Ti je ketu: Ballina > Intervista > Kirurgu që po vë vulë në mjekësinë botërore!
Dr.Dr.med.Halil Krasniqi
Kirurgu që po vë vulë në mjekësinë botërore!

EKSKLUZIVE: Bisedë me kirurgun kosovar me famë ndërkombëtare, Dr.Dr.med. Halil Krasniqi

Kirurgu që po vë vulë në mjekësinë botërore

Ndërsa ka bërë emër me sukseset e tij në Gjermani, së fundi edhe me zbulimin "Krassa", që mundëson trajtimin e zgjerimit dhe ngushtimit të arterieve dhe venave, pa pasur nevojë për prerje, hapje të abdomenit ose Bypass, Dr. Krasniqi konsideron se çfarëdo që një mjek arrin në shkencën e mjekësisë, qëllimi i këtij profesioni është i përkufizuar brenda një misioni human: "Mjeku është thjesht një shërbëtor i pacientit, njeriut që ka nevojë për të jetuar", thotë ai.

Bisedoi Faik Hoti

Titujt e shumtë profesionalë e akademikë në fushën e mjekësisë dhe mbi pesëmbëdhjetë mijë operacione të kryera në fushën e kirurgjisë, nuk e kanë ndryshuar modestinë e kirurgut vaskular shqiptar me famë ndërkombëtare, Dr. Dr. med. Halil Krasniqi. Ndërsa ka bërë emër me sukseset e tij në Gjermani, Dr. Krasniqi konsideron se çfarëdo që një mjek arrin në shkencën e mjekësisë, qëllimi i këtij profesioni është i përkufizuar brenda një misioni human. "Mjeku është thjesht një shërbëtor i pacientit, njeriut që ka nevojë për të jetuar", thotë ai.
Gjatë një bisede të zhvilluar për fundvit në Prishtinë, Dr. Krasniqi, për lexuesit e Revistës "Teuta", rrëfen fragmente nga karriera e tij, që nis të marrë profilin e saj me shkollimin në Shkollën e Mesme të Mjekësisë në Mitrovicë, për të vazhduar me suksese kulmore në fakultetet dhe në klinikat prestigjioze të Gjermanisë.

Një inovacion revolucionar në kirurgjinë vaskulare

Vetëm disa ditë pasi mediet në Gjermani, në Kosovë dhe gjetiu i kushtuan vëmendje të veçantë zbulimit nga ana e Dr.Krasniqit, instrumentit intervencional të veçantë, i cili do të përdoret në tërë botën dhe që mundëson trajtimin e sëmundjeve të enëve (damarëve) të gjakut në tërë trupin në drejtim të zemrës dhe të këmbës, pa prerje ose punktim të dyfishtë, i njohur si stentë tani e quajtur "Krassa – Stentë dydrejtimëshe", Dr. Krasniqi, që është ndër mjekët me përvojë të veçantë në trajtimin operativ dhe endovaskular të sëmundjeve kirurgjike e vaskulare, thotë se mjekësia si shkencë dhe procedurat intervente në vazhdimësi kanë nevojë për inovacione dhe avancim. Rreth tre vjet përpjekje për të konkretizuar idenë e tij, kanë rezultuar me sukses dhe me shpikjen e re, e cila është patentuar në emër të Dr. Halil Krasniqit dhe e cila do t’ua mundësojë dhe do t`ua lehtësojë punën intervencionalistëve, si kirurgëve vaskularë, radiologëve, angiologëve, por edhe kardiologëve, në mjekimin e pacientëve pa prerje dhe pa dhimbje.

Ai shpjegon se për trajtimin e sëmundjeve, si zgjerimi (Aneurizma) a ngushtimi (Stenoza) e arterieve dhe venave, nuk është e nevojshme prerja, hapja e abdomenit ose Bypass-i. "Shumica e tyre mund të kryhen vetëm me një punksion me gjilpërë, futjen e shipkës në enën e gjakut, duke vazhduar me sondimin e telit dhe përmes tij ballonit dhe stentës. Pas përfundimit të intervenimit, për 2-3 ditë pacienti i kthehet jetës normale dhe kjo metodë, përveç të tjerash, është më pak invazive dhe gjithashtu e ka kostefektivitetin e saj, sepse pacientin e kursen nga dhimbjet dhe nga qëndrimi i gjatë në spital, ndërsa institucionin nga shpenzimet e tepërta", shpjegon Dr. Krasniqi.
Ai shpjegon më tej se deri tani ka qenë e mundur që mjekët me përvojë intervencionaliste t`i trajtojnë sëmundjet e enëve të gjakut me një punksion në ijë dhe vetëm në një drejtim, në drejtim të zemrës ose në drejtim të këmbës. Por, jo në dy drejtime, pa prerje dhe pa hapje të arteries a punksion të dytë, i cili pacientit mund t`i shkaktojë dëmtimin e arteries ose gjakderdhje pas intervenimit, që do të thotë operacion me prerje dhe komplikime. Stenta "Krassa" tani e bën të mundur trajtimin intervencional të enëve të gjakut me një punktion me gjilpërë në tërë trupin, edhe në drejtim të zemrës edhe në drejtim të këmbës, pa bërë asnjë prerje. Balonimi dhe implantimi i stentave është i mundur në çdo arterie dhe venë në tërë trupin, sipas Dr. Krasniqit.
Ai thotë se këtë inovacion mjekësor së pari e ka prezantuar në një kongres të Shoqatës së Intervencionalistëve të Gjermanisë, Zvicrës e Austrisë, ndërsa "Krassa" e zbuluar, pritet të futet në tregun botëror pas disa muajsh dhe do të prodhohet nga kompania japoneze "Terumo Global", me të cilën tashmë ai ka lidhur kontratën për produktin e patentuar në emrin e Dr. Krasniqit. Instrumenti i zbuluar, është mirëpritur nga kolegët e fakulteteve të ndryshme të Gjermanisë, ku Dr. Krasniqi ligjëron, ndërsa do t`u hyjë në punë sidomos kirurgëve vaskularë. Dr. Krasniqi shpreh falënderimin e tij për një shtet si Gjermania, ku mundësitë për njerëzit e shkencës janë të jashtëzakonshme. Ai i ka shfrytëzuar këto mundësi.
"Në Gjermani ta vlerësojnë kompetencën profesionale, inteligjencën, punën. Nuk ka fare rëndësi a je nga Afrika, Zelanda e Re, Ballkani, Azia a cilado pjesë e botës. Në këtë aspekt nuk ka kurrfarë përbuzjeje ose nënvlerësimi, përkundrazi, t`i ofrojnë të gjitha mundësitë. Për këtë arsye, në klinikat ku kam punuar, vazhdimisht ka pasur ekspertë nga vende të ndryshme, që kanë bërë karrierë e emër në Gjermani. Shpesh kam bërë shaka dhe kam thënë se nga të huajt në spitalet gjermane ku kam punuar, i vetmi unë kam mbetur me flokë të zinj", thotë Dr. Halili.

Krenar me identitetin shqiptar

Pavarësisht nga arritjet e tij, ai ndihet krenar që edhe në mediet gjermane, sa herë shkruhet për të, i referohen si "kirurgu shqiptar nga Kosova", diçka që atë e bën të ndihet krenar me identitetin dhe prejardhjen e tij. Si një i ri që pas mbarimit të Shkollës së Mesme të Mjekësisë në Mitrovicë dhe kryerjes së shërbimit ushtarak (në ish-Jugosllavi), menjëherë ka shkuar në Gjermani, ku fillimisht ka studiuar në Fakultetin Filozofik për ta mësuar gjuhën gjermane, Dr. Halili thotë se lidhja e tij me Kosovën është e fortë dhe emocionale. Madje, në çdo prezantim të tij shkencor në konferenca a seminare të ndryshme kudo në botë, 2-3 sllajdet e para ia kushton Kosovës, për të treguar se nga vjen dhe cilët janë ata emra të njohur me të cilët identifikohet e mburret Kosova në botë.
Dr. Halili është i lindur në Pejë, ndërsa babai i tij ishte nga Krusha e Madhe. Nga Kosova ishte larguar vetëm shtatë ditë pasi kishte kryer shërbimin ushtarak dhe pas regjistrimit të Fakultetit te Defektologjisë në Beograd, pasi kishte siguruar një leje qëndrimi në Gjermani, falë babait të tij, që asokohe punonte në fabrikën e "Mercedes"-it. Përveç regjistrimit në Fakultetin Filozofik, ai më pas ishte regjistruar edhe në Fakultetin e Mjekësisë, për të vazhduar me specializime dhe kualifikime të tjera shkencore, të cilat përgjatë nëntëmbëdhjetë vjetëve të karrierës së tij profesionale, do ta bëjnë Dr. Krasniqin një emër të njohur dhe të dashur për pacientët në Gjermani dhe në Kosovë, gjithashtu.

Mijëra intervenime të suksesshme në fushën e kirurgjisë vaskulare, endoskopisë dhe kirurgjisë intervente, e kanë bërë Dr.Halilin gjithsesi një emër të kërkuar për klinikat më me renome në pjesë të ndryshme të Gjermanisë, duke filluar nga pozita e shefit të Klinikës Vaskulare në Spitalin St.Willehad-Hospital në Wilhelmshaven, pastaj shef i Klinikës së Kirurgjisë vaskulare në spitalin St. Johanes-Hospital (qyteti Varel i regjionit Friesland), e deri te pozita e drejtorit të Klinikës vaskulare dhe endovaskulare, në Spitalin Helios në Pforzheim të Gjermanisë, spital ky i Qendrës Klinike Universitare të Heidelbergut, profesor në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Dyseldorfit dhe përgjegjësi të tjera profesionale.
Ndonëse karriera e Dr. Halilit në fushën e mjekësisë është impresive, ai thotë se jetës së tij i kanë dhënë shumë kuptim edhe aktivitetet e tjera jashtë profesionit mjekësor. Kujton se si me përkushtim gjatë viteve të para të tij në Gjermani ndihmonte qytetarët nga Kosova, të përndjekur nga regjimi serb, që të fitonin të drejtën e azilit përmes angazhimit në Komisionin për Politikë të Jashtme të Kosovës asokohe, e deri te mbështetja e refugjatëve në Shqipëri (Kukës dhe vende të tjera) nga lufta e Kosovës dhe mbështetja e angazhimi edhe në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Me shumë dashuri tregon librin e tij "Foleja shqiptare", të botuar në vitin 1996 në zyrën e tij të përkthimeve në Dyseldorf, një libër me dëshmi për Kosovën, historinë e saj, përndjekjet e shqiptarëve nga shteti serb, me dëshmitë e të cilit libër rreth 4000 kosovarë siguruan të drejtën e azilit në Gjermani në ato kohë të vështira. "Shumë prej këtyre njerëzve, që në atë kohë siguruan azil në Gjermani, sot janë figura të shquara të shkencës, sportit dhe fushave të tjera në Gjermani, me çka mburremi të gjithë dhe jemi krenarë", tregon Dr. Halili, pa harruar të përmend kontributin dhe ndihmën e Amnesty International për grumbullimin e dëshmive të prezantuara për dhunën serbe në Kosovë, të prezantuara në librin e tij.
Duke fokusuar vëmendjen nga e ardhmja, Dr. Krasniqi vlerëson se ajo është plot mundësi për kosovarët, në veçanti për komunitetin mjekësor, të cilit i takon edhe ai dhe të cilin dëshiron ta ndihmojë sikurse kishte ndihmuar shumë pacientë kosovarë në Gjermani dhe kolegët e tij, duke u ofruar mundësi trajnimi dhe edukimi profesional brenda klinikave ku ai ka udhëhequr. Kjo gjithashtu është edhe një nga arsyet pse ai është angazhuar fundjavave edhe në Kosovë, ku në sektorin privat kryen procedura të ndryshme intervente, me qëllim të shpëtimit të jetëve të pacientëve kosovarë. "Kosova ka mjekë shumë të përgatitur profesionalisht dhe të respektuar. Duhet të punohet në përgatitjen e sistemit, duke filluar me sigurime shëndetësore, që do ta ndihmon popullatën me shërbime, por edhe sistemin, që të shkojë në drejtimin e duhur. Me një përkushtim të madh, disiplinë dhe tolerancë mes vete, po besoj që pas dhjetë vjetësh, mjekësia kosovare mund të jetë konkurrente me mjekësinë e disa vendeve evropiane. Gjithsesi, është duke ecur në drejtim të mirë besoj...", shprehet Dr.Krasniqi. Teksa e mban në banesën e tij në Prishtinë të vendosur në kornizë "Betimin e Hipokratit", të dhuruar nga një njëri shumë i dashur, Dr. Krasniqi thotë se e lexon shpesh atë. Sikur dëshiron t`ia kujtojë çdo kolegu të profesionit se ky zotim është pikënisja e çdo dite të punës për secilin prej tyre.

Fëmijët, sporti dhe koha e lirë
Me gjithë angazhimet e shumta profesionale, Dr. Krasniqi, thotë të ketë kohë të mjaftueshme për çdo gjë që i jep kuptim jetës. "Nuk më mungon asnjë gjë në jetë dhe kam kohë të mjaftueshme edhe për fëmijët dhe shokët. E menaxhoj shumë mirë kohën..", thotë ai plot besim, duke shtuar se jeton vetëm në Gjermani, kohë pas kohe edhe në Prishtinë, ndërsa kohë të mirë, kur është në Gjermani, kalon edhe me katër vajzat dhe djalin e tij: Londinën, Laurën, Luizën, Sofinë dhe Florianin. Si adhurues i sportit të karatesë, gjatë kohës së lirë ushtron bashkë me djalin karate, ku mban shiritin e zi dhe 1 dan, ndërsa, duke qenë fans edhe i boksit gjithashtu, dr. Krasniqi thotë se takohet rregullisht me boksierët e njohur kosovarë në Gjermani (Luan e Haxhi-Robin Krasniqi dhe boksierë të huaj), ndërkohë që vrapimi në së paku çdo të dytën ditë është pjesë e aktiviteteve të tij në kohën e lirë.
Kur është në Kosovë, ndërkaq, nuk e lë pa e vizituar Pejën, ku ka shtëpinë e fëmijërisë dhe varrin e nënës. I plotësuar nga jeta profesionale në mjekësi, Dr.Krasniqi, për lexuesit e Teutës tregon se në vitin tjetër do të provojë edhe një rrugë tjetër për të ndikuar në përmirësimin e jetës së qytetarëve në qytetin ku jeton në Gjermani. "Në zgjedhjet e 24 majit 2019, do të konkurroj për asamblist në zgjedhjet komunale në Neuhausen pforzheim", tregon ai.
Megjithëkëtë, mendja dhe zemra e tij jetojnë për mjekësinë dhe sfidat e saj. Madje, midis shumë titujve profesionalë dhe specializimeve si në kirurgji të përgjithshme, kirurgji vaskulare, kirurgjinë estetike, intervencionalist, radiologji e mamografi, transfuziologji, urgjencë, kirurgji intensive, defektologji, logopedi, terapist familjar, individual, çiftit, terapist seksual dhe psikoterapist klinik, Dr. Krasniqit, zemra i rrah për kirurgjinë vaskulare, aty ku zemra dhe gjaku luajnë rolin kryesor. "Çdo gjë që nuk ushqehet, vdes. Nëse një lule nuk ujitet, ajo vyshket. Për mua, si profesionist, në trupin e njeriut, çdo gjë që nuk ushqehet me gjak, vdes. Thjesht, sistemi vaskular dhe vetë zemra është diçka fantastike", thotë ai. "150 000 kilometra inde gjaku në trupin tonë, 2.6 miliradë të rrahura gjatë jetës dhe 9000 litra qarkullim brenda ditës në zemër... Motori i vetëm që vepron në organizëm pa asnjë zëvendësim. A nuk është diçka fantastike kjo, ec e mos e duaj pastaj", thotë Dr. Krasniqi. Si një gardian i këtij sistemi dhe vetë jetës së pacientëve të tij , ai ka një këshillë për njerëzit që duan të kenë shëndet të mirë. "Mos e helmoni zemrën me alkool, duhan dhe ngarkesa të panevojshme", këshillon ai, duke uruar qytetarët që viti 2019 t’u sjellë shëndet të plotë dhe suksese në familjet dhe jetën e tyre!

© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. 

#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
Teuta Magazine

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, riprodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.com  www.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version