Ti je ketu: Ballina > Aktuale > Cili politikan mund ta përfaqësojë Kosovën?
Përshtypje
Cili politikan mund ta përfaqësojë Kosovën?
Cili është politikani më i kompletuar në vend, në pikëpamje intelektuale, profesionale, me qëndrim korrekt, i veshur me shije, elegant... Personalitet i cili dinjitetshëm mund ta përfaqësojë Kosovën? Në një shoqëri demokratike, secili mund ta thotë opinionin e tij hapur, pa stres dhe pa komplekse. Në vazhdim, personalitete shqiptare flasin për preferencat e tyre personale…

 

Lena Kryeziu, aktore
Edhe pse nuk merrem me çështje politike, madje mundohem t`u qëndroj sa më larg, për shijen time besoj se Blerim Shala është njëri nga politikanët tanë më të kompletuar. Një personalitet me virtyte të larta dhe me një karakter të fortë, i matur në secilën deklaratë, gjithashtu një admirues dhe njohës i mirë i artit në përgjithësi.

 

Mimoza Shkodra, këngëtare
Mendoj se biznesmeni Behxhet Pacolli është politikani më i kompletuar. Edhe pse unë jam shumë larg me politikën, z. Pacolli më jep një përshtypje të një njeriu të sinqertë, serioz, ambicioz dhe besoj që me të Kosova do të kishte ecur përpara.

 

Besiana Mehmedi, profesoreshë
Meqenëse shqiptarët janë të pandarë për mua dhe lidhja ime është e madhe me Kosovë ku kam lindur e kam kryer një pjesë të shkollimit, me Maqedoninë nga kam origjinën dhe ku punoj në Universitetin e Tetovës dhe me Tiranën, ku kam kryer studimet, do të përzgjedh tre politikanë të preferuar. Lideri i shqiptarëve në Maqedoni, Ali Ahmeti, simbol i luftës dhe i paqes, njeri i cili reflektoi guxim dhe priu gjeneratën e re në periudhë lufte, ndryshoi statusin shqiptar që sot reflekton maturi, durim, pozitivitet. Njeri që do arsimin e kulturën. Besoj në kombëtarizmin e tij dhe qëllimet e pastra dhe misionare. Nga Kosova do të veçoja kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti. Profesionist i fushës së tij, profesor i dalluar, politikan që spikat me natyralitetin e tij, i zhveshur nga pompoziteti ballkanik. Politikan i ri, energjik, ideator dhe mjaft evropian, i cili pa dyshim i duhet Kosovës dhe është imazhi pozitiv i shtetit tonë të ri. Në Tiranë nga koha e studimeve e deri sot pëlqej Edi Ramën, i cili është shumë artist dhe në politikëbërje. I veçantë në të folur, veprim, veshje. Jashtëzakonisht modern dhe kontradiktor, por i suksesshëm, i cili për Shqipërinë ka hapur shumë shtigje të reja.

 

Leonora Dalipi, prezantuese lajmesh
Aktualisht do ta veçoja Ambasadoren e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku, sidomos për paraqitjet e saj të fundit në KS të OKB-së, e cila denjësisht po e përfaqëson vendin tonë në këtë organizatë kaq të rëndësishme botërore! Edhe pse ndër politikanet me moshën më të re që ka vendi ynë, ajo ka arritur një pjekuri mjaft të lartë politike, ka një retorikë të zhvilluar politike, ka shkollim të mirë dhe ka një paraqitje mjaft karizmatike, çka unë personalisht e vlerësoj shumë thelbësore për figurën e një politikani!
 
 

Mirjeta Shala, modele
Për mendimin tim, politikani që është me një qëndrim korrekt, i veshur ashtu siç duhet të jetë një politikan është z. Ramush Haradinaj. Arsyeja pse mua më pëlqen ky personalitet, është fakti se ai është i hapur me njerëzit, është i sinqertë, po ashtu edhe i dashur, pa marrë parasysh se çfarë lloj statusi ka ai apo ajo. Në vitin 2013 realizuam fotografi  së bashku në Nju-Jork në studion e z.Fadil Berisha. Mirësjellja e tij dhe respekti ndaj të gjithëve, ishte diçka shumë e bukur për mua dhe më bëri përshtypje. Kam takuar politikanë të tjerë, po ashtu edhe presidentin, por politikani Haradinaj është ai që më la përshtypje shumë të mira, së bashku me bashkëshorten e tij.
 
© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

 

#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
270

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, rirodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT 2017 TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.com ww.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version