam akuzuar se ia kam mbajtur anën ndonjë subjekti politik”, thotë zonja Daka. Ajo është koshiente për vështirësitë që i ka puna në krye të KQZ-së, meqë shpeshherë i është dashur që brenda një ditë të merret edhe me lëndë në gjykata edhe me punë e takime në KQZ. “Këto janë ngarkesa të mëdha, por unë për nga natyra jam energjike dhe përkrahja e familjes më ka bërë t’ia dal”, thotë ajo.



Midis djemve e bashkëshortit
Ndërsa e dëgjojnë edhe rrëfimin e nënës së tyre, Dreni, Sokoli e Atdheu, tregojnë duke qeshur se gjatë kohës së zgjedhjeve, nënën e tyre më shumë e kanë parë në TV sesa në shtëpi, për shkak të angazhimeve që ka pasur ajo.
Nuk e fshehin që në ndonjë moment edhe t’i kenë thënë të heqë dorë nga ajo detyrë, por që në fund, çdoherë ia kanë lënë nënës së tyre të vendosë, duke i besuar asaj. Megjithatë, kjo mungesë, tregojnë ata, u ka ndihmuar atyre që të zhvillojnë disa aftësi, që lidhen edhe me punët e shtëpisë, sidomos me kuzhinën.
“Kemi një familje normale, shumë të qetë, pa ndonjë brengë speciale dhe fëmijë të mbarë”, thotë z. Agron. Ata, së bashku thonë të kenë një jetë të realizuar mirë, ku secili i di detyrat e veta dhe mbi të gjitha, një jetë të relaksuar, pa ngarkesa e hipoteka. Përveç shkollimit, fëmijët e mëdhenj janë edhe të angazhuar në punë, ndërkohë që zhvillojnë edhe jetën e tyre të lirë në mënyrë shumë të planifikuar.
Vikendet tregojnë t’i kalojnë shpesh në Prizren, ku janë lindur, derisa si sport të përbashkët e kanë skijimin, meqë kishin pasur më parë një shtëpi në zemër të Prevallës, të cilën, Agroni, thotë ta kenë shitur, atëherë kur në këtë pjesë të bukur të Maleve të Sharrit, filluan ndërtimet e pakontrolluara dhe zona filloi të humbte karakterin e saj njëqind për qind ekologjik. “Kur kemi pasur shtëpi atje, kemi kaluar kohë të gjatë duke u marrë me rekreacion, ecje të gjata, skijim dhe të tjera, tani më pak”, tregon zonja Valdete, që dikur ishte marrë me basketboll, derisa nostalgjia për vendet e bukura, megjithatë, i ka shtyrë ata që të bëjnë një zgjidhje.

E kur tashmë flitet për jetën, Zonja Valdete është e lumtur që prej saj, çdoherë ka marrë më të mirën e mundshme dhe që krejt kjo është përkthyer në një jetë të lumtur familjare dhe me suksese në punë. Gjithsesi, gjykimi i drejtë, jo vetëm në gjykatore, por edhe jashtë saj, është formula që familjes së saj i ka sjellë fat dhe mbarësi, diçka që ajo u dëshiron edhe të tjerëve.

© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
264

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, rirodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT 2017 TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.net  ww.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version