Ti je ketu: Ballina > Aktuale > TRI RECETA PËR MARTESË TË SUKSESSHME
Flasin zonjat që kanë ditur t’u përshtaten bashkëshortëve dhe rrethanave jetësore
TRI RECETA PËR MARTESË TË SUKSESSHME
Nuk ka grua që nuk fantazon rreth dashurisë së përjetshme dhe martesës harmonike. Prandaj, të dashura lexuese, po ju japim tri receta për martesë të suksesshme. Si forcohet dashuria, ua zbulojnë Nezafete Sejdiu, gruaja e ish-presidentit Fatmir Sejdiu, Zineta Daci, gruaja e ish-kryeparlamentarit Nexhat Daci dhe këngëtarja Shyhrete Behluli, gruaja e ish-futbollistit Luan Salihu. Përveç dashurisë, si ushqimi kryesor i një martese, bashkëbisedueset tona zbulojnë edhe arsye të tjera që e kanë mbajtur dhe lumturuar jetën e tyre bashkëshortore.

Shkruan Antigona Uka-Lutfiu

 

NEZAFETE SEJDIU: Fatmirit nuk kam shans t’ia thyej durimin

Kur jam njohur me Fatmirin, unë sapo kisha përfunduar ciklin e parë të studimeve të gjuhës angleze dhe ishin ditët e para kur fillova punën si arsimtare e kësaj gjuhe në një shkollë fillore të Prishtinës.

Ç`është e drejta, kemi pasur njohuri për njëri-tjetrin edhe më herët, por nuk jemi takuar. Deshi fati që të takoheshim. U njohëm më mirë me njëri-tjetrin dhe diku pas një viti jemi martuar e jemi bashkë për më shumë se tri dekada. Nuk e harroj asnjëherë kureshtjen time për t’i njohur prindërit e Fatmirit, e besoj se po kjo ka qenë edhe tek ata. Familjet tona e njihnin njëra-tjetrën dhe kishin respekt të madh, të ndërsjellë. Për babanë e Fatmirit më kishin treguar edhe kolegë nga puna, se ishte një njeri jashtëzakonisht i respektuar. Si punëtor i arsimit nga 1947-ta, atëherë kur kishte kryer Normalen, më vonë ai ishte përndjekur gjatë nga regjimi. Disa vjet burg në të kishin lënë gjurmë të thella. Ka qenë një njeri me karakter shumë të fortë dhe virtyte të larta morale. Nëna e Fatmirit, një grua e befasive të mëdha për mua. E pashkollë, por lirisht mund të them se me dijeninë që ka pasur ka kapërcyer nivelet e shumëkujt që ishin të shkolluar. Për mua ka qenë vërtet një mësuese e mirë. Më kanë pritur jashtëzakonisht mirë. Kemi qenë gjithë kohën me ta, deri në vdekje.
Pas martesës, ishim adaptuar. Ishim bashkë me prindërit e Fatmirit. Fatmiri, meqë ishte më i madhi, me distancë moshe nga të tjerët (tri motra dhe dy vëllezër), nuk mendonte asnjëherë që t’i braktiste deri në rritën e tyre. Në njëfarë mënyre ishte një prind i dytë për ta. Edhe unë isha e pajtimit më të. Pastaj u bëmë prindër. Fëmijët ishin gëzim në shtëpi. Natyrisht, ata e kërkonin hakun e tyre të përkujdesjes. Fatmiri u ka munguar shumë, sidomos në vitet e okupimit. Ajo ishte edhe mosha më e ndjeshme për ta. Por, ia kam dalë që të përkujdesem për ta. Më kanë ndihmuar shumë edhe prindërit e Fatmirit. Ka ndodhur shumë herë që t’i shohim ndryshe gjërat. Unë si natyrë jam pakëz më e rreptë. Fatmirin nuk e ka penguar kjo. Për shembull, unë nuk e kam dashur politikën, Fatmiri ka pasur qëndrim tjetër, duke e ofruar gjithë veten e tij në shërbim të proceseve për lirinë e vendit. Në fakt, edhe unë kam qenë shumë e angazhuar në grumbullimin dhe shpërndarjen e ndihmave solidare, por edhe të kujdesit për shumë nxënës që nuk kishin mundësi të vijonin mësimet për shkak të kushteve të rënda. Në përgjithësi, Fatmiri më ka ndihmuar më shumë me fëmijët, por edhe përkujdesje të tjera që dalin nga jeta në shtëpi. Me ushqimet nuk është marrë. Por edhe “naze” nuk ka bërë. Sigurisht se kur ka mbetur vetëm, ka ditur të mbijetojë. Për të hekurosur apo për të pastruar me thithëse elektrike, ka kontribuar shumë rrallë. Apo më mirë të them, asnjërën. E sa u përket luleve ose dhuratave në data të caktuara, është i kujdesshëm. Gjithmonë më ka nderuar me ndonjë shenjë. Por, më e çmueshmja është respekti reciprok që e kemi. Gjëja kryesore, më e rëndësishme për një martesë të gjatë është të kuptuarit e njëri-tjetrit. Të kuptuarit e jetës reale dhe e botës që na rrethon. Bindja e përbashkët se kjo botë është kështu, se njerëzit që na rrethojnë janë këta, se edhe ne jemi pjesë e tyre.
Nëse bëhet fjalë për diskutime të ashpra me njëri-tjetrin, ka raste kur diskutojmë pakëz më rreptë. Fatmiri që në fillim ma ka bërë të qartë se “për t’u ngatërruar, duhet të jetë vullneti i të dyve” e ai vullnet mungon. Nuk kam shans t’ia thyej durimin. Nuk kemi sekrete. Të gjitha çështjet që mund të jenë më të ndjeshme, i bisedojmë shtruar. Për shumë çështje i konsultojmë edhe djemtë dhe nuset. Kemi njëfarë këshilli të familjes. Deri tani ka funksionuar mirë.

ZINETA DACI: Nexhati kontribuon në punët që kërkojnë më shumë forcë dhe më pak subtilitet

Kur u takuam për herë të parë, unë isha nxënëse e shkollës së mesme, e Nexhati ishte student. U njohëm në vendlindje – në Bujanoc. U martuam në vitin 1969, tetë vjet pasi u njohëm.

Nexhati ka mbetur shumë herët pa prindër, ndaj nuk kam arritur t’i njoh prindërit e tij. Por, me ftesën e motrës së madhe të Nexhatit, Fikrijes, jam takuar për herë të parë me motrat e tij. Ishte një takim me shumë emocione pozitive. Ne u adaptuam para martese, për një kohë relativisht të shpejtë. Dashuria e madhe, që kishim, i hoqi pengesat dhe normalisht, që u përshtatëm relativisht shpejt me njëri-tjetrin. Na pengonte largësia fizike, sepse Nexhati ishte student, e unë ende nxënëse. Në distancë të këtillë, në atë kohë, krijoheshin thashetheme qëllimkëqija, që mua më mërzisnin shumë. Pastaj u bëmë prindër, duke qenë mijëra kilometra larg njëri-tjetrit, Nexhati ishte në Angli. Megjithatë, dashuria u shumëfishua në një formë tjetër, por me më shumë përgjegjësi dhe nevojë të ishim afër njëri-tjetrit. Ka ndodhur që t’i shohim ndryshe gjërat për shumë çështje, si pasojë e ndryshimit të rrethanave jetësore. Kur flasim për kuzhinë, Nexhati më ndihmon fare pak, apo aspak. Përgatit sallata dhe shërben pijet, kuptohet kur i kërkon nevoja kohore. Ndonjëherë ndihmon me thithëse elektrike dhe të gjitha punët që kërkojnë më shumë forcë dhe më pak subtilitet. Më dhuron lule, por jo përherë. Dhurata e fundit ishte një telefon mobil. Për një martesë të gjatë, kryesorja është dashuria e sinqertë, mirëkuptimi për problemet dhe vështirësitë e njëri-tjetrit dhe besimi i palëkundur në projektin jetësor “hajde të plakemi në dashuri dhe respekt”. Mes nesh nuk ka sekrete jetësore. Bashkërisht kemi qëndruar të fortë në vorbullën e jetës gjatë rrugëtimit tonë, aspak të lehtë në periudha të ndryshme historike. Nexhati kishte probleme politike, jo të vogla, i cilësuar si irredentist, nacionalist, kundërshtar i sistemit etj.. Këto probleme krijonin barriera shumë të mëdha në vendin tim të punës, duke qenë si “e papërshtatshme” për shkak të botëkuptimeve të mia dhe të Nexhatit. Vlerësoj se qëndrimi i këtillë i të dyve na ka bërë më të pjekur, më të qëndrueshëm dhe më të suksesshëm si prindër, por edhe si profesionistë.
 

SHYHRETE BEHLULI: Luli, gjithmonë është pajtuar me idetë e mia

Kur u njohëm, unë isha nxënëse e shkollës së mesme, kurse Luli ishte futbollist në ekipin e Ballkanit të Suharekës. Aty u njohëm dhe vazhduam lidhjen për një vit e gjysmë, kur u fejuam dhe u martuam në vitin 1981.

Edhe tash, kur e kujtoj momentin e njohjes me prindërit e Lulit, e di që kam përjetuar ndjenja të veçanta, ishin emocione të përziera, ishte ndjenja e turpit dhe njëkohësisht ndjenja e gëzimit që po i njihja prindërit e tij. Kanë qenë shumë të afërt. Falë kësaj afërsie, më dukej sikur kisha kohë që i njihja. Më pritën si vajzën e tyre. Thuhet se pas martesës nevojitet një periudhë kohore e adaptimit, por dashuria bën që këto vështirësi të vogla në fillim të martesës të mos kenë peshë. Është normale që mënyra e jetesës ndryshon, sepse je në një familje tjetër, je nuse, por, megjithatë, përgatitesh më herët për këtë gjë dhe nuk kishte diçka që më pengonte në jetën e re, si e martuar. E vetmja gjë ishte fakti që unë isha larg nga familja ime dhe komunikimi nuk ishte si sot. Ndaj, ndonjëherë, ndieja mall për familjen time.

Lindja e vajzës së parë, Njomzës, veç sa e forcoi dashurinë tonë, ajo na afroi edhe më tepër gjithë familjen dhe na bëri të lumtur më tepër. Nuk më kujtohet që i kemi parë, ndonjëherë gjërat ndryshe nga njëri-tjetri, unë dhe Luli. Ndoshta pse profesioni me të cilin unë merrem, doemos na drejton në një pikë, dhe Luli ka qenë gjithmonë i pajtimit me idetë e mia. E për sa i përket kontributit të tij në punët e shtëpisë, njëherë më ka qitur një kafe në jetën e vet dhe jo aq të mirë, nuk gatuan asgjë, mundohet të më ndihmojë, ha-ha-ha. Ndodh ndonjëherë, kur unë jam e zënë dhe fëmijët nuk janë në shtëpi, atëherë hekuros ndonjë rrobë të tij. Por, nuk e fajësoj, sepse në gjeneratën tonë, burrat kanë pasur më tepër krenari kur është bërë fjalë për punët e shtëpisë. Nuk më dhuron lule përherë, por në data të veçanta është i kujdesshëm. Dhurata e fundit është një qafore. Mendoj se për një martesë stabile, duhet përherë të mbizotërojë toleranca, mirëkuptimi dhe pa dyshim, fëmijët janë prioritet. Në shtëpinë tonë nuk ka sekrete ne e preferojmë që cilido propozim, nga cilido familjar, të bisedohet dhe të arrihet përgjigjja nga familja çfarëdo që të jetë ajo ide apo ai problem.

 

© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

 


 

#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
264

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, rirodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT 2017 TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.net  ww.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version