Ti je ketu: Ballina > Opinione > Si e kujtoj ditën e parë në shkollë?
Si e kujtoj ditën e parë në shkollë?

Shtatori, muaj shkollarësh, mbase të gjithëve na e kujton ditën e parë, si ngjarje e veçantë në jetën e fëmijës, klasën e parë, mësuesen e parë! Këtë radhë nuk i morëm për temë shkrimi fillestarët e sotëm, të cilët në këtë shtator i pret zilja e parë, por fillestarët e dikurshëm, sot njerëz me personalitet, të cilët me shumë ngrohtësi e kujtuan atë ditë të jetës së tyre shkollare: Blerim Shala,  Albin Kurti dhe Vlora Çitaku.

E mbaj mend ditën e parë në shkollë? Si jo. Mbase askush nuk mund ta harrojë atë ditë. Është njëra prej atyre ngjarjeve kufitare në jetën e secilit prej nesh. Shkolla ime ishte “Faik Konica” (dikur “Aca Maroviq”) në Prishtinë, përballë Radio Prishtinës atëherë e sot. Për nisjen time në shkollë, kam qenë shumë kureshtar dhe edhe më i pasigurt. Nuk dija çka më pret.

Natyrisht, e kujtoj kush më ka dërguar atë ditë në shkollë dhe kujt ia mbaja dorën fort – ishte kjo tezja ime shumë e dashur, po rrugën për në shkollë ia tregoja unë. Ajo më merrte me të mirë gjithë kohën, e shkolla ishte fare pranë banesës, pesë minuta në këmbë, por unë isha i ndrojtur.
Për këtë nisje shkolle, nuk ka pasur diçka të veçantë në shtëpi, atëherë. E dija që do të shkoja në shkollë, e asokohe, këtë ngjarje e merrnim si fare të zakonshme.
Vëllai im i vetëm ishte tashmë në klasën e tretë të fillores dhe e di që e pyesja shumë se çka është shkolla? Por, si edhe në shumë ngjarje të tjera jetësore, përvoja individuale është e pazëvendësueshme. Jetën e jetojmë vetë, edhe pse tërë kohën jemi me të tjerët.
Ndërsa sa i përket afërsisë, me të dy prindërit ndihesha i afërt, por, më duket se ata kanë pasur një siguri të madhe në mua dhe nuk e kanë parë të udhës të më këshillojnë shumë se si duhet të sillem.
Çfarë dëshiroja të bëhesha kur të rritem? E, këtë nuk e mbaj mend. Jeta asokohe ka qenë shumë më e varfër, më e kufizuar, më e njëtrajtshme se sot, prandaj me siguri nuk kam pasur shumë zgjedhje.

Mësuesja ime ka qenë Nadire Dida, një zonjë e madhe, një njeri i jashtëzakonshëm, së cilës i falem sot e kësaj dite! Është njeriu që e kujtoj gjithëherë me respektin më të madh. Si jam ndier kur mbeta ‘vetëm’? Atë ditë jam ndier në siklet të madh, sepse vetëm unë nuk e kisha Abetaren në dorë! Nxënësit e tjerë tashmë ishin pajisur me të, me librin e parë, e unë nuk di për ç’arsye nuk e kisha. Jam ndier tepër keq atë ditë. Në shkollë u ambientova shpejt, sepse aty kisha edhe shoqe dhe shokë të lagjes me të cilët isha çdo ditë.

Për mua, mësuesja Nadire Dida ka pasur rolin vendimtar në edukimin tim. Kam qenë me fat të madh që pikërisht moshën më të ndjeshme, atë midis 6-10 vjeç, e kam kaluar me të. Për bindjen time, shkolla fillore është kryesorja në formimin e një personaliteti. Më vonë, keni një moshë kur edhe vetë jeni në gjendje të merreni me arsimimin dhe edukimin tuaj. E unë kam qenë në shkollën më të mirë të qytetit, kam pasur mësuesen e jashtëzakonshme. Kam qenë me fat!

E mbaj mend ditën e parë në shkollë? Po, ishte e martë, 1 shtator 1981, ditë e bukur me diell dhe pa vapë. 

Meqë banonim në lagjen Aktashi në Prishtinë, shkolla ime ishte "Naim Frashëri", që asokohe quhej "Vladimir Nazor". Kur ecja ngadalë, ishte shtatë minuta larg. Mësuesja, Nafije Deva, na bëri rresht për dy në oborrin e shkollës dhe na priu deri te klasa jonë I/3. Isha shumë i gëzuar, por edhe i druajtur disi. Në fëmijërinë parashkollore nuk kisha shkuar në çerdhe, pra në kopsht fëmijësh, dhe tash përnjëherë isha në këtë det fëmijësh, me çanta në dorë e në shpinë. Në orën 10:35 u ngjitëm shkallëve për në katin e dytë. Po hynim në klasën tonë. Para meje u shpalos një varg i gjatë, sa i tërë muri i klasës, me dritare të mëdha, prej nga depërtonte aq shumë dritë.
Ditën e parë jam mërzitur, por nuk kam qarë. Mundohesha t`i kujtoja të gjitha porositë e nënës. Nëna ishte ajo që më dërgoi në shkollë. Ajo ishte mësimdhënëse në shkollën e mesme teknike. Kështu që, ditën e parë në shkollë, njëra mësuese më dorëzoi te tjetra.
Kisha të veshur pantallona ngjyrë të çelur, atlete, këmishë dhe një xhemper të hollë. Atë ditë isha zgjuar shumë herët. Aq shumë isha i lumtur, që kishte nisur kjo ditë, por me padurim e prisja edhe fundin e saj që të çlirohesha nga shqetësimi që më kishte kapluar.
Isha i afërt me të dy prindërit. Ma shpjegonin e ma përshkruanin gjerë e gjatë shkollën, mësuesen dhe nxënësit e tjerë. Se si duhet të mësoj shumë dhe të kem gjithfarë lloj kujdesjesh. Kur lodheshin me sqarimet dhe rrëfimet e tyre, atëherë unë nisja me pyetjet e mia të pafundme, derisa ata lodheshin për së dyti dhe thoshin që kanë edhe punë të tjera, sepse ora vajti vonë.
Nuk mund të them që kam pasur ndonjë ide të saktë se çfarë do të bëhesha kur të rritesha. Por, e di që teatri shtëpiak, kur luanim me vëllanë tim, që ishte gati dy vjet më i ri se unë, dominohej prej tri personazheve: marinarit, minatorit dhe astronautit.

Si ishte mësuesja ime? Edhe shumë e afërt, edhe shumë e rreptë. Dhe shumë mirë që ishte kështu. Besoj që kombinimi i mençur i dashurisë me disiplinën është vendimtar për fëmijët dhe nxënësit. Të gjithë ne, nxënësit e klasës I/3, mendonim që Nafije Deva ishte mësuesja më e mirë jo vetëm në shkollën tonë. Unë edhe sot mendoj kështu.

Roli i mësueses mbase është rol dhe ndikim i madh, po aq sa i prindërve. Në shkollë e takon fëmija për herë të parë sistemin dhe shoqërinë e organizuar institucionalisht. Mësuesja është edhe emri, edhe fytyra, edhe udhërrëfyesja. Nga mësuesja varen aq shumë gjëra: prej pasionit për dijen dhe zbulimit të talentit e deri te përgjegjshmëria shoqërore e individit.
Shkollimi është prodhuesi më i madh i aftësisë së njerëzve dhe krijuesi kryesor i kulturës së qytetarëve të së nesërmes. Madje, besoj që edhe më shumë sesa familjeve të tyre, njerëzit i detyrohen cilësisë së shkollimit për personalitetin e tyre, si për të mirë ashtu edhe për të keq. Rëndësia e shkollimit, pikërisht pse tepër e madhe, praktikisht bëhet e pamatshme.

Ditën e parë e mbaj mend si sot. Është një nga kujtimet më të ëmbla dhe më të freskëta që kam. Me atë ditë e lidh edhe fillimin e pavarësisë sime dhe me po atë ditë e lidh edhe krijimin e individualitetit tim. Shkolla ime ishte shkolla fillore Dardania në Prishtinë.

Atë ditë shtatori e kam kuptuar më qartë se kurrë, se dora e nënës do të më përcjellë vetëm deri tek pragu, e rrugën tjetër duhet ta bëja vetë. Nëna ma shtrëngonte dorën fort, fort dhe sot kam përshtypjen se ajo kishte më shumë frikë nga kjo "ndarje" se unë.
Po kështu, mbaj mend fare mirë se kam pasur të veshur një fustan dhe jelek ngjyrë të kuqe dhe një këmishë me pika. Atmosfera në shtëpi ka qenë shumë festive. Unë kisha një dozë të madhe padurimi, kureshtjeje e ndonjëherë edhe ankthi. Doja t’i bëja menjëherë përshtypje mësueses dhe shoqeve e shokëve në klasë. Kisha përgatitur vjershën që do ta recitoja dhe mbaj mend ta kem përsëritur pafundësisht në shtëpi dhe rrugës për në shkollë.
Në fakt, unë e prisja me padurim shkollën. Motra ime e madhe tashmë ishte në shkollë dhe unë disi ndihesha e vonuar dhe e anashkaluar, sepse ajo tashmë kishte çantën, fletoret, librat, mbase për shkak të saj unë qysh 5 vjeçe kam ditur shkrim-lexim…
Me të dy prindërit kam pasur lidhje të fuqishme dhe shumë të afërt. E kam urryer më shumë se çfarëdo tjetër pyetjen “a e do më shumë nënën a babin?” Vihesha gjithmonë në siklet dhe kisha përgatitur përmendsh disa versione përgjigjesh, sa herë që më shtrohej kjo pyetje. I dua që të dy shumë, dhe që të dy janë hisedarë në atë që jam unë sot. Nëna më dhimbset më shumë, sepse, si fëmijë, e ka pasur jetën shumë të vështirë.

Mësuesja ime ka qenë dhe mbetet burim i pashtershëm frymëzimi për mua. Pikërisht për këtë arsye, në klasë të parë kam dashur të jem mësuese. Ajo është heroina ime, është idhulli im. E kam dashur dhe e dua edhe sot, me po të njëjtin respekt dhe admirim e kujtoj përkushtimin e saj dhe dashurinë e pafund që ka ndarë për ne, nxënësit e saj. Mësuesja Mukadeze Ballata ka qenë shembull i shpërndarjes proporcionale të dashurisë dhe kujdesit. Asnjëherë nuk jam ndier më e dashur dhe më barabartë e përkujdesur se kur kam qenë nxënëse e saj.
Atë ditë nuk kam qarë. Më është kujtuar nëna dhe rruga e saj e gjatë për në shkollë. Nënës sime dhe fëmijëve të tjerë të fshatit të saj u janë dashur nga 2 orë rrugë përmes maleve për të shkuar në shkollë. Falë saj, rruga ime për në shkollë ishte shumë më e shkurtër dhe shumë më komode.

Fëmijët rriten nën ndikimin e modeleve që i rrethojnë. Pas prindërve, apo mbase edhe barabar me ta, mësuesja ka rolin vendimtar. Është ajo që do të ketë rol përcaktues në relacionin që ndërtojmë me shkollën dhe shoqërinë. Unë nuk besoj të ketë njeri që nuk e mban mend mësuesen e parë dhe nuk besoj të ketë njeri që nuk emocionohet sa herë që e kujton apo e takon atë. Sa herë që e shoh mësuesen time, dhe sa herë që mendoj për të, unë bëhem sërish fëmijë.
Roli i shkollës si institucion është vendimtar në formimin e personalitetit të njeriut. Vetëm ekspozimi në një grup të barabartë njerëzish na bën të kuptojmë që, ndonëse jemi të ndryshëm, ndonëse dikush mëson më shumë e dikush më pak, ndonëse dikush ka prirje për art e dikush për shkencë, të gjithë jemi të barabartë dhe shoqëria ka nevojë për të gjithë. Këtë mësim ta jep vetëm shkolla.

Revista TEUTA

 

© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
275

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, riprodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT 2017 TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.com  www.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version