Ti je ketu: Ballina > Intervista > KALEIDOSKOPI I NJË SHQIPËRIE TË VËSHTIRË
EDI RAMA
KALEIDOSKOPI I NJË SHQIPËRIE TË VËSHTIRË
Siç ndodh me fenomenet njerëzore, mes një procesi të vështirë reflektimi, më duhet të them se Edi Rama shfaqet në vitin 2013, në krye të ekzekutivit shqiptar, si një profet i stërlashtë që shpartallon paragjykimet njerëzore, marrëzinë njerëzore, mëkatet njerëzore, gjithë jetën tonë të sajuar dosido, të rendë hera – herës, apo të padrejtë. Kjo cilësi e tij bëri për vete elektoratin e majtë dhe atë tej së majtës, që u bë shumë zhbirues ndaj qeverisjes së Djathtë, gati u institucionalizuan dhe tashmë që ai është në krye të qeverisë shqiptare, pas vështrimit të trazuar, hijes së njeriut shtatlartë dhe retorikës së tij brilante, është jeta e një shqiptari të pazakontë.

Shkruan Miranda Haxhia, Tiranë

 

I LINDUR NË 4 KORRIK...
I lindur në 4 korrik (të ngjashmen ditë me festën e një populli dhe vendi që më shumë se kushdo tjetër aspiron lirinë dhe demokracinë, festën kombëtare të Amerikës) të vitit 1964 në qytetin e Tiranës, Edi Rama sot është kryeministri i Shqipërisë.
Edi Rama, djali i artistit të mirënjohur Kristaq Rama spikati me refleksionet e tij në fillim të viteve ’90, kur shpërthimi opozitar ishte i thukët, i thellë, i gjerë. Vinte nga një botë ku filozofia, letërsia, arti i pikturës, ngërthenin në shpërthime që rendnin drejt një marrëdhënieje të fortë me lirinë. Liria nuk pengon njeri, ndërsa njeriu ndihej i lidhur dhe i mangët pa të. E filloi rrugën bashkë me vëllanë e tij, Olsin, si basketbollist. Ndoqi profesionin e babait të tij, piktor, më tej si pedagog në Institutin e Arteve, kohë të cilën e përshkruan në librin e tij Refleksione. U shfaq si polemist i shkëlqyer me median e shkruar të asaj kohe. E njohëm si ministër Kulture, si kryebashkiak për një kohë të gjatë, dhe politikani në krye të Partisë Socialiste, sot është kryeministër i Shqipërisë.

GRATË E JETËS SË TIJ
Në vitet ’85-86, ishte gjë e pazakontë që një djalë të puthej me të dashurën e vet haptas, në plazhin e Vlorës. Ishte Edi Rama dhe e dashura e tij e hershme, Dalina Fico. Historia nuk zgjati pafundësisht.
Pastaj, në jetën e tij ishte aktorja e njohur Matilda Makoçi, nga lidhja me të cilën është një djalë që sot ka hijen, dukjen dhe ngjashmërinë fizike me atin. U lidh me gjermanen Eva, bashkëjetesës me të cilën i erdhi fundi, pas kthimit të tij në Shqipëri. Një lidhje e gjatë me prezantuesen e njohur, Rudina Magjistari, deri në vitin 2005 dhe mbas ndarjes me të, pas disa vjetëve, kur Edi Rama shfaqej vetëm. Prej mëse pesë vitesh është i martuar me Linda Ramën, e cila nga martesa e saj e parë ka një vajzë, Rean. Me Lindën ka kaluar mundimet për sëmundjen e të birit, për të cilën shkruan me shumë dhimbje e kurajë në librin e tij “Kurban”.

RRUGA E MUNDIMSHME DREJT MAJËS
Kur inaugurohej Muzeu Historik i Lushnjes, në shëtitoren e vetme të qytetit myzeqar binte në sy hija e gjatë e piktorit që kishte ideuar dhe punuar fasadën e atij muzeu, të cilën për hir të së vërtetës, pak njerëz e kuptonin. Modernia shfaqej kudo e përballej me fusharaken, zymtësinë socialiste të qytetthit.
Edi Rama njihet si djali rebel, e folme ekstravagante, kritizer i pamëshirshëm, por dhe intelektual i sojit të rrallë, vizionet e të cilit kanë përjetuar ulje, ngritje, kthesa e lakore nga më të paimagjinueshmet. Mbahen mend çorape të kuqe, pantallonat e gjera, kapuçi në kokë dhe jeleku shumëngjyrësh, si shenja të profilit të Edi Ramës. Si kryetar i Partisë Socialiste, shfaqet me kostum si çdo zyrtar tjetër.
Në kohën e errët të vitit 1997, kur shkonte për të vizituar prindërit, dy persona e ndoqën në një rrugë të errët dhe e rrahën keq. Një ngjarje që ai e kujton si “stili Edi Rama”. Duke iu marrë këmbët, shkon deri tek shtëpia e fotografit të njohur Petrit Kumi, i cili e ndihmon shumë. Fotografitë e tij me kokën të çarë dhe fytyrën të ënjtur e të përgjakur tronditën opinionin publik. “Trembëdhjetë gjuajtje”, u tha miqve, kur doktorët i hoqën tubat e ushqimit dhe të frymëmarrjes.
I dhunuar keqas, Rama largohet, pasi ndihej i kërcënuar, por edhe për të provuar fatin e artistit në migrim. U vendos në zemër të Parisit dhe me penel në dorë dhe telajon çdo mëngjes nisi një jetë të re.
Në kuzhinën e politikës u fut përfundimisht pasi u kthye në Shqipëri, për vdekjen e të atit, në varrimin e të cilit ai tha këto fjalë që u mbajtën mend gjatë: “Erdha në Shqipëri për të varrosur një pjesë të fëmijërisë sime, për të futur në dhe mikun tim më të vjetër duke kaluar kështu ditën më të vështirë të jetës”. Iu desh të hiqte vëthin nga veshi, të priste mjekrën, të shkurtonte flokët dhe serioziteti në ceremoninë e varrimit, ishte shenjë se ky njeri mund të qëndronte edhe në Shqipëri. Rama pranon ftesën e ish-kryeministrit Nano që të drejtojë Ministrinë e Kulturës. Hoqi rojat shoqëruese dhe nuk pranoi të mbante makinë si ministër, fillim që nuk zgjati shumë, për shkak të rrethanave të kohës.
Shpirti i tij rebel dhe ekstravagant shfaqet me aksionin për prishjen e ndërtimeve pa leje në parkun “Rinia” dhe në lumin e Lanës, si këngëtar i grupit West-Side Familly me këngën e famshme “Tirona”, në marrëdhënien e ndërlikuar me katër kryeministra: Pandeli Majko, Ilir Meta, Fatos Nano, Sali Berisha.
Rama është i pari politikan shqiptar, të cilit iu përdorën për qëllime fushate fotografitë nudo. Për një rast të ngjashëm, Tolstoi do të shkruante për një personazhe të tij: “Atë që ju e bëni fshehurazi, ai e bën haptazi....” Fotot në plazhet e Francës, të cilave u përballi sinqeritetin, elektorati e vlerësoi pozitivisht dhe ai fitoi pikë gjatë fushatës.

POLITIKANI I VËSHTIRË
E kërkoi pushtetin me mjete të pazakonta. Përdori bojkotin, grevat e urisë, mohimin, kundërshtimin ndaj gjithçkaje që nuk i shkonte mbroth mendimit dhe këmbënguljes së tij. Së fundmi, i mundur nga maturia e evropianëve, nga filozofia e dialogut dhe e bashkëpunimit të ndërsjellë, arriti të bënte paqen e vështirë me LSI-në, partinë që e sulmoi kaq shumë dhe shpesh, gjeti rrugën e fjalës dhe dialogut, i futi deputetët në parlament... fitoi zgjedhjet politike të vitit 2013.
Djalli i sintaksës së komunikimit, ai është një orator i shkëlqyer, gjë që u duk në mënyrën e veçantë të ndërtimit të librit Kurban, ku, po të heqësh mënjanë vlerësimet dhe gjykimet ndaj ngjarjeve, tisi magjik i atij libri është sintaksa e zhdërvjellët, tinëzare dhe e mrekullueshme deri në ekstrem.

GJËRA TË VOGLA... POR QË I BËJNË NJERËZIT ...TË MËDHENJ
Nuk është në sojin e politikanëve pijanecë e hamës të mëdhenj. Edi Rama pi shumë rrallë verë. Mban një dietë të fortë ushqimesh dhe bën vrap në kodrat e liqenit. Miqtë e bashkëpunëtorët e tij marrin dhjetëra e qindra SMS nga kryetari i tyre, pasioni për këto mesazhe lakonike nuk ka reshtur.
Batuta më e fortë ndaj Edi Ramës është ajo e Fatos Nanos. Gjatë debateve me Edi Ramën, ish-kryeministri Nano, deklaroi: “E kam marrë Edi Ramën me thonj të paprerë nga Parisi dhe e bëra ministër”. Kurse Rama vetë ka shprehjen e tij lapidare në tubimet e viteve ’90, kur u drejtohej studentëve: “(Ish-drejtuesit e lartë të Diktaturës) ...Na skuqën si rusët, na zverdhën si kinezët, na nxinë si shqiptarët!...” Sot, ai ka elemente të forta krah tij: një grua serioze dhe të matur, si znj. Linda Rama, një nënë që do ta kishte zili çdo bir për mbrojtjen dhe mbështetjen që i ka dhënë dhe jep, dhe një parti që frymon në një qeveri me njerëz të rinj, larg kastës së vjetër ish-komuniste. Të mos harrojmë se ka edhe ëndrrën e tij të madhe, të cilën nuk e ka fshehur: - të lërë gjurmë në historinë e vendit të tij.
Duke perifrazuar thënien e John Shook: "Ka tre lloj liderësh. Ata që ju tregojnë çka të bëni. Ata që ju lejojnë të bëni atë që dëshironi. Dhe udhëheqësit që vijnë tek ju dhe t’ju ndihmojë për të gjetur se çfarë të bëni". Të shohim se cili prej tyre do jetë në të ardhmen kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Nëse do të punojë për njerëzit, apo do të punojë për të ndërtuar ëndrrën e tij duke përdorur njerëzit.

 

© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

 

#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
264

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, rirodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT 2017 TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.net  ww.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version