Ti je ketu: Ballina > Intervista > Aty ku jetohet me amanetin e Heroit
Në familjen e heroit Agim Ramadani
Aty ku jetohet me amanetin e Heroit
Ndërsa është kthyer në Kosovë për të marrë pjesë në shënimin e manifestimit tradicional kulturor “Ditët e Agimit”, bashkëshortja e luftëtarit dhe heroit të Kosovës, Agim Ramadani, zonja Shukrije, po ndihet e plotësuar nga nipi i saj, Agimi. E fillon dhe e mbyll ditën me dashurinë për të...

Bisedoi Faik Hoti
Fotografitë Ridvan Slivova

Jetoni, njëzet e tetë vjeç, që ka kryer Akademinë Ushtarake dhe që është një udhëheqës projektesh në një kompani të udhëhequr prej një shqiptari në Zvicër, nuk është trashëgimtari i vetëm i heroit Agim Ramadani. Një vit më i ri është Edoni, që ka studiuar Farmacinë dhe që pas mbarimit të studimeve në Kosovë është kthyer në Zvicër, derisa Lorina (22) - ka mbauar Psikologjinë në Universitetin e Prishtinës, është fëmija i tretë i Agimit dhe bashkëshortes së tij, Shukrijes, një grua që ka mbaruar tri shkolla të larta dhe një fakultet, dhe e cila aktualisht është ushtruese e detyrës së Drejtoreshës së Qendrës Kulturore në Zvicër, të cilën me vite të tëra, deri në rënien në luftën e Kosovës, e kishte udhëhequr bashkëshorti i saj.

“Agimi ishte i përkryer…”
Dhe, teksa çdo gjë në rrëfimet e kësaj familjeje lidhet me emrin e njeriut që është frymëzim për ta, librat dhe pikturat e shumta të varura në murin e banesës së tyre në Prishtinë, flasin vetë për figurën shumëdimensionale të Agim Ramadanit, njeriut që nuk ishte i njohur vetëm si strateg lufte dhe për trimëritë në thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar në një luftë të ashpër me serbët, por edhe me veprat e tij prej poeti, piktori, aktori… “Agimi ka qenë i përkryer në të gjitha profesionet e tij. Si strateg lufte, si poet i veçantë, si piktor, si aktor. Në sa e sa role dramaturgjike kemi marrë pjesë bashkë dhe çdoherë në këto role, ai ka qenë i dashuri im”, tregon duke qeshur, por edhe me nostalgji Zonja Shukrije, për kohët e kaluara me njeriun që ishte njohur që nga fëmijëria, meqë ishin nga po i njëjti fshat dhe kishin qenë bashkë edhe gjatë shkollimit. Me një mprehtësi të rrallë dhe saktësi të jashtëzakonshme në kujtimin e ecjeve nëpër jetë, ajo tregon se si bashkë kishin qenë nxënësit më të mirë të shkollës, ndërsa Agimin e kishte pasur pikërisht edhe “kundërshtarin” më të madh, meqë ai ishte nxënësi më i mirë, i pari. Por, rruga e jetës së tyre të përbashkët nuk kishte qenë e shtruar me lule, ajo kishte sakrifica të mëdha, për të cilat thotë të kenë qenë të përgatitur, qysh nga ditët e ilegales, kur bashkë kishin shpërndarë parulla rrugëve të Gjilanit dhe më tej... Telashet e pritura kishin filluar që pas demonstratave të vitit 1981, kur Agimi ishte paraburgosur që në shkollë të mesme dhe ishte detyruar që shkollimin ta vazhdojë jashtë Kosovës. Ai kishte regjistruar Akademinë ushtarake në Kroaci, drejtimin pesëvjeçar, ndërkohë që Zonja Shukrije, asokohe e shpallur si “terroriste” nga regjimi, kontaktet me të i mbante vetëm përmes letrave që Agimit ia shkruante me emrin e rrejshëm “Zvezdana”, që të mos diktohej nga regjimi që i ndiqte në çdo hap, derisa Agimi i shkruante asaj në poezi me emrin “Yllka”. “Ndonëse ne kishim qenë në shkollë bashkë, dhe e kishim ndier edhe dashurinë, këtë ia kishim deklaruar njëri-tjetrit vetëm atëherë kur na ndanë nga shkolla dhe komunikimin e vazhduam në largësi, përmes letrave për shkak të ndarjes së padrejtë që na u shkaktua dhe rrethanave”, rrëfen ajo.
Vitet e kaluara pastaj në Çaplinë të Bosnjës e Hercegovinës, ku Agimi ishte transferuar me punë si oficer ushtarak pas mbarimit të Akademisë, kishin qenë vite kur ata kishin kaluar mirë në këtë qytet të Bosnjës si familje, meqë aty Agimi kishte menaxhuar me talentin e tij artin në qytet dhe ishin shumë të integruar në jetën artistike të këtij qyteti, ku edhe i ishte dhënë Urdhri “Qytetar nderi i Çaplinës”. Pas fillimit të luftës në Kroaci e Bosnjë (1990-1991), familja Ramadani detyrohen të shkojnë në Zvicër. “Na ka shoqëruar një fat i rëndë në Zvicër, sepse për gjashtë vjet kemi pasur status të parregulluar, ndërsa Agimi ndiqej në vazhdimësi dhe ishim të rrezikuar nga sigurimi shtetëror serb, që kishte vendosur edhe bomba kasetë ndaj familjes sonë, duke mos na lënë të qetë për asnjë moment”, tregon Zonja Shukrije.
E pas pesë vjetëve të udhëheqjes së Qendrës Kulturore në Zvicër, ku Agimi kishte përgatitur një grup të rinjsh edhe në rrafshin ushtarak, duke përfituar nga përvoja e tij profesionale, ai nuk kishte pasur fare dilema a duhej të kthehej në Kosovë, për të luftuar, duke marrë me vete edhe të rinjtë që vetë i kishte stërvitur. “Kur ra familja Jasharaj në Prekaz, Agimi, që ishte i parapërgatitur për luftë, tha nuk pres urdhër tjetër që të shkoj në Kosovë. Për mua urdhër është gjaku i derdhur i fëmijëve sot”, tregon bashkëshortja e tij, duke saktësuar se ai ishte nisur për në Kosovë më 26 mars 1998, duke u vendosur në Jasiq, së pari. Dhe, thekson ajo, ai nuk qe nisur në luftë si pjesë e ndonjë lëvizjeje apo si pjesë e ndonjë partie politike. “Mjeku, mësuesi dhe ushtaraku, nuk kanë parti, ata janë të popullit”, e citon ajo të ketë thënë i shoqi i saj.
Gjatë asaj kohe, rrëfen Zonja Shukrije, kontaktet i mbanim me telefon satelitor, ndërsa gjatë bisedave, përveç të tjerash, “më thoshte t’u tregoja fëmijëve edhe për kohët e kaluara së bashku, se sa sherr kishte qenë babai i tyre, kur ishte më i ri, ndërsa kur më fliste për Shqipërinë, më thoshte: Shqipëria qenka më e lodhur se që e kemi marrë me mend”. Dhe, nga ajo distancë kohore, Zonja Shukrije tregon se së fundi herë kur kishte biseduar me Agimin kishte qenë data 8 prill 1999. Dita, kur ai i kishte rrëfyer përmes telefonit se në Koshare po niste thyerja e kufirit, jo përmes një lufte me armatime të lehta, që barteshin kryesisht me kuaj, por me makineri të rëndë luftarake.
Vetëm tre ditë më vonë (11 prill 1999), ndërkaq, ajo do ta mësojë lajmin të cilin nuk do të dëshironte ta dëgjonte ndonjëherë. Për vrasjen e të shoqit, të cilin lajm, kunati dhe miqtë nuk ia kishin dhënë të plotë fillimisht, duke i thënë se “Agimi është plagosur dhe se ajo duhej të shkonte në Shqipëri”. “Agimi qenka vrarë, sepse edhe vetëm një gjysmë zëri po të mund ta nxirrte, ai do të më thërriste”, tregon Zonja Shukrije, t’u ketë thënë familjareve dhe miqve të Agimit, të cilët, në momentin kur nuk do të mund t’i rezistonin së vërtetës dhe duhej ta pohonin lajmin, kishin filluar të qanin. “Nuk dua qetësues, sepse dua ta ndiej dhimbjen dhe mos qani, sepse do të kemi kohë të qajmë”, tregon ajo t’u ketë thënë të gjithëve, në atë periudhë kohore, derisa nga Zvicra ishin nisur për në Tiranë, prej nga kishin shkuar në Koshare dhe në Bajram Curr, ku ishin varrosur 28 të rënët në Betejën e Koshares. “Secili më i ri se Agimi…”, tregon Zonja Shukrije, e cila meqë nuk kishte pasur fat ta shihte të shoqin pa u varrosur, thotë se “kurrë s’e kam fituar bindjen se ka vdekur”. Por, është krenare që rënia për atdheun ka qenë ideali i të shoqit, për të cilin është krenare që ka jetuar ashtu. “Ëndrra ime ka qenë të jetoj dhe të vdes me të”, thotë ajo.
Pas kësaj historie të përjetuar thellë në çdo qelizë të saj, Zonjës Shukrije i është dashur të kthehet te fëmijët në Zvicër, dhe të gjejë edhe formën si t’u tregojë atyre se babai i tyre nuk do të kthehej më tek ata, mëqë fëmijët ishin të vegjël. “Agimi u tregonte atyre shpesh përralla para gjumit dhe u fliste për legjenda, prandaj, unë u thashë se babai i tyre ishte shndërruar në një legjendë, ndërkohë që i kisha vënë vetes detyrë t’i rrisja dhe edukoja ashtu si do të dëshironte i ati i tyre”. I kam rritur fëmijët duke u thënë: Babi është me Ju, babi po ju shikon! - tregon ajo.

Nipat dhe mbesat e Agimit duhet të rriten në Kosovë
Të angazhuar secili në profesionin e vet, Zonja Shukrije sheh te fëmijët e saj shumë virtyte që i kishte Agimi. “Nipat dhe mbesat e Agimit duhet të kthehen në Kosovë. Dhe për këtë duhet të mendojë shteti ynë. Derisa shteti zviceran, për të cilin nuk kemi bërë asgjë, mendon dhe bën shumë për ne, po shteti ynë çfarë duhet të bëjë?”, pyet ajo. Megjithatë, pa marrë parasysh se cili do të jetë reagimi i shtetit shqiptar, Zonja Ramadani thotë se për të, Agimi nuk ka vdekur dhe vetë familja jeton për ta mbajtur të gjallë njeriun e dashur të tyre përmes formave të ndryshme. “Me pikturat e tij marr pjesë në ekspozita të ndryshme dhe kështu e mbajmë të gjallë atë”, tregon ajo.
Ndërsa vazhdon të udhëheqë Qendrën Kulturore në Zvicër, dhe në Kosovë vjen me familjen e saj gjatë pushimeve, një pjesë të së cilës kohë e kalojnë edhe në Zhegër, tek të afërmit e Agimit, Zonja Shukrije thotë se, pavarësisht nga të gjitha, është e kënaqur që ka mundur të plotësojë një ëndërr, që të vazhdojë punën me këtë qendër, aty ku e kishte lënë Agimi, që të gjithë ata të rinj që janë atje, të kenë një vend ku mund të drejtohen dhe t’i orientojnë energjitë e tyre pozitive për të shprehur talentin përmes artit dhe formave të tjera dhe për të mos e harruar vendin prej nga vijnë.
Si një grua që dhimbjen dhe sakrificat e mëdha ka ditur t’i kthejë në forcë, Zonja Shukrije i mban në zemër dhe i nxjerr në sipërfaqe më të mirat që i kanë dhuruar vitet me Agimin. “Kam aq shumë kujtime të mira me të, sa nuk do të shuhen kurrë. Kemi pasur me të një dashuri aq të fortë, sa e ndiej që në çdo moment jam me të. Për mua, ai vazhdon të jetë në çdo moment, në çdo hap të jetës sime. Dashuria është më e madhe se çdo gjë. Ai na ka mësuar kështu”, thotë ajo.
E derisa Agimi i vogël s’i ndahet për asnjë çast, për Agimin e madh, të cilin gjatë luftës e njohën edhe me emrin e luftës “Katana”, që e ka kuptimin e një shpate të veçantë tradicionale japoneze, Zonja Shukrije Ramadani mendon se çfarë ka dëshiruar ai nga jeta dhe ­karakteri i tij, e ka shprehur fuqishëm me aq takt në poezinë e tij, të shkruar disa ditë para rënies heroike në Koshare: “M’u shtershin sytë nëse pushoj; lirinë tënde me andrrue; mallkue qoftë gjaku im, nëse m`vrasin pa luftue".

 

© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

 

#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
264

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, rirodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT 2017 TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.net  ww.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version